VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Pasqyrë shqiptare në ekranin kanadez

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 03:35am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
Pasqyrë shqiptare në ekranin kanadez
E Enjte, 09.24.2009, 05:54am (GMT+1)

 

Prej shtatë vjetësh, komuniteti shqiptar që jeton dhe punon në Kanada mëson gjithçka që ndodh këtu në Shqipëri, përmes programit televiziv "Pasqyra shqiptare", i gjithi në gjuhën shqipe, që transmetohet përmes valëve të televizionit "OMNI 1" në Toronto. Një ide që nisi nga Fadil Maliku, një shqiptar me origjinë nga Ohri, por që prej vitesh i është besuar një shqiptari tjetër, Ilir Lena. Producent dhe drejtues i një emisioni për shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, Lena ka emigruar nga Tirana në Toronte 12 vjet më parë. I diplomuar si ekonomist thotë se, në Shqipëri nuk ka punuar asnjëherë në televizion. Kurse atje, në vendin e largët, përtej Atlantikut, ka zbuluar se di të bëjë shumë mirë drejtuesin televiziv, montazhin dhe kameran, pse jo të realizojë dhe një seri dokumentarësh, një gjini e vëshirë televizive. "Një vit, pasi mora drejtimin e programit 'Pasqyra shqiptare' m'u dha e drejta e prodhimit të një dokumentari. Pra, profesionalisht testin e kisha kaluar dhe kisha besim të plotë se nuk isha në rrugë të gabuar", tregon në një interviste për ATSH-në, Lena.

 

-Kur dhe pse lindi ideja e krijimit të një emisioni në gjuhën shqipe ..., aq më shumë kur e krijon larg vendit tënd ...?

Në fakt, ideja për një emision televiziv në gjuhën shqipe, ka qenë e pararendësit tim, një shqiptari me origjinë nga Ohri, Fadil Maliku. Ky sapo mësoi se, TV OMNI po kërkonte producent të pavarur që mund të prodhonin emisione informativo-kulturore në gjuhë të ndryshme për komunitet e ndryshme që jetojnë në Kanada, aplikoi dhe kërkesa e tij u miratua. Dhe kështu, në shtator 2002 zuri fill "Pasqyra Shqiptare". Për arsye të ndryshme, ai pastaj u tërhoq dhe ma ofroi mua drejtimin e emisionit në tetor 2003. Personalisht, ngacmimin e parë e kam marrë nga një bashkëpunim i rastësishëm me TVSH-në, kur Esat Teliti, Gavrosh Haxhihyseni dhe Arben Tafili, më kërkuan t'i mbështes në realizimin e dokumentarit "Na duhet një Niagarë".

 

-Në fakt ç'është për ju një Pasqyrë Shqiptare?

Një mënyrë jetese, në radhë të parë. Sigurisht, edhe një pasion, por artin e menaxhimit gjithmonë e kam vënë mbi atë të krijimit. Përndryshe, do të kishte qenë një dështim i plotë. "Kokëulur dhe me këmbët në tokë", është motoja ime.

 

-Si do ta përkufizonit botën televizion me fjalë të tjera?

Unë nuk kam patur rastin të punoj për TV-të shqiptare, që mbulojnë një treg disa milionësh, ndaj dhe përkufizimi im mund të jetë jo i plotë. Megjithatë, si drejtues i një emisioni shqiptarësh jashtë atdheut, mendoj se është një institucion mjaft i rëndësishëm që krijon te shqiptarët një ndjenjë krenarie, por edhe burim kënaqësie. Kurse po të më lejonit ta përkufizoja në përgjithësi, TV-ja është një formë pushteti mbi njerëzit, me të cilin po abuzohet çdo ditë e më shumë. Ka edhe shembuj pozitiv, por ata janë të paktë. Jam i lumtur që të ardhurat që unë siguroj nga bizneset e vogla shqiptaro-kanadeze nuk arrijnë të cënojnë cilësinë e emisionit.

