VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SHËNIME UDHËTIMI NGA ITALIANga ÇELIK PETRITI

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 03:27pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 

SHËNIME UDHËTIMI NGA ITALIA

Nga ÇELIK PETRITI


E Enjte, 11.24.2011, 05:47pm (GMT+1)

Paguaj 4.9 Euro dhe merr dy copë

Gjatë ndalimeve që Nandi dhe Turi aplikonin nëpër autogrila për të pirë kafe, apo për të marrë lëngje dhe ujë, në të gjitha lokalet të binte në sy një si tip frigoriferi i madh me hapje nga sipër, ku nuk kish asortimente ushqimore të akulluara, por libra "të ngrohta" të lëmive nga më të ndryshme (madje me lidhje të mira). E si të mos blije së paku dy tituj që t'i merrje me vete, kur aty shkruhej "Paguaj 4.9 Euro dhe merr dy copë"?! Asisoj, në vazhdim, në autobus, përveçse me lëngje dhe me ujë të gazuar, mund të "freskoheshe", duke u hedhur një sy qoftë edhe disa poezive. Në një takim të tillë befasues me librin bleva edhe "Hamletin" në italisht.

E kështu më së fundi mbërritëm në Bolonjë, me ndalim (sipas kërkesës sonë) te stacioni i trenit, nga ku marrim taksi e nisemi për te njerëzit tanë në:

Via della barka

Bie në sy fjala barkë (varkë) në këtë togfjalësh emërtues. Dhe jo më kot. Tashmë ajo është një nga rrugët (arteriet) kryesore më të bukura që degëzohet drejt veriut të qytetit prej rrugës tjetër kryesore "Andrea Kosta", sapo kalon stadiumin "Dal' Ara", ku rruga përfunduese me portiqe merr krahun e majtë, kodrës, për të përfunduar në sheshin e baizikës "San Luka" dhe shkon kryqëzohet me rrugë të tjera deri në periferi. Madje duket sikur udhëton mes një parku, edhe pse në fakt, me përjashtime të vogla, blloqet e ndërtesave në të dy anët shkojnë nga shtatë deri në dhjetë kate së bashku me "piano terrën". Ideja e parkut të krijohet sepse pallatet mezi dallohen mes gjelbërimit. Më pas, kur i shëtita edhe me këmbë rrugët e ndërmjetme, vura re se blloqet e pallateve ishin të rrethuara me mikro - xhardino, ku nëpër drurët dekorativë dhe pishat gjigante që "çanin" qiellin, të cilat rrënjët i kishin, herë në sipërfaqe të sheshta, herë në kodërza ta sajuara me dherat e përfituara prej gërmimeve për katet e nëndheshme të pallateve, këndonin zogjtë si në një korije; madje mëllinjat shkëputeshin nga degët e tyre dhe vinin të uleshin në parmakët e dritareve. (Duke i vështruar ato tërë kureshti, po u jepja kuptim ca përpjekjeve të tilla në disa pika të Tiranës si, psh, përpara Parlamenti, te ish - fusha "Ali Demi", te ajo përballë maternitetit të ri, te ajo në ish - fushën e aviacionit; tani së fundi edhe në sheshin "Skënderbej", etj, por që, hë për hë, janë, sa mikroskopike, aq edhe të pamirëmbajtura vënde - vende). Nëse përfytyron pastaj se këto blloqe pallatesh të mbuluara nga gjelbërimi përreth sfumohen fare midis xhardinove të mirëfillta në të gjitha krahët, ku gjithnjë gëlojnë njerëzit që s'janë të zënë në punë (si ata të moshave të treta, invalidët me karrige lëvizëse nën shërbimin e grave emigrante, të cilat për nga komunikimi të duken si të afërmet e tyre, fëmijët, nënat me fëmijë, etj, duke ecur, duke vrapuar, apo duke bërë xhiro me biçikleta) mund të thuash me plot gojën se Bolonja, e cila në Itali, për nga popullsia dhe shtrirja sipërfaqësore, radhitet në qytetet e dyta, qytet me plot gojën, mbi të gjitha, me tërë mrekullitë mesjetare, ngjan vetëm në qendër, ndërsa pjesa tjetër, me plot kuptimin e fjalës, mund të thuhet se është një park gjigant me përthyerje asimetrike.

Fjala "barkë" kish mbetur për faktin se deri në Vitet '60 në atë zonë kalohej me barka, mbasi ishte gjysmëkënetë. U shndërrua në pallate, xhardino dhe më në skaj në "rotondo", me "Bum" - in e ndërtimeve në Vitet '70. Madje kishte edhe shenja të tjera domethënëse të punës shndërruese të atyre viteve. Psh, në tabelën e një rrugice të ndërmjetme në atë lagje, poshtë emrit të personit që tani s'më kujtohet, shkruhej "Il pompiere", sepse përsoni, të cilit i mbeti emri i përjetshëm, kish pasur kontribut të veçantë pune për shndërrimin e kënetës në lagje magjike, sikurse diku - diku, nga dritarja e taksisë (mbas shëtitjeve të mëvonshme, edhe në lagjet e tjera) fiksova edhe emra të thjeshtë si "Ferrucio Magnani" (Il patriote), "Via D'Ambria", etj.

Më tregonte një miku im mbas kthimit prej vizitës te njerëzit e vet në SHBA ( në një zonë me dominim ispanjik) se qyteti zgjerohej proporcionalisht në formë rrezesh prej një qendre sferike me 30 rrathë koncentrikë, ku deri tani, në vende të ndryshme, ishin ravijëzuar në mënyrë asimetrike, për të mbetur të pavdekshëm, statuja, apo buste (të përmasave të diferencuara) të njerëzve që kishin kontribuar për zhvillimin e qytetit, me një domethënie kuptimplotë kjo, pra, se në ata rrathë koncentrikë kishte vend edhe për këdo tjetër të tillë në dekadat e shekujt e ardhshëm. Kudo që pata rastin të shkoja ato ditë që isha në Itali, veç Bolonjës, si në Firence, Ferrara, Padova e Venecia, i jepja kuptim atij rrëfimi të mikut tim të sapokthyer prej atij qyteti amerikan, kur shikoja kudo në sheshet kryesore statujat, jo vetëm të Garibaldit, por edhe të princit Kavur, sepse ai, ndonëse me origjinë jo italiane, ishte ideator i shtetit të bashkuar italian.

