E Enjte, 10.17.2019, 06:15pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
Polemikë për 4 shkurtin
REPLIKË ME NJË 'HISTORIAN'
Nga RESHAT KRIPA

E Mërkurë, 02.12.2014, 08:01pm (GMT+1)



    Me daten 5 shkurt 2014  lexova në “Gazetën Shqiptare” një shkrim me titull “Masakra e 4 shkurtit, Milo: Të hiqen nga rrugët emrat e kriminelëve Mitrovica e Deva”, kushtuar ceremonisë së kremtimit të 70 vjetorit të të ashtuquajturës “Masakra e 4 shkurtit 1944”. Me indinjoi fjala e “historianit” Paskal Milo në këtë ceremoni, një fjalë denigruese për për disa figura të shquara të nacionalizmit shqiptar, një fjalë nën frymën e propagandës komuniste të sistemit totalitar. Si përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, një shoqatë nacionaliste, bëra një replikë me këtë “historian” të cilin, siç është praktika e replikave, ia dërgova për botim “Gazetës Shqiptare” me shenimin e mëposhtëm për kryeredaktorin:

    Po ju dergoj repliken time per deklaraten e zotit Paskal Milo ne ceremonine e 70 vjetorit te te ashtuquajtures "Masakra e 4 shkurtit 1944", botuar ne gazeten tuaj Nr. 6256, date 5 shkurt 2014. Besoj se kam te drejten e botimit te saj diten e neserme ne gazeten tuaj.  Mbetem ne pritje. Me respekt. (9 shkurt 2014)

    Prita dy ditë, por replica nuk u botua. Atëherë i dërgova një shënim tjetër kryeredaktorit të kësaj gazette:

Para dy ditesh ju kam derguar nje replike per nje shkrimin tuaj te dates 5 shkurt 2014. Kaluan dy dite dhe nuk e shoh repliken te botuar. Arsyen e dini ju vete por une mendoj se  e drejta e botimit te nje  replike per nje shkrim te caktuar dhe ne mungese te saj dergimi i nje pergjigje autorit, eshte norma kryesore e etikes se nje gazete serioze, gje qe ju nuk e bete. Megjithate kjo eshte puna juaj. Sot ne Shqiperi ka plot organe shtypi ku mund te botosh. Me respekt. (11 shkurt 2014)

Por gazeta në fjalë nuk denjoi përsëri ta botojë, madje as të kthente përgjigje për arsyen. Ndaj po jua dërgoj këtë shkrim dhe e lë në gjykimin e lexuesve të shprehen se a është kjo etiketa e një gazette demokratike në një vend demokratik? A duhen hedhur poshtë figura të tilla patriotësh që kanë dhënë një kontribut të paçmuar në krijimin e shtetit shqiptar, qoftë edhe sikur në ndonjë çast të veçantë të kenë gabuar? Ju le juve, të nderuar lexues të gjykoni. Shkrimin ua dërgova edhe tri gazetave të tjera. E botoi vetëm gazeta “55” dhe për këtë e falënderoj. Të tjerat nuk e di si do të veprojnë.
Më poshtë po ju dërgoj replikën time:
    
                “Shakaxhinjtë e përparimit”

    Kështu i quante Noli të ashtuquajturit demokratë përparimtarë të kohës së tij. Po sot a është e vlefshme kjo sentencë? Klithmat e korbave të zinj vazhdojnë  të dëgjohen, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e rinj të përparimit” dhe flamurin e këtyre klithmave sot e ka marrë një zotni me gradë shkencore “Doktor” dhe dhe titull “Profesor”, një zotni që ka kryer shumë detyra të larta shtetërore si ministër, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar apo sekretar komisionesh të kuvendit, një zotni që kryen shumë detyra si përgjegjës katedre, dekan fakulteti, anëtar i shumë këshillave shkencore, një zotni që ligjëron në shumë universitete shqiptare dhe të botës mbarë. E pra ky zotni, kryetar i një partie, që ka gati 20 vjet që është krijuar dhe nuk ka zhvilluar asnjë kuvend por që ka një kryetar dhe asamble të përhershme të zgjedhur nuk e di se nga kush dhe që në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit fitoi vetëm 11.891 vota nga 1.723.295 që ishin gjithsej, baras me 0,69% të tyre, ky zotni na e quaka veten, madje kështu e quajnë edhe të tjerë, “historian”.  Më falni, por unë nuk kam dëgjuar në ndonjë vend të botës, ndoshta edhe  për mungesë informacioni, që një kryetar partie të kryejë edhe profesionin e historianit. Cilën histori do të studiojë dhe do të flasë ai? Atë të botës mbarë, të vendit të tij apo të partisë që drejton? Do t’i sugjeroja “të nderuarit” të mos mbante nën sqetull dy kunguj se nuk do t’ia dilte dot mbanë.
   
