VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Topat e Çeçenisë, rrënjët e një lufte "asimetrike"/Kaukazi po ndizet flakë

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 10:33am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 

Topat e Çeçenisë, rrënjët e një lufte "asimetrike"/Kaukazi po ndizet flakë


E Hënë, 04.05.2010, 10:56am (GMT+1)

 

Nga Jonathan Littell, Les Bienveillantes

 

Gjithçka kishte filluar në vjeshtën e vitit 1991, kur Xhokar Dudajev, gjeneral i aviacionit sovjetik, ishte vetëshpallur President i Republikës Autonome të Kaukazit

 

Qysh në Shekullin X arabët e quanin Kaukazin, Mali i Gjuhëve. Bëhet fjalë për një terren të egër, të thyer nga mijëra gryka dhe lugina.

Këto male të lashta gëlojnë nga grupe të vogla etnike dhe fetare: abkhazë, dagestanë, darginianë, lakë, oshecë jugorë e veriorë, karakë, balkarë, ingushë, nga ana e tyre të ndarë në klane, parti, xhami, kisha dhe fraksione separatiste. Për ta plotësuar konfuzionin, "alienët" rusë i quajnë çeçenë, ndërsa ata me krenari e quajnë veten içkerianë. Më 11 dhjetor të vitit 1994 një forcë sulmuese ruse (e përbërë nga elementë të ushtrisë, të aviacionit dhe të reparteve speciale të Ministrisë së Brendshme) lëshon një sulm ndaj qytetit Grozni, kryeqytet i Çeçenisë. Presidenti Boris Jelcin kërkoi që ta justifikojë këtë aksion me dy motive kryesore: se Çeçenia ishte bërë qendra e një rebelimi të armatosur kundër Federatës dhe se në fakt po bëhej shteti - mafie i parë i lindur nga gërmadhat e Bashkimit Sovjetik. Tashmë, në mendjet e rusëse subversioni politik në Kaukaz ishte i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me kriminalitetin dhe rezultonte e pamundur të dallohej midis aspekteve të ndryshme.

 

Gjithçka kishte filluar në vjeshtën e vitit 1991, kur Xhokar Dudajev, gjeneral i aviacionit sovjetik, ishte vetëshpallur President i Republikës Autonome të Kaukazit. Dudajev kishte qenë një prej çeçenëve të pakët që kishte arritur një gradë të lartë në ushtrinë sovjetike. Pas një serie detyrash prestigjoze në Europën Lindore dhe në vendet e Balltikut, gjenerali 47-vjeçar kishte fituar një reputacion të mirë si pilot, pse jo dhe si komandant garnizoni i besueshëm. Veç të tjerash, kishte gjetur mënyrën që të dallohej në tentativën për të gjetur një zgjidhje paqësore konfrontimit të ashpër që në vitin 1990 kishte parë Moskën të ndeshej me republikat balltikase. Një lojë shumë delikate, në të cilën gjenerali çeçen pothuajse kishte arritur limitin, duke refuzuar që të dërgojë trupat e tij kundër nacionalistëve. Dudajev ishte goditur nga zgjimi i indipendentizmit balltik. Pak javë pas grushtit të shtetit të gushtit të vitit 1991, u kthye në Grozni, qendra administrative e këtij rajoni autonom të Federatës Ruse të njohur si Çeçeni - Ingushetia.

 

