E Hënë, 05.20.2024, 09:15am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

DELL: KORRUPSIONI NË KOSOVË PO BËN KËRDINË

Fjalimi i Ambasadorit Christopher W. Dell me rastin e ceremonisë së Programit fillestar edukativ ligjor - Korrupsioni në Kosovë – Dalja nga hija në dritë


E Premte, 03.30.2012, 02:20pm (GMT+1)

Fjalimi i Ambasadorit Christopher W. Dell me rastin e ceremonisë së Programit fillestar edukativ ligjor - Korrupsioni në Kosovë Dalja nga hija në dritë

Siç është shkruar paraprakisht, 30 mars 2012

Unë i kam kaluar shumë vite në Kosovë dhe jam krenar që kam qenë dëshmitar i ndryshimeve dramatike që kanë ndodhur këtu prej vitit 1999. Kosova ka tejkaluar shumë sfida politike, ka punuar me partnerët amerikanë dhe evropianë për të modernizuar institucionet e saj dhe për të ndërtuar kapacitetet që këto institucione t'iu shërbejnë me efikasitet popullit të Kosovës. Por, kjo nuk është e tëra. Prej pavarësisë e këtej disa probleme janë përkeqësuar e jo përmirësuar. Korrupsioni, në të gjitha format e tij, është bërë njëri prej kërcënimeve kryesore me të cilat përballet shoqëria kosovare sot.

Pothuajse çdokush në Kosovë ka një anekdotë për korrupsionin, por gjetja e fakteve të vërteta është më vështirë. Pjesërisht kjo ndodh për shkak të shoqërisë së lidhur ngushtë, e cila shpejt mund ta kthejë spekulimin në fakt një anim kulturor në Kosovë që lejon hedhjen dhe pranimin si të vërteta të përgojimeve të pabaza, pa analizë kritike të vlefshmërisë së tyre dhe pa asnjë pasojë. Problemi më i madh qëndron se zyrtarët e korruptuar nuk duan që të gjenden faktet. Ata disponojnë një numër të madh të mjeteve për të turbulluar të vërtetën: paratë, përkrahësit, gatishmërinë për të kanosur dhe detyruar më të dobëtit. Ata veprojnë nëpër hije dhe duan të vazhdojnë ashtu. Kjo është arsyeja pse mua më pëlqen një thënie e ish gjykatësit të Gjykatës Supreme, gjykatësit Louis Brandeis, i cili duke kërkuar transparencë më të madhe nga qeveria për veprimtaritë e saj një herë ka thënë se "Dielli është dezinfektuesi më i mirë". E në këtë traditë, unë dua të flas sinqerisht për korrupsionin në Kosovë.

Duket që korrupsioni këtu është problem për të cilin të gjithë flasin, por të paktë janë ata që bëjnë diçka për ta luftuar atë. Por, çdo qytetar i Kosovës e ka detyrë për të luftuar korrupsionin sa më mirë që mundet. Edhe pse kjo luftë është përgjegjësi e përbashkët e tërë shoqërisë, megjithatë unë do të thosha se barra më e madhe për të sjellë ndryshimin e nevojshëm iu bie udhëheqësve politikë. Në të vërtetë, ata janë edhe në pozitën më të mirë për ta bërë këtë. Çka është edhe më e rëndësishme, zyrtarët kosovarë dhe partitë politike janë aq shumë të ngatërruar në këtë dukuri sa që është e pamundshme gjendja të korrigjohet pa përpjekjet e tyre pozitive: jo vetëm të bashkëpunojnë, por të punojnë shumë për ta kthyer rrjedhën në anën tjetër.

Të gjithë e dimë se përmirësimi dhe rritja e ekonomisë është prioritet kryesor i qeverisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë, e të mos i përmendim qytetarët e zakonshëm të cilët janë të dëshpëruar për të siguruar jetesën. Por, nuk mund të ketë përmirësim të mjaftueshëm ekonomik sa të ketë korrupsion. Paramendoni një investitor nga një vend i huaj që dëshiron të konkurrojë për një ndërmarrje shoqërore, ta zëmë një fabrikë të materialit ndërtimor, që shitet si pjesë e procesit të privatizimit në Kosovë. Ka shumë gjasa që oferta e tij do të përballet me kundërshtime të fuqishme politike përveç nëse ai është dikush të cilin e "njohin" njerëzit e duhur. A ka arsye të vlefshme për këtë kundërshtim? Ndoshta, por me siguri jo. Nëse ai dëshiron të rrijë në lojë, atij do t'i duhet që shumë shpejt të kuptojë rregullën e pathënë: do t'i duhet që t'i blejë kundërshtarët. Pak para këtu, një punë e mirë aty. Po e kuptoni edhe vetë. Natyrisht, çelësi i kësaj loje qëndron në "të pathënën". Korrupsioni është përhapur aq shumë dhe është bërë kaq i zakonshëm në çdo nivel këtu sa që e tërë shoqëria e nënkupton gjuhën e tij. Kështu ajo mund të mbetet e pathënë dhe siç e thashë, të korruptuarit parapëlqejnë të qëndrojnë në hije.

