E Martë, 03.19.2024, 12:10pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

Intervistë dhënë gazetës Illyria

ISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullit

Intervistoi: Vehbi BAJRAMI


E Premte, 06.19.2009, 10:47am (GMT+1)

 

    Ismail Kadare                                                                              Vehbi Bajrami

Illyria: Sapo jeni kthyer nga Kosova, ku u pritët me shumë ngrohtësi. Ju falenderojmë për këtë bisedë me lexuesit e gazetës « Illyria » të New York-ut. Pas çlirimit të Kosovës, politika serbe jo vetëm që nuk pranon të kërkojë ndjesë për genocidin në Kosovë, por po bën një fushatë të gjerë për t'u paraqitur para botës si palë e viktimizuar. Si e vlerësoni rolin e politikës së Kosovës e të Shqipërisë për të demantuar akuzat serbe ?

Kadare: Mendoj se ky rol ka qenë disi i pamjaftueshëm. Ka disa faktorë që e kanë penguar. Ka një trysni të pjellë nga një keqkuptim disi i përgjithshëm që, duke mos u kujtuar krimet serbe, ndihmohet paqësimi i gadishullit. Keqkuptimi është i rëndë. Dhe kryekëput i dëmshëm. Historia e njerëzimit tregon se çlirimi nga e keqja vjen nëpërmjet dënimit të saj dhe asnjëherë përmes harresës. Duket komod kërkimi i drejtpeshimit, klishetë, të dy palët bënë gabime, të kërkojnë harrim në emër të së ardhmes, etj. Por kjo kinse zgjidhje idilike, pa pendesë dhe pa dallim të xhelatit nga viktima, fsheh një kurth të rrezikshëm.

Për Holokaustin gjithashtu u bënë përpjekje që, në emër të "pajtimit" ndëreuropian, të lihej në harresë. Por, falë këmbënguljes së drejtë të hebrenjve, kjo nuk ndodhi.

E keqja më e madhe ka qenë ajo që përmendni ju, kthimi i gjithçkaje kryengulthi, paraqitja e serbëve si palë e viktimizuar. Po kryhet kështu mu në sytë tonë, të krejt kontinentit, një dhunim monstruoz ndaj së vërtetës. E bashkë me këtë, kërkohet që Europa dhe Aleanca Atllantike t'i bëjë, në një farë mënyre një mohim, aksionit më emancipues të saj: ndërhyrjes për ndalimin e një masakre. E vërteta në këtë rast është një dhe nuk mund të ndryshohet. Në Kosovë krimet serbe kanë qenë të lemerishme. Amnezia nuk eshtë në të mirë të askujt, duke përfshirë këtu dhe vetë Serbinë.

 

Illyria: Sa mund ta dëmtojë Kosovën kjo fushatë nëse pala shqiptare nuk bën më shumë për të dëshmuar të vërtetën e saj?

Kadare: Kjo e ka dëmtuar ndërkaq Kosovën. Qëndrimi duarkryq përpara fushatës çorientuese serbe është i papranueshëm. Unë jam europianist i vendosur dhe nuk shoh asnjë projekt të ardhshëm të Shqipërisë , Kosovës, krejt kombit shqiptar jashtë miqësisë me aleatët tanë perendimorë, Europë dhe SHBA. Ndërkaq pikërisht me miqtë e vërtetë thuhet më lehtë e vërteta. Dënimi i krimeve në Kosovë, e në krejt Ballkanin do të hapë rrugën e emancipimit të vërtetë.

