E Shtunë, 05.18.2024, 06:52am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
Në kuadrin e polemikës për At Zef Pllumin
'KURBETÇIU' DHE LUFTA E KLASAVE NGA A. PLASARI
Nga ALKETA SPAHIU

E Enjte, 03.20.2014, 09:17am (GMT+1)


Kurbetçi të qofshim falë, tregona! (këngë popullore)

Na duhej të përballeshim me "lumturimin" e At Zef Pllumit nga z. Berlusconi për të parë dy gjëra sa të dhimbshme aq edhe të padrejta, domethënë: racizmin shqiptar dhe narcisizmin po aq shqiptar sa edhe të vokët.

Drejtori i Bibliotekës kombëtare shqiptare, nëpërmjet një artikulli të hartuar si prej një nxënësi gjimnazi të zellshëm të viteve '80, që do t'i pëlqejë sekretarit të partisë së rrethit për një bursë në filoqyl, etiketon shqiptarët që ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë si "kurbetçinj". Pak kohë më parë një ish-zv-kryeministër i pat etiketuar protestuesit e 21 janarit si "kokëpalarë".
Etimologjikisht, fjala kurbetçi shenjon një individ që i është dashur të ikë e të gjejë strehë në kurbet.

Atëherë kurbetçiu më i madh i kombit tonë i bie të jetë Kadare (si kërkues, dikur, i statusit të azilit politik në Francë). Por, me sa shohim, z. Aurel Plasari nuk nxitohet ta fusë edhe atë në një thes me shqiptarët e tjerë. Është ndoshta finesë diplomatike për të mos u ndërndeshur me autor të Madh!

Disa epitete klishe, si mbetje e kohëve të lashta epike, kanë pushtuar fjalorin e disa intelektualëve shqiptarë, që flasin ende si dikur, me qëllim që të mbajnë gjallë disa lidhje, sepse u duhen për komisione, mësimdhënie apo etiketa të radhës. Në të njëjtin prizëm, përdoren në shqip fjalë ofenduese nëpërmjet antonimeve të tyre.

Kurbetçia tjetër e famshme i bie të jetë e lumturuara Nënë Tereza, një ish-emigrante ekonomike që i ka dhënë: sheshit para universitetit, aeroportit dhe një dite të vitit emrin e vet të "lumturuar", me të cilin mburren "kurbetçinjtë" e tjerë, ashtu sikurse edhe me figurën Kadare.

"Kurbetçi" është edhe autori i artikullit që lexova: "Vdis vetëm për me u tradhtue". Autori Orgest Azizi nuk është as azilant politik, as emigrant ekonomik. Ai është një shqiptar me nënshtetësi franceze, baba i dy fëmijëve, master 2 në filozofi në Paris, dhe aktualisht doktorant në Universitetin Paris 8 në Francë. Publiku mund ta verifikojë kaq gjë.

Lexuesi shqiptar e njeh po ashtu shkruesin e artikullit, O. Azizi, si përkthyesin e filozofëve të rëndësishëm të shekullit të 20-të: Foucault, Agamben e Deleuze. Ai ka marrë edhe çmimin për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja në Panairin e Librit 2012, me librin e Michel Foucault, Vullneti për dije: Historia e seksualitetit 1 [(UET Press) Si është e mundur që drejtori i Bibliotekës kombëtare nuk i njeh këta autorë (dhe përkthyesin e tyre), ndërkohë që çdo ISBN paguan detyrimin prej 5 librash në BKSh?].

Racizmi brenda racës është një veti shqiptare që ka infektuar fjalorin tonë. Termat dashakeqë si "malok", "është çam", "është lab", "është jevg", "është gaxhie"... "është kurbetçi", "kokëpalarë" gëlojnë gjithë këto vite. Ca shajnë, ca bëjnë shaka. Njëra apo tjetra dallohen vetëm nëse i drejtohen njëri-tjetrit, apo vetëm Tjetrit. Kur labi i thotë labit lab, e çami çam, gajasen njerëzit. Mirëpo kur labi i drejtohet çamit ose çami labit, aty lindin problemet.
Emigrantët, azilantët politikë, studentët, d.m.th shqiptarët që vendi "la" jashtë në momentin kur ai u lirua nga një zgjedhë (që persekutoi ata që mendonin ndryshe, ose përpiqeshin të paktën) për t'iu nënshtruar një tjetre (asaj të demokracisë së paftilluar) nuk kanë pasur tjetër alternativë. Sigurisht që Sokrati piu helmin për të evituar ekzilin, por Sokrati s'pati fëmijë, prindër apo borxhe, apo ëndrra për të zbuluar botën.