Dhe, jo më kot u ndala në detaje të tilla, sepse po ndeshim lloj - lloj emrash për rrugët e Tiranës, ku krahas atyre të personaliteteve, apo të personave të tjerë kontribues, ka edhe nga ata për të cilët njerëzit pyesin, sepse s'dinë çfarë kanë qënë, madje duke qarkulluar edhe gjysëmanekdoda si "gjyshi i iksit që aponsorizoi ypsilon fushatë, apo xhaxhai i iks funksionari" e të tjera qyfyre të tilla. Për ta përmbyllur me një rast kur e kam ndier veten të turpëruar, sepse diku aty midis ish - fushës "Ali Demi" dhe ish - Uzinës Gjeologjike, ku unë banoj prej vitesh dhe kaloj 5 - 6 herë në ditë, një "jabanxhi" më pyeste për rrugën "Onufri" dhe unë nuk e dija, kur kishim qënë fare pranë asaj "rruge" me emër aq të madh ( në fakt, një kthinë nja 30 - 40 metra midis ca shtëpive të hershme tiranase). Domosdo, në një distancë kohore aq të madhe që nga Mesjeta, nuk dihet se cilët mund të jenë stër - stërnipërit e piktorit të madh, që të zgjidhnin një rrugë më dinjitoze për emrin e tij, ose, së paku, të mos e pranonin fare këtë përtallje. Jo më kot i bëra këto përqasje edhe për faktin së në Bolonjë ishte...

... Magji më vete edhe emërtimi i rrugëve

...Sepse, krahas emrave të njohur të kulturës italiane, të shkencës e të Krishterimit (sidomos në pjesën e vjetër e veçanërisht për sheshet), krahas emrave si ato të 2- 3 rasteve të përmendura më sipër, apo edhe të tjera, që herë të bëjnë të mendosh, herë të meditosh, madje herë - herë edhe të qeshësh, si "Rruga e...poetëve; e muzeve; e malit; e gurëve të çmuar (cherubini); e artizanëve; e thikave; e qenve", etj, etj, në pjesën tjetër të zgjeruar në kohëra, madje deri në fshatin ngjitur me lagjet periferike Granaroli dell'Emilia ku prodhohet e përpunohet qumështi i famshëm, që konkuron edhe Parmalatën (emrat e rrugëve dhe shesheve të të cilit mbajnë emra kryeqytetesh të Europës si të Parisit, Londërs, Madridit, Budapestit, etj), emërtimet e rrugëve dhe shëtitoreve janë me blloqe tematike si me emra shkrimtarësh (Stendal, Tolstoi, Shekspir, Servantes, Kolodi, Verga, Manzoni, Bajron, V.Hygo, Goldon, Neruda, L.Pirandelo, Alfieri, Torkuato Taso, Dante Aligieri, Pushkin etj), të cilat i shkela disa herë më këmbë, për arsye se ishin në krah të rrugës kryesore "Via della barka" ku banojnë edhe im bir dhe im vëlla; shkencëtarësh (Darvin, Markoni, Njyton, Koperniku, Toriçeli, Galilei, Volta, Fermi, Ajnshtajni, Galvani, Flemingu, etj); eksploratorësh dhe ekspeditorësh (Kristofor Kolombi, Vasko de Gama, Marko Polo, Juri Gagarin, Magelani, Ameriko Vespuçi, etj); piktorësh ( Karavaxhio, Xhoto, L.D. Vinçi, Mikelanxhelo,V.Karpaçio (është fjala për shqiptarin e famshëm oparak Viktor Karpaçi); kompozitorësh (Moxart, Vagner, Paganini, Vivaldi, Bethoven, Bah, Belini, Rasini, Verdi, Maskanji, etj); këngëtarësh e aktorësh ( Xhon Lenon, Merlin Monro, etj); madje edhe personazhesh, sa historikë, aq edhe letrarë, si M.Antonio, Oktaviani, Bruti; shtetesh, qytetesh, ishujsh, krahinash ( Franca, Tunizi, Saragoza, Barcelona, Malta, Tripoli, Greqia, Bastia, Parisi, Madridi, Budapesti, Praga, Londra, Vjena, Sardenja, Korsika, Stalingrad, etj), për të përfunduar me emra personalitetesh politikë, shtetërorë, apo shoqërorë (Rusveld, Kenedi, Martin Luterking, Lenin, Ana Frank, Palmiro Toliati, Aldo Moro, Antonio Gramshi, Sanko e Vanseti, L.Longo, Xh.Garibaldi, De Gasperi, Pertini, Berlinguer, M.Gand, Xh.Saragat), apo edhe emërtime simbolike të tilla si: Parku i të përsekutuarve antifashistë; Viktimat e terrorit nazist; 8 Marsi, Risorxhimento, etj.

Të diskriminuar në Bolonjë...

