VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KOSOVA NA FTON PËR TA NGITUR MORALIN POLITIK DHE PATRIOTIK TË KOMBITNga LAZIM REXHEPI

                                                                                      

E Shtunë, 05.18.2024, 12:11pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

KOSOVA NA FTON PËR TA NGITUR MORALIN POLITIK DHE PATRIOTIK TË KOMBIT

Nga LAZIM REXHEPI


E Premte, 10.15.2010, 07:28am (GMT+1)

(Fragmente nga dorëshkrimi "Romani i ditëve të mia", i shkruar në vitin 1970 në Piatra Neamc të Moldovës, i gjetur nga Baki Ymeri dhe i rradhitur për botim elektronik nga Mona Agrigoroaiei)

Jam i lindur në Malësinë e Tetovës, apo më qartë: në bjeshkët e Sharrit, në një familjë të varfër fshatare, e ardhur nga Malësia e Madhe e Shqipërisë, siç na thonë: fisi i Kastriotëve. Katundi ku kam lindur unë ka qenë më i madhi nga Reka e Malësisë së Tetovës, katund nga kanë dalë gjithherë burra të zgjuar dhe kur them burra të zgjuar, vlen të kuptohet patriotë të flaktë. Si shembull i tillë ka qenë Rexhep Voka nga Shipkovica, ose si i thonin në kohërat e atëhershme: Rexhep Efendija, pishtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe luftëtar të paepur në kohën e Esat pash tradhtarit. Më vonë, Shipkovica nxjerr heronj të tjerë të cilën dhanë jetën për dituri. Nxori edhe djem të zgjuar siç ish nipi i Rexhep Vokës, Rexhep Mnjaku si dhe Sadudin Gjura, që të dy nipër dhe profesorë të gjuhës shqipe, pastaj daja i tyre Jahja Baftjari në moshën shtatëdhjetë vjeçare, të cilët do të mundohem t'i përfshij në romanin e ditëve të mia, për të cilën shpresoj se do të keni mirësinë ta publikoni e me anë të cilit do të pasqyroj gjendjen e Kosovës, për ta ngritur moralin politik dhe patriotik të kombit.

Ishin dite pranvere, ditë kur në ato maja të larta, në ato brigje të mrekullueshme, në ato katunde shqiptare, çdo gjë e kishte hijen e saj të madhërishme. Që nga ajo kohë kanë kaluar tridhjetë vjet, kohë në të cilën kam rrahur shtatë shtete, por vend më të mrekullueshëm se vendlindjen time nuk kam gjetur dhe nuk besoj të gjej më në botë. Sot, pas tridhjetë vitesh, gjendem në Rumani. Rumania është një vend shumë i bukur, me pyje të larta të breut, me liqene ujërash të kristalta, me fusha dhe ndërtesa ultramoderne, me shtëpi pushimi, me kështjella e plazhe, me lulishte e me shumë gjëra të mira, një vend në të cilin gjen njerëz të këndshëm, shpirtmëdhenj, zemërhapur. Këtë popull e gjej si një popull i edukuar mirë, me një humanizëm të rrallë, popull i përsosur me ndjenja fisnike që përfiton simpatinë e çdo të huaji që vjen këtu.

Ndër popujt e Ballkanit, të cilët i njoh më mirë se vetën time, ma merr mendja se nuk ka njerëz më të përzemërt se rumunët, me përjashtim të mirëpritësve shqiptarë, të cilët edhe sot i ruajnë traditat ilire, popull i vendosur që karakterizohet si një nga popujt më të lashtë të Evropës. Këto nuk i them nga fjalët e mia, por janë fjalë të atyre që më kanë njohur e të cilët nuk e dinin se jam shqiptar. Si e shpjegon këtë? mund të më pyesë lexuesi. Në çdo shtet ku jetova dhe të gjithë ata me të cilët rashë në kontakt përmes bisedave të ndryshme, unë e sillja fjalën në drejtim të përmendjes së emrit Shqipëri. Dhe kështu i shihja mendimet çdonjërit. Mendimi i përgjithshëm është se kush ka patur punë me shqiptarë është bindur se shqiptari nuk të tradhton, nuk të pret në besë, nuk vjedh, nuk shitet për të holla, nuk poshtëron shokun. Se po ta dha fjalën shqiptari, duhet të dish se ai nëpër flakë kalon, por besën e ka besë...

