VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - AZEM HAJDARI, HEROI I DEMOKRACISËNga Ramiz Lushaj

                                                                                      

E Djelë, 05.19.2024, 07:43pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 

AZEM HAJDARI, HEROI I DEMOKRACISË

Nga Ramiz Lushaj


E Djelë, 09.13.2009, 02:59pm (GMT+1)

 

 

1.

 

Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në këtë trevë me tradita atdhetare, në skajin më verilindor të Shqipërisë, në këtë vend alpin me bukuri të rralla edhe në globin tokësor, që përshkohet nga lumi i kaltër i Valbonës, me luginën e tij të mrekullueshme.

 

Prindërit e tij ishin njerëz të thjeshtë: babai, Shpend Hajdari, nëna, Azize Rexha, gjatë gjithë kohës kanë punuar e dolën në pension si punëtorë, që i donte aq shumë saqë nuk ka ndodhur ndonjëherë të dilte nga shtëpia pa i përqafuar dhe marrë bekimin e tyre dhe snjëherë nuk i ndau nga vetja. Prej tyre trashëgoi bujarinë dhe respektin për njerëzit. Përpara se të vazhdonte studimet universitare në Tiranë, jetoi sëbashku me familjen e tij në një shtëpi dy katëshe në vendlindje, bujarinë e se cilës  e kanë ndjerë të gjithë politikanët shqiptarë dhe miqtë e shumtë të tij.

 

Familja e Azem Hajdarit dhe e dajëve të tij, ndër breza, kanë dhënë kontribute në luftërat kundër otomanëve, serbëve e malazezëve, për lirinë e pavarësinë e Trojeve Etnike Shqiptare, si në Tropojë, Plavë e Guci, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Durrës etj., duke i dhënë Kombit disa dëshmorë.

 

Në fëmijërinë e rininë e tij të hershme u formua me Eposin e Kreshnikëve, me legjendat e Mujit e Halilit dhe Gjergj Elez Alisë, të lindura në këto bjeshkë, u frymëzua nga akti heroik i Mic Sokolit, që i vuri gjoksin topit, nga zgjuarsia e Haxhi Zekës, themelues i Lidhjes Shqiptare të Pejës, nga urtësia dhe mendja e hollë e Binak Alisë dhe nga gjithë  historia legjendare e kombit shqiptar.

 

Herët, në moshë fare të re Azemi shfaqet si një fëmijë rebel, kërkonte të bënte gjëra që për të tjerët dukeshin të paarritshme, për të cilat fliste natyrshëm dhe të habiste vendosmëria e tij kur thoshte: "Unë do ta bëj". Sjellja e tij, që në moshë fëmninore, jo rrallë binte në kundërshtim me rregullat dhe moralin e kohës e kjo i sillte nganjëherë probleme, pasi në një rast kur ishte vetëm 13 vjeç u propozua nga fronti i lagjes të internohej. Disidenca e tij  thellohet edhe më shumë në vitin 1980, kur përjashtohet nga shkolla profesionale komunale në Tiranë, ku një ndër shkaqet ishte edhe njohja me Fatmirën, e cila studionte në të njëjtën shkollë. Pas kësaj, kthehet në Tropojë dhe vazhdon me të njëjtën ecuri disidencën e vet, duke u vënë disa herë në shënjestër të komiteteve të rinisë të asaj kohe, me fletë-rrufe të vazhdueshme ndaj tij. Aftësia dhe profesionalizmi i Azem Hajdarit, zgjuarsia natyrore e tij, e shpëtuan nga shumë gracka që shpesh organizoi Sigurimi i Shtetit ndaj tij.

