E Martë, 07.23.2019, 01:13am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » INTERVISTË-PRESS
 
Kompromis për ne është pavarësia - Nga Ibrahim Rugova  -
E Enjte, 01.22.2009, 09:27am (GMT+1)

Nga Ibrahim Rugova

 

Deklarata të ndryshme nga Ibrahim Rugova

 

Në Shqipëri - për një kafe

 

Sa i përket afrimit ndaj Shqipërisë ne atë e duam sa edhe afrimin me Evropën. Projekti evropian nuk e lejon ndryshimin kufijve, porse hapjen; të mos ketë më mure të Berlinit, mure të vdekjes. Ne tash udhëtuam prej Frankfurtit në Strasbur: aty nuk merrej vesh se ku mbaronte Gjermania dhe ku fillonte Franca, po të mos ishin udhërrëfyesit në të cilët shkruante "Deutschland" apo "Frankreich". Kam qenë në Nova Goricë ku italianët vinin për darkë, kurse Sllovenët shkonin në Stara Goricë për ta pirë kafenë e mëngjesit. Ja, kështu edhe unë do të dëshiroja të shkoja në Shqipëri për të pirë kafe. (Korrik, 1990)

Për debatin

Diskutimet e hapëta nuk e dëmtojnë asnjë mes të jetës kulturore, përkundrazi e ngrenë dhe e sjellin në përparim. Ne thuajse kurrë nuk diskutojmë për çështje e probleme me vlerë të përgjithshme: është institucionalizuar një mendim se nuk duhet të diskutohet, sepse duhet të ruhet autoriteti, niveli fiktiv privat e personal, madje titullar, çfarë të lë përshtypjen e një mesi të pazhvilluar. Është mirë dhe duhet të mësohemi, si gjithkund tjetër, të diskutojmë rreth çështjeve dhe ideve që nxisin e shtyjnë përpara, pa marrë parasysh se nga kush vijnë, meqë në gjëra të tilla ngritet dhe vepron autoriteti dhe personaliteti real. (1978)

 

Liria konkrete

 

Do kuptuar se shkrimtari është thelbësisht qenie kombëtare, e njëherësh edhe qenie gjithënjerëzore, që nga qenia e tij nacionale synon kah universalja në planin individual e kolektiv. Kështu, liria konkrete e krijimtarisë, mendojmë se është qëllim i vetë letërsisë dhe me çdo vepër të re e me çdo përpjekje të re, bëhet më e frytshme. Në këtë kuptim, mund të themi se liri kurrë nuk ka mjaft, e sidomos për ne që kemi tradita të gjata të luftës për liri, e traditë modeste të jetës në liri, por gjithmonë të vetëdijshëm se çdonjërit prej nesh dhe çdo letërsie e kulture në mënyrë plotësisht të barabartë i është e nevojshme dhe e domosdoshme. (1985)

 

Intelektualët - shoqëria

 

Në teoritë dhe në historitë e ndryshme të kulturës, ky raport shtrohet si inteligjencia politika apo inteligjencia pushteti. Shtrohet pyetja se çfarë të kuptojmë me inteligjencie? Sot edhe në botën shqiptare mund të bëhet fjalë për inteligjencien humanitare, inteligjencien teknike dhe inteligjencien politike, e cila gjendet apo qëndron pranë pushtetit. Në historinë e letërsisë dhe të kulturës shqiptare, këtë çështje në nivel të artit letrar, e kanë shtruar Konica, pastaj Asdreni dhe Çabej në vitet '30. Sot, ekzistojnë dy pikëpamje lidhur me çështjen: angazhimi i inteligjencies në çështjet aktuale në praktikën shoqërore dhe mbetjen anash të saj, të luftojë me mjete të veta. Kështu, Sartri kërkon që intelektualët e të gjitha tipeve, duhet të jenë të angazhuar, të marrin pjesë në jetën shoqërore e politike, po në nivel të detyrës dhe të profesionit. Zgjidhja më e pranueshme del që intelektualët humanitarë duhet të bëjnë punën e vet dhe të ndikojnë kështu në politikën dhe në rrjedhat aktuale. Pra, me mjete intelektuale duhet të ndikojnë në mjetet dhe vendimet politike, të përpiqen për mirëkuptim brenda kombit dhe me kombet e tjera, të mos nxisin të keqen njerëzore, çfarë shpesh për interesa të verbëra e bën pushteti, siç na mëson historia. Mësim historik është ky: se pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor. (1987)