Gjatë këtij udhëtimi u ftua në Meks Kxel, Këshillin Suprem të përbërë nga "pleqtë" (aksakalët apo "mjekrat e bardha"), për të diskutuar lidhur me implikimet që rebelimi i ushtarakëve mund të kishte ndaj fateve të atdheut të tyre. Gjatë mbledhjes iu kërkua që të merrte fjalën, Dudajevi mbajti një fjalim pasionant, duke kujtuar faqet e dhimbshme të historisë të popullit të tij, nga humbja gjatë gueriljes kundër trupave cariste në shekullin XIX, deri në internimet masive të urdhëruara nga Josif Stalini, u kujtoi delegatëve se kishte lindur në vitin 1944, të njëjtin vit që për qindra mijëra çeçenë kishte shënuar fillimin e një ekzili dramatik, të përjetuar edhe nga familja e tij. Diskutimi i Dudajevit u prit me ovacion dhe përpara se Meks Kxel të shpërndahej, "pleqtë" e brohoritën gjeneralin si liderin e tyre. Dudajevi nuk do të kthehej më në komandën e tij në Balltik. Do ta shpërblente besimin e Këshillit, duke shpallur Pavarësinë e republikës nga Federata Ruse. Çeçenët e pritën lajmin me një përzierje gëzimi dhe surprize. Çeçenia u quajt Republika Autonome e Içkerisë.

 

Lajmi i befasoi edhe rusët. Lidershipi i ri demokratik i kishe mbështetur aspiratat nacionaliste të popujve balltikë, me të cilët në vitin 1990 kishte ndarë përplasjen me komunistët idhtarë të linjës së ashpër dhe një pakicë ishte rreshtuar edhe në favor të kërkesës për pavarësi të Ukrainës: por askush nuk kishte shprehur simpati për një lëvizje shkëputëse në zemër të vetë Federatës Ruse. Ky deklarim pavarësie u perceptua si një precedent preokupues për dhjetëra grupet etnike që brenda Rusisë aspironin t'i shpëtonin zgjedhës së Moskës. Pas një tentative të shkurtër dhe të kotë ndërmjetësimi qeveria e Jelcinit iu përgjigj "provokimit" të Dudajevit me forcën e armëve, duke dërguar mijëra ushtarë për të përforcuar garnizonin e Groznit. Ishte testi i parë lidhur me ecurinë e lidershipit të "Rusisë së re demokratike" dhe qe një dështim në kuptimin e plotë të fjalës.

 

Për një jave me radhë forcat paraushtarake të Dudajevit arritën që t'i bllokojnë trupat ruse në kazermat e tyre, duke kërcënuar se do të godisnin këdo që do të guxonte të dilte jashtë. Duke ia pasur frikën luftës civile, Jelcini iu nënshtrua një rezolute të Sovjetit Suprem, duke urdhëruar ushtarët e tij që të tërhiqeshin. Megjithatë, konfrontimi akoma nuk kishte përfunduar: duke vlerësuar karrierën ushtarake të Dudajevit, klani i Jelcinit dyshonte se, "lëvizja indipendentiste" ishte e lidhur me "fajkojtë" e Moskës që po planifikonin një rebelim të ri të armatosur. Aksionet e para jo të goditura të rusëve dhe mundja e tyre e kishin bërë Dudajevin një hero popullor në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe kishin ndezur vatra rebelimi të shumta në të gjithë rajonin. Secili prej popujve të malit - oshecë, dagestanë, ingushë, azerë dhe shumë të tjerë - filloi që të kërkojë sovranitetin e territoreve të tyre, prej kohësh të aneksuara nga Rusia.

 

Gjeografia "politike" e Bashkimit Sovjetik i kishte copëtuar "atdhetë e vegjël" të tyre me kufijtë e republikave të ndryshme. Gjatë kësaj faze konvulse, shumë bënë një luftë në luftë, duke u ndeshur edhe midis tyre për posedimin e një rruge aksesi apo të një qafe malore, duke e transformuar faktikisht Kaukazin në një kazan gëlues me dhunë. Në vjeshtën e vitit 1991, dhjetëra formacione paraushtarake kryen operacione midis maleve, të mbështetur nga mercenarë rusë. Të furnizuar nga pazari i ish-Ushtrisë së Kuqe, u krijuan ushtri në kuptimin e vërtetë të fjalës. Çeçenia, realitet më i fortë dhe i militarizuar, mori shumë shpejt lidershipin e të gjithë rajonit dhe Dudajevi u bë një aktor i rëndësishëm i teatrit të politikës paskomuniste.

