E Premte, 05.10.2024, 08:59pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
PERSIATJE MIGJENIANE
Esé nga MOIKOM ZEQO

E Djelë, 04.06.2014, 07:58am (GMT+1)




Blesse Pascal-i( filozof dhe matematikan francez) në një mbrëmje nëntori të vitit 1654 pati një vizion ndriçues. Ai e përshkroi vizionin në një copë letër, të cilën e qepi në rrobën e tij. Kjo letër ju gjet vetëm pas vdekjes. Ai kishte shkruar libra që tronditën vetëdijen europiane, plot dilema (disa herë të lemeritshme, madje dhe pesimiste), modeloi struktura shkencore, ku forca e infinitëshme e numrave triumfonte mbi tërë teologjitë lirike dhe utopike.

 Po ç'ishte vizioni i Pascal-it ? Atij u shfaq Qenia Supreme me aureolë zjarri dhe rreth tij gjëmonte Bindja e gëzimit. Ndjenja e gëzimit". Pascal-i kupton madhështinë e shpirtit njerëzor dhe përsërit tri herë "Gëzim, gëzim, gëzim." dhe nënvizon "në këmbim të një dite të mundimshme mbi tokë, gëzim të përjetshëm". Gëzimi si pasuri e botës.

Njeriu, thotë Pascal-i, që është një "kimerë", "një përbindësh", "një që mbështetet vetëm tek vetvetja kaos". Veç me të tjerët është "lavdi dhe kirurg i universit". Njeriu hibrid "kafshë engjëll", jo harmoni, por e kundërta e harmonisë. Ndaj duhet gëzim: udhërrëfyes i lartë.

Migjeni e ka lexuar Pascal-in. Leximi i padyshimtë, substancial. Përjetim indor dhe mendor. Ekstazë intelektuale, ku racionalja purifikohet, pra edhe plotfuqizohet. Migjeni i brishtë, pa perspektivë të jetës fizike, dyshues, qenie e pikëlluar, shpërthyese.
Ku janë pikat e takimit midis Migjenit pascalian dhe Pascal-it migjenian? Ngjizja midis vizionit të Paskal-it dhe mbas 3 shekujsh i fantazisë krijuese të Migjenit? Ah, letra enigmatike e qepur tërë jetën tek rrobat e Pascal-it! Letra e Gëzimit! Letra-Ëndërr!
 
Migjeni me kriticizmin e një kirurgu mendor, nervoz, skeptik i tmerrshëm, që sheh kudo si "valojnë kudo flamujt e një melankolie" shkruan si papritmas "Kangën e Rinisë" dhe vargun "Qeshu, rini! Qeshu! Bota është e jote!" Në Spartën e lashtë i ngrihej përmendore Të Qeshurës si një hyjnie. Ah, Ode e Gëzimit në Simfoninë e IX të Bet'hovenit! Ah, E Qeshura e shpallur nga Migjeni si një profeci stimuluese.


Në rrobat poetike të Migjenit jo pas vdekjes, por para vdekjes, është letra paskaliane e vizionit të gëzimit të trefishtë! Letra e qepur me penj ëndrre dhe realiteti.
Me penj hapësire dhe kohe, imtësish mikrokozmike dhe universe makrokozmike!    

***

Filozofi Hegel ka shkruar: "tragjikomedia lind kudo ku një fat tragjik shfaqet në formë jo-tragjike, apo sa herë që ekziston nga njëra anë njeriu duke luftuar dhe duke u thyer dhe nga ana tjetër jo fuqia e drejtë morale, por pellgu i marrëdhënieve të kalbura i cili gëlltit mijëra viktima pa merituar asnjërën". Formulim i admirueshëm, pikëllues, buçitës. Heterodoksia dhe antikoformizmi rrjedhin prej tragjikomedisë. Kur bota bëhet një pellg i marrëdhënieve të kalbura" pasiviteti është kriminal, është përherë utopi negative, oruelliane. Një çështje ekzistenciale tejet e rrezikshme dhe e hollë, gati e sfumuar, dilemë e vrazhdë.

I pari shkrimtar shqiptar, djaloshi Migjen (mbase askush tjetër pos tij) flet për nocionin hegelian estetik të tragjikomedisë. Migjeni: "tash gjini njerëzuer asht skena ku e Mira, e Keqja, Perendia shfaqin dramë mnie e dashunie, përbuzje e simpatie, deshirash dhe apatie, adhurimesh e mallkimesh... e tue shfaqe dramën luftarake në një shkathtësi artistike dhe me një madhështi teatrale ngulin thika të mprehta, lëshojnë shigjeta të helmueme e hjedhin plum të vluem nder gji njerëzore dhe bërtasin me britmë ngadhnjyese. Lufta e fitueme, tragjedia përfundohet me një "Te Deum" majestoso, me një "Te Deum Laudamus" plot sinqeritet të qelbësuem. Kjo "Te Deum" asht aventura e një operës komike që quhet paqja: Tragjedi-komedi... e kështu gjithnjë. Ku tragjedia lindet aty asht komedia mik i grishun, kumar, dhe përkundrazi: ku komedia lindet asht tragjedia mik i grishun, kumar. Kësaj i thonë Tragjikomedi, ose tragjedi komike, ose komedi tragjike. A e kuptoni?"