Sapo mbërrijmë në shtëpinë e vëllait, në katin e gjashtë, menjëherë dola në ballkon, i cili shikimin e kish nga Veriu. Arsyeja ish se më ishte "ndezur hunda" për një cigare dhe atë mund ta pije vetëm aty. Fjalën diskriminim në nëntitull po e përdor për dy arsye:

Së pari, sepse ma përdori im vëlla kur erdhi të më bëjë shoqëri në ballkon, duke më thënë "Mos e mërr si diskriminim, sepse do ta shohësh që këtu në Bolonjë vetëm për këtë vesin tonë të keq ndjehesh i diskriminuar, gjë që e përjetova gjatë gjithë ditëve të qëndrimit atje, prandaj s'më erdhi aspak çudi kur, në një tryezë televizive ditën e luftës kundër duhanit, deputetja Lajla Përnaska, tashmë nga pozicioni i mjekes, deklaroi se, qëkurse para ca vitesh u deklarua lufta kundër tymosjes se duhanit në mjedise publike, për realizimin me efikasitet të tij, Italia mban vendin e parë në Europë.

Se dyti, sepse, jo shumë ditë pasi isha kthyer nga Italia, i ndodhur te shkallët e Akademisë së Shkencave në pritje të fillimit të një konference për Të Drejtat e Njeriut, teksa isha duke biseduar me një nga drejtuesit e IGFM të ardhur nga Gjermania, m'u desh ta ndërpres bisedën për të shkuar më tej te koshi të fik cigaren, që të mos i dëmtoja zërin këngëtarit të njohur Mihallaq Andrea, ardhur enkas të këndonte në atë konferencë, sepse prej cigares sime atë atë filloi ta ngiste kolla. Dhe, për shkak të këtij "incidenti", bisedën me gjermanin (në fakt vietnamez nga origjina) me temën për persekucionin, e mbylla me batutën "Në Bolonjë vetëm dy kategori njerëzish ishin të përsekutuar, dy kategori që në shqip fillojnë më "D": duhanpirësit dhe dembelët.

Dhe, nëse për duhanpirësit u fol, vetiu duhet shpjeguar edhe përbashkësia e tyre me ata të "D" - së tjetër.

Në çdo mjedis atje vëreje njerëz nga të gjitha racat dhe religjionet: kinezë, filipinas, afrikanë, latinoamerikanë, rusë, ballkanas, myslimane me shami, për të cilat këtu, në Shqipëri, bëhet aq shumë "gurgule" dhe ngrihen aq shumë tymnaja. Mjafton të përmend vetëm faktin se atje ku punon djali im, një qendër e madhe lojërash salle, ku shkonin për t'u argëtuar e relaksuar përgjithësisht nga "aristokracia" e qytetit, në përbërje të personelit shërbyes, veç vendasve, kishte të punësiar nga katër kontinente, sepse kish nga Filipinet, nga Kameruni, nga Peruja, nga Kuba, nga Meksika, nga Rumania, Shqipëria, etj. Por, midis tyre e vendasve, kudo në vendet me ngushtësi kalimi si, psh, te dyert e autobuzëve, në rrugicat e ngushta me portikë, në qendra tregtare, në sheshe koncertesh, në rrugica parqesh ku vozitej me biçikleta, etj, dëgjoheshin vetëm fjalët "prego", "skuzi", "gracie". Madje, edhe ndonjë keqkuptim të vogël që mund të lindte, për shkak të moskuptimit të gjuhës, sidomos për shkak të tingëllimit pejorativ të ndonjë fjale në gjuhën e anasjelltë, bolonjezët e kalonin me shaka, ndërsa, për fat të keq, shpesh ne këtu e kalojmë në sherr banal.

Meqë, falë punëve në kontakt me shumë njerëz të tim vëllai e të tim biri, ua sillja vërdallë këtë "muhabet" atyre me të cilët bisedoja, më thoshin se atje s'kish paragjykim për askënd. Por unë e kuptoja se sikur deshën të thoshin "Me përjashim të dembelëve, mbasi ata, jo se nuk gjejnë dot punë, por nuk kanë qejf ta gjejnë, se nuk e kanë qejf punën". Dhe s'ke sesi të mos i besosh italianët të cilët, pavarësisht nga gjendja ekonomoke dhe shkalla e pasurisë që kanë, punojnë vetë, apo familjarisht si "hyzmeqarë" në bizneset e tyre, krahas të punësuarve emigrantë apo vendas, të cilët i kontratojnë për pjesën e punës që nuk e mbulojnë dot vetë; natyrisht, pasi janë garantuar se këta të dytët janë të virtytshëm e, mbi të gjitha, punëtorë si ata vetë. E vura re këtë në mjaft vende por sidomos...

...Në dy lokale

Së pari, do të ndalem në "Ice Cream", një xhelateri (emërtim që do ta shqipëroja "akulloreri) në një mjedis ballor drejt zonës piktorike periferike të Xola Perdozës, lokal që në bazë të konkursit të përvitshëm që zhvillohet në Milano mbi shtatë kërkesa themelore për standartin e akulloreve, për të cilat Italia veçohet në gjithë Botën (veçanërisht Bolonja, sikurse edhe për lazanjën, pjatën e kombinuar bolonjeze, makaronat parmixhane, etj) për këtë vit mbante vendin e parë. Aty tani punonin dy mbesat e mia Eri dhe Sofia dhe nusja e djalit Elda, dikur edhe mbesa tjetër studente, Nita. Pronarët e saj, çifti Marina (sardenjase) dhe Andrea (vendas, bolonjez) gjatë punës, krahas njerëzve të mi të punësuar, nuk dalloheshin fare se ishin pronarë; madje Marina, e cila, në kthim nga turni i orëve të vona i çonte me makinën e vet në shtëpi, nuk dallohej si e tillë me to edhe në orët e lira. Kjo për arsye të respektit që kish për to në bazë të dy kritereve të përmendura më sipër, gjë që e përjetova (madje duke u ndier krenar) kur shkova atje si klient dhe, në çastin që mbesat më prezantuan, më përqafoi duke thënë: "Okei, fisi Petriti, Okei!".