 

Shkollën 8-vjeçare dhe atë të mesme të përgjithshme (gjimnaz) i kreu në vendlindje me rezultate të larta. Më 1987, pas një shkëputjeje, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike) në degën për filozofi.  Vet punonte galanterist në NRSHK të qytetit të lindjes, biles edhe gjatë pushimeve verore, kur ishte student në Tiranë. Ai u arsimua e edukua në qytetin e lindjes, deri sa përfundoi shkollën e mesme, në një qytet të vogël të një rrethi arsimdashës, i cili, në vitet `90 kishte 37 profesorë e doktorë shkencash të fushave të ndryshme, që nga Prof. Dr. Sali Berisha e të tjerë, që kishin bërë emër në jetën shkencore e kulturore të vendit. Këtë traditë të bukur të arsimdashjes tropojanët e ruajnë sot kudo që janë, në Shqipëri e në Botë, duke shkuar deri në institucionet më të njohura në Botë, si Universiteti i Harvardit etj. Ndaj nuk ishte rastësi që, në dhjetor të vitit 1990, në "Zërin e Amerikës", radion më të dëgjuar të Botës, dy gazetarët e mirënjohur disidentë, me origjinë nga Tropoja, Dr.Elez Biberaj dhe Idriz Lamaj, jepnin me entuziazëm lajmin e madh se në Shqipëri, në krye të protestave antikomuniste ishte një djalë nga Tropoja, studenti i filozofisë, Azem Hajdari. Azem Hajdari ishte një sintezë e zgjuarsisë, trimërisë dhe atdhedashurisë së njerëzve të kësaj treve.

Gjatë kohës kur ishte student, ata që e kanë njohur Azemin i dinë mirë shprehjet dhe veprimet e tij. Gjatë pushimeve verore, kur kthehej në qytetin e lindjes, ato që shprehte e bënte me shokët e vet, ishin bërë shqetësim i natyrshëm i familjes, që jetonte me ankthin e arrestimit të tij.

 

Në Dhjetorin e vitit 1990, Azem Hajdari, u vu në krye të protestave të studentëve dhe u bë lideri i natyrshëm i tyre në moshën 28-vjeçare. Ai ishte aq i vendosur në rrugën e tij pa kthim për rrëzimin e atij sistemi sa u tha studentëve: "Unë jam Azem Hajdari. Kam 2 fëmijë, Kirardin dhe Rudinën, por unë do të jem i pari që nuk do ta kursej jetën time për të përmbysur këtë sistem. Mesazhi ynë nuk është të luftojmë njëri-tjetrin por të ndryshojmë Shqipërinë, ta bëjmë atë si gjithë Evropa". Dhe kjo u bë moto e gjithë Lëvizjes Studentore.

 

Azem Hajdari ka dy motra dhe katër vëllezër. I martuar me Fatmirën, me tre fëmijë, Kirardi, Rudina dhe Azemi i vogël, i  lindur dy muaj pas vdekjes së tij tragjike e heroike.

 

2.

 

Familja e Azem Hajdarit ishte besimtare. Nëna  e tij, Azize Rexha, besonte aq shumë sa që nuk ka ndodhur ndonjëherë të binte në gjumë pa bërë lutjet përballë Vendit të Shenjtë në malin e Shkëlzenit të Gashit.

 

Azemi ishte një pasues i denjë i besimit të familjes së tij të cilin e zhvilloi më tej individualisht duke e përsosur dhe duke ndërtuar vepra religjoze. Pasi u njoh me Dervishin e Luzhës, klerikun, bamirësin dhe atdhetarin e madh, Azemi u bë adhuruesi më i madh i tij, nga i cili mori frymëzimin, besimin, shpresën për të ardhmen. Lidhjet e tij me këtë Njeri të madh të Zotit u forcuan sa që një ditë prej ditësh Ai mori bekimin e Tij duke i thënë: "Ti djalë do të fluturosh". Nëpërmjet këtij kleriku Azemi mësoi të dojë të gjithë njerëzit që duan Zotin, pasi vet Dervishi i shihte njerëzit si të njëjtë dhe një pjesë të madhe të kohës e kalonte tek shtëpitë e katolikëve.

 

Tashmë të gjithë e dinë që pas plagosjes së Azem Hajdarit në Kuvend, në portofolin e tij u gjet fotografia e Dervishit të Luzhës dhe pak dhè e gurë nga Kisha e Laçit. Siç e shohin sot njerëzit kur vizitojnë shtëpinë e Azem Hajdarit, në bibliotekën e tij të madhe shohin në qendër Kuranin dhe Biblën dhe bashkë me to, bustin e Shenjtorit të Tij, Dervishit të Luzhës.