Zoti A. Plasari, në emër të racizmit elitist, i lejon vetes të fyejë e të etiketojë miliona shqiptarë të diasporës, për të çorientuar lexuesin tashmë të çorientuar nga moria e informacionit që mbyt informacionin.

Nuk arrita të kuptoj ngenë e zotit Plasari për t'iu kundërpërgjigjur një "kurbetçiu të cilit s'ia vlen t'ia përmendësh as emrin"! Vërtet s'paska punë për të bërë? Por më kryesorja: Përse ai i shmang krejtësisht argumentet e artikullshkruesit O. Azizi? A mund të injorojë një intelektual ose përkthyes argumentet e një kolegu të tij? Apo thjesht sepse nuk i kupton ato? Apo sepse do të shmangë thelbin e argumenteve, drejt një përplasjeje personale të kotë? Sepse gjithë sa lexova në përgjigjen e zotit Plasari ishte një raportim narcisist e riciklues, për të treguar bëmat e Belulit. Mirëpo, "Unë, unë thotë thiu", themi ne në Veri, në veriun e At Zef Pllumit.

Sa herë në tekstin e vet Aurel Plasari përmend emrin e tij? Sa herë ripërmend ai këmbimet më kot justifikuese mes tij dhe At Zef Pllumbit, i cili dukshëm e ka respektuar?

Sakaq, nuk vura re asnjë fyerje të O. Azizit ndaj figurës së At Zefit, madje as dhe sulm personal ndaj Aurel Plasarit. Përkundrazi, në artikullin e z. Plasari nuk lexova asnjë ide, objeksion, opozitë apo interpretim lidhur me pistat konceptuale që është munduar të shtrojë O. Azizi në artikullin e fillimit. Jo vetëm kaq, por z. Plasari ka bërë çka bërë dhe prapë ka rënë në batakun biopolitik, pra të trajtimit të njerëzve nga mbiemri. Ashtu si regjimi i mëparshëm monist, edhe ai hamendet se mos artikullshkruesi (Orgest Azizi) ndihet i "mjerë" nga mbiemri (jo i famshëm) që ka trashëguar! Leksion i mjerë ky nga një drejtor postkomunist e katolik, pas 23 vitesh shoqërie të lirë!

Ne, intelektualët shqiptarë jemi shpesh konsensualë ose oportunistë. Nuk e prishim me njeri, aq më pak kur bëhet fjalë për një të mirë që na vjen nga të huajt si "bamirësia post-mortem" ndaj At Zef Pllumit. Mirëpo, intelektuali i mirëfilltë është ai që mban një qëndrim kritik ndaj akteve që ndjellin revoltë, neveri, padrejtësi. M'u duk se shkrimi i z. A. Plasari haptazi ofendon shqiptarët, duke anashkaluar argumentet thelbësore e të mirëfillta që trajton O. Azizi në artikullin e vet, me referenca filozofike, të cilat i ka sjellë edhe në shqip nëpërmjet publikimeve të tija të regjistruara edhe në Bibliotekën kombëtare.

Ndryshe nga sa mendoja, nuk hasa në debatim (qoftë edhe të nxehtë) idesh e pikëpamjesh. Por vetëm një estradë të zotit Plasari me vetë atë në majë të shkallës, duke nxjerrë kartën e At Zefit si përkujdesës, si autor i lëvdatave për figurën e Plasarit. Seria e pafund e doni-më-për-Belulin!

Atëherë më lejoni të flas edhe unë pak për Belulin, kurbetçien.

Pasi kalova 17 vitet e para të jetës në kampet e internimit të diktaturës (në Gradishtë), u largova nga Shqipëria në vitin 1990 drejt Francës. Aty kreva të gjithë arsimin e mesëm dhe të lartë, derisa përfundova gradën Doktor në letrat moderne në Universitetin e Sorbonës (edhe kjo verifikohet kollaj). U ktheva në atdhe në vitin 2006, pas thirrjes që lëshoi asokohe Kryeministri S. Berisha, për të thithur kontributin e të rinjve shqiptarë "kurbetçinj". Me gjasë u pranova si pedagoge e jashtme në departamentin e frëngjishtes në UT.

Pedagoget shqiptare dhe studentët po aq, që kishin studiuar frëngjishten në Tiranë, më përsërisnin që kisha fat e shumë ndërhyrje që më morën para ish-studenteve, që zakonisht i mbajnë në fakultet si nxënës të mirë. Sigurisht që ky diskriminim vjen nga fakti që gjuha frënge studiohet më mirë në Tiranë sesa në Francë! Duhet t'i shtoj kësaj edhe vështirësitë për të "njohur" diplomat e huaja në Shqipëri, para atyre që lëshojnë universitet private të mbira si kërpudhat pas shiut.

