E Martë, 05.26.2020, 03:46am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

VACLAV HAVEL: HEROI I LIRISË

"E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet’’ --Vaclav Havel

Nga FRANK SHKRELI 


E Enjte, 12.22.2011, 07:57am (GMT+1)

Më kujtohet ajo ditë sikur të ishte dje. Kishte rënë Muri i Berlinit. Ishte viti 1990. Vaclav Havel, udhëheqësi moral i Çekosllovakisë, që kryesonte qeverinë e parë të lirë ç’prej vitit 1948 po vizitonte Uashingtonin, si udhëheqës i ri i atij vendi. Kishte takime të nivelit të lartë, ndër të tjera, në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres. Por nja një javë para se të fillonte vizitën e tij zyrtare në Uashington, Shërbimi Sekret i Amerikës, përgjegjës për sigurimin e udhëheqësve të huaj gjatë qëndrimit të tyre në Amerikë, lajmëron Zërin e Amerikës se udhëheqësi i ri i Çekosllovakisë, Vaclav Havel dëshiron të vizitojë shërbimin çekosllovak të Zërit të Amerikës. Ky lajm shkaktoi një entuziazëm të paparë deri atëherë në radhët e gazetarëve çekosllovakë por edhe ne të tjerëve, pasi tani më në fund, në mesin tonë ishte Vaclav Havel – disidenti i famshëm anti-komunist, përkrahësi i të drejtave të njeriut dhe dramaturgu për të cilin kishim folur aq shumë në programet e Zerit të Amerikës, gjatë viteve më parë. Komunizmi kishte rënë me të vërtetë -- Vaclav Havel ishte në Uashington, për më tepër, po vizitonte Zërin e Amerikës. Dukej si një ëndërr. Diçka themelore dhe e papritur kishte ndryshuar në botë.

Pas takimit me Presidentin Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë, ku i kishte folur atij mbi rolin e rëndësishëm që transmetimet e Zërit të Amerikës kishin luajtur për ata që luftonin për liri nga kthetrat e komunizmit anembanë Evropës Lindore, Zoti Havel ishte nisur për në një vizitë personale për në zyrat e Zërit të Amerikës. Me të ardhur në ndërtesën e Zërit të Amerikës, Zoti Havel u përshëndet me drejtorin e përgjithshëm Karlson dhe me zyrtarë të tjerë, por mezi priste të takohej me stafin çekosllovak, ku isha i pranishëm edhe unë, si këshilltar i programeve drejtuar Evropës Lindore. Ai na habiti të gjithëve kur filloi të thërriste emrat e folësve dhe të gazetarëve çekosllovakë të cilët i kishte dëgjuar rregullisht nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës, e të cilët në programet e tyre kishin lexuar pjesë nga veprat e tij të ndaluara. Megjithëse nuk njiheshin me njëri tjetërin, ky takim i Zotit Havel me stafin çekosllovak të Zërit të Amerikës u kthye në një takim tepër emocional për të gjithë. Natyrisht, si disident kundër regjimit komunist, regjim të cilin e pat cilësuar si ''absurdistan'', ai besonte dhe ishte mbi të gjitha kampion i lirisë së fjalës dhe të shtypit si edhe i rolit të rëndësishëm që media duhet të luajë në një shoqëri demokratike. Pasi kishte qenë dëgjues i rregullt i Zërit të Amerikës gjatë luftës së ftohtë, ai ishte njëri prej përkrahësve më të zellshëm të transmetimeve ndërkombëtare, sidomos atyre amerikane. Duke iu drejtuar stafit të Zërit të Amerikës gjatë asaj vizite më 1990, Zoti Havel tha: ''Ju të Zërit të Amerikës na keni informuar të vërtetën, jo vetëm mbi ngjarjet anembanë botës, por edhe mbi ato që po ndodhnin në vendin tonë -- dhe në këtë mënyrë ju keni ndihmuar në realizimin e revolucionit anti-komunist paqësor për të cilin kemi pritur aq shumë kohë.’’

