E Hënë, 05.20.2024, 09:15pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
Gazeta Shqiptare, HËNA KËLCYRA - BERISHA NUK PËRFAQËSON TË DJATHTËN, IM ATË ALI KËLCYRA NUK ISHTE TRADHTAR, REHABILITIMI I ENVERIT ËSHTË AKT SKANDALOZ (Intervistë)

E Mërkurë, 04.09.2014, 10:00am (GMT+1)




Në 22 nëntorin e vitit 1944, Ali Këlcyra la Shqipërinë, për t'u kthyer këtu, veçse i vdekur pas 70 vitesh (prill 2014). E bija (në kohën e luftës veçse 8 vjeçe), Hëna Këlcyra (Hana Klisura) rrëfen jetën me të, miqtë dhe armiqtë, Shqipërinë sot dhe jep një përgjigje për ata që qenë kundër kthimit në atdhe të eshtrave të "kuislingëve". Ali Këlcyra, i njohur si ballist, Ali Këlcyra, është damkosur nga historia për Marrëveshjen e njohur të Dalmazzo-Këlcyrës. Më 1943 ai u takua me gjeneral Dalmazzon, pas të cilit do të lindë projekt-protokoll marrëveshjen për fundin e gjakderdhjes. Hëna ka lindur në Paris dhe ka ardhur në Shqipëri përmes Sarandës kur ishte 3 vjeç e gjysmë, në gusht të '39-ës ku do jetonte deri më 1944. Me një kujtesë të fortë, Hëna flet një shqipe të afërt me standardin, megjithëse nuk i shmang dot disa fjalë si "nashtithi". I ka zët fjalët e huaja, për të cilat shpesh e qortonte Eqerem bej Vlora, me të cilin ka jetuar gjatë e të cilit i detyrohet për shumëçka di sot. Edhe atë e ktheu në Shqipëri për t'u prehur në Kaninën mbi Vlorë.

Zonja Këlcyra, ju sollët së fundmi në Shqipëri eshtrat e babait tuaj, Ali Këlcyra dhe të nënës, që ndryshe prej Eqerem Vlorës, u varrosën pa ceremoni. Pse?
I solla në formë private eshtrat e prindërve, sepse nuk desha të kishte as ceremoni as fjalim. Kush deshi, erdhi, e nderoi babain dhe më qe pranë mua. Gjej rastin t'i falenderoj. Prindërit e mi ikën nga vendi më 22 nëntor 1944 e tashmë janë rikthyer përfundimisht.

Ishte i vështirë rikthimi, përfshirë procedurat?

Më e vështirë ishte sjellja në Shqipëri, se sa procedurat atje. Përkundrazi, andej qe e thjeshtë se unë isha e bija. Me rikthimin e tyre, unë mbylla një kapitull në jetën time. Tani duhet të mendoj për veten dhe jam krejt vetëm, pasi njerëzit më të dashur do t'i kem larg meje. Megjithatë, kur jam në Tiranë, e gjej babanë më të gjallë se andej, pasi të tërë e njohin, e dinë se kush ishte. Sigurisht ka edhe komunistë dhe e ndjej që nuk kanë simpati, por e dinë kush është dhe kjo është e rëndësishme. Gjëja më e keqe për një njeri është të mos flasin për të. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Çurçilli fitoi luftën, humbi zgjedhjet në Britaninë e Madhe. Atë kohë, miqtë e bashkëpunëtorët i thoshin, 'kanë folur keq për ty', ndërsa Çurçill përgjigjej: Vetëm të më përmendin, edhe sikur të më shajnë. Gjëja më e keqe është kur nuk flasin fare për ty.

Megjithatë, 5 dekadat komuniste, Ali Këlcyra nuk u harrua. Çfarë ndikoi sipas jush?