 

-Dita e parë e punës tuaj në drejtimin e emisionit Pasqyra shqiptare ... A mund ta përshkruani ?

Dita e parë ka qenë e ngarkuar së pari me emocione dhe nervozizëm për shkak se kur e mora unë drejtimin nuk kisha as edhe një kasetë në arkiv: ZERO. Çdo gjë duhej bërë nga e para. Mirëpo padija (relative) është ndonjëherë ilaç, sepse të bën edhe "trim". Kështu që, më kujtohet që kam punuar me shumë entuziazëm dhe humor. Mbaj mend se, reagimi nga publiku ishte i menjëhershëm. Kam marrë shumë emaile dhe telefonata nxitëse.

 

-Mbas kaq kohësh ju kujtohet të keni thënë ç'mu desh që e nisa këtë punë? Nëse po, pse?

Jo, nuk e kam thënë asnjëherë në formë kaq të prerë. Arsyeja ka qenë e thjeshtë. Një vit, pasi kisha filluar m'u dha e drejta e prodhimit të një dokumentari. Pra, profesionalisht testin e kisha kaluar dhe kisha besim të plotë, se nuk isha në rrugë të gabuar. Nga ana tjetër, duhet të pranoj se, financiarisht viti i parë dhe i dytë kanë qenë shumë të vështirë. Reklamat, që janë burimi kryesor i të ardhurave, mungonin. Bizneset shqiptaro-kanadeze ishin të pakta, ndërsa donacionet shumë modeste. Nëse nuk do ta kisha punën me pasion, me siguri tani që po flasim bashkë fati i Pasqyrës Shqiptare do të kishte qenë krejt i ndryshëm.

 

-Sa herë keni thënë sa mirë bëra që e nisa këtë punë. Nëse po, pse e keni thënë?

Këtë e kam thënë kur bashkë me kolegun, Salihu, përfunduam dokumentarin mbi shqiptarët e Kosovës në Kanada me titull "1999". Kam ndjerë një përmbushje, që nuk e përshkruaj dot. Si autor i tekstit dhe kameraman, arrita që t'u përcjell teleshikuesve të këtushëm një këndvështrim objektiv se kush janë shqiptarët e Kosovës, përgjakjen e tyre të gjatë nga pushtimet serbe si dhe dramën e tyre më të fundit. U arrit të përcillej edhe një mesazh tjetër shumë i rëndësishëm: shqiptarët nuk duhet të identifikohen sipas fesë. Ne këtu në Amerikën e Veriut jetojmë nën presionin e identifikimit si një popullsi myslimane, që propaganda "antiterroriste" e ka kthyer në një tabelë qitjeje, duke përpunuar keqas opionin publik. Ne mund t'i kemi aleatë SHBA-në dhe Kanadanë, por mediat e këtyre vendeve dhe gjuha e disa politikanëve ka bërë që krimet e serbëve "të krishterë" ndonjëherë të justifikohen ndaj "myslimanëve", të cilët "po t'u jepet rasti mund të bëjnë gjëmën?". Dokumentari "1999" është një përgjigje e mirë ndaj kësaj fryme fondamentaliste.

 

-Cili është misioni i emisionit tuaj?

"Mision" është fjalë shumë e madhe dhe nuk do të isha aspak modest po ta filloja përgjigjen me të. Megjithatë, krejt natyrshëm emisioni ka arritur t'i mbledhë të gjithë shqiptarët e Kanadasë para televizionit çdo të shtunë në drekë. Nëse ata do ta kuptonin se janë ulur përballë tij për të përmbushur një mision (timin apo të dikujt tjetri) do të ishin larguar menjëherë. Mendoj se janë të shumta arsyet se pse ndiqet kaq shumë: kurioziteti, malli, informacioni, këndvështrimi origjinal, ekskluzivet, (cila është fjala në shqip për këtë barbarizëm, se kurrë nuk e mësova?) deri edhe te dëshira për të më "kapur" në gabim. Pra, edhe larmia e motivimeve të teleshikuesve, është një shenjë që përmbajtja dhe struktura e emisionit janë të shëndetshme.