 

Zotërinjtë e luftës

 

Nëqoftëse Dudajev në aspekte të caktuara ka përfaqësuar fytyrën "institucionale" të indipendentizmit çeçen, Shamil Bazajevi ka qenë (deri në vdekjen e tij të ndodhur më 9 korrik të vitit 2006) zemra dhe shpirti, por, pas sulmit në Teatrin Dubrovka (23 tetor 2002) dhe masakrës në shkollën e Beslamit (1 shtator 2004), maska e deformuar e dhunës së verbër të terrorizmit. I lindur në vitin 1965 në Vedevo, një fshat i vogël sovjetik në malet e Kaukazit, sipërmarrës i ri, në vitin 1987 kishte lënë zonat e thella rurale të Kaukazit për "dritat" e Moskës. Këtu frekuentoi për disa kohë universitetin me shpresën e hyrjes në polici si agjent investigues, por me kolapsin e ekonomisë sovjetike nuk mundi t'i vazhdojë projektet e tij. Me shumë bashkëkombas të tij, shkoi të fryjë radhët e tregut të ri të zi që mbushte rrugët e Moskës. U specializua në shitjen e kompjuterëve.

Ndodhi grushti i shtetit i gushtit të vitit 1991. Në gjestin e tij më kurajoz, i hipur në një tank, Boris Jelcini sfidoi puçistët dhe Bazajevi, që kishte siguruar një bombë dore, mori pjesë në përplasjet. Ndërsa Rusia përjetonte revolucionin e saj, Kaukazi shpërbëhej. Si patriot i mirë, Bazajevi e la shpejt Moskën për t'u kthyer tek njerëzit e tij, duke iu bashkuar një milicie të vogël me emrin pompoz të Konfederatës së Popujve të Kaukazit. Në zjarrin e luftimeve, zbuloi cilësi të rralla lidershipi: brilant dhe dashamirës, i pajisur me kurajo fizike të jashtëzakonshme, ishte bërë shpejt idhulli i njerëzve të tij.

 

Në nëntor të vitit 1991, Bazajevi dhe të tijët kidnapuan një avion rus dhe e detyruan të fluturojë deri në Ankara të Turqisë. Qëllimi i këtij gjesti terrorist ishte të publicizohej kauza e indipendentizmit çeçen dhe të sigurohej solidariteti islamik në nivel ndërkombëtar. Turqit u treguan relativisht indulgjentë dhe iu lejua që të kthehej e të zhytej në kazanin values të Kaukazit dhe ai u hodh në përplasjen brutale midis kristianëve dhe islamikëve që tronditi Armeninë dhe Azerbajxhanin. Në verën e vitit 1994 Bazajevi bëri një udhëtim vendimtar në Afganistan për një kurs stërvitor me muxhahedinët. Në botën e galaktikës që po lindte të al Qaedas mësoi gjithçka që ishte për t'u mësuar lidhur me faktin sesi luftëtarët islamikë kishin vrarë rusët.

 

Kështu, Afganistani është udhëkryqi i jetëve si të Bazajevit, ashtu dhe të Dudajevit: gjenerali i aeronautikës sovjetike kishte hedhur në erë afganasit, ndërsa Bazajevi kishte kuptuar atje gjithçka të nevojshme nga ana e fituesve. Falë tij, historia afganase e viteve '80 gjeti një vijim në vitet '90. Shumë i aftë në artin e përdorimit të një tradite malësore të lashtë prej mijëra vjetësh, të përbërë nga prita, grindje dhe baniditizëm, me taktika absolutisht novatore, demonstroi një gjeni "taktike" të veçantë në përdorimin e telefonëve celularë të aftë për të koordinuar përdorimin e raketalëshuesve portabël. Njerëz që tepër lehtësisht e kishin përcaktuar si një malok i mjerë do të zbulonin se dispononte uebsajte, videokamera dhe shumë sponsorë bujarë në diasporën çeçene. Duke vënë në praktikë sa predikonte lidhur me solidaritetin transkaukazian, u martua me një grua murgeshë.