Enver Hoxha dhe shumë miq të tijtë (Enver Hoxhës, shënimi i Voal) nuk kanë dashur që tim eti ti mbahej mend as emri. Kanë folur keq për të gjithnjë. Por duke e sharë, i kanë bërë nder se njerëzit e njohin, edhe pse ajo se çfarë flasin është çështje tjetër. Por, ta njohin nuk është pak. Kjo është e vërtetë për të gjithë këta ish-burrat e shtetit, ose ata që kanë bërë Shqipërinë, të cilët pak nga pak ose kanë 50 vite që kanë vdekur, ose po i afrohen 50-vjetorit të vdekjes. Nëse nuk flasim për ta, nuk do mësohet kurrë kush ishin, sepse në histori janë damkosur si kriminelë, si njerëz që nuk kanë dashur vendin, si njerëz që nuk meritojnë as të prehen në vendin e tyre. Ne duhet të flasim për të sqaruar shumë pika të historisë.

Me gjithë ato që janë shkruar në komunizëm, pas 1990-ës, historia ka shkruar ndryshe për ta, përfshirë babain tuaj, pra janë treguar të dyja anët e medaljes. Nuk mendoni kështu?
Po, por ende nuk mjafton. Kur bëhet një revolucion, të dy palët bëjnë gabime. Diktatura e Enver Hoxhës ra, por të gjithë njerëzit që kanë qenë në pushtet e në detyra në kohën e Enver Hoxhës, sot janë në pushtet. Nuk ke asnjë njeri sot, që ka një detyrë të rëndësishme e që vjen nga ana tjetër e politikës, pra nga ai krah që në komunizëm i përkiste së djathtës. Kjo është prova më e mirë që ne nuk i gjykojmë të dyja palët njësoj. Dakord, ata fituan luftën. Por, edhe Stalini e Hitleri, i fituan disa beteja si shumë diktatorë të tjerë, e prapë, kjo nuk do të thotë se nuk kanë bërë gabime. Ne kemi sot dy parti, PD-PS, që janë në fuqi herë njëra e herë tjetra e tek këto dy parti, janë të njëjtët njerëz. Në këto 6 vite që kam ardhur, kam parë të njëjtët fytyra.


Hëna Këlcyra - Pak ditë më parë, ishte 7 prilli. Më bëri përshtypje që askush nuk e përmendte Abaz Kupin - ai ngriti armët kundër pushtuesit, ndërsa Mehdi Frashëri i kërkoi popullit të luftojë

Ardhja e eshtrave të Eqerem Bej Vlorës dhe Ali Këlcyrës rihapi debatin me kolaboracionistë, kuislingë, atdhetarë e tradhtarë. Ju si i mbroni dy të afërmit tuaj?
Nuk kanë nevojë të mbrohen. Përpiqem t'u shpjegoj njerëzve, se është bërë gabim, se duhet të njohin më shumë historinë, të lexojnë më shumë, por jo të lexojnë ato që i shkruante regjimi. Të vështrojnë edhe historinë e botës. Pak ditë më parë, ishte 7 prilli. Më bëri përshtypje që askush nuk e përmendte Abaz Kupin. Së paku formalisht, më 7 prill 1939, ai ngriti armët kundër pushtuesit, ndërsa Mehdi Frashëri i kërkoi popullit të luftojë. Babai ka qenë antizogist, por këtë nuk e harronte. Pse nuk flitet për ta? Sepse nuk duhet të përmendim asnjë përveç Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ata nuk duan të kenë konkurrencë në rezistencën e tyre, gjithçka e duan ata: Shqipërinë, historinë. Këtu fillon mashtrimi që i bëhet historisë moderne shqiptare. Vazhdimisht më thonë se Mehdi bej Frashëri ka qenë kuisling, madje nuk i dhanë as dekoratën që i dhanë tim eti "Urdhrin e Skënderbeut", edhe pse ky urdhër iu dha Mithat Beut, Lef Nosit, Nikollë Kaçorit, por jo atij.