 

Në shenjë mirënjohjeje ndaj këtij Shenjtori, ndaj veprës së Tij, i cili mbajti shpresën e besimit tek Zoti gjithë tropojanëve dhe atyre që e njohën deri më 1985, kur ndërroi jetë, Azem Hajdari i ndërtoi Tyrben në fshatin Luzhë, i cili është objekti i parë fetar në Shqipëri, i përuruar më 28 shkurt, një muaj para fitores së 22 marsit 1992 dhe siç tha Azem Hajdari në fjalimin e tij: "Në këtë ditë, nga ky vend i shenjtë, marrim bekimin për fitoren e Demokracisë... Ky Njeri i madh i Zotit i respektonte e ndihmonte të gjithë njerëzit, pavarësisht nga besimi i tyre, duke dhënë mesazhin e bashkëjetesës fetare...". Po në këtë eveniment, ku merrnin pjesë pothuaj të gjithë politikanët e djathtë dhe intelektualë të shquar, Azem Hajdari, nëpërmjet njërës prej familjeve më të përndjekura dhe të dënuar me pushkatim, Skënder Halucit, dha mesazhin e pajtimit kombëtar, që ne jemi kundër regjimit dhe jo kundër njerëzve.

 

Azem Hajdari e kishte shpirtin e madh. Ai besonte shumë tek Zoti. Tek Ai nuk kishte vend urrejtja. Edhe kur njerëzit e tepronin ndaj tij i falte, duke iu mundësuar njerëzve ta kuptojnë vetveten. Zemra e Azem Hajdarit jepte vetëm dashuri e përkushtim për njerëzit.

 

Azem Hajdari ishte njeri që nuk vuante nga deliri i madhështisë apo i pushtetit, ishte njeri që sillej me modesti dhe dashamirësi me njerëzit, çka e afronte atë me popullin. Para se të vritej, në një mbledhje të partisë demokratike, thekson se: "Për Demokracinë vlen kontributi i të gjithëve, kontribuojnë të gjithë me mënyrat e tyre. Edhe këta miqtë e mi që më shoqërojnë, si Besim Çeraj, janë të gatshëm të sakrifikohen për ruajtjen e vlerave që i fituam pas përmbysjes së komunizmit".

 

 

3.

 

Azem Hajdari, me një grup studentësh e intelektualësh të njohur, të cilët kishin dhënë shenjat e disidencës ndaj regjimit që më parë, si Prof. Dr. Sali Berisha, Arben Imami, Gramoz Pashko e të tjerë, themeluan Partinë Demokratike, partinë e parë opozitare në historinë e Shqipërisë. Kryetar i Komisionit Themelues u zgjodh Azem Hajdari.

 

Në një kohë shumë të shkurtër, në harkun e disa muajve, Azemi e formoi portretin e tij si një lider popullor, duke u kthyer në një simbol fitoreje.  Emri i tij u bë një legjendë e gjallë. Ai nuk la vend pa shkelur në Shqipëri. Ishte aq energjik sa që më 20 mars 1992, nga Tirana shkon në Burrel, organizon tre mitingje, të fundit në Macukull dhe vazhdon udhëtimin për në Koplik, ku të gjithë kujtojnë tribunën e improvizuar në karrocerinë e makinës, duke vijuar me miting në qytetin e madh të Shkodrës dhe e mbyll në darkë, në Lezhë, në zonën elektorale të kandidatit Preç Zogaj.

 

Azem Hajdari tek Perëndimi e shihte shpresën e Shqipërisë. Që në themelimin e Partisë Demokratike Ai  krijoi lidhje me vende që e përkrahën Shqipërinë në këtë Lëvizje. Azem Hajdari bashkë me Dr. Berishën dhe shkrimtarin e madh Kadare qenë të parët që ftuan në Kongresin Amerikan, njerëz të cilët kishin fituar besimin se do ta çonin Shqipërinë drejt Europës.

 

A.Hajdari dinte të bënte një diplomaci imponuese në favor të ineresave të kombit të tij, dhe kjo shprehej në takimet dhe konferencat ndërkombëtare ku shpesh ishte i ftuar nderi mes personaliteteve te larta politike te kohes si Andreoti, Micotaqis etj.

 

Azem Hajdari ishte partizan i integrimit te vendit ne stukturat euroatlanitike dhe synonte që strategjia e politikes së tij te mundësonte antarësimin e vendit në NATO, etj.

 

 

4.