Këtë zotni ditët e fundit po e shohim të bashkohet me korin e korbave që këlthasin për “70 vjetorin e çlirimit” apo “70 vjetorin e masakrës së 4 shkurtit” të rrethuar ngë një grup korbash të thinjur që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941. E shohim këtë interpret të një epoke të përmbysur të deklarojë:

    “Në Tiranën e 4 shkurtit, shihje të vrarë, kuislingë, nazistë të Gestapos. Sot, duhet të mbrojmë historinë nga atentatet politike  e pseudohistorianët. Ngjarje si kjo nuk mund të transferohen, as të zhbëhen, pasi ajo nuk qe luftë komunistësh. Ata e drejtuan luftën dhe PK duhet gjykuar për atë që bëri pas luftës.
    Nuk duhet të kemi frikë të përmendim emrin e Enver Hoxhës, as nuk  e mbrojmë,pasi populli ia ka dhënë dënimin për ato që iu ka bërë shqiptarëve”.

    Më poshtë ai vijon:

    “Nuk duhet të kemi frikë të përmendim ata që e bënë masakrën e 4 shkurtit: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bajazit Boletini, Ago Agaj etj.sepse i shërbyen nazizmit, duke menduar se gjermanët  do t’i çlironin nga serbët. Ka sot interpretues të çmendur të historisë e pinjollë të tyre që e bëjnë këtë.   

Dhe në fund përfundon:
    “Të hiqen nga rrugët e sheshet, emrat e kriminelëve Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva etj”.    Duke lexuar thënien e mësipërme të “historianit” të krijohet përshtypja se në atë ditë rrugët paskëshin qenë të mbushura me kuislingë, nazistë të gestapos të vrarë dhe  nuk  përmendet asnjë nga ata që ai i quan viktima të kësaj masakre. Nuk e di  nese  kjo  është   një  lajthitje  e  tij, megjithse edhe kjo ka të ngjarë të jetë. Nuk është për t’u çuditur. Me atë ngarkesë që ka të gjitha ndodhin. Megjithatë ka edhe një farë të drejte. Në ato ditë të zeza guerilasit partizanë  vranë nipin e Xhafer Devës dhe dy djemtë e Kadri Cakranit. Mos vallë edhe këta ishin kolaboracionist? Një gjë e tillë bëhet e ditur nga një lajm i gazetës “Bashkimi” një vit pas ngjarjes, në shkurt 1945.

Kam parasysh thëniet e tij për diktatorin ku u shpreh se atij iu dashka dhënë merita për ato që paska bërë gjatë luftës. Cilat ishin këto merita? Mos vallë vrasja pas krahëve e shokëve të tij, Hysni Xhindi, Fejzo Gjomema, Mustafa Gjinishi, Ramize Gjebreja, madje edhe e Qemal Stafës, sipas disa të dhënave që qarkullojnë në opinionin publik, e të tjera. Mos vallë për “Luftën e madhe” që ai paska zhvilluar, duke ngrohur vezët në shtëpinë e kunatit të tij Bahri Omari në mes të Tiranës, të cilin sapo mori pushtetin e pushkatoi? Ju lumtë, zoti “historian”, ditkeni mirë t’i çmokeni meritat e tij!
Zoti “historian” na bëka edhe një propozim tjetër, të hiqen emrat e disa patriotëve të shquar nga rrugët dhe sheshet e vendit. Unë nuk e di nëse ka ndonjë rrugë apo shesh me emrat e tyre, pasi deri më sot asnjë nuk e ka pasur këtë vullnet. Por dua ta pyes:  Emrat e cilëve duhen vendosur në vend të tyre?


Le t’i analizojmë. Hap kompjuterin dhe lexoj në faqet e internetit:

“Rexhep Bej Mitrovica lindi në Mitrovicë. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e dytë të Manastirit, më 1910, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 1912 dhe në politikë në vitet 1920-1924. Anëtar i Komitetit të Kosovës në degën  e Durrësit. Nga viti 1921 deri më 1923, ministër i arësimit shqiptar. Në vitet 1925-1939 veproi në emigracion. Në shtator 1943, kryetar i KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Nëntor 1943-qershor 1944 Kryeministër i Shqipërisë. Pas kësaj kthehet në Kosovë. Në nëntor 1944 emigron në Austri dhe më pas në Turqi ku edhe ndërroi jetë.”