Mehdi Beu, përveç se ishte intelektual e meritonte për apelin që i bëri popullit më 7 prill 1939. Pastaj gjatë gjithë kohës që vendi ishte i pushtuar nga fashistët ka qëndruar larg Shqipërisë, nuk mund të shkelte këtu. Ai nuk duhet bërë gogol kështu si e kanë bërë. Ka njerëz që më thonë mua, se iu bë privilegj i madh babit dhe Eqerem Vlorës që iu sollën eshtrat, po pse a s'kishin ata të drejtë të varroseshin në atdhe? Kthimi në atdhe nuk është një privilegj, është një drejtë për çdo shqiptar që në bindjet e tija politike mund të jetë komunist, marksist, ballist, etj. Nuk është shumica ajo që ka dalë kundër, por janë shprehur se: Eqerem Vlora e Ali Këlcyra s'kanë ç'duan në Shqipëri, le të rrinë atje ku ishin deri tani. Po si mund ta thonë këtë? Monopol i kujt është Shqipëria?

Së fundmi është kërkuar rehabilitimi i figurës së Enver Hoxhës. Ç'mendim keni?
Ka rryma që duan ta rehabilitojnë dhe ky është skandali më i madh. Nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ne jemi në Evropë e njohim këtë. Kam folur me Liri Belishovën që ka kërkuar falje dhe më tha kemi bërë disa gabime dhe i thashë: jo zonjë, ju keni bërë krime, e jo gabime. Nuk është kaq e thjeshtë, duhet bërë më shumë që të mos përsëriten këto gjëra.

Babai ju ka folur për periudhën që ishte angazhuar në Ballin Kombëtar?

Ai nuk ka bërë kurrë publicitet për veten e tij. Më fliste gjithnjë për Shqipërinë. Kam banuar me Eqerem Beun dhe vëllanë e tij. Falë kësaj, sot jam në gjendje të kontribuoj me kujtimet e mia dhe e ndjej për detyrë t'i jap historisë dhe vendit tim këtë kontribut.

A ishte penduar babai juaj për pozicionimin e tij gjatë luftës?
Pse të pendohej? Unë besoj se nuk u pendua se ai e dinte se ç'bënte. Më mirë mund të bësh gjithmonë edhe në politikë, edhe në çdo fushë. Nëse i ka bërë vetes autokritikë ka qenë për metodat. As babai, as Eqerem Bej nuk kanë dashur që gjatë luftës të kishte vëllavrasje.

Rezistenca u fillua nga studentët, pastaj u përfshinë edhe shtresat e tjera dhe nga një rezistencë kundër armikut, u kthye në një luftë klasash. Për këtë, edhe sikur Anglia të kishte ardhur dhe të kishte përkrahur të djathtën, komunistët do thoshin 'ja tradhtarët, ja pushtuesit', vetëm që ata të triumfonin, siç triumfuan dhe hesapet i kishin bërë shumë mirë, përderisa janë edhe sot në fuqi. Më jepni ju një fytyrë prominente të së djathtës? Jo zotin Berisha, se ai thoshte se përfaqësonte të djathtën, por unë nuk e kam ndjerë kurrë të më përfaqësojë, as mua, as ata që janë të djathtë. Këta njerëz që votojnë sot për të majtën e të djathtën nuk janë socialistë as demokratë, janë oportunistë. Megjithëse, kjo fjalë nuk e shpreh atë që dua unë të them. Gjermanishtja ka një fjalë që përkthehet: ata që ju ecin prapa.

A është kjo hera e fundit që ju vini në Shqipëri?