 

-Cila është struktura e emisionit tuaj?

Struktura e tij është e thjeshtë me 3-4 rubrika: lajmet dhe njoftimet nga komuniteti, kronikat dhe telereportazhet nga komuniteti dhe Shqipëria, intervista me shqiptarë që kanë bërë emër në Kanada si dhe me shqiptarë të shquar (rreth 300 të tilla gjatë 6 viteve të fundit).

 

-Programi që ka patur më shumë sukses në komunitetin shqiptar dhe pse?

Pyetja është shumë interesante, por edhe e vështirë që të marrë një përgjigje të saktë. Po të gjykojmë nga komentet e marra me telefon, gojarisht ose nëpërmjet emailit, më rezulton emisioni nr. 358 (25 korrik 2009). Eshtë një telereportazh mbi Dhërmiun, në të cilin janë intervistuar disa pushues të huaj dhe shqiptarë. Pamjet marramendëse të natyrës sonë si dhe komentet pozitive të të huajve kanë bërë përshtypje të madhe. Pse? Mendoj se shqiptarët e diasporës janë më të ndjeshëm ndaj vlerave pozitive të vendit tonë, sepse kjo u jep krenari në një vend të huaj, ku nuk vlerësohen për ç'ka kanë qenë, por për atë që janë aktualisht. Kthimi për një çast i kokës mbrapa me sa duket u bën shumë mirë.

 

-Sa të lidhur janë me njëri-tjetrin shqiptarët në Kanada. A organizojnë aktivitete të përbashkëta?

Po të gjykojmë nga numri i aktiviteteve, shqiptarët janë shumë të bashkuar, por të ardhurat nga këto aktivitete nuk shkojnë për qëllime kolektive. Jemi larg akoma standardeve të komuniteteve të tjera. Kjo vjen se jemi të rinj në Kanada dhe pa përvojë në fushën e bamirësive kolektive. Por aspak se jemi "të këqinj" ose ku e di unë se çfarë. Ecja përpara në grup është një proces që kërkon kohën e vet. Por, duhet pranuar se në qeliza më të vogla jeta komunitare gëlon për mirë.

 

-Sa të lidhur jeni ju me lajmet që ndodhin në Shqipëri ...?

Personalisht jam shumë i lidhur me lajmet e Shqipërisë, por përpiqem të mos i përjetoj shumë. Duke qenë vetë njeri i mediave e njoh mirë fuqinë manipuluese të titujve si dhe interesat e të mëdhenjve të politikës dhe biznesit për të ndikuar te opinioni publik. Për fat të mirë, manipulimet janë kaq të trasha ndonjëherë sa të bëjnë të vesh buzën në gaz, pra të mos i përjetosh.

 

-Si i shihni zhvillmet më të fundit tek ne ...?

Ka zhvillime pozitive që kanë edhe çmimin e tyre të lartë. Pra, me pak fjalë, çdo gjë e re sjell me vete edhe kundërshtitë e brendshme, që do të gjejnë edhe kundërshtarë në politikë dhe opionion publik. Dhe do të ishte qesharake që antagonizmin ta kërkoje te lidershipi i njërës apo tjetrës parti. Megjithatë, unë bashkohem me At Zef Pllumin, kur thoshte për kamerën tonë: "Njerëzimi asht nji masë qi merr formën e enës ku e qet".

 

-Cili është programi juaj më i afërt?

Të shtunën e ardhshme. Do të jetë i ftuar për intervistë kompozitori i shquar Agim Krajka. Po programi që e keni për zemër, por që për faktorë të ndryshëm nuk keni mundur ta realizoni dot ... Se si prodhohet një emision i yni. Kam për ta realizuar së shpejti.