Zoti Havel vizitoi Uashingtonin pasi disa muaj më parë, në Nëntor të vitit 1989, para një turme prej më shumë se 300 000 vetash kishte deklaruar në sheshin Vençeslav të Pragës se, ''Ne dëshirojmë të jetojmë në një Çekosllovaki të lirë, demokratike dhe të begatë. Ne duam të kthehemi në Evropë dhe ne nuk do të heqim kurrë dorë nga këto ideale, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhëshme.'' Fatbardhësisht asgjë e keqe nuk ndodhi. Vaclav Havel, nga fundi i atij viti, u zgjodh president i vendit dhe komunizmi ra anembanë Evropës Lindore.

Vaclav Havel nuk është më. Ai ndërroi jetë të Djelën që kaloi dhe do të varroset këtë të premte, një humbje e madhe kjo për popullin çek, por është një humbje edhe për të gjithë Evropën dhe për botën, pasi ai ishte zëri i ndëgjegjes dhe mbështetës i fortë i të drejtave të njeriut kudo në botë. Kohët e fundit ai fliste vazhdimisht në favor të të drejtave të njeriut në Rusi, duke u përpjekur të frymëzonte opozitën ruse kundër gënjeshtrave të Vladimir Putinit, dhe ka përkrahur disidentët anti-komunistë në Kinë e Kubë, e bile pak para se të ndërronte jetë ai u dërgoi një mesazh mbështetës kritikëve të burgosur të regjimit të presidentit të Bjellorusisë Llukashenko, duke i informuar ata se ai do të vazhdonte të fliste duke ia bërë të ditur botës vuajtjet e tyre si edhe shkeljet e të drejtave bazë të njeriut në Bjellorusi nga regjimi i Llukashenkos.

Vaclav Havel kishte gjithashtu dijeni të plotë edhe për vuajtjet e shqiptarëve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe aktivisht luftoi politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë, duke mbështetur sulmet ajrore të NATO-s për çlirimin e Kosovës. ''Edhe më parë kam mbrojtë qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit'', ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminel të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

Kohët e fundit, Vaclav Havel nderoi të gjithë shqiptarët me ftesën që i bëri Presidentes së Kosovës, Zonjës Jahjaga, për të marrë pjesë në punimet e konferencës vjetore prestigjoze ndërkombëtare të Pragës -- Forumi 2000-- megjithë kundërshtimet nga Serbia. Vaclav Havel, si disident anti-komunist mbrojtës parimor i të drejtave të njeriut dhe më vonë si president dhe figurë e ndërgjegjës ndërkombëtare, ishte gjithmonë pranë të gjithë atyre -- përfshirë edhe shqiptarët-- që me dekada vuajtën nën regjimet diktatoriale, duke shërbyer si zë i ndërgjegjes morale për botën. Prandaj edhe shqiptarët humbën një përkrahës të fortë të drejtave dhe lirive të tyre. Bota është me e varfër moralisht me vdekjen e Vaclav Havel-it.

Reagimet ishin të shpejta nga e gjithë bota pë këtë humbje të rëndë, për njeriun i cili nuk kishte frikë nga asnjë njeri a regjim totalitar. Lech Walesa, disidenti anti-komunist polak tha se ka vdekur "një luftar i madh për lirinë dhe demokracinë e kombeve’’. Presidenti amerikan Barak Obama tha se "Qëndresa e tij paqësore tronditi themelet e një perandorie, ekspozoi boshllëkun e një ideologjie shtypëse dhe provoi se udhëheqja morale është më e fortë se çdo armë tjetër.’’ Presidenti Xhorxh W. Bush tha se "Akti më subversiv i dramaturgut nga Praga ishte se ai fliste të vërtetën mbi tiraninë komuniste… dhe kur më në fund triumfoi e vërteta, populli i tij e zgjodhi këtë njeri dinjitoz dhe të vendosur, që nuk kishte frikë nga askush, që ta udhëhiqte.’’ Shoqja e ish-presidentit Ronald Reagan, Zonja Nenci Reagan në deklaratën e saj mbi vdekjen e të ndjerit Havel, tha se: "Vaclav Havel besonte në lirinë dhe kishte kurajon të fliste haptas mbi të këqijat dhe krimet e komunizmit. Ai do të mbahet mend si hero i popullit të Republikës Çeke por edhe i liridashësve anembanë botës.’’