Unë e kreva misionin që kisha. Nuk them se s'do vij më kurrë, por nuk kam arsyet që kisha. Po u desh kontributi im në ndonjë fushë, do e jap. Çdo qytetar ka mundësi dhe detyrë të kontribuojë për të përmirësuar vendin. Ndonjëherë mjafton të heqësh plehrat para shtëpisë tënde. Këtu nuk e quajnë të tyren tokën jashtë shtëpisë së tyre dhe këtu fillon gabimi. Dikur thuhej që fajin e kishin bejlerët për shumëçka, po sot? Sot të gjithë kërkojnë t'i bien shtetit në kurriz, ose e dëmtojnë atë që është e shtetit. Edhe vetë shteti është në dilemë, sepse të gjithë kërkojnë dhe askush nuk mendon se çfarë mund të bëjë vetë ai për shtetin.
Unë desha të shisja ato prona që kisha dhe me paratë që do merrja do të hapja një shtëpi për pleqtë e një çerdhe, por për disa arsye, kjo nuk u bë e mundur.

Në ç'gjendje janë sot sarajet e Kelcyrajve?
Më 1914 u dogjën, pra para 100 vitesh dhe zjarri i ka dëmtuar shumë që në atë kohë. Sot, ato nuk më përkasin mua, i përkasin Këlcyrës e Shqipërisë, sepse kanë kaluar në histori. Herën e fundit që vajta, bëra një apel që të mos lihen më në mëshirë të fatit. Përveç se janë vetë të rrënuara, fshatarët i marrin gurët, i shesin, i marrin për të ndërtuar shtëpitë e tyre. Është kthyer në "gurore". Sa herë që unë shkoj atje, gjej mure të rëna, gjej gurë të mbledhur të bërë gati për t'u transportuar. Dora e njeriut ka bërë më shumë rrënime se sa koha e gjatë bashkë me erozionin. Mali nga pas ka një gurore me gurë njësoj si ato të sarajeve, ndaj s'kanë pse i marrin te sarajet. Aty afër mund të ngrihet një godinë për të pritur turistët, për kafene, për seminare, që pasi të shtrohet rruga, të shkojnë më shumë vizitorë. Kjo do të gjallëronte jo vetëm Këlcyrën. Kam edhe një shqetësim tjetër për këtë zonë. Gryka e Këlcyrës është mrekulli natyrore, por sa herë që unë shkoj, shoh se aty janë shtuar ndërtimet, godinat, që po e dëmtojnë atë. Në jug çdo gjë që kanë lënë mbetur ende në këmbë, po e prish dora e njeriut. Ndjej shumë keqardhje.

A mund të na flisni për miqësinë e babait me Avni Rustemin?
Di shumë pak për të. Janë njohur në Itali kur ka qenë studentë e miqësia vazhdoi dhe pas kthimit. Babai më ka treguar se ka qenë në shtëpi ditën kur është vrarë Avni Rustemi, në sheshin që sot mban emrin e tij. Ka dëgjuar ca të shtëna dhe ka dalë nga shtëpia drejt sheshit, pasi nga ballkoni kishte parë që dikush u rrëzua. I veshur me rroba gjumi, vetëm kur i shkoi pranë mësoi se ishte miku i tij. Më duket se ka mbajtur edhe fjalim në varrimin e tij, ndërsa mbaj mend që kam parë edhe fotografi të tyre bashkë.