A përfundojnë brengat e investitorit të përmendur nëse pagesat nën dorë i ndihmojnë që të fitojë tenderin? Jo. Tash atij i duhen licencat dhe lejet e duhura për punë. Çuditërisht, duket se kjo gjë po merr shumë kohë: nëpunësi gjithmonë po kërkon dokumente tjera. "Aha"! investitori e kupton shumë shpejt, pa pasur nevojë t'i thotë kush, që ky problem mund të zgjidhet me ca euro të vendosura në vendin e duhur. Kjo është bërë praktikë me të cilën shumë njerëz bashkëjetojnë për të ndihmuar bizneset e tyre; është bërë bazë e pathënë për shumë transaksione afariste.

Çka duhet të bëjë ky investitor kur mëson se zyrtarët publikë po duan të japin një kontratë për një projekt të ri ndërtimi? Nëse është i mençur, ai deri tash u ka dhënë mbrojtësve të tij përkrahje të mjaftueshme financiare për të ndërtuar vullnet të mirë për situatat si kjo. Askush nuk i shikon me shumë vëmendje pasqyrat financiare të zyrtarëve publikë për të përcaktuar nëse ka konflikt interesi. Fundja, ndoshta ky investitor vendos që t'i sigurojë bastet e tij dhe të përdorë paratë e tij për të ndikuar zgjedhjet. Tash ai është ngatërruar thellë në këtë telash të turbullt sikurse edhe politikanët që fillimisht i ka paguar. Nëse qeveria nuk ka kapacitet ose dëshirë për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto vepra, atëherë nuk ka asnjë arsye që ai të ndalet. Në fakt, pa marrë parasysh a dëshiron apo jo, ai do të vazhdojë të luajë këtë lojë nëse ka qëllim të investojë në Kosovë.

Krahasoni këtë skenar me mundësitë për investim në ndonjë vend, si p.sh. në Evropën perëndimore. Ndoshta atje shpenzimet e drejtpërdrejta të një biznesi, siç janë pagat, sigurimi dhe qiraja, janë më të larta, por atje po ashtu ka edhe siguri dhe stabilitet. Të paktën shpenzimet janë të caktuara dhe të ditura modele të parashikueshme që mundësojnë planifikim të mirë afarist. Prej konkurrimit deri te marrja e licencave, prej kontraktimeve publike deri te ligjet konkurruese rregullat janë të qarta dhe rezultatet janë të tilla që sigurojnë që produkti më i mirë del në treg. Po të jeni ju investitor, cilin mjedis afarist do ta zgjidhnit? Mendoj se është e qartë, duke i marrë parasysh alternativat e kënaqshme, se asnjë afarist i arsyeshëm nuk do të dëshironte të investojë në një vend ku korrupsioni bën kërdinë. Kjo krijon tepër pasiguri. Kur hyni në botën e mjegullt të korrupsionit, posaçërisht në një shoqëri të huaj, atëherë ju i ekspozoheni rreziqeve të pakufizuara dhe shpenzimeve të panjohura. Pa pasur një mënyrë të pastër për investime dhe për afarizëm, Kosova është e dënuar që të marrë vetëm investimet më të këqija.