Së dyti, në "Il trantone". Ai ndodhet në "Via de Pratelo", njëra nga dy rrugët më të zhrmshme në zemër të pjesës së vjetër të qytetit, tjetra (paralel me të) është ajo e fakulteteve. Është një nga lokalet më numerik në klientelë. Jo me karrige, por me stola e tavolina të mëdha druri të modelit mesjetar (madje të tilla edhe për nga vjetërsia), nga të rrallët me orar deri në orën 01.00 të pasmesnatës dhe frekuentohet më së shumti nga studentët, punëtoret e turistët. Aty gjithçka si në enterier (brendësi), ashtu edhe në eksterier (jashtë) ishte në ngjyrë të errët, madje edhe veshja e klientëve. Aty e ndieje veten totalisht në Mesjetë. Në "ngjyrë" të çelët ishte vetëm gjallëria, tërë zhurma dhe shakara. Ishte dita e parafundit e korrikut dhe të nesërmen lokali mbyllej për një muaj, për "Weekend" - in e gushtit, prandaj gumëzhima ishte edhe më e madhe. Ishte kohë e vonë (ora 12.30) kur mbërritëm atje, si grup, si fis dhe, nga ç'do të ndodhte më vonë, do ta kuptoja "kurthin" që na kish ngritur im nip, Fredi, i cili banon e punon atje që prej 17 vjetësh. U lirua njera nga tavolinat e mëdha brenda dhe ne u vërsulëm atje si fitimtarë se gjetëm vend. Duke pritur shërbimin e kamerierëve që nuk po na vinin, po habitesha sesi nuk po shikoja Xhanlukën të na vinte për të na uruar mirëseardhjen, për arsye se atë, së bashku me Xherrin, mikun tjetër të Fredit, para 6 vjetësh i kisha pasur mysafirë në shtëpi, sepse ata "për hatër" të këtij të fundit kishin ardhur t'i kalonin pushimet në Shqipëri dhe e brodhën atë cep më cep, madje edhe në territoret shqiptare brenda shtetit maqedon, gjë për të cilën atëhere botova edhe një reportazh në dy gazeta. Ndërkohë dy kameriere, dy studente shqiptare dhe një djalë afër të dyzetave, që mbanin belin me dorë nga lodhja, mbaruan punë me klientët, vajzat morën rrogën dhe ikën me vrap. Pastaj ç'ishin brenda, sikur të kish rënë tërmet, menjëherë dolën jashtë, kanatat e derës u mbyllën dhe aty mbetëm vetëm ne. Atëherë, befas, na vjen Xhanluka me një shishe verë dhe një palare druri me feta djathi bolonjez për shoqërim. Xhanluka, pronar vreshti dhe kantine në periferi, trashëgimtar pronash, jo vetëm të prindërve, por edhe të xhaxhait, të cilin nuk e dallova kur mbante hijet me dorë nga lodhja, sikurse edhe dy kamerieret shqiptare. Pastaj patëm kohë të bisedonim duke pirë verë e duke bërë shakara. Atëherë e kuptova "kurthin" që më kish ngritur Fredi, sepse...

Teksa lokali në orën 01.00 të mbasmesnatës mbyllet, ç'mbeten brenda janë të detyruar ta gëdhinë atje deri në mëngjes. Një shans për bohemët dhe për degustuesit e verës, ky. Madje në rrethana të tilla ishte bërë dikur mik me të edhe Fredi, së bashku me bashkëortakun e vet në punë, Xherrin. Në rrethana të tilla, kur ende jetonte beqarçe, i kish kaluar disa net aty edhe im bir, Denjori, gjë që e dëshmonte duke shfletuar një bllok të madh shënimesh, ku secili, gjatë kalimit të natës aty, mund të shkruante diçka për verën, diçka si sentencë, si anekdodë, apo poezi. Atë ritual ta nxiste edhe më tepër, ajo çka ishte shkruar mbi siluetën e nje fanele sportive në mur brenda nje kornize mesjetare: "Vera është armiku i njeriut. Kush trembet nga armiku, është frikacak". Për të dëshmuar se nuk jam frikacak, siç nuk kam qënë edhe dikur midis të frikësuarve, më "plasi cipa" dhe shkrova të përkthyer poezinë, me të cilën dikur në Vitet '80 në një konkurs "akapelo" në një mbrëmje poetësh kam fituar çmimin e rastit: O verë/ O vërë? O ju vrava/ Që të tërë!/

"Wine Bar" (non stop) ku takohen arbëreshë e shqiptarë

Me sa mora vesh në pika qëndrore të Bolonjës ishin së paku tetë kafene shqiptarësh (kryesisht elbasanasish) në vende të spikatura. Njerëzit e mi më kishin çuar në disa nga ato në grup me të tjerë shqiptarë si, psh, në "Bar Rosso Blu", më krah të stadiumit ku mësova se pronari i saj ishte vëllai i një kolegut tim mësues të dikurshëm. Kisha qenë te kafeneja e Gëzimit (Xhimit, si ia spikullonin emrin italianët), edhe ajo në një qendër tjetër pranë shëtitores "Stalingrad", e cila më së shumti gumëzhinte nga shqiptarët duke parë në munitor ndeshje futbolli dhe aty, së bashku me tim vëlla e mikun tonë të përbashkët Pandi Misha dhe dhëndrrin e tij Gëzimin, kaluam një drekë të këndshme sikur të ishim në mes të Tiranës; madje sikur të ishim në shtëpi, sepse na e serviri Gëzimi me të bijën e Pandit që shërbente në banak.

Por disa herë, edhe i vetëm, shkova te "Win Bar" (non stop) të Julian Baxhos, po nga Elbasani; edhe ajo fare në qendër, ku fillon një nga rrugët kryesore "Andrea Kosta", për të gjetur (dhe e gjeta) atë atmosferë shqiptaro - arbreshe, me të cilën u përballa kur shkova për herë të parë me njerëzit e mi; një atmosferë që më konkretizonte imazhet e përftuara prej leksioneve pasionante të pedagogut tim të paharruar Andrea Varfi (njohës i mirë i kësaj pjese të kulturës sonë) qysh këtu e çerek shekulli më parë, kur vazhdoja pranë Akademisë së tanishme të Arteve kursin pasuniversitar për Kritikë Letrare.