Ju keni folur për takimet e babait tuaj me Enver Hoxhën student në Paris. A ndikuan këto takime në marrëdhënien e mëvonshme mes tyre?
Po. Them se po. Ata u takuan tri herë në Paris. Jam kritikuar e përgënjeshtruar nga Tanush Frashëri për këtë çështje. Takimet e babait me Hoxhën janë bërë: kur Hoxha ngushëlloi babain për vdekjen e të vëllait, e dyta për të uruar për lindjen time dhe e treta, kur Hoxha i kërkoi babait të hyjë në Bashkimin Kombëtar. Balli Kombëtar u formua si rezistencë kundër pushtimit italian, ndërsa Bashkimi Kombëtar ka qenë formuar për të rrëzuar Mbretin Zog. Babai s'e njihte personalisht, po ishte informuar, jo vetëm për atë, por për të gjithë studentët shqiptarë në Paris. Im atë kishte 11 vite në Francë dhe shkruante në gazeta të mëdha atje. Ka edhe një gjë që historianët nuk e thonë kurrë, pasi duan që babai të njihet si filoitalian e kolaboracionist, por im atë ka bashkëpunuar edhe me kundërshtarët e Musolinit, si Pietro Neni etj., dhe nuk ka luftuar vetëm politikën e jashtme të mbretit Zog atëherë, por edhe politikën e Musolinit. Babai është ose i vetmi, ose i pari që Italia kërkoi ta arrestojë, sepse përdorte shtypin italian për të botuar artikuj kundër politikave të Romës. Ai arriti të shpëtojë dhe për 11 vite iku nga Italia.
Kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari, që jetonte në Itali dhe Mustafa Kruja, shkonin në Zvicër ose në Francë për t'u takuar me tim atë, meqë ai nuk shkelte në Itali.
Kur është kthyer në Shqipëri, jo vetëm që kërkoi leje që të vinte, por kërkoi që të respektohej jeta e tij private, pasi vendosi të tërhiqej nga politika. Ambasadorit italian në Francë i ia kërkoi që të mos e detyronin të merrte asnjë detyrë në qeverinë që ishte krijuar. Ambasadori nuk i dha siguri, por pyeti në "Palazzo Chigi" në Romë. Prej andej, përgjigja thoshte se: nuk do ta detyrojmë, po ai do të ketë vetë dëshirë ta bëjë këtë. Këto i kemi gjetur në dosjet italiane për babain.
Italianët nuk është se donin babanë, por donin që mundësisht të gjithë ata kundërshtarë të mbretit Zog të vinin dhe të merrnin fuqinë. Ata nuk pandehën se bashkëpunëtorët më të ngushtë të Zogut, duke filluar që nga adjutanti i tij, Gjeneral Sereqi, e tradhtuan të parët.

E keni takuar ju gjeneral Zef Sereqin?
Po, kam qenë me tim atë dhe Eqerem bej Libohovën kur e kemi takuar gjeneral Sereqin. Babai i jep dorën Eqerem bej Libohovës dhe injoron Sereqin. Atëherë Libohova, duke menduar se babai nuk e njohu gjeneralin, i thotë: Ali bej, nuk e njeh gjeneralin? Dhe babai i përgjigjet: Mjerisht e njoh, por nuk ia jap dorën se ka tradhtuar dy herë, një herë mbretin Zog dhe një herë Shqipërinë. Kur është bërë zbarkimi i ushtrisë italiane në Shqipëri, në qiellin shqiptar kishte dy helikopterë që kontrollonin nga qielli, situatën, nëse kishte rezistencë nga shqiptarët dhe si po ecte ushtria. Në njërin prej këtyre helikopterëve gjendej edhe gjeneral Sereqi. Kjo për babain ishte tradhtia më e madhe. Unë isha 11 vjeçe dhe e dija që babai ka qenë kundër mbretit Zog dhe më bëri çudi vërejtja që bëri për gjeneral Sereqin. E pyeta pse të mos ia japësh dorën se ai ka tradhtuar? Babai më shpjegoi se çfarë është tradhtia.

Ju e mbani mend, megjithëse keni qenë shumë e vogël.
I mbaj mend të tëra. Kisha dhe kam kujtesë shumë të fortë. Madje i mbaj mend dhe pozicionet se si ishim ulur. Unë isha përballë gjeneral Sereqit dhe babai përballë Eqerem bej Libohovës.

A ka komunikuar më me Enver Hoxhën babai juaj?

Jo. Me sa më rezulton, jo. Asnjë emigrant nuk ka pasur marrëdhënie me Hoxhën. Do ketë pasur spiunë, njerëz që u bënin presione emigrantëve, duke i kërcënuar me të afërmit e tyre në Shqipëri, por im atë s'kishte komunikim me të.