Nëse e gjithë kjo është e vërtetë, gjë që është, atëherë Kosova ka nevojë të ndryshojë, të luftojë më shumë për të eliminuar korrupsionin. Udhëheqësit e partive politike dhe zyrtarët qeveritarë duhet të jenë në ballë të kësaj përpjekjeje. Nuk mjafton të bëhet vetëm rishikimi i procedurave të prokurimit apo vendosja e dënimeve më të rënda për korrupsion, edhe pse padyshim këto gjëra janë të domosdoshme. Qëndrimi ndaj korrupsionit duhet të ndryshojë. Nuk mund të qëndrojë botëkuptimi se "Është korrupsion vetëm kur e bën dikush tjetër". Të gjithë anëtarët e partive politike bëjnë me gisht nga njëri-tjetri duke thënë se ata janë të korruptuarit. Por, disa prej atyre që bëjnë me gisht janë po aq të gatshëm të mbushin kutitë e votimit, t'ua gjejnë anëtarëve të familjeve së tyre ndonjë vend të mirë pune në qeveri dhe t'ua mundësojnë miqve të tyre marrjen e kontratave të leverdishme afariste kur kjo gjë është në interesin e tyre. Më lejoni të jem i qartë: nuk po përjashtoj asnjë parti nga ky pohim.

Sërish, ujditë e përmendura më lart shpesh bëhen prapa dyerve të mbyllura, vetëm mes "miqve". Në të vërtetë, nganjëherë dijenia për veprimtaritë korruptive mbahet më qëllim e fshehtë në mënyrë që kushdo që ka këtë informatë mund ta përdorë si "policë sigurimi", një praktikë po aq e neveritshme. Herë pas here, këto vepra kryhen pa asnjë ndëshkim dhe kjo me të vërtetë e bën të qartë se sa keq është gjendja. Në veçanti po mendoj për zgjedhjet e vitit 2010 kur edhe të vdekurit ushtruan të drejtën për të votuar! Po ashtu duket se këtu mbizotëron ideja se partitë e ndryshme kanë të "drejtën" për të kontrolluar asetet e ndryshme publike. Kam dëgjuar aq shpesh ish-zyrtarët e lartë publikë duke e thënë këtë gjë të pavetëdijshëm, ose ndoshta pa u brengosur se kjo përbën shkelje të standardeve etike në shumicën e shoqërive moderne. Në të vërtetë, kjo duket si mbetje nga e kaluara socialiste e Kosovës, diçka që pasqyron praktikat më të këqija të sistemit politik të Serbisë.

Anëtarët e partive politike nuk qëndrojnë të vetmuar si aktorë të korruptuar. Shumë shpesh ata ndihmohen dhe të mbështetur nga të tjerët. Sa shpesh ndodh që qytetarët e zakonshëm mbështeten në rrjetin e tyre familjar për të siguruar vende pune ose kontrata në qeveri? Nepotizmi është një formë e korrupsionit, por publiku është pjesëmarrës i vullnetshëm, sërish duke e përkujtuar atë shprehjen se "Është korrupsion vetëm kur e bën dikush tjetër". Edhe pse zyrtarët politikë duhet të japin shembujt e drejtë me veprimet e tyre, qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë më shumë nga zyrtarët e tyre e jo vetëm të ankohen pa bërë asgjë për të zgjidhur problemin apo çka është edhe më keq duke bashkëvepruar me ta.

Mediet në Kosovë, të cilat shpesh nguten aq shumë për të akuzuar të tjerët për korrupsion dhe gjëra të tjera, janë një grup tjetër që duhet t'ia bëjnë vetes një analizë për të kryer punën e tyre legjitime në mënyrë pak më të përgjegjshme dhe më efektive. Është e vërtetë se shtypi ka luajtur pjesën e vet të ankesës për korrupsion, por nganjëherë kjo në vetvete përbën një formë tjetër të korrupsionit: duke përdorë një predikues arrogant për të hedhur fjalë të këqija kundër kundërshtarëve për përfitimin e tyre. Kjo s'është ndihmë. Ç'është edhe më keq, ne të gjithë kemi dëgjuar për rastet kur gazetarët janë paguar për të botuar artikuj të cilët promovojnë ose sulmojnë individë apo institucione në ndjekje të agjendave të tyre private. Për më tepër, gazetat dhe mediet e tjera shpesh janë pronë e individëve që kanë interesa të fuqishme politike personale dhe përdorin mjetet e tyre të shtypit për të shpërndarë çfarëdo ngjarje sensacionale që do të çojë përpara kauzën e tyre e jo të vërtetën. Është e diskutueshme se a i plotëson standardet moderne të gazetarisë së paanshme dhe etike kur dikush shfrytëzon mjetet e veta mediatike për të shtyrë përpara agjendën e vet politike. Kjo përkeqësohet kur redaktorët falin përdorimin e faqeve të supozuara të lajmeve për të botuar editoriale të maskuara tinëz që promovojnë agjendat partiake. Përveç kësaj, shpesh dëgjojmë që ndërmarrjet mediatike në Kosovë kanë shmangur pagesën e tatimeve. Krejt çka sugjeron kjo është se mediet në Kosovë nuk duhet të ndalin punën e tyre për të ekspozuar korrupsionin, larg qoftë nga kjo. Në të vërtetë, mediet duhet të jenë "si gruaja e Cezarit": të pastra si loti pa asnjë fije dyshimi mbi to para se të mund të përmbushin detyrën e tyre në mënyrë të besueshme në kërkim të së vërtetës dhe në emër të interesit publik. Derisa të ndodh kjo, mediet kosovare nuk mund të jenë partnerë të besueshëm në përpjekjet kundër korrupsionit sepse mundësia e tyre për të qenë pjesë e zgjidhjes dobësohet kur të gjithë e dinë se ata janë pjesë e problemit.