E çuditëshme që ironia migjeniane tragjikomedinë e barazon me kumarin (ruletin e kazinove), pra me Moirat fallso. Një zhvendosje në atë që Migjeni e cilëson si "fatalitetin kozmik". Pse jo si "fatalitet komik"? Tragjikomedia është negativitet dhe jo pozitivitet. Tragjikomedia është statukuoja që kërkon përmbushje.

Historia është mbi tragjikomedinë për të mos qenë poshtë saj. Sepse tragjikomedia është historia falso pa qenë asnjëherë e vërtetë, një alibi dhe jo një realitet autentik.
Në një shkrim në 16 qershor 1936 Migjeni e përmend Hegelin: "Satira është purgatori i madh i shoqërisë. Dhe kështu në ditët tona do të mund të pajtoheshim me Hegelin se "paraqitja përmes satirës në mënyrë të qartë lidhet me divergjencat e subjektivitetit dhe parimeve të tij abstrakte me realitetin empirik." Ah, Hegeli! Bota e klasifikueshme me kategori estetike si me tastat e një pianoje universale. Melodi në disonancë, shpërthime në boshllëk. Ah, Migjeni! Tragjikomedia pa apoteozë!

   ***

"Errsina bahej gjithnjë ma e shpeshtë, e Lili fëmi verente se si drutë dhe sendet e tjera marrin trajta të frigëshme. Vuri re edhe përjashta t'amën tue u lutë nën kandilin e Zonjës i dukej nëpër qelqe të dritares edhe argëtohej: qe tamam si kino, - po shof kino, sa bukur aaa! Flaka e kandilit nisi të dridhej dhe Lili nuk shifte ma kino në qelqe të dritares."

Ky fragment migjenian është rastësia e një domosdoshmërie. Një ftillesë e epërme: filmi natyror përpara filmit teknik dhe artistik. Imazhi paraprijës si strukturë. Flaka e kandilit që simbolizon aparatin kinematografik, shfaqja e jetës si rregjizurë parake, - pllenuese, botëlindëse, pa pëlhurën e parë, pa skenar, pa butafori skenike, pa shpenzime, pa deformim dhe kompilim konceptual. Kinema ekzistenciale. Jo ajo që zhvillohet por ajo që nuk vdes! Pa atributin teknologjik të shpikjes. E përsëritëshme por pa përurim, reklama, postera. Shpikja e kinemasë qe çudi e çudirave megjithatë ! Për anglezët kinemaja qe bioscope dhe filmi tapeti magjik i imagjinatës. Sipas René Clair-it filmi e shndërroi lexuesin në një ëndërrimtar. Kështu lindi ndryshe nga Akili, Don Kishoti, Hamleti, Fausti etj, Charli Chaplini si marionetë e tipit të Cyrono de Bergerac, simboli i lolove shekspiriane dhe i Arlekinit të pabesueshëm, si ringjallje e Ezopit dhe Jonotan Swiftit, si revolucion vizionar, pa armë dhe pa gjak.

 Në 1911 Henry Bergson-i e lidh procesin e mendimit me formën kinematografike të sinkretizmit dhe të ndërlidhjeve të shumëfishta. Ah filmi si epokë e epokave! Ah, Migjeni qe si Marsel Duchamp-i mendon se jo thjesht një vepër artistike është art, por edhe çdo objekt dhe performancë jashtë aktit estetik është gjithashtu plot potencë artistike për shkak të simbolizmit të fshehur të vetë natyrës.

 Fragmenti shkrimor i Migjenit është gjithashtu një film tronditës. Pa bileta, pa salla shfaqjesh.

 Vetë ekzistenca e tmerrshme si film!
MOIKOM ZEQO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KOZETA ZAVALANI - ME VEPRIMTARI E BOTIME, SI NJË FUSHË ME LULE SHUMËNGJYRËSHE…Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë (04.06.2014)
RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONITNga ELIDA BUÇPAPAJ (04.05.2014)
BOTË NË MINIATURËCikël i ri poetik nga QAZIM SHEHU (04.05.2014)
SHQETËSIM dhe ÇARTJE Nga FASLLI HALITI (04.04.2014)
TË KISHA CA DJEM SI PËLLUMB GORICA"Sulova e Poshtme në shekuj!"Esé nga PËRPARIM HYSI (04.04.2014)
VËSHTRIM NDRYSHE 'MILOSAOS' SË DE RADËSNga MOIKOM ZEQO (04.04.2014)
DËSHMOJ (unë, hija dhe vuajtja)Kujtime nga VIKTOR MARTINI (IX) (04.03.2014)
GJENIU  I  MASËS - POEZI NGA CHARLES BUKOWSKIPërktheu: FASLLI HALITI (04.02.2014)
NUK I VRASIN AS MILINGONAT dhe NJË HUTIN I ZI NATENga ADEM ZAPLLUZHA, dy tregime poetike nga libri “Fjetëm njëqind shekuj” (04.02.2014)
TË KËNAQESH HIDHUR(Mendime rreth vëllimit poetik “DIELLFTOHTI” të poetit Faslli Haliti)Nga QERIM SKËNDERAJ (04.02.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]