 

Paralajmërimi

 

Në qoftë se Serbia do të përpiqet përsëri të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë një kryengritje. Unë vetëm mund t'i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një popull i vogël. Në të kaluarën sa herë që një popull i vogël është përpjekur të luajë rolin e një fuqie në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e tij. (1989)

Gjuha i bashkon shqiptarët

Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia - shqiptarët i bashkon gjuha. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes Kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit. (1989)

 

Shkrimtarët në politikë

 

Te popujt e vegjël shkrimtarët vazhdimisht kanë luajtur rol të rëndësishëm jo vetëm në jetën kulturore, po edhe në atë shoqërore e politike, sidomos që nga romantizmi e këndej. Për të zgjeruar tezën, do të thosha se te ne inkuadrimi i këtillë i shkrimtarit ka funksionar që nga Buzuku e këndej, sepse ai dhe plejada e shkrimtarëve tanë të vjetër gjithnjë kanë pasur idenë e ndriçimit të popullit e të njeriut. Në këtë plan në të vërtetë kemi traditë të madhe. Ka historianë që thonë se shtetin shqiptar e kanë themeluar intelektualët. Le të na kujtohet puna e Samiut, Naimit, Vretos, Gurakuqit, Nolit, etj., dhe e shohim me të plotë këtë kuadër. Te popujt e vegjël, ku mungojnë politikanët e mirëfilltë, përfaqësuesit legjitimë të popullit, burrat e shtetit, shkrimtarëve dhe intelektualëve të tjerë u duhet që të vihen në ballë të proceseve. (1990)

 

Kosova e lidhur me Evropën e SHBA-të

 

Kosovës sot i duhet, mbi të gjitha, paqja, demokracia, liria, bashkëpunimi me të gjithë popujt... Kosova duhet të hapet dhe të jetë e lidhur me Evropën, me SHBA të dhe vendet e tjera dhe natyrisht të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, të kenë mundësi të jenë në trojet e tyre, vetë të zgjedhin ku duan të jetojnë dhe natyrisht gjithnjë të jenë të lidhur me vendin e vet, se kjo është një mënyrë më e mirë që ata t'i ndihmojnë Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare dhe të ndihen si shqiptarë. Kam dëshirë që kudo që të jenë shqiptarët, edhe pse ka dallime në pikëpamje, ne duhet të mësohemi të jetojmë me pluralizmin, por pluralizmi duhet kuptuar që gjërat t'i bëjmë më mirë e kurrsesi të shkatërrojmë, sepse janë disa gjëra të shenjta, siç janë atdheu, liria, paqja... që janë çështje fundamentale dhe nuk guxojmë të prekin asnjeri, por ato duhet t'i përparojmë, t'i çojmë tutje. (1990)

 

Qetësia dhe fjalori

 

Qetësia çmohet tepër edhe në diplomaci. Kurrë nuk duhet të flasë njeriu me një fjalor të rëndë, me një arsenal fjalësh që ka shtypi, gazetat. Eshtë edhe një parim tjetër: kurrë nuk duhet paraqitur as vajtues as eksploziv. Duhet shtruar gjërat ashtu siç janë. Pra, nuk duhet imponuar, nuk duhet të jesh emocional, as ekskluziv, as të urrehen popujt e tjerë. (1990)

 

Intelektuali - qëndrim të pavarur politik

 

Në politikë konkrete kam hyrë përmes Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Shoqata dhe njerëzit që e përbënin (dhe e përbëjnë) ata përfaqësonin më shumë aspirate e interesa demokratike të popullit. Gjatë periudhës që isha kryetar i Shoqatës, konfliktet që kishin lindur më parë erdhën duke u ashpërsuar dhe ato kërkonin qëndrim të prerë, pra, edhe guxim. Si kritik letrar e shkencëtar politikën e kam përcjellë, sepse kjo është detyrë e çdo intelektuali, i cili duhet të ketë qëndrim të vetin politik, të pavarur nga politika ditore. Qëndrimi në Paris më ka pasuruar në këtë pikëpamje, më ka ndihmuar që të krijojë një koncept modern për intelektualin, i cili jo vetëm që duhet të mendojë e të shkruajë për demokracinë e lirinë, por në raste konkrete, kur ato kufizohen, duhet të angazhohet edhe konkretisht e praktikisht. E deshi situata, e rasti më gjeti në vendin e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve që të merrem konkretisht me politikë, në të cilën angazhohem për krijimin e kushteve të favorshme që nesër të kem mundësi e liri politike të shkruaj libra siç dua, që të jetojmë edhe ne në demokraci e liri. Ky fat ndoshta na është paracaktuar ne intelektualëve shqiptarë. Kështu, sikur vazhdojmë një traditë të shkrimtarëve tanë më të hershëm, të cilët në mungesë politikanësh u detyruan të merren me çështjet e lirisë e të kombit. (1990)

