Sipas mitologjisë Feniksi ishte një shpend përrallor që kur mbushte moshen 500
vjçare bënte çerdhen, e shtronte me bimë aromatike dhe vdiste mbi të. Nga hiri
i tij ai rilindte përsëri dhe ushqehej po me bimë aromatike. Ndaj sot, me
përurimin që i bëjmë librit me poezi "Muzgu vjen papritur" të Pano Taçit, e
kemi atë përsëri midis nesh, të rilindur si Feniksi, pasi poetët nuk vdesin
kurrë. Ata rrojnë nëpërmjet vargjeve të tyre.. Dhe poeti shkruan:
Tërë jetën ç'jam përpjekur,
si t'ia zbus shpirtit hallin.
Për ç'premtova duke vdekur,
them se vargjet me ringjallin.
Për ç'jap shpirtin zemërmekur,
N'atë varr ku do më kallin,
për ç'këndova duke vdekur,
them se këngët më ringjallin.
Ndaj sot e kemi përsëri të ringjallur bohemin e fundit apo poetin rebel, siç e
kanë quajtur miqtë e tij. Pano Taçi i përket atyre poetëve që kishin një
pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që
mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, kishin lindur në një
epokë të gabuar. Jetonin në një epokë kur nuk mund të shprehnin atë që u
buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira,
ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një epokë, ku sistemi
totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t'ia arritur
kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit,
për t'ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit "realizëm
socialist", një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën
veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.
Megjithatë talentet e mëdha i rezistuan, çuditërisht, shtrëngimeve në format
nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre
se sa lirinë e dhunuar. Të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të
nënshtrimit. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe
pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të
demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre, nëpërmjet alegorizimeve
apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të
domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Këto vepra autori i lexonte dhe rilexonte
me vete, pa guxuar t'ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë
besnik. Ato ishin shkruar nëpër qelitë e errëta të burgjeve apo kasollet ku
jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për
lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për
gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur
shumëkush e kishte humbur atë. Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit
e letërsisë së vërtetë. Me to kënaqej vetëm autori i tyre dhe prisnin një ditë
"Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori". Autorët e këtyre shkrimeve nuk
u bënë kurrë servile dhe hipokritë, nuk u bënë lakej oborri.
Një nga këta ishte padyshim edhe Pano Taçi. Ai i përket atij grupi poetësh që
kishte dëshirë të mësonte, por nuk e linin për të mësuar, pasi ai qysh në
moshën tetëmbëdhjetë vjeçare do të provonte prangat e rënda të burgut për gati
njëzetepesë vjet. Kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin për të punuar,
pasi për të lejohej vetëm puna në bujqësi apo ndërtim. Kishte dëshirë të
jetonte, por nuk e linin as për të jetuar, sepse edhe jeta u lejohej vetëm
servilve apo sharlatanve të regjimit. Kujt i mohoheshin këto? Atij, që qysh në
moshën fëminore rrëmbeu armën për lirinë e vendit. Atij që ëndërronte për një
Shqipëri të lirë, pa ferra dhe gjëmba?
Dhe poeti shkruan:
Të rinj, naiv, si partizan,
dolëm malit për vatan
për çlirim të Shqipërisë
nga zinxhiri robërisë.
Dhe me ç'di ne bëmë mirë,
që morëm plagë për liri
e kur ne u bëmë të lirë
për duart tona, për çudi,
nuk kujtoheshin,
o Perëndi!
Në terr ne po farkëtonim
ca zinxhirë të rinj zezona
për plagët, për duart tona
me hallka kyçur në qeli.
Fundi i viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte
betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të
shembeshin. I fundit nga vendet
totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit
1990, do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato
diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe
për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati
pesëdhjetë vjet me rradhë. Dhe Panua shpërtheu. Nxorri nga arkivi i burgut
poezitë e krijuara nëpër qelitë apo vitet e "vetmisë së madhe" dhe për një
periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare, nga viti 1994 deri më 2009 botoi pesëmbëdhjetë
përmbledhje me poezi dhe drama.
Përse është quajtur poet rebel Pano Taçi? Sepse kishte nje shpirt rebel, nje
shpirt që në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohej me padrejtësinë dhe ngrihej
kundër saj. Që fëmi u ngrit kundër robërisë. U rebelua kur pa se idealet për të
cilat kishte luftuar ishin tradhëtuar nga klasa sunduese. U rebelua edhe pas
përmbysjes së regjimit totalitar kur pa se një pjesë e klasës politike të
vendit i kish transformuar idealet e dhjetorit 1990 në interesa personale duke
mos përfillur shtresat e tjera të popullsisë dhe u shua me zemër të plasur.
Pano Taçi ishte edhe një poet lirik, Ai i këndoi dashurisë. Dashuria, së cilës
ai i këndoi, ishte platonike. Vetëm kjo i lejohej. Atij ia prenë që herët
ëndrrën e dashurisë. Regjimi nuk e lejonte as të dashuronte. E ku do të
dashuronte ai, mos vallë në qelitë e errëta ku e kishin përplasur? Hyri në burg
në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare dhe doli prej tij në atë dyzetetrevjeçare. A
mund të dashuronte ai kur gati gjysmën e jetës e kishte kaluar në skëterrë?
Megjithatë, çuditërisht, dashuroi. Dashuroi nëpërmjet vargjeve të tij. Por edhe
këtu ndihet dhimbja, një dhimbje që plekset me dashurinë. Poeti shkruan:
Kur mbi varr me ngashërim,
Do më qash tek rri në gju,
Sytë e tu mbi varrin tim,
Varri im mbi sytë e tu.
Ky ishte Pano Taçi. Ky ishte poeti ynë rebel, poeti i dhimbjes dhe dashurisë,
poeti i revoltës dhe kundërshtimit, një Omar Khajam i letërsisë shqipe. Tërë
jetën luftoi për të krijuar figurën e tij. Shumë u munduan ta pengojnë. ;Shumë
u munduan ta lenë në hije. Por nuk ia arritën qëllimit. Ai triumfoi mbi të
gjithë. Dhe vargjet e tij gjëmojnë fuqishëm:
Hieja ime del nga varri,
Më thotë: - Pse s'vjen të bësh gjumë?
I them: - S'vij unë qyqari,
Pa i lënë jetës një gjurmë.
Ndjenjat bëj t'i lë mbi letër,
që të thonë se jam dikushi.
Kur të vij te bota tjetër,
Si mik do më presë Lasgushi.
Pano Taçi la gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe në letërsi. Ai ishte me të
vërtetë dikushi.
Mbajtur në ceremoninë e zhvilluar për promovimin e librit të Pano Taçit, "Muzgu
vjen papritur".