Në asnjë rast nuk jam partizan i goditjes vetëm të "kalit të rrëzuar", siç quhen disa herë serbët. Në qoftë se zbulohen dhe vërtetohen krime të shqiptarëve, le të dënohen edhe ato një për një. Ndërkaq, në çdo rast kacafytjesh thelbin e çdo drejtësie në botë e përbën përmasa e dhunës dhe përmasa e përgjigjes ndaj saj. Retorikat e mjegullta ballkanase nuk kanë vend këtu. E aq më pak simetria komode, ajo që lejohet në grindjet e kalamajve, por jo në ato të popujve. Në fund të mijëvjeçarit në Kosovë u ndeshën dy popuj, njeri me ushtri, me polici, me tanke dhe me doktrinë robërimi, tjetri me armë të rastit dhe me doktrinë të kundërt. Ajo që ndodhi, duke përfshirë edhe dhunën shqiptare, duhet të gjykohet paanësisht, siç gjykohet konflikti midis dy popujve dhe jo midis një populli dhe një nënpopulli.

 

 

Illyria. Një nga akuzat serbe ndaj shqiptarëve, që ka bërë jehonë edhe në shtypin ndërkombëtar e në organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është ajo mbi "transplantimin apo trafikimin e organeve të viktimave serbe gjatë luftës së Kosovës". A ka qenë në nivel reagimi i shqiptarëve rreth kësaj akuze serbe?

Kadare: Nuk jam i sigurtë në se reagimi shqiptar ka qenë në nivelin e duhur ose jo. Problemi shkon më thellë. Mungesa e seriozitetit ka pasoja të rënda kudo, por, në shqyrtimin e krimeve gjithçka rëndohet. Për fat të keq, kjo ka ndodhur. Mohuesit (negacionistët) janë një dukuri e njohur. Nuk ka epokë pa ta, ashtu siç nuk ka popull pa rimohues (renegatë).

 

Për hakmarrjen "e tmerrshme" shqiptare janë shkruar libra të tërë e janë bërë profecira ogurzeza. Sipas tyre, në Kosovë duhej të bëhej kërdia. Jam i sigurtë se sikur të gjykoheshin një për një, madje me gjyqe të bujshme rastet e hakmarrjes shqiptare , bota do të pësonte një zhgënjim pozitiv, nëse mund të përdoret një shprehje e tillë. Rrjedhimisht hetimi dhe dënimi i tyre nuk do të ishte aspak në dëm të çështjes shqiptare. Le të marrim, për shembull, ngjarjen më të rëndë, djegien e kishave serbe. Ishte pa dyshim ngjarja që e dëmtoi dhe vazhdon ta dëmtojë më së shumti Kosovën. Edhe në këtë rast kam bindjen se një hetim serioz do të nxirrte një të vërtetë më të thellë nga ajo që u trumbetua.

 

Eshtë normale që mendimi i parë që të vjen në këtë rast është se kishat u dogjën nga shqiptarët. Dhe e vërteta , me sa duket, është kështu: kishat u dogjën vërtet nga duar shqiptarësh. Por kjo s'duhej ta pengonte një hetim serioz për t'i shkuar më thellë së vërtetës. Logjika e kërkonte këtë. Djegia brenda një nate e një numri kaq të madh kishash ka qenë një aksion monstruoz e njëkohësisht antishqiptar i llogaritur për të neutralizuar të vërtetën e tragjedisë që pësoi Kosova: krimet, shpërnguljet, vrasjet e foshnjave, përdhunimin e pafund të grave dhe të vajzave shqiptare. Shqiptarët nuk kishin djegur kurrë kisha serbe. Nuk kishin djegur gjatë epokës otomane, kur s'mund të thuhet se shteti osman kishte ndonjë zell të madh për t'i mbrojtur ato. Nuk kishin djegur gjatë robërisë jugosllave, kur ishin plot mllef kundër Jugosllavisë. Nuk kishin djegur gjatë Luftës së Dytë Botërore , kur quheshin dhe në të vërtetë ishin, në rrethana më të favorshme se serbët.

 

Atëherë përse do ta bënin këtë pasi e fituan lirinë? Për të vërtetuar parullën serbe se nuk luftonin për liri, por kundër krishtërimit? Përse do të bënin një akt të dënueshëm nga ana njerëzore e politike, që i armiqësonte me Europën dhe SHBA-të, ndaj të cilave mirënjohja e tyre s'kishte kufi?