Aty, sa herë të shkoje, në oret e pasditës, apo natën vonë, në mos disa arbëreshë e shqiptarë së bashku, Francesko Siskën do ta gjeje patjetër, së paku duke degustuar një gotë verë e duke u shakatuar me Julianin. Ishte 73 vjeç, por s'ia dalloje fare moshën; rrobaqepës në profesion, që e kish trashëgim brez pas brezi në familje; profesion për të cilën thoshte se në atë qytet është i patjetërsueshëm, mbasi bolonjezët janë sqimatarë në veshje. Meqë m'u ndodhën dy libra të mi me poezi dhe ia dhashë, fjala erdhi te De Rada dhe ai menjëherë e ngriti zërin:

- Po nga Maki jam edhe unë, pa çka se jam në Bolonjë që prej vitit 1954, - madje duke vazhduar të më tregojë hollësira për vendlindjen e vet, për mbiemrat që vazhdojnë të ekzistojnë ende atje si atëherë kur erdhen për herë të parë, duke përmendur të tillë si "Skura", "Minishi", "Toçi", "Brajota", etj, për të cilët kishte dijeni se në zona të ndryshme ekzistojnë ende edhe në Shqipëri, ndërsa për mbiemrin e vet thoshte se është i ri.

Duke biseduar me të dhe duke dëgjuar prej tij edhe fjalë të vjetra të bukura, të cilat edhe unë i kam pasë dëgjuar në fëmijëri prej prindërve dhe gjyshërve të mi, por tashmë i kam harruar dhe duke e komplimentuar për këtë, ai më përgjigjet:

Pse kot vinjë që ta pi kupën e verës këtu te Juli unë?! Pak kafene të tjera ka Bolonja?! Po kjo s'është hiç gjë. Të viç në katundin tem në të hyrë të vjeshtës, ze kokën me dorë. Mblidhemi tërë si shoq me shoq nga Veriu: nga Bolonja, Firencia, Milano, Breshia, etj, sepse e bënjë me me fjalë të shkonjëm në në kohë dhe djegëm raki e nxjerrëm verë nga kadet, butet e pijmë bënjemi tapë. Me djathë, me turshi pinjëm e më pas vinjëm tërë shëndet këtej për punë, se këtej punë ka, s'ka qejf si në katund.

- Pse ende ka njerëz në katund? - e pyes,

- Si nuk ka?! Nja 1000, po. Ata që donjën më shumë qejfin, verën, rakinë, sesa parenë. Por në Protovjeshtë bënjëm 3000 bashkë me ne, me fëmijët tanë dhe për një muaj vetëm flasëm dhe këndonjëm skip, prandaj s'e harronjëm gluhën tënë.

Dhe, teksa "nxehej" kuvendimi me Franceskon, unë nxehesha me veten, sepse më vinin ndërmend ca paloemigrantë që, kur vijnë këtej, pordhërojnë e të çajnë veshët me fëmijët nëpër mjedise publike, duke demonstruar gjasme të folurën në greqisht, italisht, apo në ndonjë gjuhë tjetër, në vend që të shfrytëzojnë rastin kur vijnë këtu për të saktësuar më mirë shqipen e tyre; siç mundohej të pordhëronte në autobus njëra me fëmijën e vet, s'di nga ç'katund i Shqipërisë, duke u kthyer s'di nga ç'katund i Italisë, të cilën, gjithsesi, ne pasagjerët e tjerë e shfrytëzuam si argëtim për kundra monotonisë.

Dhe, meqë shkrimi erdhi në këtë rrjedhë, s'kish si të mos zinte vend qoftë edhe me dy fjalë...

...Bora nga Kanadaja

Ajo vajzë simpatike, duke shfrytëzuar një bursë "Erazmus" për t'i kaluar pushimet nëpër qytetet e Europës për kërkime, si studente e dalluar, do të ishte gjithashtu mysafire te djali im, si vajza e tezes e gruas së vet. S'kam për ta harruar shoqërimin e saj prej ciceroneje nëpër objektet kulturore të Bolonjës dhe Firences. Kishte ikur nga qyteti i Patosit për në Kanada kur sapo kish mbushur 5 vjet dhe ende s'kish hyrë në shkollë. Ditët e para ndjente pak "sikëlldi" në artikulimin e shqipes, për shkak të superstratit sankson. Por kjo vetëm dy - tri ditët e para, sepse më pas, a thua se ishte një vajzë që nuk kish dalë kurrë prej Shqipërie. Më bënte përshtypje fakti se, sapo i dhashë dy librat e mi me poezi, menjëherë filloi t'i lexojë dhe shkëputej herë pas here të sqaronte kontekste ku unë kam përdorur fjalë te vjetra, apo të krijuara vetë. Dhe, nxitur nga ajo, po korrigjoja një mentalitet të gabuar timin për ata që ikin larg në Kanada, sidomos për deklarimet e tyre se ikim për të ardhmen e fëmijëve. Kjo, duke menduar atëherë se, fëmijës, po u formëzua në një vend aq me hapësirë dhe aq social si ai, as që do t'i shkojë ndonjëherë mendja për vendin nga ka ikur. Por ja që raste si ky i Borës e të tjerave si ajo, vërtetojnë të kundërtën: se sot, kur në këto kushte komunikimi dhe informacioni Bota po bëhet gjithnjë edhe më e vogël, ajo në tërësi dhe kombet në veçanti janë për njerëzit e kulturuar.

Por, le të rikthehem paksa te sapombërritja.