 

Tradita e familjes, pozicioni gjeografik i vendlindjes dhe dashuria e shqiptarëve për  Kosovën, e kishin rritur Azemin me mendimin se edhe Ai një ditë do të bëhej luftëtar për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës. Ndaj është i pari Azem Hajdari, që ndonëse ishte deputet në Kuvendin e Shqipërisë, kërkoi të shkojë të luftojë me armë në dorë në Kosovë, por për hir të pozicionit të tij politik nuk u lejua. Megjithatë Azem Hajdari nuk pushoi së punuari e vepruari në funksion të kësaj çështjeje me fjalimet e tij në konferenca, në grumbullimin e ndihmave dhe si gjithnjë i pari në pritjen e të ardhurve nga Kosova, kur 15 vetë i bëri pjesë të familjes së vet.

 

Kjo veprimtari e madhe ndaj Kosovës nga ky njeri që kishte një emër të madh në Kosovë, nuk mund ta linte Serbinë  të qetë, pa i aktivizuar agjentët e vet dhe duke i bërë pritë e atentat  gjatë kohës që po grumbullonin ndihma me një grup deputetësh në Tropojë, për të ndihmuar  popullin e Kosovës.

 

Populli i Kosovës, që e deshi dhe e do aq shumë Azem Hajdarin, e ruan si idhull dhe duke i qenë mirënjohës veprës së tij për çështjen e Kosovës, e ka vlerësuar maksimalisht me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që ia dha Presidenti i madh i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, mik i ngushtë i Azem Hajdarit.

 

5.

 

Azem Hajdari pas fitores së Demokracisë investoi në progresin e tij, intelektual, profesional dhe human.

 

Përfundoi studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, (Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike) duke u diplomuar për filozofi (1993) dhe për juridik (1995).

 

Ndjek kualifikime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për gjuhë angleze e filozofi (1993-1994), për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen në Gjermani (1996), kreu disa kurse të tjera që lidheshin me funksionin e tij parlamentar, etj. Në vitin 1999 i kishte përcaktuar vetes objektiv të vazhdonte studimet për master me një temë për Cështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkan.

 

Ishte i pajisur nga Zoti me nje inteligjence natyrore dhe elokuence te lindur ashtu sic dallohej per kujtesen afatgjate dhe fenomenale. Ishe mik i intelektualëve pavarësisht nga idetë që përqafonin dhe besnik i bindjeve te veta deri në vetëmohim. Nga natyra ishe i pajisur me forcën e argumentit teorik dhe guximin e veprimit gjithmone të matur   

Personalitete te medha te politikes si Rugova, te artit dhe letrave  si Kadare, te shoqerise si Anton Ceta etj., që e kanë njohur nga afër në takime e bisedime, kanë mbetur te impresionuar nga profili intelektual dhe njerezor i  tij.

 

Azem Hajdari ka botuar qindra artikuj me tematikë të ndryshme pothuaj në të gjithë shtypin periodik shqiptar, brenda e jashtë vendit. Nëpërmjet tyre ka dhënë mesazhe mjaft pozitive, ka ngritur mjaft probleme, ka goditur shumë dukuri negative, që mbartin me vete inisiativën e kohës për problematika të caktuara.

 

Azem Hajdari ishte njeri  largpames dhe vizionar qe shihte pertej se sotmes se nje regjimi komunist qe i kishte shperfytyruar njerezit, dhe pragmatist perendimor i etur per vlerat e demokracise dhe lirise.

 

Azem Hajdari, në momente të caktuara ka qenë njeriu më i vlerësuar në  shtyp e në veçanti nga të përditshmet kryesore, ashtu sikurse qëndrimet e guximshme dhe përparimtare të tij i ka bërë këto, nganjëherë, të bien viktimë e momentit dhe të zbehin vlerësimet e tyre. Dinte vetvetiu te ishte ne qender te vemendjes se opinionit publik edhe kur shtypi e vleresonte apo sulmonte, ai cdo here shfaqej dinjitoz ne bindjet politike dhe besimin e patundur qe Shqiperia do behet si Evropa. Azem Hajdari ishte kthyer ne referencen e te gjithe politikaneve te vendit apo, siç shprehej një gazetar i njohur pas vdekjes së Azem Hajdarit, "Ai ishte pasqyra ku shiheshin, deformoheshin e korrigjoheshin politikanët"  si dhe vlerësohej si "ndërgjegje lëvizëse".