Hetimi serioz do të shkonte përtej duarve të shqiptarëve, te projektuesit e krimit, ata që ishin të interesuar që krimi të ndodhte.

 

Nuk përpiqem kurrsesi t'i nxjerr engjëj shqiptarët. Eshtë e neveritshme të mbrosh një palë kriminelësh ngaqë ata janë të kombësisë tënde dhe gjithë zellin ta drejtosh kundër palës tjetër, ngaqë ata janë të kombësisë së huaj. Por gjithkush duhet të dënohet për ato që ka bërë dhe për aq sa ka bërë.

 

Të gjithë e dinë ç'është terrorizmi i sotëm dhe cilat janë metodat e tij. Për një habi të madhe, nuk kam parë ndonjë herë të vihet në dukje se në konfliktin me serbët shqiptarët nuk kanë përdorur metoda të bujshme terroriste: rrëmbime avionësh, mitralime civilësh apo hedhje bombash në sheshet ose kafenetë e Beogradit. Janë akte që mund të ishin ndoshta tunduese, për shkak të natyrës disi teatrore të shqiptarëve. Por ja që ato nuk ndodhën dhe, për fat, ato janë akte të tilla që s'mund të ndodhin në heshtje apo në qilare të fshehta, siç janë fantazitë me trafik organesh të zonjës del Ponte.

 

Illyria. Në të gjitha problemet e sotme në Ballkan ndeshemi me çështjen e nacionalizmit. Përshtypja është se pikëpamjet për të janë shpesh burim paqartësish.

Kadare: Për paqartësinë keni të drejtë. Eshtë një panair i vërtetë për spekulantët. Përdoret pas interesit, ashtu si nocionet komb, patriotizëm, madje atdhe.

 

Kërkesa për ta luftuar nacionalizmin agresiv është, jashtë çdo diskutimi, e domosdoshme. Çështja shtrohet që dënimi i tij të bëhet sipas një standarti të vetëm. Midis dy popujve në konflikt nuk mund të kërkohet që njeri të jetë model i liberalizmit në këtë rast, e tjetrit t'i lejohet e kundërta. Kjo ndodh, për fat të keq, me shqiptarët e serbët. Serbët i kanë mbushur mendjen vetes se u dënuan pa të drejtë. Si rrjedhim, ata kërkojnë kompesim, për të mos thënë shpagim.

 

Këtu qëndron e keqja. Kujdesin europian për ta, e përkthejnë gabim. Sigurisht që në Kosovë ata kanë të drejtën e padiskutueshme të gëzojnë të drejtat maksimale që japin standartet maksimale europiane. Por, në vend të kësaj ata ëndërrojnë një gjë absurde. Ata duan të kenë në Kosovë statusin e një pakice sui generis. Thënë ndryshe një kinsepakicë që, në të vërtetë, të ketë peshën e një shumice. As më pak, as më shumë kërkohet kthimi në aparteid, në gjendjen e kushtëzimit racist ndaj shqiptarëve.

 

Qytetërimi europian, duke pranuar fajin e racizmit e ka dënuar atë pa mëshirë dhe pa kthim. Serbët duhet ta harrojnë përgjithmonë patologjinë antishqiptare.

 

Për t'u kthyer te standarti i njejtë për luftën kundër nacionalizmit dua të theksoj se askush nuk ka të drejtë t'u kërkojë serbëve të mos e duan atdheun e tyre. Madje mendoj se po ta donin siç duhet atdheun serb, do të ishte më mirë edhe për fqinjët e tyre. Dhe kjo është e vërtetë për gjithë ballkanasit. Ndërkaq ndodh që shqiptarëve iu kërkohet pak a shumë tërthorazi të jenë disi shpërfillës ndaj kombit të vet. Pavarësisht se nuk thuhet haptas, një de-shqiptarizim i hapësirës shqiptare në Ballkan quhet si diçka pozitive në dobi të multietnicitetit. Mendoj se është e kundërta. Pikërisht ky de-shqiptarizim i nxitur, që të kujton shkombëtarizimin otoman, që shqiptarët e njohin mirë, mund të jetë një shtysë për një hovzim të nacionalizmit shqiptar, në atë kuptim të keq që e dëgjojmë shpesh.