Duke u larguar nga vendlindja

U zgjova duke u thënë se po largohem ngase bëhet vonë. Kështu, unë u çova i pari nga tryeza dhe ata u çuan një nga një dhe nisa ta hapi derën për t'u nisur për në Tetovë. I mora në grykë motrat dhe vëllezërit, nënën dhe babën, pastaj tezet, hallat e dajallarët dhe kur hapa derën nëna ma hodhi një shtamë me ujë duke më përcjellë. Ky ishte një zakon i vjetër për të cilin as sot e kësaj dite nuk e di se ç'do të thotë. Deri të Kroi i Radencës më përcollën të gjithë. Kjo po ashtu ishte një traditë respekti. Aty i luta të kthehen të shtëpia, vetëm vëllai të vijë me mua ta marrë kalin nga Tetova. Ata më dëgjuan dhe nëna përsëri më porositi: "Nana ta la amanet: kokën e përulët shpata nuk e pret. Mos u habit ka do shkojsh se në derë të huej shqiptar nuk do gjejsh". U përqafuam për hërë të fundit dhe së bashku me vëllaun vazhduam rrugën. Kur dolëm te Rrafshat e Gajres, u ndala me një gurë dhe për herë të parë ndeza një cigare dhe shikoja në drejtim të Fushës së Madhe të Shipkovicës. Ktheva kokën për 25 gradë majtas, hodha një sy katundit tim, vendlindjes sime. Sharrit krenar, fushat e të cilit i shifsha si në pasqyrë, krejt pemët, ato ditë zbulonin, kumbullat, xhenarikat, qershijat, vishnjat, mollët, dardhat. Më dukej se pemë e brigje më të bukura se ato të Shipkovicës nuk ka asnjë vend në botë. Dhe i pashë pastaj fushat e katundit plot dhen dhe shqerra që blegëronin. Dhe dëgjohej ndër brigje kënga e kavallit të barinjve që këndonin në ato ditë të bukura pranverore...

Ma ke mbushur mendjen se je shqiptar i përsosur

Në këtë garnizon kisha vetëm një shqiptar në shkollën e nënoficerëve. Ishte nga Drenica e Kosovës. Një djalosh shumë i zoti, shumë i shkathtë, kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe në gjakun e tij vlonte hakmarrja kombëtare, ngase ishte vigjilent, i cili e kuptonte se në këto manovra donin të më vrasin mua, duke ditur se gjendja ishte e turbullt, por nuk e di se si ishte shkëputur nga çeta e tij, për të ardhur pranë meje e për të më ngushëlluar me fjalët: "Ah Lazim e vëlla se këta hora janë tuj ba këto manovra me qëllim që të të vrasin ti, por vllai jot s'dot la, pran teje do të eci kësaj mbramje dhe në gëzofshin të të vrasin, unë gjakun do ta mar se pa ty s'dua t'jetoj o shpirt i dashtun, se ma mbushë mendjen se ije shqiptar i përsosun". Këto fjalë m'i tha në gjuhën shqipe në vrapin e sipër, kur na urdhëruan gjatë do maleve të larta të mbajmë një distancë prej dy metrash afër njëri-tjetrit. Nata vjente duke u terratisur. Filloi një shi vjeshte e ne ishim drejtuar drejtë kufirit austriak, por Ademi ecte me mua për dore, duke më thënë fjalë të ndryshme, me të cilat me ngrinte në qiell.