Meritat e Vaclav Havel-it janë të shumta, por çfarë e bënte atë të jashtzakonshëm? Kësaj pyetjeje i përgjigjet Jiri Pehe, ish-këshilltar i të ndjerit Havel. Ai thotë se përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është e thjeshtë: dinjiteti dhe sjelljet e tij të njerëzishme, si edhe qëndrimet e tij parimore. Zoti Pehe thotë se Vaclav Havel, "Nuk e luftoi komunizmin sepse kishte ndonjë agjendë të fshehtë personale, por vetëm e vetëm sepse, sipas tij, komunizmi ishte një sistem jo i denjë dhe i pa-moralshëm. Kur ai, si president, mbështeti bombardimin e Serbisë më 1999 ose invadimin e Irakut më 2003, ai nuk fliste për objektiva gjeopolitike ose strategjike, por theksonte nevojën për të ndaluar abuzimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nga diktatorë brutal.’’

Bota është më e mirë për jetën dhe kontributin e Vaclav Havelit ndaj mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe mbështetjes së tij për lirinë e çdo individi dhe për demokracinë në çdo vend. Trashëgimia e tij do të përjetësohet nga shembulli dhe vendosmëria e tij për të punuar për mirën e përbashkët të njerëzimit, i cili nepërmjet revolucionit moral i tregoi njerëzimit fuqinë e popullit për të ndryshuar botën.

--

Duke folur para 300 000 vetëve në Pragë, Nëntor 1989

Vaclav Havel me këmish me mbishkrim Live Free or Die

FRANK SHKRELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BAROMETRI DIPLOMATIKVERIU I KOSOVËS NUK ËSHTË "TERRA NULLIUS"!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (12.22.2011)
KA ARDHUR KOHA E RADIKALIZIMIT TË ÇËSHTJES SHQIPTARE NË MAL TË ZINga XHELADIN ZENELI, ish deputet në parlamentin e Malit të Zi (12.21.2011)
EDHE UNË JAM SHQIPTARNga VACLAV HAVEL (12.20.2011)
VACLAV HAVEL, PRESIDENTI PARIMORNga MADELEINE ALBRIGHT, Washington Post (12.20.2011)
VOTA E EMIGRANTËVE SHQIPTARË - E PAMERITUARNga ARTUR VREKAJ (12.18.2011)
KUJDES NGA "NDIHMAT HUMANITARE" RUSENga FRANK SHKRELI (12.18.2011)
OPORTUNIZMI I INTELEKTUALËVE DHE POLITIKANga XHELAL ZEJNELI (12.18.2011)
LËVIZJA E DHJETORIT ME MANIPULATORË DHE PLOT KONTRAVERSITETPluralizmi qe solli Dhjetori 1990, data më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisëNga ELIDA BUÇPAPAJ (12.15.2011)
KA DOKUMENTUAR RACIZMIN ANTISHQIPTAR NË MAL TË ZI DHE SHTYPJEN E SHQIPTARËVEFjala në promovimin e librit të Xheladin Zenelit "Diaspora dhe Vendlindja"Nga SHIRLEY CLOYES DIOGUARDI (12.15.2011)
BAROMETRI DIPLOMATIKMAQEDONIA BRUTALISHT PO I SHKEL TË DREJTAT DHE LIRITË E SHQIPTARËVE!Nga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (12.14.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2020  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]