 

Kam vënë re disa herë një droje, një mëdyshje, për të pohuar me zë të lartë popullin shumicë që jeton në Kosovë. Disa herë përdoret fjala "shqipfolës", disa herë kursehet edhe kjo. Prirja për të shpikur një klonim, një tjetër komb, nuk mungon, thua se Kosova, ashtu siç është, nuk e përligj veten.

 

Arsyeja e të qenit të çdo populli është jeta e tij, natyrisht e pandarë nga liria e tij. Nëse kjo ridëshmon ide ose doktrina pozitive, aq më mirë. Por popujt nuk mund të shërbejnë vetëm si vitrina idesh. Arsyeja e të qenit të shqiptarëve, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë është e njejtë me atë të çdo populli tjetër në Europë. Ky është një ligj universal dhe për shqiptarët nuk është e detyrueshme një leje e veçantë për të.

 

Illyria: A mendoni se janë shanset për një paqe të qëndrueshme në Ballkan?

Kadare: Natyrisht që të gjithë janë të interesuar për paqe dhe qetësi në Ballkan. Në radhë të parë shqiptarët dhe serbët. Më lejoni të përsëris mendimin se Ballkani i sotëm nuk ka nevojë për popuj misionarë. Koha ka treguar se misionarizmat kanë qenë të gabuara. Ne shqiptarët u bëmë gaz i botës me "misionin planetar" të mbrojtjes së marksizëm-leninizmit. Të tjerët s'patën ndonjë fat më të mirë me misionarizimin e tyre, madje serbët pësuan ndëshkimin. Nëse ka sot një mision me përmasa vërtet të mëdha në gadishull, ky është pajtimi. E në këtë pajtim ndërballkanik normaliteti midis shqiptarëve dhe serbëve është ndoshta kryesori.

Po ky normalitet nuk mund të kryhet me sajesa kozmetike.

 

Shikoni për shembull çështjen e Mladiçit. Kam përshtypjen se këtij horri vulgar të soldateskës serbe ia rritin vlerën si në një ankand, thua se pas dorëzimit të tij do të ndodhë mrekullia.

 

Problemet e gadishullit janë shumë më të thella. Vendosja e drejtpeshimit në Ballkan mund të bëhet vetëm nëpërmjet një aksioni të gjatë dhe respektit të barabartë për këta popuj. Historia ballkanase është vërtet shpesh herë kundërthënëse, por në fund të fundit, gjithë historia e njerëzimit është e tillë. Europa e sotme, ku këta popuj kërkojnë të hyjnë, duke qenë kontinenti i të drejtave universale të njeriut, është në radhë të parë Europa e kombeve të lira.

Vehbi Bajrami


Rating (Votes: )   
    Comments (4)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kristofer Dell: Administrata amerikane e ka treguar qartë mbështetjen për Kosovën (06.18.2009)
Washington Post: Drama e Teheranit (06.17.2009)
Qytetarët e Kosovës bojkotojnë në heshtje mallrat maqedonase (06.17.2009)
Solidariteti i Havelit me protestuesit iranianë (06.16.2009)
Washitngton Post: Çfarë duan iranianët?Shkruan: Jeffry Gedmin (06.16.2009)
Ahtisari: Plani është i paprekshëm (06.15.2009)
Washington Post: Zgjedhjet në Iran as të lira e as të drejta (06.15.2009)
Wall Street Journal: Rizgjedhja e Ahmadinexhadit - goditje për aleatët arabë amerikanë (06.15.2009)
Reportazh: Ëndërrat kthehen në hi përgjatë bulevardit të famshëm të TeheranitNga Frederik Dahl (06.14.2009)
Alber Rohan: Kosova ka Kushtetutë moderne dhe em standarde plotësisht evropiane (06.12.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]