Ishte një natë e errët. Shiu binte pa pushim. Ushtarët të pa veshur, të pangrënë, të pa gjumë, nga errësira përplaseshin lis e me lis. Shumëkush nga ushtarët dhe nënoficerët shanin zotin, diellin, yjet e gjithçka e shpeshherë shanin edhe nënat e veta që i kanë sjellur në botë të bëhen ushtarët e Titos. Por u bind edhe Ademi se nuk ishte fjala për ndonjë atentat kundër meje kur afër mesnate i thanë do nënoficerë realitetin se Ademi derisa nuk e mësoi të vërtetën ishte shumë u paqetë , por unë isha i qetë ngase po të ishte fjala për zhdukjen time, ata do të kishin shumë e shumë mënyra të tjera dhe nuk do të gjëmonin malet asaj nate të errët e të vështirë, por mbetesha i kënaqur në vete mbi pozitën që kisha marrë në atë konferencë politike, aq sa unë vetë nuk dija se ç'kisha folur. Të nesërmen në mëngjes, kur dolëm nga malet, shumë çeta të shpërndara nga sa mblidheshin diku afër Bledit, u takuam me do garnizone të tjera, kur përsëri u dha alarmi me shpejtësi të madhe të arrijmë në orët e pasdites, por porsa arritëm në garnizon nuk na lejuan as të pushojmë as të na japin gjellë ose diçka, por me shpejtësi mbështollëm ç'kishim me vete dhe në postin e garnizonit. Në udhëtim e sipër nga një kg. bukë dhe nga një konservë me mish derri dhe në vrapim filluam të largohemi drejt Terzhiqit ku na priste te treni. Sllovenët ishin kënaqur mbi gjendjen e krijuar. Paniku në ushtri ishte shumë i madh. Dëgjohej se ushtria sovjetike gjoja do të sulmojë Jugosllavinë nga kufiri i Rumanisë dhe nga ai i Hungarisë. As sot nuk mund të vërtetoj se ka patur ndonjë pikë realiteti mbi këto gjëra por se ishte e vërtetë se asaj mbrëmje arritëm me trenin, në do vagone kafshësh, në qytetin e Osiekut, në Vojvodinë, mbi namin e ushtrisë që ishte mbledhur në këtë qytet gjendej në afërsi të kufirit hungarez.

Në Osiek të gjitha godinat e mëdha të qytetit ishin të okupuar nga ushtria. Të gjitha hekurudhat ishin mbushur me trena me ushtarë. Sa i përkiste popullsisë, këtu ndryshonte puna, jo si në Slloveni ku ishin të kënaqur me çdo gjë nëse largohemi që andej, këtu në Osiek qanin gra e burra duke thënë se as nuk u shëruan plagët e luftës dhe përsëri një luftë shkatërrimtare po del në skenë. Të nesërmen mua më ngarkuan me detyrën e intendentit të garnizonit. M'i dhanë ushqimet në një vagon dhe më lejuan të zgjedh katër ushtarë me të cilët kam besim. Me siguri, zgjodha i pari Ademin, i cili ishte në gjendje të sakrifikojë edhe jetën për mua. Në të njëjtën kohë me kënaqësi vënim re se nga kuadrot e oficerëve nga Sllovenia nuk kishim asnjë oficer, gjë e cila na inkurajonte ngase ata na e humbën tragun. Asaj mbrëmjeje na tërhoqën nga Osieku për në Veliki Beçekerët. Udhëtimet bëheshin vetëm natën dhe kjo, sa për të evituar panikun në popullsi. Ushtria më se e lodhur, e kapitur. Katër në të vazhdimisht pa gjumë, pa ushqime të mjaftueshme, pa asnjëfarë vullneti jetë i nisnin për në kufi, në vijën e parë, nga të cilët pjesë më e madhe ishin nga nacionalitetet të ndryshme, të cilët e urrenin nga zemra Jugosllavinë si shtet, serbët si kombësi dhe udhëheqjen e tyre e quanin si krerë të diktaturës shovine.

Ju betohem, të dashur lexonjës, se në rast të një lufte, e cila parashikohej, qoftë se do të dorëzoheshin të gjithë apo do t'ia kthenin pushkët udhëheqjes jugosllave brenda pak orësh. Në këtë anë 80% e popullsisë ishin hungarezë të cilët me kaq urrejtje na shikonin, të cilëve po të ju jepje leje, brenda disa minutash do të na zhduknin nga faqja e dheut. Që këtu na ndanë në batalione me këtë rast dhe mua më ndanë nga Ademi. Batalioni ynë i dërgua në Novi Knezhevc, por edhe këtu pjesa më e madhe e popullsisë ishin hungarezë. Ishte me të vërtetë për të ardhur keq kur vijë re se ajo që ngjiste me shqiptarët në Kosovë, e njëjta gjë ngjante edhe me hungarezët e Banatës të Vojvodinës. Nëpër shtëpitë e hungarezeve ngjiste edhe më keq se sa me shqiptarët e Kosovës. Visha re ku zgjidheshin oficerë, nënoficerë, nëpunës nga më të poshtrit, të cilët i strehonin në shtëpitë e hungarezëve, duke i këshilluar të çnderojnë gra e vajza hungareze dhe atë, duke i kërcënuar në mënyrë barbare. Në një mbrëmje vallëzimi në klubin hungarez, ku serbët që ishin pakicë nuk kishin klubin e tyre, u krijua një gjendje në urdhërin e Rade Opojeviçit, ish oficer i UDB-së në garnizon, si dhe nga e një togeri Pero Toderoviç, të dy këta me prejardhje nga Hercegovina, ishin aq shumë të poshtër saqë bërtisnin: "Vrisni hungarezët se këta nuk janë njerëz".

