DORËZOHET NË KUVEND VENDIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
E Mërkurë, 03.30.2011, 02:59pm (GMT+1)
Prishtinë, 30.03.2011 (15.00) Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e vlerëson si të pranueshme ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, duke vlerësuar kështu se vendimi për zgjedhjen e tij ka qenë jo-kushtetues është dërguar në Kuvendin e Kosovës. Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se një kopje e këtij vendimi i është dorëzuar Sekretarisë së Kuvendit, Presidencës dhe Grupit Parlamentar të LDK-së. Ndryshe, presidenti Pacolli ka thënë për mediat se do ta respektojë në përpikëri vendimin Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu edhe kryeministri Hashim Thaçi të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se ekzekutivi i vendit do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të sillet konform këtij vendimi. Thaçi ofroi garanci se shumë shpejt do të dilet me një zgjidhe për këtë çështje, ndërsa tha se pavarësisht situatës së krijuar politike koalicioni vazhdon punën normalisht. /Telegrafi/
(http://www.rtv21.tv)
www.voal-online.ch
|