 

Flokë gështenjë të errët, i gjatë 1 metër e 90 centimetra, Bazajevi mbante gjithmonë një xhakavento mali, xhinse dhe atlete. Kur donte të demonstronte besnikërinë e tij ndaj kauzës mbante një kapuç të zi, të punuar me dorë, me një rrip jeshil islamik përreth. Kallashnikovin dhe telefonin celular nuk e braktiste kurrë. Zotërinjtë e luftës nuk kanë treguar asnjë skrupull në instrumentalizimin e aspiratave për sovranitet territorial të popullit çeçen për ta rritur pjesën e tyre të pushtetit, edhe kur ndërhyrja e ushtrisë së Federatës ka përfshirë një numër të madh civilësh të paarmatosur.

 

Beteja e parë e Groznit

 

"Qemë të sfilitur. Parashutistët punonin me turne, kurse sabotatorët nuk flinim prej tri ditësh. Ecnim përpara si valët e ujit, për të mos i dhënë armikut mundësinë që të pushonte, të ndiqte manovrat, të organizohej kundër nesh. Luftonim gjithmonë, gjithmonë. (...). Kemi hedhur dy bomba dore. Në pluhurin që zbriste nga tavani nuk shikohej asgjë dhe jemi ndodhur përpara katër armiqve që njëlloj si ne vërtiteshin si mace të verbëta në mjegullën e hirtë, të ndyrë, që qelbej me aromë kërmash dhe eksplozivi të djegur. Nga kaq afër, aty në Çeçeni, nuk i kisha qëlluar kurrë asnjeriu".

 

Nicolai Lilin, Edukim siberian

 

Kryeqyteti i Çeçenisë, qendër petrokimie me një rëndësi të caktuar, sipas funksionarëve skrupulozë sovjetikë, numëronte në vitin 1990 një popullsi prej rreth 400 mijë banorësh: 260 kilometra katrorë pallatesh të mëdhenj prej betoni dhe tullash në stil të pastër sovjetik, i mbushur plot me impiante kimike të pista dhe industri të rënda. Në fillimin e viteve '90 paraqitej si skena e një spektakli karakteristik: në qytet ngatërroheshin atmosfera dekadente e provincës e Perandorisë Sovjetike dhe një ethe fetare e rinovuar. Në fakt, nga deklarimet e pavarësisë, islami kishte pësuar në të gjithë rajonin një ringjallje në kuptimin e vërtetë të fjalës (çeçenët janë myslimanë sunitë): mund të shikoheshin mullahë me çallma të kalonin sheshin qendror të Groznit, ndërsa flamuj të gjelbër me shkrime në arabisht kishin zënë vendin e flamujve të kuq të vjetër me drapër e çekan. Vetë Dudajevi shikohej si Shamili i ri, imami që në shekullin e kaluar kish drejtuar çeçeno-dagestanët kundër Rusisë gjatë luftës së parë kaukaziane. Por Grozni ishte edhe një kryeqytet i krimit në kuptimin e vërtetë të fjalës: udhëkryq trafiqesh të çdo lloji, në mënyrë të veçantë për tregun ilegal të armëve do të kishte në ato vite të njëjtin funksion si të Bursës së Londrës, domethënë do të përcaktonte nivelin e çmimeve të tregut. Mafia çeçene, idhtare e pavarësisë në kuptimin e vërtetë të fjalës, perceptohej në nivel ndërkombëtar si më e bashkuara, më e dhunshmja dhe më efikasja. Igor Baranovski, gazetar i Moscow News, do të arrijë të pohojë se "çeçenët duhet të konsiderohen si grupi i parë i organizuar që kanë arritur të 'penetrojnë' me sukses shoqërinë paskomuniste". E gjitha kjo jep kuadrin e tipit kompleks të raporteve që lidhnin Federatën me Çeçeninë shkëputëse dhe që do të çonte në shpërthimin e konfliktit.