Nga ballkoni i tim vëllai (një rrugë e dy punë), duke u ngopur me cigare, që s'kisha ku t'i pija diku tjetër, vështroj qytetin (pjesën veriperëndimore), ku, diku - diku midis gjelbërimit, më konturohej vetëm ndonjë taracë ndërtese, midis të cilave, më larg, spikaste një kupolë gjigante. Ishte pallati i madh i sportit "Malagudi" ku zhvillon ndeshjet ekipi i famshëm "Kindër" i basketbollit, që tashmë, në vartësi të sponsorizuesit, quhet "Virtus", ku gjithashtu zhvillohen edhe koncertet e mëdha muzikore, ndërsa ekipi tjetër i njohur "Portitudo" i luan në pallatin tjetër, "Paladozza", në qendër. Ditët në vazhdim, duke lëvizur nëpër sa e sa objekte kulturore e tregtare, s'më besohej se ato ndodheshin midis atij gjelbërimi që sodisja nga ballkoni.

Ndërkohë kish rënë mbrëmja dhe në kodrën majtas filloi të ravijëzohej një kordon i purpurt, që herë pas here kuadratohej prej dritave të makinave.

- Nesër besoj se që andej do t'i filloni vizitat, - më thotë im vëlla, - është pika nga ku mund të orientohesh për çdo gjë në Bolonjë, është simboli i qytetit, është...

Bazilika "San Luka"

Fillojmë të ngjitemi drejt saj në shkallët me portikë, të cilat aty ku duket sikur mbarojnë në një sheshpushim, rinisin nga e para dhe duket sikur s'kanë të mbaruar. Dhe jo pa shkak. Ajo ngjitje përbën pjesën më të madhe të 7.1 km të tilla që janë në Bolonjë, veç 32 km pa ndërprerje të qendrës, sepse është qyteti që mban vendin e parë në Botë për këtë tregues, teksa i dyti është Torino. Gjatë ngjitjes e sidomos nga sheshi dhe kubeja e bazilikës e ke si në pëllëmbë të dorës qytetin përreth. Ndërkohë në çdo disa metra në faqe të portikëve lexon pambarimisht emrat e restauruesve dhe kohën e restaurimit ndër vite e shekuj, midis të cilëve edhe shkrim me heiroglife, sepse restauruesi i atij fragmenti ka qënë misionar në Kinë. Dhe kupton kësisoj pse ajo ngjan sikur sapo është ndërtuar dhe pse tërheq aq turistë e vizitorë të huaj, veç vendasve të cilët e përdorin edhe për "fitnes". Jo më kot shikoje kategori të ndryshme moshash duke u ngjitur, apo duke zbritur, me kostume të zakonshme, apo sportive, pa dalluar edhe sportistët në karrierë midis tyre. Të mos ishte në proces gjyqësor, me siguri do të shikojë edhe Pepe Sinjorin, më thotë im bir. Madje shikoje duke ecur, apo vrapuar, çifte njerëzish, lidhur me një prangë, nga të cilët njëri gjysmësportist, tjetri gjysmëobez. Dhe kuptohet për ç'qëllim. Të njëjtën gjë do ta vëreja edhe në një zbritje përej një kodre tjetër të qytetit për në xhardinon qëndrore "Margarita" teksa, edhe pse kishin filluar pikat e shiut, po shijoja atje një piknik me kolegët e punës të tim biri, vajzën simpatike nga Manila e Filipineve dhe Alesandron nga Sardenja, ky i fundit njëherazi edhe poet.

Ndërsa, të ndodhur në sheshin qëndror më këmbë të një simboli tjetër të qytetit "Dy kullat", parapara se të fillonim vizitat në qendrën historike të qytetit, im bir më thotë:

Fillimisht do të pijmë kafe, po ku? Atje ku e pi Luçio Dala, apo Romano Prodi, apo Alberto Tomba, apo Pier Luixhi Kolina, apo Xhani Morandi, apo Umberto Eko, apo Xhanluka Paliuka, apo...(duke më përmendur kështu figurat e tanishme emblematike të Bolonjës në fusha të ndryshme që ata kanë qejf t'ua përmendësh kur prezantohesh), ndonëse tani s'mund t'i takojmë, mbasi është muaj pushimësh. Sepse diçka për të ngrënë do të marrim brenda në librarinë "Montadori", ku edhe do të ble diçka për drekë edhe për në shtëpi, ndërsa diçka tjetër do të pijmë në librarinë tjetër "Ambasador", ku veç blerjes së librave mund të bëni edhe shoping. Dhe vendosëm në...

Roxy Bar (Vasko Rosi)

Kjo figurë e muzikës italiane në Bolonjë ka mbetur aq emblematike, saqë çdo shtator organizon koncerte, të cilat zgjasin pesë ditë në Ponte Ronka, një vend piktorik në përiferi, në komunën Zola Perdosa, shitja e biletave për të cilin kish filluar që dy muaj para, pra, që në korrik: ndërkohë që gjatë asaj periudhe paraprake nëpër qytet fillojnë qarkullojnë sozitë e veta të moshës së viteve '70, kur ai me "Roxy"- n e tij bënte Furore. Ndërsa një pelegrinazh i përhershëm zhvillohet në kafenenë "Roxy Bar", ku vizitorët, para se të pijnë kafe, zbresin poshtë në kthinat e ndërtesës mesjetare, madje deri në tualet për të gjetur një copëz vend ku të shkruajnë emrin e vet midis mozaikut të mbishkrimeve të panumurta, gjë që e bëmë edhe ne, madje edhe ime shoqe, e cila fillimisht na stigmatizonte për veprime të tilla. Sepse italianët, siç thotë një poet i njohur sensualist i këtij vendi, e çojnë jetën sipas parimit...

