E Premte, 05.10.2024, 12:57pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
SHTËPI BOTUESE vs. SABOTUESE
(Letër e hapur për znj. Irena Toçi, presidente e sh.b. “Toena”)
Nga AGRON TUFA

E Hënë, 04.07.2014, 08:17am (GMT+1)


E nderuara znj. Toçi,

Shkas për t'ju shkruar këtë letër publike u bë një e-mail nga Presidenti i Shqatës së Botuesve shqiptarë, z. Petrit Ymeri, me anën e të cilit vinte në dijeni për shpalljen e një Konkursi letrar me titull "Çmimi i Europës" dhe se veprat për konkurim duheshin paraqitur deri me 31 mars të këtij viti. Duke lexuar informacionin mbi llojin e konkursit, kriteret, afatet dhe rregullat e tij, e gjeta veten ndër ata shkrimtarë që u përgjigjen plotësisht kërkesave. Kështu, pa farë mëdyshje, zonjë e nderuar, e ndava mendjen t'ju bashkangjitem dhe unë në këtë konkurrim "sivëllezërve të mi të penës", meqë, ngado që ta kthesh, unë shkrimtar shqiptar jam, madje edhe sikur të banoja, fjala vjen, në Kepin e Shpresës së Mirë. Vendosa pra (jo pa ndërdyshje), pa i paragjykuar aspak kriteret e Konkursit, e aq më pak (ruajna Zot!) anëtarët e Jurisë, të marr pjesë...
Mirëpo, zonjë e nderuar, një fjalë goje kjo "vendosa"! Sepse, e nderuar zonjë, këtu fillon pjesa më e vështirë, që mandej, pak e fije, fillon të mpikset e të bëhet tërësisht absurde. Së pari, për të qenë brenda udhëzimeve të konkursit më duhej të zgjidhja njërin nga dy romanet e mi të fundit, të botuar pesë vjet më parë, fatkeqësisht, tek ju. Atëherë, e nderuar zonjë, iu drejtova, ndonëse shpresëpakë, bibliotekës sime të madhe. Ajme! Në bibliotekën time mund të gjesh gjithfarë titujsh, që janë bibliografi e rrallë, autorë të vjetër, të harruar apo gjysmë të harruar, por jo librat e mi. Ato pesë kopje që na jepen nga botuesit ne shkrimtarët i dhurojmë brenda ditës. Mandej blejmë vetë një dyzinë tjetër për t'ua nisur miqve apo të ngjajshmëve tanë brenda apo jashtë Shqipërisë. Falë tregut tonë të botimeve autorët shqiptarë ka kohë që mesvedit, në vend të katëvizitave shkëmbejnë librat e tyre, të cilët, harroje se i gjen nëpër librari... Meqë jemi në këtë pjesë, më lejoni, zonjë e nderuar, të sprapsem nja 5 vjet më parë, kur vetë dola nëpër libraritë e Tiranës të blej disa kopje të librave të mi të sapobotuar prej jush, sigurisht, për t'ua postuar dy-tre miqve të mi nëpër Euroamerikë.

Kështu, zonjë e nderuar, i mora libraritë me radhë, por gjithkund, gjithkund dola duarthatë. Me revoltonte fakti, se në të gjitha libraritë gjendeshin të gjithë ato tituj të kolegëve të mi, që kishin botuar tek ju, njëkohësisht me mua, por të mitë jo! Si ishte e mundur? Rastësi apo ligjësi? Nuk kishte kaluar as një muaj pas Panairit, e në këtë Panair Kombëtar të Librit, e nderuar zonjë, pata një nga ndjesitë (të vetmen) e këndshme, kur ju patët mirësinë të më caktonit plot një orë në stendën e "Toenës", duke më trajtuar thuajse barabar me autorët e tjerë. E mbaj mend mirë atë orë autografesh, sepse i kërkova njërës prej zonjushave shitëse (një ish-studentja ime), të më mbante shënim sa ekzemplarë do të firmosja gjatë shitjes përgjatë asaj ore. Dhe si ta harroj faktin e gëzueshëm kur në përfundim të orës sime, doli se, gjithësej, ishin shitur 196 romane "Tenxherja" dhe 183 "Mërkuna e zezë"! Sepse duke pranuar ofertën e botimit, nisur dhe nga prestigji i shpërndarjes së librit prej jush si sh.b, shpresova të krijoja një përfytyrim sasior mbi auditorin hipotetik që më lexon. Por ajme, znj. Irenë! Në ditët që pasuan pas Panairit, pas disa ekspeditave kërkimore nëpër libraritë e Kryeqytetit, vërtetova se vetëm librat e mi nuk kishin shkuar. Pse ky përjashtim? Kur pashë se as pas dy muajsh gjendja s'po ndryshonte, nëse e mbani mend, ju mora në telefon ju dhe bashkëshortin tuaj të nderuar. E kemi pirë kafen në hotel "Mondial". Më qetësuat, se do t'i shpërndanit.