Vazhdoj shfletimin e faqeve të internetit dhe lexoj për një figurë tjetër:

“Më 2 mars 1914 në Gjirokastër, një i ashtuquajtur kongres nën drejtimin e Mitropolitit Spiridon shpalli edhe një herë -autonominë e Vorio – Epirit-. Nuk vonoi shumë dhe të njejtën gjë bëri edhe renegati  Spiro Milo,  – drejtues politik dhe komandant për Himarën ne qeverine vorio-epirote, në shtatë fshatrat e Himarës.”

Ndërsa në një faqe tjetër lexoj një shkrim të Doc. Odise Çaçit, pedagog në Universitetin e Vlorës:

    “Doktor Jani Rexho, ndonëse kishte studiuar ne Athinë, kishte marrë profesionin e nderuar te mjekut humanist, ai kurrë nuk u përlye nga ndjenja fanariote dhe falangat qe e shoqeronin atë. Ai i ngeli besnik idealeve humane. Me 8 dhjetor 1912 kur gjenerali Spiro Milo, zbarkoi ne Himarë, ky patriot që kishte luftuar mbi 20 vjet kunder perandorisë osmane e fton ne takim dhe pas shume debateve i thotë: “Në qoftëse kini ardhur në Himarë për të nxjerrë mallin e vendlindjes, të urojmë me gjithë zemër mireseardhjen, por nëqoftëse erdhe për të na vënë flakën dhe të na futësh në vëllavrasje, më mirë ngrihu dhe ik nga ke ardhur, me gjithë njerëzit e tu. Ti na solle disa zagarë të hurit dhe të litarit. Ti na prish vëllazërinë, ti kërkon të na vësh nën zgjedhën e moraitëve…Dëgjoje dhe mbaje për gjithë jetën në mëndjen tënde: Himara vetëm qiellin pranon mbi kokë, zgjedha çdo ngjyrë që të ketë, është zgjedhë, qoftë e turkut , qoftë e grekut. Bregdeti që nuk ka pranuar kurrë byk mbi vete , edhe këtë radhë do ta thotë fjalën e tij”.

Nuk e di nëse zoti “historian” kërkon të shuaj emrin e Rexhep Mitrovicës për ta zëvendësuar ndoshta me atë të “heroit” të tij, Spiro Milos. Një tendencë e tillë vihet re për të gjitha figurat e shquara nacionaliste të Kosovës që jetën e tyre e vunë në shërbim të kombit. I tillë ishte Rexhep Mitrovica që përmendëm më sipër, të tillë janë Bajazit Boletini dhe Xhafer Deva. I tillë është edhe ai që kosovarët e thërrisnin “Kosovari nga Vlora’, Ago Agaj.. Por zotnia ruan ende urrejtjen patologjike që kishin të parët e tij për Shqipërinë Etnike dhe shqiptarët. Verbëria politike e tyre bie në sy edhe në idenë e hedhur prej tyre për heqjen e emrit të udhëheqësit të shquar të Kosovës së sotme, Ibrahim Rugovës, nga rruga me të njejtin emërtim, duke tentuar ta rikthejnë në emërtimin e vendosur nga sharlatanët politikë të djeshëm.

    Kush ishte kolaboracionist, zoti “historian? Mos vallë Xhafer Deva? Ja se si shkruan studiuesi Nue Oroshi nga Gjermania për të:

“Po pse themi Xhafer Deva burrë i pathyer i kombit shqiptar.Vërtet ishte burrë i pathyer.Ai qëndroi i pathyer edhe atëherë kur vendosi të hyj në politikën shqiptare që të realizojë planin e tij për Shqipërinë Etnike. Ai qëndroi i pathyer edhe atëherë kur ishte ministër i puneve të brendshme, Ai qëndroi i pathyer edhe kur e udhehoqi Lidhjen e Dyte te Prizrenit Ai qëndroi i pathyer edhe kur e akuzuan komunistët pansllavist, si fashist. Madje, pati edhe aso rastesh kur Xhafer Deva qëndroi i pathyer kur atë e akuzuan edhe të huajt siç ishte gjenerali anglez Hill, i cili e përcaktoji Deven si njëri ndër bashkëpunëtorët e Gjermanëve e përgjigjja e të pathyerit, heroit të kombit shqiptar, Xhafer Devës më 25 prill të vitit 1944 në mënyrë publike në nje nga orët më të dëgjuara të mbrëmjes në "Radio Tirana" ku midis të tjerave i tha Hillit me atë zërin e tij burrëror dhe të pathyeshem: ”Shqiptari Xhafer Deva që ka nderin t'ju përgjigjet mund t’ju theksoj se nuk është në shërbim të gjermaneve, nuk asht kenë kurrë, dhe nuk do të jetë kurrë, por gjithashtu, nuk asht në shërbim të anglezve, amerikaneve, rusëve. Xhafer Deva ka nderin të jetë në shërbim të popullit shqiptar, dhe sigurisht ky shërbim asht ndera ma e madhe që mund të ketë.”