Vidhi jetës sekonda lumturie

E pashë si spikaste kjo veçanërisht në "Festa Dell'Unita". Në muajt e nxehta të Verës në tri ditët e fundjavës, herë njëra komunë, herë tjetra, në sheshe periferike, madje zgjeruar edhe në livadhe të sapokorra, organizonin koncerte, shoqëruar me panaire ( fira) dhe gatesa të regjioneve të ndryshme, të cilët i sajonin aty për aty tezgat e gatesave dhe njërëzit, të moshave nga më të ndryshme, aty hanin, aty pinin, aty kërcenin muzikën sipas netëve, sepse ashtu ishte ndarë: Një natë e Valsit, një natë e Roxy - t, një natë e Tuistit e me radhë. Të gjithë ata që shërbenin, veshur me kostume karakteristike, madje me tabela nëpër tezga e stenda në dy variante, edhe në gjuhën letrare, edhe në dialektin bolonjez, e bënin atë shërbim vullnetarisht, duke qënë, ose nëpunës, ose punëtorë, ose pensionistë, pa demonstruar lodhje fare, por vetëm "alegri". Aty një natë darkuam me Xherrin e familjen e tij, që dikur e kam pasur mysafir në shtëpi së bashku me Xhanlukën. Aty u takova sërish edhe me miqtë shqiptarë të vëllait, si me Rexhep Lazin nga fshatrat e Elbasanit, me Vasil Rrungajën nga fshatrat e Vlorës, që të dy të integruar mirë deri edhe me aktivitet privat, sepse në Bolonjë, pa përfshirë dy komunat (bashkizat) periferike, sot janë mbi 8000 shqiptarë të tillë, aty u takova dhe pimë kafe sërish edhe me Vili Paçramin nga Shkodra dhe me të birin, Drinin, e sapolauruar në pikturë në akademinë e famshme të Bolonjës, duke vazhduar sërish me pasion bisëdën për Shqipërinë e ëndërruar siç duhet të ishte dhe për aleancën "Kuq e zi" që atë e grishte aq shumë për atë ëndërr.

Drejt magjisë së Firences

Duke ikur me tren drejt Firencës, nuk të ze syri ndonjë gjë të veçantë. Madje, ca kilometro para e ca pas Pratos, qytet industrial shtrirë faqe kodrave në të dy anët e hekurudhës, të cilin si në vajtje dhe në ardhje e vështruam vetëm nga larg duke shfrytëzuar intervalin kohor gjysmorsh të ndrrimit të trenave, ku thonë me shaka se më shumë ka kinezë sesa italianë, lugina e ngushtuar shumë anës një përroi të vogël, degë e lumit Arno, që përshkon Firencen, bëhet gati e mërzitshme, sidomos me tunelet e saj. Diçka si e bërë me dorë për të t'u dukur edhe më tepër magjike, befasuese, Firencia e Dantes, e cila të shfaqet papritur kur treni i futet direkt e në zemër. Aty magjia fillon që në mjedisin e parë, kur futesh brenda për t'u pajisur falas me hartën e qytetit, në një nga shumë sportelet përreth shtatores së Dante Aligierit, madje duke të shënuar emrin dhe vendin prej nga vjen e duke të falenderuar nëse vjen për herë të parë.

Më pas e ç'mund të shikosh më parë atje për pesë orë, veçse nga larg. Duhet të ishe amerikan, qoftë për nga kuleta, qoftë për nga koha në dispozicion, qoftë për nga mungesa e mentaliteteve dhe paragjykimeve për t'u ulur në tokë me dhjetra munuta e për të pritur orë të tëra të ngjitesh në kupolat e kishave, apo të hysh në sallat e muzeve. Megjithatë, infrastruktura e qytetit, me rrugë e rrugica që komunikojnë pa problem me të gjitha sheshet kryesore, nuk të le pa gjë, qoftë edhe për pesë orë, sado që sipas shprehjes "Shih me sy dhe plas me zemër".

Sidoqoftë, për të munduar të fiksoj të pathënën për magjinë e atij qyteti, u mbështeta në parmakun e një prej mrekullive të saj e të gjithë Botës, "Urës së Moçme" (Ponte Vecchio) dhe fiksova këtë poezi:

U përhumba/ mbi parmakët/ e Ponte Vecchios// Duke zhbiruar/ poshtë valëzat/ e lumit Arno.// Nuk di sa kohë/ nuk di sa gjatë...// Kur nisa vështrimin// Dielli/ më vriste sytë// Kur u përmenda,// Përreth/ veç drita llamburisnin.// U përhumba/ se valëzat/ më deshifronin/ Cicërima fjalëzash// Nga lumi/ i vizitorëve// Nuk di nga ç'gjuhë të Globit// Me kryefjalë,/ Herë Da Vinçin,/ Herë Danten.//...Varfanjak le të isha/ veç në Firence;// Barbon le të isha,/ veç në Firence;// Hendikap le të isha,/ veç në Firence;// Pa lindur le të vdisja,/ veç në Firence;// Le më sikur të jetoja/ gjithnjë në Firence;// Veç i verbër// S'do desha/ të isha/ në Firence.//

Dhe pesë orët e Venecias

Sërish me tren, duke udhetuar drejt saj, djali, i cili me profesion është gjeograf, mundohej të më shpjegonte sa mundej për peizazhin përreth, për qytetet satelite të ndërmjetme midis Bolonjës dhe Venecias, midis të cilëve për Ferrarën dhe Padovën, të cilat, ca na mundësoi alternimi i trenave, do t'i shëtisnim nga tri orë secilën, etj dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Por në çastet boshe, filloja e mendoja se çfarë mund të shikonim në Venecien aq me histori dhe aq të përthyer nga 150 kanale të Sorenissimos, të cilët më së shumti dikur kanë qënë rrugë, por, befas, njëri nga Dozhët e radhës, për ta bërë qytetin tërheqës, i ktheu në kanale. Dhe koha e vërtetoi se ia arrtiti qëllimit. midis tyre konfigurohen 177 ishuj, mbi të cilët spikat Canale Grande, magjia e i të cilit mund të shikohet e përjetohet nga shumë pika, por veçanërisht nga Ponte Rialdo, nga ku, jo vetëm shikon, por edhe dëgjon gondolierët që i shoqërojnë klientët e tyre duke kënduar arie operash.

