VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SHKB 'Sali Çekaj" përkujtoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë të KosovësZYRTARIZIMI I DEKLARATËS TË PAVARËSISË - OBLIGIM HISTORIKNga IDRIZ ZEQIRAJ

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 10:30pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
SHKB 'Sali Çekaj" përkujtoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë të Kosovës
ZYRTARIZIMI I DEKLARATËS TË PAVARËSISË - OBLIGIM HISTORIK
Nga IDRIZ ZEQIRAJ

E Mërkurë, 09.18.2013, 12:15pm (GMT+1)


Shoqata "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë, e njohur për veprimtari kulturore dhe bëmirëse, kremtoi "2 Korrikun", datën historike të shpalljes të "Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë". Në qytezën e Hettenhausen-it, salla festive ishte zbukuruar me sharm e shije të veçantë. Si gjithëherë, në ballë të oxhakut, burri i madh i Pavarësisë dhe i shqiptarisë, Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova me bashkëluftëtarët e Tij.

Moderatori Ardian Ndreka, nga Zadrima e Lezhës, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i Shoqatës, e hapi manifestimin përkujtimor, mbremjen festive. Ai përshëndeti të pranishmit, duke theksuar se "2 Korriku", i vitit 1990, si datë e një rëndësie të veçantë historike, shënon nismën e realizimit të Pavarësisë të Kosovës, rrjedhimisht edhe të shtetbërjes të Kosovës. Moderator Ardiani shpërfaqi para publikut edhe programin festiv. Pastaj, ftoi për fjalën e rastit dhe përshëndetëse nënkryetarin e parë të Shoqatës Gazmend Dashin.