Në fillim të shkurtit 2010 juria e çmimeve letrare kombëtare me nderoi me "Çmimin e Madh" të karierës. Rrjedhimisht ato ditë isha në qendër të lajmeve kulturore dhe ishte rasti më i mirë për një komunikim të fuqishëm me lexuesin, për sa librat e botuar prej jush do t'i përgjigjeshin këtij rasti. Nuk mund t'i harroj e-mailet dhe telefonatat e lexuesve, që vinin nga rrethet në Tiranë me pyetjet e  njëllojta: "Ku mund t'i gjejmë dy romanet tuaja? Nëpër librari nuk ka!" Çfarë t'u thoja znj. Irenë? Ju telefonova prapë, por ma pretë: "Librat i kemi shpërndarë!" Këtij versioni të pavërtetë iu përmbajtët edhe në vijim, edhe kur në debatet televizive ua kam thënë në sy. Që të jem deri në fund i drejtë, ju librat e mi i keni nxjerrë, gjithësej dy-tre herë vetëm e vetëm në librari "Adrion" dhe pastaj, i nxirrni në tezgën e përvitshme, vetëm me rastin e Panaireve Kombëtare të Librit, sa për të ekspozuar gjeografinë e autorëve dhe titujve. Gjithësej, ata tre tre shpërndarëstë vetëm të librit, ku i çojnë botimet e tyre të gjitha shtëpitë botuese, gjenden, për fat, në lagjen time. Kam pasë lehtësinë të kërkoj vazhdimisht për librat e mi në magazinat e tyre, por asnjëherë nuk i kam gjetur. Të gjitha këto dhe të tjera, të pamundura për t'i përfshirë në këtë epistolë, m'u kujtuan sërishmi, zonjë e nderuar, edhe dje, kur pas një kërkimi të gjatë nëpër libraritë e kryqytetit dola sërish duarthatë;  dhe prapë, e njëjta pyetje e revoltuar mbetet ende pa përgjigje, ndonëse kanë kaluar pesë vite: - përse vetëm librat e mi nuk i nxorrët në treg? Përse e përdorët këtë pabesi ndaj autorit? Çfarë interesi kishit? Sepse po të ishte e njëjta mënyrë veprimi edhe për autorët e tjerë, që kanë botuar njëkohshëm me mua tek ju, mbase nuk do ta ngrija këtë pyetje? Pra, edhe njëherë, përse librat e autorëve të tjerë gjenden kudo dhe vetëm librat e mi jo? Pse gjenden titujt e Diana Çulit, Ben Blushit, Ylljet Aliçkës, Bashkim Shehut, Flutura Açkës, Fatos Kongolit, Besnik Mustafait etj, etj, dhe vetëm dy romanet e mi, tek pullë, mungojnë? Nëse do të ishin shitur, atëherë ju do të më kishit kaluar përqindjen sipas detyrimeve të kontratës dhe nuk do të vazhdonit t'i nxirrnit në shitje çdo një herë në vit në çdo Panair. Pas kësaj pabesie ju kam parë të flisni në promovime (sepse ju keni dhe një "Institut të promovimit të librave"!), apo nëpër studio për "misionin" tuaj të botimeve. Por përvoja ime reale me ju thotë: "Jo, ju nuk jeni shtëpi botuese, por Sabotuese!". Ju arritët ta hidhni në erë urën natyrale që duhet të lidhë autorin me lexuesin e tij.