Nganjëherë korrupsioni ndihmohet thjesht nga shpërfillja dhe mosveprimi. Kosova nuk e ka mbështetur sa duhet Agjencinë e saj kundër korrupsionit, e cila nuk ka burime të mjaftueshme dhe nuk ka mandat mjaft të gjerë për të shërbyer me efikasitet. Kundërshtarët krijuan pothuajse një terren luftarak kur Presidentja Jahjaga shpalosi qëllimin e saj për të krijuar një këshill ndërministror për të adresuar çështjen e korrupsionit. Në vend se të kuptojnë mundësinë që të bëjnë atë që duhet dhe të mundësojnë ndryshimin, ata e qortuan duke thënë se ka vepruar përtej kompetencave të saj. Por, ne dhe shumë të tjerë i përkrahim përpjekjet e Presidentes për të rritur kuptimin e natyrës dhe shtrirjes së korrupsionit, si dhe për të përmirësimin e transparencës. Nuk ka nevojë të thuhet se tash nuk është koha që të luftoni mes jush, e as korrupsioni nuk është çështja për të cilën duhet të luftoni mes vete. Dështimi për të mbështetur institucionet që ekzistojnë për të kundërshtuar korrupsionin dhe zgjedhja që të vini më lart interesat e ngushtë e jo bashkëpunimin thjesht do të sigurojë dështimin e përgjithshëm të Kosovës.

Shumë njerëz në Kosovë flasin për përpjekjet kundër korrupsionit, por nuk janë mjaft të tillë që punojnë për ta ndalur atë. T'ia sjellësh fundin korrupsionit do të thotë, në mënyrë figurative dhe të drejtpërdrejtë, t'ia sjellësh fundin mënyrës së gjertanishme të bërit biznes. Për politikanët, kjo do të thotë që t'i bëjnë publike interesat e tyre ekonomikë dhe personale para njerëzve të cilëve iu shërbejnë. Vetëm duke e bërë këtë mund të siguroni që veprimet tuaja gjykohen drejt dhe ju jepni llogari. Kjo do të thotë vendin e punës e merr njeriu më i kualifikuar për atë vend e jo ndonjë anëtar i familjes ose i fuqishëm partie që nuk ka asnjë përvojë përkatëse. Kjo do të thotë respektim të pavarësisë së institucioneve qeveritare e jo trajtim i tyre si mjet për të shtyrë përpara interesat e veta. Kjo do të thotë sigurim të transparencës dhe transaksione pa ryshfet ashtu që qytetarët tuaj t'i marrin shërbimet më të mira publike për paratë e tyre. Sa i përket opinionit publik, kjo do të thotë që kur ju jepni ryshfet, ju jeni po aq i ngatërruar në korrupsion sa personi që merr ryshfetin. Kjo do të thotë sigurim të resurseve adekuate për institucionet e themeluara për të zbuluar dhe ndëshkuar korrupsionin. Dhe në fund kjo do të thotë braktisje të shprehjes "njeriu ynë": mecenë nga brenda që mund t'ju ndihmojë për të arritur marrëveshjet për çmimin e "favori kthehet me favor ". Pa marrë parasysh përfitimet afatshkurta që mund t'i keni, kjo nuk është ujdi e cila do të sigurojë të ardhmen e fëmijëve tuaj e as vendin e Kosovës në mesin e shoqërive të lira dhe demokratike.