 

Kosova nesër

 

Kosova nesër do të jetë një rajon i pavarur evropian. Me qetësimin e situatës, do të shtohet interesi për investime të kapitalit jo vetëm i njerëzve tanë në botë, por edhe i kapitalit të huaj, i cili rajon do të bashkëpunojë si në planin ndërkombëtar, ashtu edhe në hapësirën brendakombëtare, me qytetarët e saj të lirë e të barabartë. Ajo që inkurajon për ardhmërinë e Kosovës është një traditë jona e çmuar - ruajtja e familjes, një celulë e çmueshme e cila na siguron një ardhmëri. Jam, pra, një optimist racional, pra, jam për një optimizëm që ndërtohet me punë në të gjitha poret dhe për një ardhmëri të cilën duhet vetë ne ta ndërtojmë, sepse hapësirën duhet ta pushtojmë vetë ne hap pas hapi si një proces të vazhdueshëm dhe historik. (1990)

 

Bashkimi kombëtar

 

Eshtë shumë normale dhe e natyrshme që shqiptarët, si të gjithë popujt e tjerë, të jenë të bashkuar, të jetojnë në një shtet, në një bashkësi politike. Sidomos është normale për ne shqiptarët që jemi të ndarë në dysh, kur gjysma e popullsisë është këndej e gjysma andej. A do të realizohet shpejt apo ngadalë, do të jemi gjallë. Shqiptarët, si qëllim e kanë pasur dhe do ta kenë bashkimin, sado që në kohën e dominimit komunist u çrregullua kjo ide, ndërsa tash e tutje ajo do të jetë si ide udhëheqëse e shqiptarëve. Por, në këtë plan duhet të punohet me mençuri. Bashkimi me forcë, me dhunë, vështirë tolerohet sot nga Evropa. Por, tash për tash, të mendojmë dhe ta bëjmë integrimin shqiptar dhe integrimin në kuadër të Evropës. Një herë për një herë, duhet të njihemi, të shihemi, e pastaj t'i realizojmë kërkesat tona, edhe pse na është thënë se në të dy anët e kufirit, kemi edhe pikëpamje të kundërta ideologjike. Por, këto ishin vetëm shpifje e gënjeshtra që u doli boja, sepse nuk është e mundur që një popull të ketë dy ideologji. Me një fjalë, shqiptarët duhet të bëjnë përpjekje që të ndihen të lirë në të gjitha hapësirat shqiptare, duhet të punojnë vazhdimisht për zgjidhjen e tyre kombëtare. Kjo do të jetë e realizueshme, por duhet të jem modest: të punojmë vazhdimisht, hap pas hapi t'i realizojmë qëllimet tona. Të bëhet një bashkim konkret, e jo me fraza të thata. Sot për sot është aktuale ideja e integrimit evropian. Nga ky integrim më lehtë do të arrijmë këtë që e synojmë. Të punojmë në këtë drejtim pa shpallje e deklarata. Çështja e bashkimit duhet të jetë temë e shkencës. Shkenca vazhdimisht le ta elaborojë këtë në mënyrë që politikës t'i krijohet mundësi më e madhe. Të ndahen disa gjëra dhe ta ndihmojnë njëra tjetrën, sepse, ne, për fat të keq, këtë çështje nuk e kemi pasur as temë të shkencës, bile mund të thuhet as andaj, as këndej. As akademitë, as institutet, as universitetet nuk e kanë trajtuar në masë të duhur këtë çështje. Prandaj, ky është problem shumë i madh dhe mirë që është shfaqur dhe po flitet rreth kësaj ideje. Natyrisht, në politikë mund të përdoret edhe si presion i manovrave më të gjera rreth realizimit të kërkesave të shqiptarëve. Eshtë e njohur se në politikë nisen gjëra të vogla e përfundojnë të mëdha dhe është mjeshtri që gjërat e vogla t'i bësh të mëdha. Ne do të punojmë në këtë plan dhe është mirë që ideja për bashkim ka lindur nga mbarë kombi, prandaj edhe në kontaktet me përfaqësuesit e Evropës bisedohet edhe për këtë çështje. (1991) Intelektuali Intelektualët kanë vetëm dy rrugë: të mbeten te libri apo të rrëmbehen nga veprimi. Sepse unë jam nga ai lloj i intelektualëve që nuk pret të vijë diçka vetë. Por ky ishte një kompensim kundruall aksionit. Mund të kuptohet.