Dhe, befas gjendemi në trasene e improvizuar të Mestres e paspak futemi në qytet.

Sapo zbresim, ze radhë për të blerë hartën dhe vëren "dinakërinë" veneciane. Disa nga radhët e turistëve pëlqejnë njërin variant, disa variantin tjetër të ekspozuar përballë, me shumë ndryshime dhe me çmim të njëjtë, ndërsa kur dalin te dera ia fillonin së qeshurës. Arsyeja?! Ishte e njëjta hartë, por, nëpërmjet palosjes, e ekspozuar në profile të ndryshme.

Sidoqoftë, hapim hartën, e cila çuditërisht ka formën e një peshku gjigant, syri i të cilit është stacioni i trenit, ndërsa goja terminali i trageteve, paralel me të cilin është nje ngjalë gigante (ishulli Guideka) dhe ulemi në shkallë për ta studjuar nga t'ia fillojmë. Përpara kemi Canal Grande ku kalojnë lloj - lloj gondolash dhe tragetesh të vegjël dhe "Piazzale Roma" nga ku më pas do të fillonim lëvizjet dhe bëjmë fotografi.

Edhe këtu, si në Firence, duhet të jesh amerikan për nga xhepi, nga durimi dhe nga koha në dispozicion. Sidoqoftë, falë orientimit " me dinakëri veneciane " të rrugëve, pamë dhe shijuam mjaft.

Një ditë përpara largimit...

Në ato pak orë të lira nuk mund të rrija pa shkuar edhe një herë (tashmë ditën) në Ponte Ronka për të parë Palazzo Albergati, një godinë gjysmë pallat, gjysmë kështjellë, të cilin pinjollët e fundit trashëgimtarë ia kishin falur administratës së qytetit dhe tani ai shërbente për ceremoni të ndryshme si fejesash, martesash, ditëlindjesh, etj, i cili i joshte njerëzit me mjediset, veçanërisht përrreth, ku drurët gjigantë anash rrugëve rrethuese të krijonin idenë sikur ishin portikë, ashtu sikurse edhe gjithë "piano terra"- t e pallateve të reja të Bolonjës idenë e portikëve të krijonin.

S'mund të rrija pa shkuar edhe një herë te "Sala - Borsa", vendosur në një ndërtesë disakatshe në sheshin kryesor përballë "Dy kullave" në murin ballor të së cilës ekspozoheshin fotografitë e martirëve, ndërsa brenda, teksa lexuesit, apo hulumtuesit e rregullt bënin punën e tyre, turistët nuk linin gjë pa eksploruar, veçanërisht dyshemenë me fibra transparente poshtë të cilave konfiguroheshin rrënoja të godinës mesjetare ku gëlonin turistët. Dhe m'u kujtuan sa e sa emisione televizive këtu tëk ne të njerëzve pasionantë në zona të ndryshme të vendit për ruajtjen dhe shfrytëzimin e objekteve kulturore arkeologjike, por që gjithnjë mbeten ne kufirin e qarjeve.

S'mund të rrija pa shëtitur edhe njëherë rrugën e fakulteteve, madje duke hyrë nëpër korridoret e të gjithëve, që të gjithë në godina mesjetare, veç atij agronimik që është në një ndërtesë moderne të viteve të fundit në një zonë tjetër.

Dhe teksa përfundoj e pres djalin që ka shkuar diku afër për të blerë diçka, shikoj një burrë që më buzëqesh. Ishte Serxhioja që sapo kish dalë nga shtëpia dhe priste të shoqen, Terezën. I kisha njohur të dy te puna e djalit.

-Me ç'përshtypje largohesh nga Bolonja? - më pyet.

- Ç'të të përshkruaj, - i përgjigjem, - portikët, fakultetet, biçikletat, muzetë, gatesat, akulloret, rotondot, sepse ajo i ka të gjitha. Por, mbi të gjitha është qytet për të jetuar, sepse mbi të gjitha, ka njerëzit e ngrojtë.

Dhe e meritojn, prandaj m'u hodh në qafë.

-

Gusht - nëntor

ÇELIK PETRITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PRESIDENTI NAPOLITANO: "FËMIJËT E EMIGRANTËVE, NËNSHTETAS ITALIANË" (11.23.2011)
Bisedë me artistin e mirënjohur z.Robert Aliaj Dragot KISHA FRIKË NGA ËNDËRRAT E MIA...Bisedoi KEZE KOZETA ZYLO (11.22.2011)
KRIZA NË EUROZONË ZVOGËLON REMITENCAT NË KOSOVË (11.21.2011)
MERKEL KËRKON ZBARDHJEN E VRASJEVE NGA "VRASËSIT E QEBAPAVE" (11.21.2011)
LIBËR QË PASQYRON NDËRKOMBËTARIZIMIN DHE SENSIBILIZIMIN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NGA MËRGATA SHQIPTARE NË AMERIKËNga MIKEL GOJANI (11.20.2011)
EDHE NJË SHTETAS I KOSOVËS, VIKTIMË E NEONAZISTËVE (11.20.2011)
VAZHDON INTERESIMI I QYTETARËVE TË KOSOVËS PËR EMIGRIM (11.19.2011)
MIRË SE VJEN NË AMERIKË, BILIBILI I KËNGËS, YLLI BAKANga KEZE KOZETA ZYLO, "Prishtina Press" (11.19.2011)
Kongresi Shqiptaro-Amerikan pandan me atë "American Jewish Congress"MOBILIZIMI I DIASPORËS ÇËSHTJE OPORTUNITETINga AGIM VUNIQI, Farming (11.18.2011)
FËMIJËT E PAREGJISTRUAR TË EMIGRANTËVE DO TË NDIHMOHEN NGA KONSULLATAT (11.17.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]