Ju keni dëgjuar shumë herë për çmimin e korrupsionit, por dua t'i theksoj edhe njëherë vetëm disa prej tyre: korrupsioni shtrembëron dhe pengon ekonominë tuaj duke kanalizuar fondet publike në projekte joekonomike. Ai shkurajon investimet e drejtpërdrejta të huaja. Korrupsioni rrezikon sigurinë tuaj publike kur në punët publike përdoren produktet nën standardin e duhur sepse prodhuesi i ka dhënë ryshfet zyrtarit të prokurimit ose kur policia nuk e kryen punën e vet sepse kanë marrë ryshfet që të mos e bëjnë atë. Demokracia juaj minohet kur bateritë e lira kineze bëjnë që llambat të mos ndriçojnë në ditën e zgjedhjeve. Korrupsioni demoralizon shoqërinë tuaj. Kur publiku ka aq pak besim në institucionet qeveritare dhe aftësinë për të kundërshtuar korrupsionin; tërë vendi lëngon kur më të aftit, zakonisht më të mirët dhe më të mençurit, e lënë vendin. Natyrisht kjo minon marrëdhëniet e Kosovës me partnerët tuaj ndërkombëtarë, fillimisht duke vënë në dyshim përshtatshmërinë tuaj për t'iu bashkuar BE-së e pastaj edhe duke i bërë përkrahësit tuaj që të shtrojnë pyetjen nëse fitimi nga investimet këtu është aq i madh sa për të arsyetuar drejtimin e më shumë resurseve në Kosovë në të ardhmen. Nëse këta partnerë e dinë se vetëm elita politike do të fitojë nga ndihma që ata ia ofrojnë Kosovës e jo tërë qytetaria, atëherë ata do të zgjedhin që të dërgojnë fondet e tyre diku tjetër.

Të mirat e një shoqërie pa korrupsion janë të shumta. Çrrënjosja e korrupsionit do t'u ofronte qytetarëve mundësi të njëjta dhe qasje të njëjtë në shërbimet publike. Të ardhurat shtetërore do të investoheshin në projekte dhe shërbime nga të cilat do të përfitonin të gjithë kosovarët e jo që të kanalizohen për të mbushur xhepat e politikanëve. Ekonomia do të lulëzonte me investime të rritura, të cilat pastaj do të ishin lajmëtar i mirë për marrëdhëniet etnike në Kosovë, sepse biznesi duket se është e vetmja sferë ku shqiptarët dhe serbët në Kosovë janë të gatshëm për të bashkëpunuar. Kosova do të dëshmonte qartë gatishmërinë e saj për t'u integruar në institucionet evropiane.

Ju keni zotësinë dhe e keni shumë afër mundësinë që të siguroni se shkëndija e premtimit që e keni ndezur më shumë se një dekadë më parë të mos shuhet nga korrupsioni. Për fat të keq, asnjë investim nga vendi im apo ndonjë vendi tjetër nuk mund të sigurojnë përfundimin e duhur në këtë rast. Suksesi i Kosovës në çrrënjosjen e korrupsionit do të varet vetëm nga qytetarët e saj dhe nëse zgjedh dritën e diellit e jo hijen.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
"Christian Science Monitor": INCIDENTET E DHUNSHME ETNIKE PËRGËNJESHTROJNË PAQEN NË BALLKAN (03.30.2012)
EDI RAMA, NDËRKOMBËTARËT DHE NEVOJA PËR NDRYSHIMNga ALFRED ÇAKO (03.30.2012)
BAMIRËSIA E NËNË TEREZËS E PARË NËPËRMJET LENTES SË ETIKËS MJEKËSORENga Dr. GËZIM ALPION, Universiteti i Birminghamit (03.30.2012)
DY FALËNDERIME DHE NJË SQARIM PËR NEXHIMJE HOXHËNNga EUGJEN MERLIKA (03.30.2012)
BUDALLA E MË BUDALLANga DANIEL SERVER, "Johns Hopkins University" në Uashington (03.29.2012)
PROKURORIA NUK "GLLABËROHET" DOTNga ILIR DHIMA (03.29.2012)
NJË LIBËR NË PARIS PËR XHERALDINËNNga ARTAN KUTRA (03.29.2012)
PRESIDENTI TOPI VIZITON FAMILJEN E VILSON BLLOSHMIT (03.29.2012)
MAQEDONIA NUK I HEQ NGA TEKSTET SHKOLLORE FYERJET NDAJ SHQIPTARËVE (03.29.2012)
NË NJU JORK U PËRKUJTUA 133 VJETORI I LINDJES SË MIT'HAT FRASHËRITIdriz Lamaj: "Eshtrat e këtij njeriu të madh të prehen në Atdhe"Nga BEQIR SINA, Harstdale New York (03.29.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]