 

-Cila është një dita juaj ...?

Meqenëse unë i dorëzoj kasetat e emisioneve në stacion të martave ose të mërkurave, kjo do të thotë se e enjtja dhe e premtja janë për mua ditët më pak të ngarkuara. E shtuna dhe e diela janë të ngjeshura me xhirime dhe aktivitete me familjen. E hëna dhe e marta - montazh. Për fat, nuk kam ndonjë orar të rregullt ditor, pra asnjëherë nuk më kthehet puna në rutinë.

 

-Lajmi i fundit që ju ka bërë në shumë për të qeshur nga Shqipëria?

Nga Shqipëria lajmet janë sa për të qeshur, po aq edhe për të qarë, pra gazi dhe loti janë bashkë. Me këtë nuk dua të identifikohem me disa shqiptarë të "sëmurë" këtu në diasporë që kalojnë në ekstrem me pakënaqësinë e tyre ndaj vendit të vet. E dua vendin tim, sepse në të kundërt do të hidhja poshtë vetveten. E dua Shqipërinë, sepse nderoj ata që më lindën dhe më rritën, mësuesit e mi, respektoj kujtimet e mia, punën time. Pra, në një farë mënyre "atdhedashuria" ose "mëmëdhedashuria" s'është gjë tjetër veçse një formë e afirmimit të vetvetes. Dhe kur qesh dhe qaj me Shqipërinë, qesh e qaj edhe me veten time.

 

-Ai që ju ka trishtuar më shumë?

Viti 1997. Kam patur një moment të fortë lëkundje besimi ndaj vlerave tona. Kisha ngritur një agjenci turistike të specializuar në organizimin e tureve nëpër Shqipëri për të huajt me interesa kulturore. 1997-a ma shkatërroi atë që kisha ndërtuar me punë, durim dhe pasion prej 5 vjetësh. M'u desh të emigroj dhe këtë nuk e kam gëlltitur për një kohë të gjatë. Trishtim dhe inat bashkë.

 

-Kur keni ardhur për herë të fundit në Shqipëri?

Isha në qershor-korrik, pra nuk kam shumë që jam kthyer. E mbaj të gjallë kështu edhe lidhjen time të vjetër me turizmin përmes telereportazheve mbi vendet tona piktoreske. Të shtunën e kaluar, p.sh., transmetova një telereportazh mbi Zvërnecin.

 

-Mendoni se një ditë do të riktheheni në Shqipëri?

Po ta dija përgjigjen e kësaj pyetjeje që tani, jeta ime nuk do të ishte më interesante. Besoj se sa kohë më rri ajo "pikëpyetja" mbi kokë, po aq kohë unë poshtë saj s'do të resht së "vrapuari". (http://www.rilindjademokratike.com)

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Mbërrin "Shqiptarët në Itali", libri në shqip dhe italisht i studiuesit Arshi Ruçaj (09.20.2009)
Një ditë në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (09.17.2009)
Franca mbylli 'xhunglën' e emigrantëve (09.17.2009)
BBC: Rënia ekonomike godet emigracionin (09.08.2009)
Doli numri i ri i gazetës Dielli (09.07.2009)
Policia greke qëllon në drejtim të dy emigrantëve shqiptarë, njëri vritet dhe tjetri plagoset (09.07.2009)
Paralajmërohet nënshkrimi i marrëveshjes me disa vende të BE për riatdhesimin e kosovarëve (09.05.2009)
Zhak Barrot: Vende e BE duhet t'ua hapin dyert refugjatëve (09.04.2009)
Alfred Papuçiu: I madhi Ismail Kadare i përket jo vetëm Shqipërisë por mbarë njerëzimit (09.01.2009)
Një rrugë në Bronx riemërohet Rruga Nëna Tereze (08.31.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]