Fjala e rastit dhe përshëndetëse e Gazmend Dashit

Të nderuar bashkatdhetarë, motra dhe vëllezër mërgimtarë, të dashur fëmijë, mysafirë të nderuar, mirëmbrema dhe ju uroj mirëseardhje në emër të Kryesisë të Shoqatës kulturore - bëmirëse "Sali Çekaj" si dhe në emrin tim personal, ju përshëndes me përzemërsi, duke u ndjerë krenar me praninë Tuaj fisnike. Sot kremtojmë përvjetorin e një date të shënuar historike, siç është Deklarata Kushtetuese e Pavarësisë të Kosovës, e proklamuar 23 vjet më parë, pikërisht, më 2 Korrik 1990, nga Kuvendi i atëhershëm i Kosovës.
Pjesëmarrja e shumë mysafirëve, të ardhur nga rrethe të tjera, na nderon dhe begaton këtë mbremje festive përkujtimore. Andaj, përshëndes SHKA "Rilindja", nga Mynihu, me kryetar Bekim Gërvallën; SHKA "Rrufeja", me kryetar e nënkryetar, përkatësisht, Shaip Buleshkaj e Naim Haxhiaj me shokë; Aktivin e LKD-së në Mynih, me kryetar Xhevdet Muriqi; Aktivin e LDK-së të Starnbergut, me kryetarin e Nderit Fazli Gashi; veprimtarët e Rosenheim-it, të prirë nga veterani, bacë Nikollë Skeli, Isa Bilalli, Deli Gërvalla; kandidatin për deputet, Deli Balidemaj; veprimtarët veteranë Mehmet Koka, Naim Gashi, Ramadan Deskaj, Ahmet Kolgeci; veprimtarin dhe ish të burgosurin politik Idriz Zeqiraj, anëtar Nderi i Shoqatës tonë; veprimtarin Maxhun Smajli, ish-reporter i luftës dhe anëtar Nderi i Shoqatës tonë; mysafirin nga Zvicra Haxhi Metaj.
Moderator Ndreka, duke falenderuar zotin Dashi, për fjalën përshëndetëse, ftoi publicistin dhe krijuesin Maxhun Smajli, për ta mbajtur referatin për Deklkaratën Kushtetuese të Pavarësisë, 2 Korrikun historik.
Fjala e Maxhun Smajlit
"Të dashur vëllezër dhe motra, bashkëmërgimtarë të nderuar, ju përshëndes të gjithëve. Një përshëndetje të veçantë për organizatorët e këtij takimi festiv, në shënim të përvjetorit të 23-të të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës.
Deklarata Kushtetuese ose Deklarata e Pavarësisë shënon fillimin e një kthese cilësore në identitetin kombëtar të shqiptarëve në Kosovë. Ajo ishte reflektim në kohë ndaj proceseve politike, juridike dhe nacionale që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë. Kësaj Deklarate i ka paraprirë mbështetja pa rezervë e popullatës së Kosovës.. Ishte e nevojshme që të artikulohej qartë përcaktimi i popullit të Kosovës dhe vullneti i tij për statusin kushtetues e juridik të ardhshëm të Kosovës, ku Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në mbledhjen e saj, të majtur më 26 qershor 1990, doli me një Rezolutë, e cila u mbështet unanimisht edhe nga partitë poplitike të Kosovës, më 30 qershor 1990. Delegatët e Kuvendit të Kosovës shprehen vullnetin e popullit më 2 Korrik 1990. Shpallën mëvehtësinë - Pavarësinë e Kosovës.
Ishte akt i guximshëm i 114 delegatëve të Republikës të Kosovës, për të shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Deklarata Kushtetuese, e 2 Korrikut 1990, u bë pikënisje e akteve tjera, që i nxorri Kuvendi i Kosovës, siç janë: Kushtetuta e Kaçanikut, më 7 shtator 1990, pastaj Referendumi gjithëpopullor më 1991, Amandamentet e Kushtetutës së Republikës të Kosovës, si dhe Zgjedhjet Politike të 24 majit të vitit 1992.
Kjo datë bashkoi popullin. Po këtë ditë u ringjallën shpresat e kombit shqiptar. Populli u ndje në shtetin e vet. Ata shkuan kah organizimi i jetës politike e shoqërore; ngritja dhe funksionimi i sistemi arsimor, organizimi i sistemit të shëndetësisë, funksionimi i ekonomisë private e tjerë. Pra, Deklarata Kushtetuese ishte element bazë e shtetësisë së Kosovës.
Brenda një kohe shumë të shkurtër Kosova pati arritur të afirmohej në botë për kërkesën e qytetarëve për pavarësi. Shumë shpejt kishte fituar një respekt ndërkombëtar, një mirënohje dhe përkrahje të madhe për rezistencë e pa dhunë dhe aktive të popullit të Kosovës. Dhe, të gjitha synimet e përpjekjet që u kurorëzuan në luftën e armatosur çlirimtare të shqiptarëve dhe me largimin e okupatorit serb, me ndihmën e aleatëve të UÇK-së, NATO-n.
Ndërsa, preokupimi i Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës ishte që të mbajë jetën në Kosovë, të mbajë organizimin dhe të mbroj vullnetin e shprehur politik të popullit në jetën praktike. Dëshira e tij ishte që sa më parë të realizoheshin ato. Dhe, porosiste që vazhdimisht të punojmë, të zgjerohej hapësira e veprimit dhe e lirisë në Kosovë.
Është një ngjarje historike kjo që nuk mund të kalohet pa u kujtuar, brezat e kanë një borxh të rikujtojnë përvjetorët e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës, që në këtë rajon vlerësohet lart dhe shënohet rregullisht. Një borxh të tillë po e kryeni edhe ju të nderuar kryesi dhe anëtarësi e Shoqatës zëmadhe "Sali Çekaj". Mirë e keni menduar, të dalim me një kërkesë unanime për shënimin e kësaj date me rëndësi historike shtetërore, në Kalendarin e festave zyrtare të shtetit të Kosovës.
Mirënjohje dhe respekt të gjithë pjesëmarrësve në këtë Akademi solemne, përkujtimore ", - përmbylli fjalën e tij i mirënjohuri Maxhun Smajli, i cili, në pranverën e vitit të shkuar, ndërmorri marshutën këmbësore, unike shqiptare, nga Fulda, Gjermani - deri në Kosharën historike, në shenjë mirënjohjeje e nderimi për bombardimet 78 ditore të Aleancës Verio-Atlantike, NATO-s.- si dhe në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë tonë hallemadhe.
Mysafiri i veçantë - Deli Balidemaj, kandidat për deputet
Kryesia e Shoqatës kishte ftuar një mysafir të veçantë nga Mynihu, kandidatin për Parlamentin e Oberbayern-it, Deli Balidemaj. Zotëri Balidemaj vjen nga fshati i njohur Martinaj, Malësia e Madhe, komuna e Plavë - Gucisë. Inxhinier i diplomuar në Universitetin e Kosovës, 15 vjet më parë, merr rrugën e mërgimit. Vendoset në Mynihun gjerman dhe vazhdoi edhe më tej të studiojë, për t`u kualifikuar si kuadër i shoqërisë gjermane.
Zotëri Deli Balidemaj është 46 vjeçar, i martuar, nusja nga Prapashtica e Gallakut, kanë dy fëmijë, përkatësisht,12 dhe 8 vjeç. Prej 11 vitësh punon në Komunën e Mynihut, kuadër në Drejtoratin e Arsimit.
Arritjet e zotëri Balidemaj në integrimin personal në shoqërinë gjermane dhe këmbëngulja e tij që këtë ta bëjnë edhe bashkëmbasit e tij shqiptarë si dhe emigracioni tjetër botëror, meriton vëmendjen tonë të veçantë e maksimale, si dhe angazhimin e të gjithë shqiptarëve emigrantë, më të drejtë vote, në zonën, krahinën, ku ai konkuron.
Oberbayern-i është njëra nga pesë krahinat e Bayern-it, me ndarje administrative. Oberbayern-i kap një hapësirë prej 18 mijë km-2, me një popullësi prej 6 milion banorësh. Ftojmë bashkatdhetarët tanë të dëshmohen aktivë, me votën e tyre, për djalin - burrin e Malësisë të Madhe, Deli Balidemaj, i cili, nderon shqiptarët e kudondodhur, me përformancën e tij të shkëlqyer politike dhe njerëzore.