 

Duke qenë gjithnjë mik i dijes e gazetarëve ai ka qenë gjithnjë në mbrojtje të tyre. Të gjithë e dinë rolin e tij në këtë fushë, deri tek sakrifica e tij e madhe, kur, ndonëse i sapodalë nga spitali, me 5 plumba në trup, bashkë me mikun e tij Pjetër  Arbnori, vazhduan grevën e urisë, më 1997, pranë RTSH. Kur njerëzit i thoshnin të tërhiqej ai iu përgjigjej: "Jo, se pa fjalë të lira nuk ka demokraci".

 

6.

 

Azem Hajdari pas fitores së demokracisë është përsëri i pari politikan që kërkon futjen e mendimit ndryshe në partinë e vet. Ai në vazhdimësi lufton dhe mbështet të gjithë ata njerëz apo grupe të cilët kishin diçka ndryshe, por asnjëherë nuk u bë pjesë klanore e tyre. Ai me veprimet e veta mbronte mendimin e ri apo në raste të ndryshme institucionin që përfaqësonte një njeri i caktuar. Të gjithë politikanët që e kanë njohur Azem Hajdarin, në momente të caktuara, kur ata kanë bërë gabime në raport me kohën, e kanë ndjerë mbështetjen nga ai për t'u rikthyer përsëri në qëllimin e përbashkët.

 

Edhe kjo mënyrë e të vepruarit nuk ka ngelur pa pasoja për Azem Hajdarin, ndaj të cilit, në momente të caktuara, duke mos u kuptuar, ka pasur prirje për ta goditur, deri në heqjen e imunitetit, por ai, me guximin e tij të njohur, ka qëndruar gjithmonë në këmbë dhe i fortë. Edhe kjo përvojë e tij sot përbën një pasuri për politikanët shqiptarë.

Nismat e tij ishin gjithmonë në mbështetje të nevojave të shtresave të ndryshme, kishin lidhje organike me to. Ai mbështeste ish-të përndjekurit politikë, duke u bërë dhe pjesë e grevës së tyre, për kërkesa që ende sot nuk janë plotësuar. Ai mbështeste shtresat popullore të cilat mashtroheshin nga piramidat financiare, pasi struktura të caktuara të shtetit qenë të paafta për ta parandaluar këtë dukuri në kohë. Për këtë ai krijoi Sindikatën e Pavarur, pasi sindikata që mbante këtë rol ishte tepër e korruptuar dhe nuk mbronte më interesat e qytetarëve. A.Hajdari vleresonte partizanet, luftetaret dhe njerezit që kishin kontribuar ne çlirimin e vendit.

 

Azem Hajdari ishte një kolos i mendimit politik, një uragan i mendimit të lirë, një mik i madh i njerëzve, një politikan i përmasave të mëdha dhe te rralla.

 

Vetëm një njeri i përmasave të tilla dhe me një kontribut të tillë mund të bënte që në vitin 1997 të rikthente shpresën tek demokratët për të përballuar një përndjekje të re që kishte filluar të vinte në Shqipëri, si pasojë e revoltave që kishin lindur nga rënia e piramidave. Edhe atëherë Azem Hajdari është ai që iu thotë njerëzve mos u gënjeni nga këta që ju premtojnë  se do "t`ju kthejmë qind për qind të lekët e humbura", pasi e kanë vetëm për fushatë elektorale dhe këta janë pjesë e organizimit të këtyre piramidave. Koha e provoi që jo vetëm nuk i kthyen, por u vodh edhe ajo pjesë që kishte mbetur.

 

Ai vazhdoi në të gjithë Shqipërinë me drejtues të tjerë të PD-së, përkrahë  Sali Berishës, Jozefina Topallit, Genc Pollos e politikanëve të tjerë për forcimin e PD-së.

Ai është  politikani i parë i të djathtës që hyn në Vlorë, pas bllokimit prej një viti që kishin  bërë të majtët me ardhjen në pushtet,  duke u  pritur si një hero në një qytet të pushtuar nga bandat kriminale të asaj kohe.