 

Gjatë gjithë vitit 1994, rusët do të kërkojnë më kot që ta destabilizojnë qeverinë e Meks Kxel dhe të Dudajevit. Veç të tjerash, agjentë të shumtë të shërbimit të ri të sigurisë ruse Fsk (Shërbimi Federal i Kundërspiunazhit) do të kapen dhe do të ekzekutohen nga luftëtarët çeçenë. Më 8 dhjetor, Federata vendos një bllokadë ekonomike në kuptimin e vërtetë të fjalës. Më 11 dhjetor tri kolona të blinduara, të mbështetura fuqimisht nga artileria dhe aviacioni, shkelin kufijtë e Çeçenisë, zyrtarisht për të "rivendosur rendin"; ndërhyrja nuk duhej të ishte e ndryshme nga ato të konceptuara për të mposhtur rebelimin hungarez të vitit 1956 dhe atë çeke të vitit 1968: një dislokim dërrmues forcash të koracuara. Diapozitivi rus përbëhet nga mbi 15 mijë njerëz që komandat e larta i mendojnë të mjaftueshme për të përballuar rreth 4000 besnikët e Dudajevit e të Bazajevit të pajisur me armatim të lehtë (Ak - 74, Akm, Rpg - 7 dhe Rpg - 22) të marra nga magazinat e Divizionit të 42-të me qëndrim në Grozni.

 

Lufta e parë çeçene e viteve 1994-1996 është bërë rast manuali, në kuptimin e vërtetë të fjalës, i strategjisë luftarake dhe gjithsesi, diçka shumë e ndryshme nga konfliktet e izoluara të paraqitura rëndom nga CNN-i. Është bërë fjalë për një luftë pak telegjenike e cila, jo rastësisht, ka pasur rezultat mediatik të dobët. Ka qenë një konflikt mizor, i përgjakshëm dhe tejet shkatërrimtar. Më 29 dhjetor, rusët nisin sulmin kundër qytetit, me mbështetjen e rëndë "tradicionale" të aviacionit dhe sidomos të artilerisë. Por pas sukseseve fillestare që çuan në pushtimin e aeroportit, avancimi bën përparime të pakta, ndërsa numri i të rënëve fillon që të rritet në mënyrë eksponenciale. Ditën e Vitit të Ri bombarduesit rusë godasin rafineritë dhe qyteti mbështillet nga një si kapuç i rëndë ku ndërthuren tymi i shpërthimeve dhe mjegulla dimërore. Hapen dyert e Ferrit. Tanket T72 qenë projektuar për luftat rrufe në fushë të hapur. Sapo të ngecura në qytet, ato humbasin shumë nga potenciali luftarak i tyre, për shkak të shikueshmërisë së pakët dhe vëllimit të dobët të zjarrit me rreze të shkurtër. Në ndryshim nga autoblinda e vjetëruar, raketalëshueset e serisë Rpg, gjithmonë të prodhimit rus, janë një armë ekonomike shumë moderne, të lehta për t'u transportuar dhe me një saktësi vdekjeprurëse. Çeçenët qenë shumë të aftë në transferimin e taktikës së pritës në terren urban: rrugët e Groznit, të ndodhura midis pallatesh të mëdhenj shumë të lartë, u ngjanin luginave të ngushta të Afganistanit. Njerëzit e Bazajevit avanconin me dinakëri, duke i koordinuar operacionet me telefonat celularë dhe radiot e dorës Motorola. Pas sinjalit të dhënë, sulmonin kolonat e makinave, duke goditur me breshëri bombash kokën dhe bishtin e kolonës. Në këtë pikë, të ngecur në kurth, pjesa tjetër e forcave të sulmuara qenë neutralizuar. Tanket ruse nuk janë projektuar për të qëlluar lart dhe kjo i bënë pre të lehtë të sulmeve nga sipër. Vdekja i vinte nga taracat e pallateve. Ushtarët që arrijnë të arratisen nga tanket në zjarr kapen nga luftëtarë pasmodernë të armatosur me shpata dhe celularë.