 

Për meditimet e Parisit

 

Kam medituar shumë gjatë studimeve (në Paris), nën influencën e Bartit, mbi relacionet pushteti dija dhe funksionimi i shtetit, raportet mes strukturës intelektuale dhe shoqërisë: pikërisht kështu mund t'i qasemi çështjes së ekzistencës së një lëvizjeje për liri. Kam qenë një njeri krejtësisht apolitik, edhe pse interesohesha shumë rreth teorisë së pushtetit. Më vonë, propozova një analizë për marrëdhëniet mes pushtetit dhe rezistencës me librin "Strategjia e kuptimit", më 1980, dhe me "Refuzimi estetik" më 1987. Por kjo ishte një presedencë e rrezikshme për sistemin: fjala ishte për formën e vetme të rezistencës së mundshme ndaj shpërdorimeve të rënda të pushtetit kundër shqiptarëve të Kosovës, e kjo i minonte edhe parimet mbi të cilat mbështetej ky sistem. (1993)

 

Denoncimi i terrorit

 

Për mua, denoncimi i terrorit së pari ka kaluar nga gjuhësia, nga letërsia. Për shembull, në "Strategjia e kuptimit", ku përpiqem të gjurmoj se cilat janë mundësitë e kundërshtimit të vdekjes së kuptimit të botës bashkëkohore, përdor konceptin e strategjisë negative, një koncept në plan të parë polemik. Pastaj, më vonë, kapacitetin tim intelektual e investova në politikë. Hyra aty për të mbrojtur, për të bërë diçka, për të krijuar kushte me qëllim që populli të realizohet, jo për të bërë një karrierë politike. Në histori ndodh që intelektualët të jenë të fundit ata që nuk lejojnë të bjerë populli. Situatat urgjente, si kjo që jemi duke përjetuar aktualisht, na kërkojnë dhe, paradoksalisht, na pengojnë të bëjmë punën tonë normale të intelektualit. Pozita e intelektualit inspiron gjithashtu një lloj koncepti të punës politike: duhet të jetë i rregullt, për të favorizuar shansin, por nuk duhet të rrijë e të presë që të bëhen ndryshime me mrekulli. (1993)

 

Protektorati

 

Unë kam kërkuar shpesh në fillim të këtij viti, deri në ditët e sotme, mbrojtjen ndërkombëtare për disa vjet, me qëllim që të qetësohet situata dhe të mëkëmben institucionet demokratike. Pastaj, do të mund të flitnim për statusin e Kosovës. Mendoj se solucioni më i mirë transitor, apo provizonr, për të penguar konfliktin apo konfrontimin, është kjo formë e protektoratit ndërkombëtar, ajo që amerikanët e quajnë "trusteeship system". Në planin e paqes që ua propozova Kombeve të Bashkuara, kërkova dërgimin e trupave të OKB së apo të NATO s, masa për të kontrolluar forcat ushtarake; njëkohësisht të njëjtat propozime ia përcolla edhe Konferencës së Gjenevës. (1993)

 

Kompromis - pavarësia

 

Kompromis për ne është pavarësia. Këtë e kam thënë një mijë herë dhe kjo do të jetë sepse siç e dini ne nuk kemi kërkuar bashkim me Shqipërinë, pasi që jemi të vetëdijshëm që një zgjidhje e tillë do të hapte probleme të tjera. Mirëpo shteti i pavarur dhe sovran është vullnet i popullit të Kosovës dhe është zgjidhje e pranueshme për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë si dhe kjo do të ishte zgjidhja më e mirë edhe për fqinjët tanë, por edhe për Serbinë, e cila fatkeqësisht ende po refuzon ta kuptoj realitetin e ri që është krijuar në Kosovë pas intervenimit të NATO-s ( qershor 2005)

 




Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2019  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 

 
VOAL
[Shko lart]