 

Pas ardhjes në pushtet të së majtës e deri në vrasjen e tij, Azem Hajdari e ktheu Kuvendin e Shqipërisë në një tribunë të fuqishme kundër krimit të organizuar që kishte lulëzuar në Shqipëri, kundër bandave kriminale, që gjendeshin pothuajse në çdo rreth të Shqipërisë dhe vrisnin, përdhunonin e trafikonin vajzat e motrat tona, plaçkisnin biznesmenët, vrisnin njerëz të pafajshëm.

 

Në këto fjalime Azem Hajdari iu jepte mesazhe të qarta njerëzve, që t'iu heqte frikën, duke i përmendur me emra të gjithë krerët e bandave kriminale, që funksiononin lirshëm në Shqipëri dhe ku Qeveria e kohës ishte pjesë e tyre. Njerëzit, kur e sjellin në kujtesën e tyre atë periudhë edhe sot iu rrënqethet trupi. Qenë një pjesë e atyre bandave, të mbështetura nga politika e asaj kohe, që morën pjesë në  vrasjen e  Azem Hajdarit.

 

7.

 

Azem Hajdari u përballë me vdekjen që në momentin e parë kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se do të vritej njeriu me xhupin e zi. Nga ajo kohë deri më 22 mars 1992 Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale.

 

Për periudhën deri më 22 mars mjafton të kujtojmë vetëm faktin që në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek Rruga e Kavajës, përballë PD-së, tek kisha katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: "Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje". Kjo letër nuk ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e Heroit të demokracisë Azem Hajdari, e cila u realizua me ekzekutimin e tij 8 vjet më vonë, më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike, pas 6 atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.

 

Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, tentohet të vritet me bombë.

 

Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Buallit, bandat e krimit i zënë pritë.

 

Më  18 shtator të vitit 1997, nga njerëz që përdoren Mazrekun ai goditet për vdekje me 5 plumba në Kuvend.

 

Më 14 shkurt 1998 organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, ku në makinën e tij, përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14 vjeçar.

 

Më 3 qershor 1998 në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Ai njoftoi Qendren dhe nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet, ai i shpëton një prite ku dhjetra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet  Azem Hajdarin e grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.

 

Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, ku ishte edhe nënkryetari i PD-së, sot Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe politikanë të tjerë, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21.15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie. Në këtë atentat morën pjesë 125 vetë, nga këta 25 me uniformë policie. Dy prej tyre, megjithëse të  deklaruar e dënuar për vrasje, madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë 4 muaj më parë, qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje. I pashpjegueshëm qe fakti se edhe pas vrasjes së Heroit të Demokracisë, nuk u ngrit asnjë post-bllok në të gjithë Shqipërinë.

 

Lajmi për vrasjen e Heroit të Demokracisë Azem Hajdari u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës, si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri. Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e këtij  Heroi, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh Kadare si "Vrasja e Shekullit". E megjithë vlerësimet si një ndër vrasjet e mëdha politike në Evropë të dhëna nga stacionet EURO-NEWS etj., dhe provat e mjaftueshme për organizmin e kësaj vrasjeje politike, ende drejtësia shqiptare nuk e ka zgjidhur këtë çështje duke vënë para përgjegjësisë organizuesit dhe vrasësit.

 

14 shtatori është nga revoltat më të mëdha që ka njohur populli shqiptar në historinë e tij shumëshekullore. Në këtë kuptim, 14 shtatori ishte revolta e brendshme, spontane, e vetvetishme, më e madhja dhe më kuptimplota në historinë tonë, që i dedikohej një heroi të rrallë e të lavdishëm, të përjetshmit Azem Hajdari. Mbi 100 000 shqiptarë, me fytyrat e nxira nga dhimbja dhe me një zë, morën pjesë në mitingun madhështor për përcjelljen e Heroit të Demokracisë në mbrojtje të asaj demokracie për të cilën luftoi me aq zjarr e patos lideri i tyre, Azem Hajdari.

