VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Hapet Muaji i Sulmeve Kundër KadaresëNga Arben Kallamata

                                                                                      

E Mërkurë, 05.08.2024, 03:22am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

Hapet Muaji i Sulmeve Kundër Kadaresë

Nga Arben Kallamata


E Mërkurë, 09.23.2009, 02:51pm (GMT+1)



NJOFTIM:
Njoftohet se është hapur zyrtarisht Muaji i Sulmeve Kundër Kadaresë. Si çdo vit, Muaji i Sulmeve Kundër Kadaresë hapet në Shtator për t'i paraprirë vendimeve të Akademisë Suedeze për çmimin Nobel në letërsi Ai vazhdon deri vitin tjetër.  Veç aktivistëve me motive politike, janë të ftuar të marrin pjesë hidhnakët intelektualë; ish-anëtarë e kandidatë lidhjesh shkrimtarësh në qendër e në rrethe; emigrantë të punësuar dhe të papunësuar që shkëlqejnë në blogje interneti; studiues e kritikë amatorë, vendas e të huaj, si dhe çdo lloj kategorie tjetër xhelozi apo inatçiu që nuk përton të hedhë një dorë baltë mbi shkrimtarin më të shquar të letërsisë kombëtare dhe përfaqësuesin më të denjë të kulturës dhe identitetit shqiptar. 

Pjesëmarrja:
Këtë vit Muaji i Sulmit ndryshon paksa nga vitet e mëparshme, sepse edhe vetë radhët e parazitëve që ushqehen në kurriz të Kadaresë kanë pësuar një farë shterrje dhe zhvendosje në përmbajtje. Aradhes që përbënte dikur bazën e sulmeve nostalgjikët e enverizmit dhe mbështetësit e derës së hoxhave; ish-punonjësit dhe oficerët e sigurimit - duket sikur po iu mbarohen bateritë. 

Në kushtet e reja pjesa më aktive në sulmin ndaj Kadaresë mbeten hidhnakët dhe xhelozët, ku përfshihen shkruesit dhe intelektualët me ambicie më të mëdha se mundësitë. 
Ky takëm vazhdon të gëlojë që nga koha e artë e Degëve të Lidhjes së Shkrimtarëve në rrethe, që numëronin me qindra ose mijëra anëtarë; nga ajo kohë e mediokritetit dhe mizerjes intelektuale, kur masovizmi i jepte çdo njeriu më pak dëshirë për të shkarravitur mundësinë e shkëlqimit në shtëpitë e kulturës së rretheve; nga ajo kohë kur shkrimtari turk Azis Nesin i drejtohej të pranishmëve në Lidhjen e Shkrimtarëve me fjalët lapidare: "Popull shkrimtar shqiptar..."

Shumë veprimtarë të kësaj lëvizjeje masive letrare e shihnin veten si korifenj të letërsisë - mblidheshin klubeve e mejhaneve me dy qofte zgarre, gjysmë panine dhe një dopjo vodkë përpara, dhe i përcaktonin njëri-tjetrit vendin në letërsinë kombëtare dhe botërore. Jo rrallë bisedat e tyre përplaseshin te Kadareja, i cili vendoste standarde letrare të paarritshme. Por ndërsa pjesa më e madhe e lexuesve dhe letrarëve në Shqipëri admironin shkrimtarin më të shquar të kohës së tyre dhe lexonin me kënaqësi librat e tij, xhelozët dhe rivalët e qebaptoreve vrisnin mendjen si do ta sulmonin.


Me hapjen e Shqipërisë situata nuk ndryshoi shumë. Degët e lidhjeve të shkrimtarëve në rrethe u shpërndanë, ndërsa ish-anëtarëve të tyre iu dha mundësia që me të ardhurat nga bizneset, puna në mërgim dhe ndihma sociale të financonin botime librash që vazhdonin të mos lexoheshin. Nga ana tjetër, mejhane, qofte dhe alkool tashmë gjeje më me bollëk se më parë, kështu që diskutimet për letërsinë nuk u ndërprenë as në mëmëdhe, as në diasporë.


Ndërsa shumë nga aspirantët e dikurshëm të letërsisë panë mundësi të tjera zhvillimi të vetvetes, shkrimtarët e qebaptoreve vazhduan t'i mbeten besnik ëndrrës për të lënë gjurmë në letërsi, të cilën, s'dihet se përse, e shohin të kërcënuar nga prania e Kadaresë. Ideja se mund të lartësohesh duke ulur Kadarenë është kthyer në një fiksim iluzor për disa letrarë shqiptarë, aq sa shumë prej tyre e kanë harruar fare qëllimin fillestar të lojës dhe i janë përveshur me pasion vetëm denigrimit.


