VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - LLAZI SERBO: DUA NJË VDEKJE TË MADHE, SI AJO E BEKIM FEHMIUTNga BARDHYL BERBERI

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 12:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 

LLAZI SERBO: DUA NJË VDEKJE TË MADHE, SI AJO E BEKIM FEHMIUT

Nga BARDHYL BERBERI


E Martë, 09.14.2010, 07:16pm (GMT+1)

I tërë qyteti i Korçës ka ngelur i shokuar kur ka marrë vesh në orët e para të mëngjesit të djeshëm se "Artisti i Merituar", Llazi Sërbo, me gati 100 role në skenën e teatrit dhe në filma, ishte gjetur i vetëvrarë me një armë gjahu nga aktori dhe miku i tij, Andrea Pepi. Aktori Llazi Sërbo prej shumë vitesh jetonte i vetmuar në një shtëpi dykatëshe në lagjen nr.2 të qytetit të Korçës. Si çdo mëngjes kur kalonte pranë shtëpisë së tij, aktori Andrea Pepi kthehej në mëngjes dhe e përshëndeste, por kur ka hyrë dje në një nga dhomat e shtëpisë, e ka gjetur të shtrirë përtokë nën një vragë të gjatë gjaku mikun e tij Llazi Sërbo. Menjëherë ka njoftuar policinë e Korçës, e cila ka kryer ekspertizën e ngjarjes. Sipas grupit hetimor, aktori i mirënjohur, Llazi Sërbo është vetëvrarë me një armë gjahu, të cilën e mbante me lejë pasi ishte anëtar i Shoqatës së gjuetarëve. Policia ka gjetur në shtëpinë e tij dy testamente, si dhe paratë e varrimit dhe një sasi të konsiderueshme lekësh që ia linte mbesës së tij, ndërsa shtëpinë e tij dykatëshe në lagjen nr.2 të Korçës, ai shkruante në testament se ua kish lënë miqve të tij aktorë. Sipas burimeve policore, aktori i mirënjohur, Llazi Sërbo vuante nga një depresion prej shumë vitesh, madje edhe kurohej. Miqtë rrëfejnë se për gati dy vjet e gjysmë nuk ka dalë fare nga shtëpia dhe i vetmi person që hynte për ta vizituar ka qenë piktori Thomaq Angjele, me të cilin ka pasur një miqësi më shumë se 40-vjeçare. Ndonëse tepër i tronditur, piktori Thomaq Angjele ka rrëfyer dje ekskluzivisht për "Gazetën Shqiptare" rreth jetës së mikut të tij dhe për intimitete të veçanta...


Vetëvrasja e Llazi Sërbos, e paralajmëruar


Kemi qëndruar në një kafene dhe Thomaqi ose Maqo siç i thërriste Llazi, thotë se që nga fundi i muajit gusht jetonte me një ankth në shpirt. Kjo për shkak se pak ditë pas vetëvrasjes së Bekim Fehmiut, Llazi i kishte thënë Thoma Angjeles: "E more vesh? Bekim Fehmiu vrau veten. E pse të jetojë njeriu kur i përmbush misionet e tij në jetë? Edhe unë, Maqo, - i kishte thënë Llazi, - dua një vdekje të madhe si të Bekim Fehmiut. Nuk dua që të hiqem zvarrë si zvarranik".


"Ishte adhurues i Bekim Fehmiut. Atë e kishte si idhull në jetë. Duke qeshur, më dha të kuptoja se ai do t'i jepte fund jetës, ashtu si Bekim Fehmiu, me vetëvrasje.
- Je në vete?! - i thashë. - Ti je ende i ri dhe energjik, skena dhe filmi kanë nevojë për ty...".
E pyesim Maqon si janë njohur me Sërbon dhe ai thotë se e ka njohur mikun e tij "që në kohën

 kur ai sapo kishte mbaruar Liceun dhe u emërua si mësues vizatimi për dy vjet në qytetin e Pogradecit. Në studion ku unë punoja, vinte çdo ditë Lasgush Poradeci. Llazi vinte në studion time dhe me shumë respekt komunikonte me Lasgushin. Për hir të së vërtetës, edhe Lasgushi e afronte Llazin, madje edhe bisedonin të dy..."
Piktori Angjele e kujton Llazi Sërbon si një djalë energjik. "Pasi mbaroi studimet e larta, ai u fejua me një mjeke, vajzë e shkëlqyer, por që pas disa muaj fejese u ndanë...Ajo i qëndroi tek koka 6 muaj kur ai theu këmbën..."


Miku i aktorit, ndërsa përmend temperamentin e veçantë të Sërbos, kujton se ai, pikërisht për këtë veti tërhoqi shumë regjisorë, të cilët i dhanë role kryesore në filma, si tek ata artistikë: "Operacione zjarri", "Gracka", "Asgjë nuk harrohet", "I treti", "Yjet e netëve të gjata", "Nusja dhe shtetrrethimi" etj. "Në vitet '70, Llazi pati një hov në filma artistikë. Në të gjithë filmat që përmenda ai luante role kryesore. Pati sukses të jashtëzakonshëm në atë kohë me dramën "Njollat e murrme", të Minush Jeros". Miku artist i Sërbos kujton se tek aktori, shenjat e para të depresionit u shfaqën që në vitin 1996. "Nuk kënaqej më me asgjë. Shprehte dëshira që shpesh ishin absurde, madje edhe të parealizuara. Për shembull, kur e takoje Sërbon, donte që të rrije gjithë kohën me atë pa u shkëputur".