 

Ashtu si në Stalingrad, shpërthen një "luftë e minjve" për pushtimin e një grushti gërmadhash: një korridor, një hatull, një mur janë vija e frontit. Lëshohen verbazi bomba dore në pluhur. Të vdekurit mbushin shkallët, shesh-pushimet e tyre, hyrjet e apartamenteve. Humbet nocioni i kohës e i hapësirës dhe lufta bëhet një lloj loje shahu abstrakte, tridimensionale. Në anën e "peshave të lehta" çeçene mbizotërojnë predha, armë automatike me kalibër të vogël, mortaja portabël dhe bomba të radiokomanduara. "Peshat e rënda" ruse përgjigjen me bateritë raketore Grad, të afta që të vjellin një shi predhash me potencial të lartë. Për të flakur tej snajperat e pakapshëm, rusët përdorin artilerinë kundërajrore: shkopi për të shtypur akrepët. Grozni nuk pushtohet, por bëhet rrafsh me tokën. Më 10 shkurt çeçenët e rrethuar e të bombarduar, të ndjekur nga forcat speciale Spetsnaz, arrijnë gjithsesi të vendosin nën zotërim lagje të ndryshme. Gjenerali Dudajev urdhëron atëherë trupat e tij që të tërhiqen progresivisht drejt maleve. Samashki, qyteti i fundit në duart çeçene, do të kapitullojë më 8 prill të vitit 1995. Megjithatë, kjo nuk sjell paqëtimin e vendit. Rusët kontrollojnë qytetet dhe rrugët kryesore të komunikimit, por bastionet rebele rezistojnë në malet në jug. Pikërisht nga këtu do të nisin aksionet gjithnjë e më të guximshme, deri në sulmin e befasishëm që do të çojë në gusht të vitit 1996 në rimarrjen e kryeqytetit. Ndërkohë, gjenerali Xhokar Dudajev do të vritet nga një raketë ajrore e lëshuar në sinjalin e telefonit satelitor të tij (natën midis 20 dhe 21 prillit). Rimarrja e Groznit shënon një kthesë të rëndësishme, edhe pse rusët nuk arrijnë të vendosin nëse të kryejnë një operacion policie apo një luftë totale dhe të përgjithësuar. Kjo pavendosmëri do t'i japë jetë një ndërhyrjeje fatkeqe dhe gjakderdhjes pasuese. "Armëpushimi" i dhjetorit 1996 shënon fundin e luftës së parë çeçene.

 

Kaukazi ndizet flakë

 

E premte, 13 gusht 1999. Në juglindje të Dagestanit disa qindra ushtarë rusë, me mbështetjen e artilerisë së rëndë, mjeteve të blinduara dhe një dyzinë gjuajtësish bombardues dhe helikopterësh, sulmojnë pozicionet e rebelëve islamistë. Pas një jave luftimesh të ashpra, një 1000 luftëtarë, në pjesën më të madhe çeçenë, zmbrapsen brenda kufijve të republikës së pavarur. Bëhet fjalë për një prej operacioneve me shtrirje më të gjerë të realizuar për të zmbrapsur, duke filluar nga fundi i vitit 1998, inkursionet dhe sulmet e papritura të luftëtarëve islamikë në Kaukaz. Do të jetë fillimi i një eskalimi të ri që do të çojë - në shtatorin e të njëjtit vit - në një shpërthim të ri dhune të përgjithshme. Operacionet ushtarake ruse rifillojnë plotësisht duke filluar nga 23 prilli me një bombardim ajror të Groznit.

 