Fjala e Deli Balidemaj

"Të dashur qytetare/rë,

Unë dua të luftoj për barazinë dhe pjesëmarrjen e emigrantëve në nivelin social, shkollor,shoqëror dhe politik. Për të arritur këtë objektiv, duhen me shume njerëz të një sfondi migracioni të angazhohen në politikë. Me kandidaturën time, unë do të marrë përgjegjësinë dhe të bëjë një kontribut në këtë angazhim për barazi.

Angazhimi im i posaçëm është për politikën sociale, arsimore dhe atë të emigracionit.

Sociale:

Njerëzit me një sfond migracioni janë tre herë më të prekur nga varfëria, se sa popullata e përgjithshme. Ata janë dukshëm më shumë të papunë se sa popullata e përgjithshme. Këtu duhet për të ndryshuar diçka në mënyrë që të gjithë njerëzit te kenë një shans. Drejtësia sociale për mua është, pra, një çështje kyçe politike. Ne kemi nevojë për një politikë proaktive dhe me programe të integrimit të shoqerisë, që në fakt të arrijnë te njerëzit nevojtarë. Në shëndetësi dhe përkujdesje, është e rëndësishme për të krijuar oferta, që adresojnë nevojat e veçanta të emigrantëve, duke marrë parasysh karakteristikat e veçanta të kulturës së tyre.

Punësimi dhe arsimi:

Në arsim, emigrantët kanë filluar të korrin suksese, shumë njerëz të rinj me prejardhje emigrante kanë arritur kualifikime shumë të mira arsimore - dhe kjo duhet futur në vëmendjen e njerëzve. Por ende, shpesh, përformanca e tyre dhe kualifikimet nuk njihet sa duhet. Në shumë kompani dhe, veçanërisht në sektorin publik, shpesh shifen me rezervë e padrejtësi. Shumëgjuhësia nuk shihet si një kualifikim shtesë, por si një pengesë! Vetëm një nga dhjetë të të punësuarëve në shërbimin publik ka rrënjë të huaja, këtu emigrantët nuk kanë të njëjtat të drejta dhe mundësi si popullata vendase. Këtu Parlamenti i Oberbayern-it mund të jep një shembull të mië.