Më pas depresioni i përshkallëzohet dhe aktori mbyllet në shtëpi për dy vjet e gjysmë. "Qëndroi në një dhomë të errët dhe nuk pranonte njeri. Aty futesha vetëm unë...Nuk donte të hante. Pinte vetëm ujë. Vetëm rrallë mund të hante edhe ndonjë kos. U dobësua. Më pas, duke e parë në këtë gjendje filluam që t'i japim lëng mishi. Më tha: 'Më kanë bërë magji, dhe magjinë e kam tek ora e dorës. Merre orën time dhe do ta hedhësh thellë në liqenin e Pogradecit'. Më pas thërriste: 'Ja hijet në mur! Më ndjekin mua'. I ishin krijuar halucinacione dhe i dukej në murin e dhomës ku qëndronte shtrirë, sikur një hije e ndiqte nga pas", - rrëfen piktori, mik i Llazi Sërbos. Ai pohon se vetëm pas dy vjet e gjysmë "arritëm që ta nxjerrim nga dhoma ku ishte futur. I morëm mjekim dhe sikur u qetësua". Piktori kujton një episod, që e lidhte Llazi Sërbon me fillime të shkollimit të tij, kur studionte skulpturë në Lice. "Më vjen një ditë me skulptorin e njohur, Vladimir Kaçaku, i cili ishte nga miqtë e afërt të tij dhe më thotë: 'Maqo, vetëm ti e di se sa e kam dashur Lasgushin. Kemi vendosur që t'i bëjmë një bust këtij gjeniu bashkë me Ladin'. Dhe me marrëveshje të kryetarit të Bashkisë së asaj kohe në Pogradec, Bashkim Myrtezait, realizuan një monument të Lasgush Poradecit, jo për ta vendosur në shesh, por ta vendosnin kur të bëhej muzeu i Lasgushit. Por monumenti u realizua me një teknikë tjetër moderne dhe në trupin e Lasgushit ishte vendosur një orë, një çelës, një qiri, një dragua dhe disa figura të tjera. Monumenti, ndonëse u realizua dhe ata morën nga Bashkia 10 milionë lekë, u kritikua shumë dhe nuk u vendos gjëkundi dhe sot ndodhet në një magazinë të pallatit të kulturës i dëmtuar".


Piktori Thomaq Angjele tregon se kohë më pas, aktori Sërbo u përmirësua mjaft. Ai kujton edhe se si e festuan 50-vjetorin e lindjes së aktorit tek ish-kampi i punëtorëve në Korçë, e ku kishin ardhur miqtë e tij të afërm Viktor Gjika, Timo Flloko, Mario Ashiku, Guljem Radoja etj, të cilët i donte shumë.
Piktori, ndërsa ngashëren për humbjen e mikut të shtrenjtë, ndalon një çast dhe kujton një tjetër episod me aktorin Sërbo, ku ai sërish përmend vdekjen. E trishton shumë ky kujtim i fundit dhe ndjen sikur është në faj. Duhej ta kish kuptuar se miku i tij nuk bënte shaka me vdekjen....


"Sa herë takoheshim, përsëriste të njëjtën sentencë: Maqo, vetmia e vret njeriun më tepër se plumbi...Para disa kohësh po shëtisnim buzë liqenit pasi Llazi u kthye nga Amerika, ku shkoi për varrimin e vëllait të tij që ndërroi jetë atje. Ndërsa shëtisnim, qëndroi para një vile buzë liqenit dhe më thotë: 'Dua që ta blej këtë shtëpi dhe kur të vdes, të më varrosni në oborrin e kësaj vile. Dua që të varrosem në Pogradec, më pëlqen të prehem këtu buzë liqenit...'. Unë i thosha me ton më të ashpër: "Lëri këto marrëzira!. Por ai, e kishte seriozisht...".

BARDHYL BERBERI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ÇMENDURIA E FUNDIT E LADY GAGA MBI TAPETIN E KUQ (09.14.2010)
KUR VLORËN E NJEH NGA LIBRI... ...NGA EMRI I SHKRIMTARES VILHELME VRANARI HAXHIRAJShkruan: FATMIR TERZIU (09.13.2010)
ZBULOHET LIBRI I PANJOHUR I EQREM VLORËSNga FATMIRA NIKOLLI (09.07.2010)
LIBRI I THILIO SARRAZINIT "GJERMANIA ELEMINON VETEN" DHE EFEKTI NË MEDIA (09.03.2010)
KALENDARI KULTUROR I DEUTSCHE WELLES PËR SHTATORIN (09.01.2010)
NËSE TI MË HARRON MUAPoezi nga PABLO NERUDA (08.27.2010)
VECLARI KUJTON 200 VJETORIN E TEORISË SË NGJYRAVE TË GËTES (08.26.2010)
ALBUMI "BORN TO RUN" I BRUCE SPRINGSTEEN MBUSHI 35 VJET (08.25.2010)
KËNGËTARJA SKY FERREIRA HEDH NË TREG ALBUMIN E PARË TË SAJ (08.23.2010)
SHQIPËRI - GJERMANI, NJË UDHËTIM FOTOGRAFIK (08.19.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]