Kryetari i Bashkisë së Uashingtonit e ka shpallur ditën e sotme Dita e Ilir
Zherkës. Lobisti dhe aktivisti veteran me prejardhje shqiptare është bërë një
ndër figurat më të njohura në betejën për t'u siguruar banorëve të Uashingtonit
të drejta të plota përfaqësimi në Kongresin amerikan. Ai mbylli një karrierë 10
vjeçare në krye të organizatës DC Vote për të marrë drejtimin e një organizate
tjetër të shoqërisë civile. Zotin Zherka flet për eksperiencën e tij si
aktivist, vizionin dhe ambicjet për të ardhmen.
Ilir Zherka shprehet me një mirënjohje dhe kenaqësi të natyrshme për nderimin
që ka marrë nga Kryetari i Bashkisë së Uashingtonit në Ditën e Ilir Zherkës.
Por ai ka edhe një krenari të dukshme kur flet për punën e tij si Drejtori
Ekzekutiv i organizatës DC Vote. Para se ai të merrte drejtimin e organizatës,
DC Vote ishte një organizatë e vogël, nën kërcënimin e falimentimit dhe me
probleme të vazhdueshme nga një drejtim i dobët dhe një strategji e paqartë.
Dhjetë vjet më pas, megjithëse ende larg arritjes së misionit, ajo është sot
organizata më e njohur në përpjekjet për t'i siguruar Uashingtonit përfaqësim
në organin legjislativ:
"Realizuam dy gjëra që ishin shumë të rëndësishme në lëvizjen për demokracinë
në Uashington. Njëra ishte krijimi i një koalicioni të fortë organizatash që
merren me këtë mision. Përmes këtij koalicioni organizatash kemi arritur të
aktivizohemi në shtete ku nuk kemi anëtarë, kjo ka rëndësi kritike në
përpjekjet për ta ngritur këtë betejë në nivelin institucional. Gjatë 10 vjetëve
të fundit kemi arritur mbështetje dypartiake për përfaqësimin e Uashingtonit në
Kongres si dhe kontroll të plotë mbi ligjet dhe buxhetin lokal".
Që në krijimin e Distriktit të Kolumbias si selia e qeverisë federale,
uashingtonasit kanë zhvilluar një betejë të pandërprerë për të siguruar të
drejtat civile që u ofrohen shtetasve të tjerë amerikanë. Pengesat ndaj kësaj
lëvizjeje janë bazuar gjithmonë në argumentin që Washingtoni nuk gëzon statusin
e shtetit dhe si rezultat, banorët e tij nuk gëzojnë statusin e banorëve të
shteteve të tjerë. Është një argument ndaj të cilit DC Vote, është mobilizuar
aktivisht në 10 vjetët e fundit me protesta, demonstrata e lobizëm të fuqishëm:
"Themeluesit e kombit krijuan nje Distrikt Federal, por jo një distrikt me
qytetarë të klasit të dytë. Kushtetuta nuk thotë se uashingtonasve nuk do t'u
njihet e drejta për përfaqesim në Kongres, apo për të gëzuar kontroll mbi
qeverisjen lokale. Ata parashikonin që Kongresi në të ardhmen do t'i zgjidhte
këto çështje. Nuk ishte menduar që 200 vjet më pas, uashingtonasit nuk do të
gëzonin këto të drejta themelore, përkundrazi".
"Drejtimin e organizatës DC Vote e pashë si një mundësi që unë, një imigrant i
ardhur në këtë vend kisha shansin të ndihmoja kryeqytetin e vendit të
realizonte një të drejtë bazë që pjesa më e madhe e amerikanëve nuk e kanë
idenë se vazhdon si problem".
I njohur si një lobist dhe organizator energjik e i aftë, zoti Zherka pohon se
puna si aktivist nuk është gjithmonë e lehtë dhe e lavdishme.
"Kam përjetuar shumë raste kur jam ballafaquar me vendimin e gabuar në
sistemin politik amerikan, gjë që më irriton. Por nuk mund ta quaj politikën
"˜lojë të pistë'. Kështu është realiteti: politikanët duan të rizgjidhen, ata
kanë një vizion që duan të realizojnë dhe për ta arritur këtë, u duhet të
sigurojnë votat dhe shpesh, për ta bërë këtë ata marrin edhe vendime të gabuara
nga pikëpamja ime. Ajo që më pëlqen tek puna që bëj është se unë kam detyrën
t'i bind politikanët të marrin vendimet e duhura, jo thjesht duke u kërkuar në
mënyrë të sjellshme, por edhe përmes protestash, presionit, vënien e tyre
përpara përgjegjësisë. Ky është një element esencial i sistemit politik
amerikan. Në fund të fundit politikanët punojnë për popullin".