E gjithë kjo, kuptohet se u bë nën urdhërin e Opojeviçit. Todoroviçi mori një kompani me jevgj të ndryshëm për t'i provokuar hungarezët, megjithëse hungarezët kishin një kulturë të pakrahasuar në krahasim me serbët, sa që serbët as për njëqind vjet s'do të mund të arrijnë kulturën e tyre. Por me këtë skandal lanë të kuptohet se hungarezët ishin më të zotit se ata, më luftëtarë se ata, duke parë se dhjetëra ushtarë serbë u plagosën me thika, me bokse, dhe hungarezët treguan superioritetin. Nuk pashë më kur ikën as Opojeviçi, as Todoroviçi, por pashë se nga kjo gjakderdhje e vogël u mbushën spitalet me ushtarë të plagosur. Unë këto ngjarje i ndiqesha me shumë vëmendje, duke e ditur se këto që ngjasin me hungarezët, ngjasin edhe me shqiptarët tanë, madje më shumë se kaq: ndërmjet hungarezëve dhe shqiptarëve nuk ka dallim karakteri. Këta janë popuj në Ballkan dhe në Evropë që kurrë nuk thonë ato që nuk besojnë, nuk dinë dredhira, nuk përdorin gënjeshtra e vjedhje, janë shumë besnike dhe kurdoherë mund të bazohesh në fjalët e tyre.

Fatkeqësia e zgjedhës serbe mbi këta popuj është shumë e padrejtë. Nga ana tjetër, hungarezët kanë një nacionalizëm të lartë, gjë që shqiptarëve u mungon, jo në përgjithësi, kurse shovinistët serbë e urrejnë çdo gjë që as hungarezëve nuk u mungon. Shpeshherë serbët përmendin më shumë keqardhje qëndrimin e bullgarëve në Ballkan, kur këta prisnin gjitë e grave serbe, gishtërinjtë me gjithë unaza, veshët me gjithë vathi. Këto gjëra serbët nuk i harrojnë por shpeshherë ata i quajnë bullgarët më të afërt se sa kroatët për shkak se janë sllave e mos të bëjmë fjalë për sllovenë, hungarezë e sidomos për shqiptarë të cilët i urrejnë nga zemra. Ata nuk i duan as shqiptarët, as hungarezët, por i duan pasuritë e tyre.

 

 

 

 

Lazim Rexhepi

 

 

 

Lazim Rexhepi me familjen e tij

 

 

Shënime mbi romanin e Lazim Rexhepit botuar nga B. Y. në revistën Albanezul

 

 

 

Gruaja e Lazim Rexhepit (e para nga e djathta)

 

Bashkëshortja e Lazimit, Ekaterina Rexhepi (Piatra Neamc, 1938)

LAZIM REXHEPI


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DAULLET E EKSTREMIZIMIT SERB VAZHDOJNË TË BIEN PA PUSHIMNga Dr. ALBAN DACI (10.14.2010)
DIGJET FLAMURI SERB NË SHENJË PROTESTE (10.14.2010)
PDSH KËRCËNON PËR BRAKTISJE TË REGJISTRIMIT (10.14.2010)
SHTOHEN MASAT E SIGURISË NË VERI TË KOSOVËS (10.13.2010)
JETË E PASIGURT NË VERI TË KOSOVËS (10.13.2010)
TRI TË VËRTETA PËR TË CILAT GËNJEN JANULLATOSNga KRISTO FRASHËRI (10.12.2010)
HAMLETI VDES PËRSËRINga ROLAND GJOZA (10.11.2010)
PREZANTIM ZHGËNJYES I LETRAVE SHQIPE NË PANAIRIN E FRANKFURTIT (10.11.2010)
I MBIJETUARI I TIVARIT: NË SHQIPËRI U SHTUAN TORTURAT DHE VRASJET (10.10.2010)
TUBIM JUBILAR ME RASTIN E 20 VJETORIT TË THEMELIMIT TË PARTISË PËR VEPRIM DEMOKRATIK (PVD) NË KRAHINËN E PRESHEVËSHalimi: PVD i avancoi proceset demokratike dhe kombëtare në Krahinën e Preshevës (10.09.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]