Migracioni dhe integrimi:

Politika e drejtë është ajo që lejon shanse dhe mundësi të barabarta me pjesëmarrje të barabartë. Kjo kërkon një politikë të marrjës dhe dhënies ( karrotës dhe shkopit përcjellë). Shoqeria gjermane pret me plotë të drejtë nga emigrantët që ata të kontribuojnë. Por ata kanë nevojë edhe për mbështetje të mjaftueshme - dhe respektin e nevojshëm. Vetëm fjala "bashkarisht" nuk është e mjaftueshme, sepse pa integrim nuk do të këtë shoqëri të suksesshme. Por, çfarë i takon integrimit? Kjo përfshinë vullnetin e përshtatjes, mirëkuptimit dhe tolerancës në të dy anët, për kulturat e ndryshme të shoqërisë pritëse dhe atë ardhëse. Diversiteti kulturor dhe pasurimi nëpërmjet emigrimit, duhet gjithashtu të jetë i dukshëm, në objektet kulturore dhe programet e Qarkut të Oberbayernit. Integrimi është i mundur, vetëm atëherë nëse njerëzit, nga kulturat e ndryshme, rrespektojnë njëna-tjetrën dhe nëse këto ndryshime kulturore shihen dhe përjetohen si pasuri, nëse të gjithë kemi përvehtësuar një kulturë të tolerancës dhe respektit, vlerësimin!

Unë dua të bëjë politikë për të gjithë qytetarët dhe politikë të cilën qytetarët e kuptojnë!

Për këtë kërkoj besimin tuaj", - përfundoi fjalën e tij zotëri Deli Balidemaj, në zonën konkuruese të tij bën pjesë edhe Pfaffenhofen-i me qytete të tjera
Moderatori Ndreka gjithnjë në krye të detyrës. Sipas agjendës programore, ai fton në skenë krjiuesin, poetin, tashmë, të afirmuar të Mërgatës shqiptare, Neki Lulaj, i cili ka realizuar botimin e një serë librash poetike si dhe vazhdon të jetë shumë aktiv në veprimtarinë e Shoqatës të Krijuesëve Shqiptarë në Gjermani, e kryesuar nga poeti Hasan Qyqalla. Poeti Neki Lulaj deklamoi vargjet e poezisë të tij epike, lapidare "Ëndrra e Psisit":

Ëndrra e Plisit

Korbat mbyllen në vete majë Kalasë
e bilbilat në kor këndojnë mbi themele të reja
...për kupolën e ëndrrave të plisit.
Metropolet bërrylohen nga vegjëlia
Rishfaqje Dardania
...gjaku e historia.
Sekëlldisën lavirët e moti
Nga dushi i akulltë i bijëve të Kastriotit
erërat nga Dardania, ja zunë ngërçin në fyt
... pas aktit historik - biblik.
Bebëza e Ditës së re
përplasë djajtë në kthina myku
... all, shkëlqen sot Plisi.
I bekoi Perëndia
Deri në shtegëtim
...kur do agoi bardhësia
Të rifrymojë Dardania.
Thyen kornizat e Ferrit
Ditën e Dytë të tmerrit
Natën me vravashkë e yje
Mëngjeset me dije
t`agoi bardhësia
t`ringjallet Dardania
përtej diellit të Lirisë
përtej mitit të Plisit.


Fëmijtë artistë në skenë


Në të gjitha organizimet festive të Shoqatës kulturore - bëmirëse "Sasli Çekaj", pjesë e programit janë edhe fëmijtë e mërgimtarëve. Edhe kësaj radhe ata shkëlqyen me përgaditjen e tyre artistike solide. Programin e hapi "Vallja e Pavarësisë", duke u pasuar me një kolazh vallesh, të gërshetuara në një tërësi, nga huazime të pjesëshme të disa valleve, tashmë, klasike tradicionale si "Shota"; Vallja e vajzave; ardhja e nuses dhe pritja me këngë nga grupi i vajzave në rrjeshtim, duke i kërkuar nuses të bëjë një "temena", nderim për pritëset dhe dasmorët tjerë, në këtë rast, dasmorë janë publiku i sallës. "Temenaja", nderimi me puthje dore, zëvendësohet me lëvizje gjithë art e sharm të duarëve të nuses.

Morinë e valleve e përmbyllë një fragment i vallës të njohur, tërësisht autoktone, Vallja e Rugovës, me lojëtarët e burrave-fëmijë: Kushtrim Xhafa e Sali Zeneli, me shkathtësi e mjeshtri të pashoqe, vringëlluan shpatat tradicionale.

Protagonistë të valleve ishin: grupi i fëmijëve-vajza, të prira mjeshtërisht nga Arta Mehmeti, e pasuar nga Donika Dashi, Saranda Marovci, Adisa Daka, Rinora Hoxha, Kolesa Hyseni, Era Muriqi, Viona Bunjaku. Ndërsa grupin e djemëve valltarë e përbënin: Vionit Bunjaku, Agon Cakiqi, Alb Ajeti, Fatjon Haziri, Egzon Mehmeti, Kushtrim Xhafa, Sali Zeneli.