 

14 shtatori është shpërthimi i vrullshëm, uragani i fuqishëm i zemërimit të një populli, të cilit i kishin marrë simbolin, dritën që i ndriçonte rrugën, frymëzimin dhe shpresën për të ardhmen, i kishin vrarë ëndrrën, i kishin penguar rrugën drejt demokracisë, drejt idealit, drejt Evropës.  14 shtatori është manifestimi i përmasave të tilla të mëdha, i denjë për figura të tilla legjendare të kalibrit të lartë si Azem Hajdari, duke na sjellë ndërmend jetën dhe veprën e heronjve botërorë të këtij regjistri. Ajo, më shumë se dhimbje e urrejtje ndaj forcave okulte, ndaj së keqes, ishte manifestim i shpirtit të pamposhtur për liri e demokraci, ishte afirmim i vazhdimit të rrugës së lavdishme që kishte ndjekur idhulli i tyre Azem Hajdari që tanimë ia kishin vrarë.

 

Ngjarjet e jashtëzakonshme si kjo u takojnë vetëm figurave të jashtëzakonshme si Azem Hajdari, me gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit.

 

8.

 

Kontributet e Azem Hajdarit në historinë e kombit dhe të demokracisë shqiptare kanë bërë emër e vend, kanë lënë gjurmë e janë frymëzim për brezat.

 

Ia nisën si Udhëheqës i Lëvizjes Studentore (Dhjetor 1990), Lider i Partisë Demokratike, partia e parë opozitare postkomuniste në Shqipëri, Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj Partie.(Dhjetor 1990- Shkurt 1991), zgjidhet Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues (1991-1993).

 

Në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë zgjidhet me vota direkt nga populli Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë: për Shkodrën (31 mars 1991); për Shijakun (22 mars 1992); për Bulqizën (26 maj 1996); për Tropojën (29 qershor 1997).

 

Parlamenti Shqiptar i jep votëbesimin e vlerësimin duke e zgjedhur Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un (1992-1996) dhe Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare (Qershor 1997...)

 

Në Nëntor të vitit 1996 zgjidhet Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare, ndërsa në vitet 1995 1998 President i Klubit të Futbollit "Vllaznia" Shkodër dhe President i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale.

 

Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, një prej figurave të nderuara të kombit shqiptar, është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me dekoratën "Pishtar i Demokracisë" (1993); i është dhënë titulli i lartë "Qytetar Nderi" nga 47 bashki e komuna të Shqipërisë, si në Tiranë, Vlorë, etj. Në vitin 2002 u dekorua me Urdhërin "Nderi i Kombit", ndërsa në vitin 2003 Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,  e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit".

 

Më 10 shtator 2008 u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhërin "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu".

 

 Për Azem Hajdarin janë shkruar shumë libra, krijuar qindra këngë e poezi, shfaqur dokumentar televiziv, rrugë, sheshe, shkolla...nga vendlindja e tij, Tropoja e në  rrethe të tjera të vendit, e mbajnë emrin e tij.

 

 Për Azem Hajdarin janë ngritur edhe memoriale, por memorialin më të madh e ka në zemren e popullit, në analet e historisë kombëtare, në memorien e Demokracisë  e të Shqiptarisë, i përjetësuar e lartësuar si lider, atdhetar, demokrat, deputet, dijetar e luftëtar,... si "Hero i Demokracisë.

 

 

Tiranë, më 12 shtator 2009
Ramiz Lushaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Dy data që përgjakën lirinë!Nga Bislim Ahmetaj (09.13.2009)
Amerikën nuk do ta mbante toka po të mos përgjigjej denjësisht kur u sulmuan qiejt e sajNga Ramiz Lushaj (09.12.2009)
T'iu përmbahemi vlerave të Kombit tonë të lashtëNga Alfred Papuçiu (09.11.2009)
Evropa e Lirë: A po lobohet për Kosovën? (09.09.2009)
GNK: EULEXi dhe Prishtina përgjegjëse për situatën e krijuar rreth protokollit (09.09.2009)
Rexhepi: Serbia po lufton për pushtet në Mitrovicë (09.08.2009)
Editorial: Kushtetuta e Kaçanikut nis vitin e saj të njëzetë (09.07.2009)
Sfida dhe vite të vështira për bashkëqeverisjen Berisha-Meta (09.06.2009)
Këndvështrime teknike qeverisë së re Nga Skënder BUÇPAPAJ (09.04.2009)
Deutsche Welle: Marrëdhënie të komplikuara ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare (09.03.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lartë]