Presidenti Barak Obama filloi mandatin e ri katërvjeçar me një ceremoni publike
në pjesën perëndimore të ndërtesës së Kapitolit. Ai mbajti një fjalim që u ndoq
nga disa qindra mijë njerëz që kishin mbushur lëndinën qendrore të kryeqytetit
amerikan.
Përballë Kapitolit, në prani të qindra mijë njerëzve, zoti Obama bëri betimin,
teksti i të cilit u lexua nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts.
Më pas, në fjalimin e tij të inaugurimit, Presidenti u bëri thirrje amerikanëve
të lenë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe të punojnë së bashku për të
zgjidhur problemet e vendit.
"Ne nuk mund t'i vëmë absolutizmit emër të gabuar duke e quajtur parim, nuk
mund ta zëvendësojmë politikën me spektaklin dhe as t'i trajtojmë sharjet sikur
të ishin një debat i arsyeshëm. Ne duhet të veprojmë. Duhet të veprojmë, duke e
ditur se puna jonë nuk do të jetë e përsosur."
Në fjalimin e tij, Presidenti Obama foli mbi të drejtat që sanksionon
Kushtetuta amerikane "për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë".
Por ai tha se vendi ka nevojë t'u përshtatet sfidave të reja, në mënyrë që çdo
qytetar të mund të jetojë në siguri dhe dinjitet.
"Ne, populli, ende besojmë se çdo qytetar meriton një siguri dhe një
dinjitet bazë. Ne duhet të bëjmë një zgjedhje të vështirë për të pakësuar
koston e kujdesit shëndetësor dhe për të ulur deficitin. Por ne jemi kundër
teorisë se Amerika duhet të zgjedhë mes kujdesit për brezin i cili e ndërtoi
këtë vend dhe investimit për brezin që do të ndërtojë të ardhmen e
vendit."
Zoti Obama tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se një paqe e
qëndrueshme në botë kërkon luftë të përjetshme.
"Ne, populli, ende besojmë se siguria dhe paqja e qëndrueshme nuk kërkojnë
luftë të përjetshme. Burrave dhe grave trime në uniformë, të kalitur në flakët
e betejave, nuk ua kalon kush për aftësitë dhe guximin. Qytetarët tanë, që e
kanë përherë në mendje kujtimin e atyre që kanë humbur, e dinë mirë çmimin që
është paguar për lirinë."
Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin demokracinë kudo
në botë.
"Amerika do të mbetet spiranca e aleancave të forta në çdo cep të globit;
ne do t'i përtërijmë ato institucione që rrisin aftësitë tona për të menaxhuar
krizat jashtë vendit, sepse askush nuk ka më shumë interes në një botë paqësore
se sa vendi më i fuqishëm i saj. Ne do të mbështesim demokracinë nga Azia në
Afrikë, nga Kontinenti Amerikan në Lindjen e Mesme' sepse interesat tona dhe
ndërgjegja jonë na detyrojnë të veprojmë në emër të atyre që e ëndërrojnë
lirinë."
Zyrtarisht, presidenti e bëri betimin të dielën me një ceremoni private, bazuar
mbi kërkesën e Kushtetutës që përcakton se mandatet presidenciale marrin fund
më 20 janar.
Dje, ai e përsëriti betimin publikisht, duke premtuar se "do të bëjë ç'të
mundet për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara".
Për betimin u përdorën dy Bibla historike, njëra që i përkiste
Presidentit të shekullit të 19, Abraham Lincoln dhe tjetra e udhëheqësit të të
drejtave civile, Martin Luther King, i cili u vra në vitin 1968.
Para ceremonive në Kapitol, zoti Obama mori pjesë në një shërbesë fetare.
Megjithëse numri i njerëzve që ndoqën ceremonitë e sotme ishte disa qindra
mijë, ai ishte më i vogël se sa në ceremoninë e inaugurimit të parë të zotit
Obama në janar 2009, ku mendohet se morën pjesë rreth 2 milion vetë.