Territori i republikës (i shtrirë për 19300 kilometra katrorë: dy herë Kosova) ndahet në tri zona. Në veri shtrihet ultësira e Nogait - e kontrolluar nga Perandoria Ruse, falë kozakëve, qysh nga fundi i shekullit XIX; kjo zonë, falë superioritetit dërrmues ajror, do të pushtohet qysh nga ditët më të para të ofensivës së re: stepa është terreni i përkëdhelur për masat manovruse të ushtrisë ruse që dislokohet si në një ushtrim. Fuqia e zjarrit imponohet madhërueshëm në fushën e betejës: artileria tokësore dhe ajo ajrore mundin rezistencën e armikut, ndërsa trupave të motorizuara nuk u mbetet veçse të kontrollojnë terrenin e "bonifikuar". Në përfundim të muajit të parë të luftës trupat ruse arrijnë lumin Terek. Më 5 tetor "federalët" kontrollojnë rreth një të tretën e territorit rebel. Në të njëjtën kohë, rusët lëshojnë një sulm të kryqëzuar nëpërmjet republikave fqinje (anëtare të Federatës): Ingushecia nga perëndimi dhe Dagestani nga lindja. Për rebelët mbesin të hapura vetëm rrugët e jugut drejt Gjeorgjisë së pavarur. Çeçenia e "dobishme: me kryeqytet Groznin, me rrugët e saj të komunikacionit (rrugë, hekurudha dhe sidomos naftësjellës), është në rrezen e topave ruse. Në jug të lumit Terek gjendet një rajon me një terren më të vështirë dhe më të urbanizuar, një teatër operacionesh sigurisht më impenjues. Në Moskë, shtabi i përgjithshëm e përjashton një sulm të ri frontal kundër kryeqytetit. Ashtu si në javët e para të ofensivës, qyteti i rrethuar i nënshtrohet një zjarri të fuqishëm predhash: më 21 tetor një raketë tokë - tokë ulet në qendër të Groznit, duke vrarë rreth 140 civilë. Por ndërkohë, shumëfishohen aktet e rezistencës/terrorizmit në prapavijat e territorit të "kontrolluar" që gjenerojnë midis forcave ruse një dobësim të vazhdueshëm. Në fund të muajit nëntor forcat ruse (100000 trupa ushtrie dhe 40000 trupa të Ministrisë së Brendshme) kanë pushtuar rreth gjysmën e territorit. Më 4 dhjetor fillon rrethimi i ri i Groznit, i cili do të përfundojë pas rreth një muaji e gjysëm me një numër shumë të lartë viktimash si midis forcave në fushë, ashtu dhe midis civilëve që nuk kishin arritur në kohë ta braktisnin qytetin.

 

Teatri i tretë i operacioneve që ushtria ruse është dashur të përballojë është ajo e masiveve malore gjarpërore të jugut, në kufi me Gjeorgjinë (ku shumë luftëtarë gjejnë strehim), të cilat kulmohen me maja mbi 4000 metra të larta: një fortesë natyrore praktikisht e pakapshme. Bombardime në largësi, luftime urbane, luftë në male dhe nevojë për të "kontrolluar" një territor armiqësor: lufta në Çeçeni ka përfaqësuar për ushtrinë ruse një koncentrat me vështirësi ekstreme.

 

Sot "paqëtimi" i rajonit e ka transformuar në fakt Çeçeninë nga shtet "batakçi" në shtet të "dështuar": kamikazë, gra të veshura me tritol dhe autobomba - armë të luftës asimetrike - vazhdojnë që të mbushin ëndrrat e trazuara të rusëve.

 

 

Përgatiti Armin Tirana


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
IU SHËRBEU TETË PRESIDENTËVE, NGA TRUMANI TEK REGANI (04.03.2010)
Drogë në vend të qepëve (04.01.2010)
Helmut Kohl - Kancelari i ribashkimit shfaqet rrallë në publik (03.30.2010)
Spiun i shërbimeve sekrete në Bundestag (03.26.2010)
Uji i pijshëm shumë i çmueshëm (03.22.2010)
Zotërinjtë e Vatikanit/Pushteti i Papëve (03.21.2010)
GJERMANËVE IU RRËNQETHET MISHI (03.19.2010)
"VDEKJA E TREGTARIT TË VOGËL" NË RRUGËT E ATHINËS (03.18.2010)
GJERMANIA KA DYFISHUAR EKSPORTET E ARMËVE (03.16.2010)
MBRETI FERDINAND, AURELIA DHE AJVAZ VOKANga MARIA VASILESCU (1921-2005) (03.13.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]