Zoti Zherka është veçuar si një ndër lobistët më të suksesshëm në përpjekjet e
Uashingtonit për të siguruar vendin e tij në Kongres. Për vetë Ilir Zherkën, ky
mision është një mundësi për të konkretizuar demokracinë amerikane:
"Zbulova pasionin e jetës kur punova me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,
pasi në atë detyrë pata mundësinë të ndihmoj një komunitet, në këtë rast
komunitetin shqiptaro-amerikan të komunikonin dhe t'i parashtronin kërkesa
qeverisë së tyre. Ky është thelbi i demokracisë amerikane - mundësia që u jepet
grupeve të interesave specifike, përmes fushatave, kontributeve politike,
protestave, të ndikojnë tek qeverisja. Aty zbulova pasionin tim, zbulova
talentin ne organizimin e njerëzve, për t'u dhënë atyre zërin që u duhet të
dëgjohen në Kapitol, në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjithë vendin për të sjellë
ndryshime".
Është një element që ende u mungon shoqërive në Ballkan, pohon zoti Zherka, kjo
edhe për faktin që ende nuk është krijuar kultura e donacioneve në mbështetje
të shoqatave dhe fondacioneve joqeveritare e jopartiake që punojnë për një
mision të caktuar:
"Në shumë vende organizatat nuk kanë ato burime që kemi në Amerikë. Pjesa
më e madhe e fondeve tona vijnë nga fondacione që janë themeluar vite më parë
nga njerëz shumë të pasur për të realizuar një ndikim pozitiv tek shoqëria. Ne
kemi burimet financiare për të bërë lobizëm dhe aktivizëm. Është e vështirë të
bësh aktivitet në shërbim të interesit publik pa pasur fondet e nevojshme,
thjesht mbi baza vullnetare. Këtu në Shtetet e Bashkuara ne e bëjme këtë punë
në nivelin profesional. Në këtë organizatë unë kam afro 10 punonjës me orar të
plotë, ka organizata që kanë deri në 100 punonjës. Shpresoj që me kalimin e
kohës, kjo kulturë e donacioneve dhe e mbështetjes me fonde për këto kauza do
të krijohet edhe në Kosovë e Shqipëri".
Një shembull i suksesshëm i këtij mobilizimi social është komuniteti
shqiptaro-amerikan, për të cilin zoti Zherka ka punuar prej vitesh si
organizator dhe lobist. Ai mbetet edhe sot e kësaj dite një anëtar aktiv i
organizatave të komunitetit:
"Jam anëtar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Mendoj se komuniteti
shqiptaro-amerikan ushtron një influencë 1 mijë herë më të madhe se numri i
anetarëve të tij. Ky është një komunitet shumë i vogël në Shtetet e Bashkuara,
por jemi treguar shumë të zgjuar dhe të organizuar më së miri.
Shqiptaro-amerikanët kanë miq të fuqishëm mes demokratëve dhe republikanëve dhe
kauza shqiptare ka përfituar më së miri nga këto marrëdhënie".
Në zyrat e organizatës DC Vote, sot është një ditë sa festive, aq edhe emocionuese.
Ilir Zherka dorëzon detyrën e Drejtorit Ekzekutiv për të marrë drejtimin e
organizatës National Conference on Citizenship. Por ai nuk e mohon që në një të
ardhme mund të konkurojë edhe për post publik:
"Kam mësuar se kurrë nuk duhet të thuash "S'do të ndodhë kurrë".
Nuk i dihet. Nuk mund të them si do të vijë e ardhmja. Aktualisht jam i
angazhuar në mënyrë aktive në sistemin politik amerikan. Detyra e re që marr së
shpejti do të më japë mundësi edhe më të mëdha për të ndihmuar njerëzit të angazhohen
në sistemin politik amerikan".
Një detyrë e re për një aktivist dhe lobist veteran që ka lënë tashmë gjurmë në
pejsazhin politik të Uashingtonit.