Përgjatë gjithë spektaklit të harmonishëm dhe artistik, publiku në sallë i shoqëroi me duartrokitje në vijimësi, duke dëshmuar bindshëm kënaqësinë që u dhanë atyre vajzat dhe djemtë valltarë të Pfaffenhofen-it me rrethinë. Për pjesën më të shumtë të shikuesve, vajzat dhe djemtë e talentuar, ishin të njohur, sepse ato dhe ata, pra, fëmijtë, vajza e djem kërcimtarë, tashmë, janë pjesë përbërëse e Shoqatës kulturore-bëmirëse "Sasli Çekaj" në Pfaffenhofen.

Janë pë çdo lëvdatë udhëheqësit artistikë, koreografët dhe skenografët e papërtuar dhe asnjherë të lodhur: Gazmend Dashi dhe Shemsi Haziri, të cilët, vullnetarisht, madje ndër vite, angazhohen në përgaditjen dhe shpërfaqjen e programeve artistike të fëmijëve të Pfaffenhofen-it me rrethinë.

Programi festiv masivizohet, shumëfishohet me daljen në skenë të grupit muzikor, që tejkalon konturët e amatorizmit. Janë vëllezërit Bilalli nga Rosenheim-i: Ladi dhe Siti, të cilët, me muzikën e tyre sa ritmike, aq edhe aktive, argëtuan, përgjatë natës, mërgimtarët dhe familjet e tyre, duke vallëzuar dhe gëzuar kolektivisht.

Zyrtarizimi i "2 Korrikut" si festë shtetërore, kërkesë fisnike

"Historia fillon me ne, me mua",- është një tezë e hedhur dhe e zbatuar, me zjjarr e hekur, nga sovjetizmi rus, me përfaqësues Leninin dhe Stalinin, me bandën e tyre të kuqe, për të vazhduar me fashizmin, i kryesuar nga Hitleri gjerman, për t`u kopjuar dhe përfeksionuar, për të keq, nga komunistët e Evropës Lindore, Ballkani. Me theks të veçantë e makabrioritet të skajshëm kriminal, këtë tezë e përvehtësoi lakeu ruso-sllav Enver Hoxha, për t`u ligjësuar nga LPK-ja, alias PDK-ja komuniste - staliniste.

Në zbatim të ideologjisë të mykur sllaviste, stalinistët e Kosovës, PDK-ja dhe AAK-ja, mohuan të gjithë të kaluarën historike të shqiptarëve, duke hymnizuar betejat e humbura, njësoj si nacionalistët serbë Betejën e Kosovës; duke i kënduar lavdisë, dimensioni i të cilës i mungoi, pikërisht, "luftës" së tyre. Me tezën e huazuar nga fashizmi dhe komunizmi, për ta përvehtësuar atë pak luftë modeste të bërë në vitet 1998-99 në Kosovë, por edhe heronjtë, dëshmorët, varret e tyre, ata, stalinistët, përvehtësuan, privatizuan edhe vet historinë e Kosovës. Dhe, bujshëm e me mujëshi thonë: "Historia fillon me ne" dhe së fundi: "Historia fillon me mua, Hashimin"!!
Stalinistët e Kosovës i harruan, i bojkotuan të gjitha datimet historike, të cilat i paraprinë shtetësisë të Kosovës, në mesin e tyre edhe atë më të rëndësishmen, - 2 Korrikun -, ditën që Kuvendi i Kosovës, në koordinim dhe sugjerim të liderit të Lëvizjes Kombëtare, LDK-së, dr. Ibrahim Rugova, shpalli solemnisht e botërisht Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës, si nismë e një serë aktesh të tjera historike, duke hedhur bazat ligjore të shtetit të ardhshëm të Kosovës.
Stalinistët shpikën e shpifën datime të tjera, si festa zyrtare, siç është Dita e Kushtetutës, e kopjuar nga Kushtetuta e "11 Janarit" të Hoxhës të Tiranës dhe të tjera të ngjashme. Hyjnori Rugovë i tmerron stalinistët e Kosovës edhe nga amëshimi, andaj shfryejnë ku të mundin dhe sa të mundën. Ata do të donin të mos linin asnjë gjurmë të historisë, ku Presidenti Rugova është protagonist, autor, i parë. Shoqata "Sali Çekjaj, shpreh indinjatë të thellë ndaj manipulimeve dhe falsifikimeve të vrazhdëta të historisë më të re të Kosovës. Kjo Shoqatë e zëshme, me anë të një kërkese, me nënshkrimet e anëtarësisë të saj dhe të qytetarëve të tjerë, mërgimtarë nga Kosova, i kërkon Kuvendit të Kosovës zyrtarizimin e kremtimit të - 2 Korrikut -, ditën e Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë të Kosovës, si festë zyrtare në Kosovë.