E shtrirë përtej letërsisë, e njëjta simptomë haset edhe në betejën për postin e pashpallur të "Intelektualit më të shquar të kombit shqiptar", ku janë përfshirë edhe të rinj e të reja që shkëlqejnë auditorëve të universiteteve. Të bindur se përfaqësojnë majat e intelektualizmit shqiptar, ata sulmojnë me tërbim çdo shfaqje "konkurrence", pa kursyer as Kadarenë, as Nënë Terezën, as Skënderbeun, as politikanët shqiptare (kushdo që të jetë në pushtet). Në mbështetje të tyre do të gjeni analistë shoqërorë e politikë, ish-politikanë të transformuar në grafomanë gazetash, si dhe intelektualucë të tjerë që në kushtet kur deti i publikimit të emrave në gazeta dhe internet është bërë kos, kanë nxjerrë sheshit lugët që i zhysin gjithë oreks.
Direktivat e sulmit:
Sulmi i sivjetëm nuk do të përqendrohet thjesht te shkrimtari dhe vepra e tij, por do të përfshijë të gjithë letërsinë shqipe. Ideja është hedhur fillimisht nga studiuesi dhe përkthyesi Robert Elsie-t, i cili ka hedhur i pari tezën se letërsia shqipe nuk njihet në botë. Ajo u tërhoq dhe zyrtarizua nga Rexhep Qosja dhe po kthehet në himnin e vjeshtës para-nobeliste, me një mori zërash që i bashkohen herë solo e herë në kor: Askush në botë nuk e njeh letërsinë shqipe! Ose, në formën më të fundit: Letërsia shqipe nuk është pjesë e letërsisë europiane.
Vlen të përmendet në këtë kuadër shpirti i vetëflijimit të disa shkrimtarëve që i janë bashkuar me vullnet të plotë tematikës së re, duke qenë fare të ndërgjegjshëm se po bëjnë diçka të ngjashme me atë personazhin e fabulës që i kërkoi xhindit t'i hiqte shokut të vet një koqe, paçka se për t'u plotësuar kjo kërkesë xhindi kishte vënë kusht që atij vetë t'i shkuleshin të dyja. Këtë vit, si kurrë ndonjëherë tjetër, shkrimtarucë e intelektualucë, pseudokritikë e blogistë profesionistë po pranojnë ta zhysin veten shtatë pash nën dhe, mjafton që të krijojnë iluzionin se po tërheqin sadopak Ismail Kadarenë dhe veprën e tij në orbitën e mediokritetit.


Shembuj të këtij sulmi mund t'i gjeni, ta zëmë, në "Gazeta Shqiptare" (online, 11.09.09) në shkrimin e Prof.As.Dr. Anton Paplekës, i cili ngre që në titull pyetjen "A e ka pasuruar letërsinë europiane letërsia shqipe?", pyetje të cilës me një trishtim që të këput shpirtin për sinqeritetin keqardhës i përgjigjet negativisht. Papleka argumenton se marrja e çmimeve ndërkombëtare nuk përbën as meritë dhe as prurje dhe se i vetmi matës për ndikimin e letërsisë shqipe (Kadaresë) në letërsinë europiane është mendimi i një kritiku amerikan që ai e ka lexuar.


Por ndërsa Papleka thjesht i heq vizën në mënyrë arbitrare çmimeve që ka marrë Kadare në Britani, Spanjë, Francë, Itali e gjetkë, të tjerë veprimtarë të Muajit të Sulmit po bëjnë çmos të vërtetojnë tezën se këto çmime janë blerë me fondin sekret të ish-sigurimit të shtetit.


Sipas Robert Martikos, një vetëflijues i rrallë që ka sakrifikuar muaj të tërë të jetës së tij për të shkruar një roman të plotë kundër shkrimtarit me të cilin krenohet kombi i tij (tregime, artikuj e poezi kanë shkruar shumë, por roman nuk i kishte dëgjuar veshi njeriu deri këtë behar), sipas Martikos, vepra e Kadaresë është përkthyer, botuar dhe shpërndarë në botë me fonde të veçanta të diktaturës. Është kjo një nga teoritë konspirative më fantastike, më të pabesueshme, por edhe më në modë këtë sezon.
Shpërndarja me bujë e disa kapitujve të librit të Martikos nëpër lista diskutimi shqiptarësh në internet, u pasua me brohoritma entuziaste intelektualësh që u përpoqën të provojnë se veprimtaria e fshehtë për ngritjen e Kadaresë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Fushata e tanishme sulmeve kundër Kadaresë synon të provojë plotësisht, përtej çdo dyshimi të mundshëm se me fondet e sigurimit të shtetit janë blerë juritë e institucioneve që i kanë dhënë Kadaresë çmime ndërkombëtare, pa kursyer në këtë akuzë as International Booker Prize, as Prince of Asturias.


Detyrë e pjesëmarrësve në sulm mbetet që të faktojnë që edhe shpërndarja dhe shitja e qindra-mijëra kopjeve të librave të Kadaresë në Gjermani, Skandinavi, Francë, Britani, Spanjë, Itali, Rusi dhe vende të tjera të Europës, në SHBA, Kanada, Amerikën Latine, në Afrikë, në Indi e Japoni e kudo, është kryer me fondet e sigurimit të shtetit. Sigurimi i shtetit ka paguar për përkthimin e librave të Kadaresë në dhjetëra gjuhë të botës; për botimin dhe shpërndarjen e tyre, si edhe për blerjen, tamam si në fushatat e mbjellje, korrje e grumbullim pa firo. 

Arben Kallamata


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Te "40 Shenjtorët" zbulim befasues arkeologjik (09.23.2009)
Në Los Anxhelos, viti i 61-të i ndarjes të çmimeve Emmy Award (09.21.2009)
Albumi i ri i Jay Zi "The Blueprint" (09.21.2009)
B B mbush 75 vjet (09.20.2009)
Takim me Elvira Dones në Asti të Italisë (09.17.2009)
Universiteti Politeknik i Tiranës "Doctor Honoris Causa" për akademikun Barolli (09.17.2009)
Doli nga shtypi monografia "Profesor Rexhep Ramaj model i intelektualit të përsosur" (09.16.2009)
Kalabrezja Maria Perruzi është Miss Italia 2009 (09.15.2009)
Tina Fei triumfon në çmimet Emi (09.14.2009)
Zhduket koleksioni ku gjendej portreti i legjendës së boksit Muhamed Ali (09.13.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]