Jeni ndjerë të vëzhguar nga agjentë shqiptarë të kohës?
Njëherë i thanë tim eti, se filani që vjen tek ju është spiun dhe duhet të kesh kujdes. Babai i tha: Tani që e di do flas edhe më hapur, se nuk do të më kushtojë as pulla e letrës. Në këtë pikë, regjimi i Enver Hoxhës ka qenë i zgjuar: s'ka bërë vrasje, se ndjehej i sigurt këtu, pasi qytetarët nuk lëviznin dot jashtë.

Po me Fan Nolin, si kanë qenë marrëdhëniet e babait tuaj pas 1924-ës?

Pas vitit 1924, ata ikën së bashku nga vendi. Noli ishte vigan nga pikëpamja kulturore dhe studentët e kishin idhull. Kur shkuan jashtë, ai dhe im atë i prishën relatat komplet. Janë takuar disa vite para se të vdiste babai, më 1960, me rastin e 50-vjetorit të gazetës "Dielli". Unë e kam ndjekur dhe kam qenë shumë afër me tim at edhe kur vinin njerëz. Duke qenë se isha fëmijë i vetëm, nuk më linin të haja vetëm ose me fëmijë të tjerë, siç ishte zakoni në atë kohë. Unë ulesha në tavolinë me babain dhe me miqtë e tij. Sigurisht nuk mund të flisja, duhej vetëm të përgjigjesha, por nuk më lejohej të flisja. Ndaj unë isha si regjistrues zëri, çfarëdo dëgjoja i regjistroja në kokën time dhe më kanë mbetur të fiksuara.

Si ka qenë takimi mes tyre?
Do kisha dashur kaq shumë të isha në atë takim, por për fat të keq nuk isha. Nuk kam qenë në këtë takim që babai ka pasur me Fan Nolin dhe në takimin me mbretin Zog në Egjipt. Mjerisht isha në Evropë dhe s'munda të isha.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KY LIDERSHIP NUK MUND TË SHFAJËSOHET PËR SHUMËLLOJSHMËRINË E KRIZAVE NË KOSOVËVështrim nga SKËNDER MULLIQI (04.08.2014)
TURIZMI MË JOSHËS NË BRIGJET E KARAIBEVE NË REPUBLIKËN DOMENIKANE!NË KONTRAST TË PLOTË ME TURIZMIN NË SHQIPËRI!Udhëpërshkrim - fotoreportazh nga ASLLAN DIBRANI (04.08.2014)
GJUKANOVIÇI I KA PËRJASHTUAR SHQIPTARËT NGA QEVERISJA NË MALIN E ZI!!Nga RAMIZ LUSHAJ (04.07.2014)
Zëri i Amerikës, SHIRLEY CLOYES DIOGUARDI - POLITIKA NË KOSOVË, PËRGJEGJËSI PARA TË GJITHË POPULLATËS (Intervistë) (04.07.2014)
Mr. MILO GJUKANOVIÇ, STOP THE DISCRIMINATION AGAINST ALBANIANS OF MONTENEGRO!  By ARTUR VREKAJ (04.07.2014)
DËGJONI, PO KËNDON VAÇJA(Me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Vaçe Zelës)Ese nga FASLLI HALITI   (04.07.2014)
LETËR E HAPUR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME ENVER HOXHAJ - FATON BISLIMI MERITON TË JETË AMBASADOR I KOSOVËS NË KANADANga ZEQIRJA REXHEPI, piktor akademik Kanada (04.07.2014)
DAN GASHI - PIKTOR DHE POET SHQIPTAR NË MESIN E KRIJUESVE GJERMANË!Nga ASLLAN DIBRANI (04.06.2014)
KANUNI I LEKË DUKAGJINIT DHE NJOHJA E TIJ PREJ VENEDIKUTKy Kanun është një nga kryeveprat mendore të kombit shqiptar në të gjitha kohëratNga MOIKOM ZEQO (04.05.2014)
GJUKANOVIÇI I MALIT TË ZI  NUK MUND TA HEQË FLAMURIN SHQIPTAR TË DEDË GJO’ LULITStudim nga RAMIZ LUSHAJ (04.05.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]