U ktheva në Francë pas disa muajsh, sepse nuk ia lejoja ndërgjegjes të kryeja detyrat e studenteve të mia, sigurisht kundrejt një shume të hollash "të trasha". Madje, nuk mora as rrogën që më takonte për t'u kthyer në "kurbetin" tim.

Ky diskriminim racist mes shqiptarësh vendalinj e kurbetçinj thellon hendekun e luftës së klasave të hapur gjatë diktaturës e krijon viktima të reja ose të reja-vjetra, si puna e At Zef Pllumit, që u bë shkak i kësaj polemike revoltuese. Të ish-persekutuarit janë gjithashtu kurbetçinj, d.m.th sipas kategorizimit të zotit A. Plasari (e habitshme kjo nga një humanist!), njerëz të kategorisë së dytë, të pa zë e të paemërt, që edhe pse ndodheshin brenda kufijve të vendit ishin të përdhosur e të nëpërkëmbur, njerëz që s'vlen t'ua përmendësh emrin.

Lexuesi të më ndiejë për këtë anekdotë personale. Por m'u bë e detyrueshme ta tregoja, para "fatit" të dikujt tjetër që mund të ishte i imi. Domethënë se, ne që jetojmë, studiojmë e rrobëtohemi jashtë vendit, nuk paskemi të drejtën e emrit, të imazhit, të dijes?! Dhe se ne do mbetemi kurbetçinj sa kohë që nuk jemi drejtorë apo deputetë në Tiranë? Dhe se monopolin e dijes, argumentimit e të emancipimit e paskan disa nëpërkëmbës biopolitikë, si zoti Plasari në këtë rast? A është i sigurt ai për gjithçka që tregon? A nuk mendon se ka ende njerëz që dinë se At Zefi nuk ka thënë tamam kështu? Me çfarë të drejte persekutuese zoti drejtor hedh romuze të flashkëta, vetëm se jeton e punon në një shoqëri fatkeqësisht të nëpërkëmbur?
Nëse unë do t'i tregoja zotit drejtor që gjyshi im ka qenë ndoshta më antiregjim se At Zefi i nderuar, mos vallë duhet të filloj luftën e klasave brenda vetë të persekutuarve të regjimit të mëparshëm?

Paris, mars 2014

ALKETA SPAHIU


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Në kuadrin e polemikës për At Zef PlluminLILIPUTË KAMIKAZË KUNDËR FRANÇESKANIT TË MADHNga AGRON GJEKMARKAJ (03.20.2014)
'VDIS VETËM PËR ME U TRADHTUE', OSE ZEF PLLUMI NË LAMPEDUZANga ORGEST AZIZI (03.20.2014)
KULTURA E THASHETHEMIT KUNDËR AT ZEF PLLUMITNga AUREL PLASARI (03.20.2014)
Do të vazhdojmë ta kultivojmë frymën atdhetare dhe kombi shqiptar do të jetë frymëzim edhe për brezat e ardhshëmU KREMTUA GJASHTËVJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË HEILBRONN TË GJERMANISË (03.20.2014)
SKAMANDËRI, PRINCI DARDAN - MBRETI I KAONISË DHE I SHQIPËRISË SË POSHTMEStudim nga ARTUR VREKAJ (03.20.2014)
Pse PD? Pse tani?NGA PARTI KLIENTELISTE PD TË SHNDËRROHET NË PARTI TË MADHE, MODERNE DHE PARIMORENga MESILA DODA, deputete e Partisë Demokratike (03.19.2014)
NË NJU JORK U KUJTUA MIT'HAT FRASHËRI - GJENIU I KOMBIT (03.19.2014)
MAGJIKJA ERMONELA JAHO ME MANON NË COVENT GARDEN NË NJË SHFAQJE MAGJIKENga ENO KOÇO (03.19.2014)
KUJTIMET E ISH TË BURGOSURËS POLITIKE RITA SAMI KOÇI - JETA NË NJË QELI ME MUSINE KOKALARINBotohet në 7 vjetorin e ndarjes së Rita Sami Koçi-Koka nga jeta (03.19.2014)
RRUGA JETESORE I NJE KRYEKOMUNARI…    - Intervistë me kryetarin e Komunës Margegaj REXH BYBERAJ –Nga LULZIM LOGU (03.18.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]