Nëse fati i botimeve tona shkon kështu (dhe nuk jam shkrimtari i vetëm me këtë përvojë zhgënjyese, dhe jo vetëm me ju), atëherë, më thoni zonjë, çfarë ndryshimi ka nëse e botojmë veprën apo vazhdojmë ta mbajmë në hard-diskun e kompjuterit tonë? Nga kjo mënyrë sjellje me librat tanë, merret me mend lehtë se çfarë rregjimi i pëshhtirë është vendosur midis kastës së botuesve dhe shkrimtarëve, që duan të kenë personalitetin e tyre dhe të drejtën e tyre natyrale të ekzistencës në vendin dhe gjuhën e tyre.
Por për fat të mirë, zonjë e nderuar, ekzistojnë përjashtime. Të rralla, natyrisht. Të atilla, që përforcojnë rregullin. Dhe unë, e nderuar zonjë, do t'ju sjell një shembull, shembullin e antimodelit tuaj, meqë ka të bëjë me njërin nga titutjt e mi, të sabotuar me aq sukses prej jush. Me 24 dhjetor të vitit 2010, romani im "Tenxherja" që ndodhej prej një viti i sabotuar prej jush, u nderua si romani më i mirë i vitit në letërsinë shqipe, me çmimin letrar vjetor "Rexhai Surroi", që jepet në Kosovë. Enti botues "Koha" që e jep këtë çmim, parashikon që librat fitues botohen. Kështu në shkurt të vitit 2011, romani u botua me lidhje speciale hardcover në 1000 kopje. Ka qenë surprizë ngushëlluese për mua, zonjë e nderuar, kur në shtator të atij viti, menaxherja e entit botues, znj. Flaka Surroi, më dërgonte një email me lajmërimin, se "...1000 ekzemplarët e romanit tuaj "Tenxherja", janë shitur, sikundër keni rastin ta shihni në grafikun bashkangjitur. Prandaj, lutemi të na dërgoni nr. të llogarisë suaj bankare për t'ju shlyer përqindjen që ju detyrohemi sipas kontratës". Dhe në grafik, znj. Irenë, ishin të shënuara të gjithë emrat e librarive, kioskave të gazetave e njësive tregëtare ku ishte shpërndarë libri, konform likuidimeve.
U gëzova pa masë znj. Irenë! Sigurisht, jo aq për përqindjen time të autorit, por për korrektesën e panjohur më parë të një botuesi me autorin e vet. U gëzova për përmbysjen rrënjësore të përfytyrimit që keni mbjellë ju me disa botue, se gjoja autorët shqiptarë "nuk shiten". Po ja pra, që shiten! Dhe ku? Në Kosovë! 1000 kopje të një romani, që ju nuk e nxorrët në treg përgjatë pesë viteve. Të një romani, i cili nuk shfrytëzon asnjë truk, intrigë apo artificë për të përfshirë në fushatë publicitare koniukturat multimediale për "adrenalinë" tregu. Po më tepër, zonjë e nderuar, u gëzova, se ekzistuaka antimodeli juaj, e kundërta e rregjimit të botimeve tuaja.
Tani, e nderuar zonja Irenë, i rikthehemi çështjes që parashtrova në fillim, para këtij digresioni, ndoshta të gjatë, por të detyrueshëm. Si përfundim, dje gjithë ditën kam kërkuar një nga dy romanet e mia nëpër libraritë e Tiranës. Meqë asgjë të re nën hënë nuk zbulova dhe gjithkund, po njëlloj, si para 5 vitesh, gjendeshin librat e kolegëve të mi, që kanë botuar njëkohshëm me mua, por jotë mitë, po ju parashtroj publikisht një kërkesë modeste, të parashikuar dhe në kontratën e botimit: ju lutem, zonjë, kërkoni në bodrumet tuaja, në ndofarë magazine, shtypshkronje apo depoje, mos ndoshta ju gjendet nga një kopje e dy romaneve të mia "Tenxherja" dhe "Mërkuna e zezë", meqë librarive s'i gjeta... Dhe, nëse keni mirësinë, e përsa zyrat tuaja gjenden përbri me të Presidentit të Shoqatës së Botuesve, bëjeni aq mund, ju lutem, dërgojani z. Ymeri, me shënimin "për konkursin", ashtu siç udhëzon Kontrata... Për ndryshe, zonjë, Juria është në ankth të madh, sepse ka marrë vesh që jam gjallë, por dhe për faktin, zonjë, se nuk kam aspak dëshirë me u nda për së gjalli me sivëllezërit e mi konkurues...

Me respekt
Agron Tufa, autor i sabotuar prej jush.


AGRON TUFA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PERSIATJE MIGJENIANEEsé nga MOIKOM ZEQO (04.06.2014)
KOZETA ZAVALANI - ME VEPRIMTARI E BOTIME, SI NJË FUSHË ME LULE SHUMËNGJYRËSHE…Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë (04.06.2014)
RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONITNga ELIDA BUÇPAPAJ (04.05.2014)
BOTË NË MINIATURËCikël i ri poetik nga QAZIM SHEHU (04.05.2014)
SHQETËSIM dhe ÇARTJE Nga FASLLI HALITI (04.04.2014)
TË KISHA CA DJEM SI PËLLUMB GORICA"Sulova e Poshtme në shekuj!"Esé nga PËRPARIM HYSI (04.04.2014)
VËSHTRIM NDRYSHE 'MILOSAOS' SË DE RADËSNga MOIKOM ZEQO (04.04.2014)
DËSHMOJ (unë, hija dhe vuajtja)Kujtime nga VIKTOR MARTINI (IX) (04.03.2014)
GJENIU  I  MASËS - POEZI NGA CHARLES BUKOWSKIPërktheu: FASLLI HALITI (04.02.2014)
NUK I VRASIN AS MILINGONAT dhe NJË HUTIN I ZI NATENga ADEM ZAPLLUZHA, dy tregime poetike nga libri “Fjetëm njëqind shekuj” (04.02.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]