Shoqatë që shquhet për hamoni dhe mirëkuptim

Ajo që shquan Shoqatën kulturore - bëmirëse "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë, është organizimi i përkryer i saj. Anëtarët e Kryesisë, me kryetar Osman Ferizin, nënkryetarët Gazmend Dashi e Mustafë Shala, Zmer Zeneli arkatar, Adrian Ndreka, anëtar Kryesie dhe zëdhënës i Shoqatës, antarët e Kryesisë Shemsi Haziri, Azem Daka, Rafet Mehmeti, Shaban Muli, janë shumë aktivë, me detyra të përcaktuara, në shërbim të mbarëvajtjes dhe të realizimit të suksesshëm të programit manifestiv. Harmonia e Kryesisë të Shoqatës, udhëheqja kolektive, ku kryetari është i parë në mes të barabartëve, lehtëson punën organizative dhe rezultative të kësaj Shoqate emërmirë, e cila, tashmë, shquhet jo vetëm në Republikën e Bajern-it, por edhe në Gjermani dhe më tej në Mërgatën gjithëshqiptare.
Kryesia e Shoqatës "Sasli Çekaj" dhe anëtarësia e saj, e prirë nga kryetari Osman Ferizi, shok armësh i heroit Sali Çekaj, edhe kësaj vere nuk donin të shkonin në pushime, në Atdhe, duarbosh. Andaj, vendosën që 12 familje në nevojë, të ndihmohen me nga 200 euro sejcila. Shoqata po e studion mundësinë që disa syrësh të gëzojnë ndihmë mujore. Kriteret në përzgjedhjen e familjeve ekstrem të varfëra janë transparente, të dukshme. Ndihmat dedikohen në tërë etnikumin shqiptar. Përparësi kanë familjet me jetimër; raste të sëmundjeve - paaftësi për punë; familjet varfanjake me fëmijë në shkollë, studime, të cilat nuk kanë të ardhura burimore.

IDRIZ ZEQIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NGA DURRËSI DHURATA PËR FËMIJËT SHQIPTAR NË SUEDIFotoreportazh nga SOKOL DEMAKU (09.15.2013)
EKSPOZITË E SKULPTORIT KRESHNIK XHIKU (09.14.2013)
FATOS BAXHAKU - HISTORI TË VEÇANTA TË SHQIPTARO-AUSTRIAKËVE (09.13.2013)
PËR FYERJE RACISTE NDAJ SHQIPTARES SË KOSOVËS - 6 MUAJ BURG (09.12.2013)
KA NDËRRUAR JETË JAKUP BIÇAKAJ - MËRGIMTARI MË I VJETËR I KËSAJ ANETë moçmit kanë thënë vendi-dheu i huaj është i ftohtëNga XHAFER LECI (09.10.2013)
DHIMITRI ÇIKA - NJË MIKELANXHELO SHQIPTAR NË KISHAT AMERIKANE amerikane (09.06.2013)
INICIATIVA STUDENTORE TASH - URË KOMUNIKIMI KULTUROR SHQIPTARO-GJERMAN (09.06.2013)
DETINA DHE ARGITA - BINJAKET NGA PATOSI NË MAJAT E SHKENCËS BOTËRORE (09.04.2013)
SHBA - KARTË E GJELBËR NË SHKËMBIM TË INVESTIMIT (09.01.2013)
KORÇARI QË I MBIJETOI TITANIKUT - QUHEJ ILO KOVI, EMIGRANT VITHKUQAR NË BOSTON, NGA TË NGRIRËT IA PRENË DY KËMBËT (09.01.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]