Ky ishte Xhafer Deva  zoti falsifikator i historisë. Për të dhe shokët e tij në plan të parë ishte atdheu. Ai ishte mbi të gjitha. Me rastin e festës së 28 nëntorit më 1941, për herë të parë në Mitrovicë kremtuan bashkërisht në mënyrë madhështore nxënësit, qytetarët, gratë e veshura bukur të familjeve muslimane e katolike. Në këtë kohë gjermanët urdhëruan që të burgosen çifutët e romët (gabelë e arixhinj) me origjinë nga Egjipti, mirëpo, pas ndërhyrjes së Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agait e Vehbi Frashërit, ky vendim nuk u zbatua, përkundrazi, iu mundësua çifutëve që përmes koridorit të sigurt nëpër Drenicë, të tërhiqen deri në Shqipëri e tutje. Rexhep Mitrovica kishte marrë në dorëzim detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare Shqiptare në trojet e çliruara. Ja si shkruhet në internet për këtë ngjarje:

“Në kohën kur ishte ministër i brendshëm, nazistët i kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, po dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi. Mbështetur në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësis hebraike në Shqipëri, Rafael Jakohel dhe Mateo Matathia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i nazistëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje e të gjithë bashkësisë iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë. Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, Ata shkuan ta takonin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli  e fortë Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t'i bindtte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve."   


Po Ago Agaj kush ishte? Ju e quani veten historian dhe duhet ta dini, por bëni sikur nuk e dini. Ndaj po jua them unë:
Ago Agaj, (1897 – 1994) kreu studimet e larta në Vjenë të Austrisë për inxhinieri Agrikulture, mori pjesë në Luftën e Vlorës më 1920, punoi si mësues në Lushnjë, madje dhe në Mitrovicë. Përkrahu qeverinë e Fan S. Nolit më 1924. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u emërua Ministër i Ekonomisë Bujqësore. Ai është autor i mjaft librave historikë si “Lufta e Vlorës”, “Milloshi, heroi i Kosovës”, “Si e njoha Xhafer Devën” dhe dhjetra artikuj të botuar në shtypinj shqiptar dhe botëror. Ja si shkruan për të studiuesi kosovar nga Gjakova Mexhit Yvejsi:

“Z.Ago Agaj ishte një burrë i rrallë, i sjellshëm, i kulturuem, besimtar, atdhetar, i ditur, i ndritur, kishte pak fjalë edhe pse ishte një enciklopedi e gjallë...! Herë pas here shkruente e botonte punime, studime, në revistat e hueja, në veçanti, gjermane, por edhe në shtypin e mërgimit si “Shejzat” e Romës, “Dielli” e Bostonit etj. Përmbajtja e shkrimeve të tij përfshijnë disa lëmi: si studime historike, gjurmime folklorike, kujtime etj. Përveç librit : “Miloshi Heroi i Kosovës” (Legjendë- kronika e përkthime), ka botuar edhe librin përmendore “Lufta e Vlorës”, një enciklopedi e trimërisë, një shembëlltyrë se si shkruhen ngjarjet e historisë...
 
Ago Agaj ndrroi jetë me 24 dhjetor 1994, në Clearëater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë-në shërbim të Shqipnisë së vërtetë...”


Ndërsa vetë Agua shkruan ndjenjat e tij në pragun e shuarjes së jetës:

“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjtë keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën... O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë”, Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së ti. Po të isha në gjendje të mirë shëndetësore, unë do të isha sot në Kosovë. Jo për të trimëruar kosovarët, se është e njohur trimëria e tyre, as për të ndihmuar intelektualët, se sot Kosova ka nxjerrë intelektualë të shquar si Ibrahim Rugova, Anton Çeta, Zekeria Cana etj. Ata përpiqen për shqiptarizmën dhe unë krenohem me ta. Qëllimi im për të vajtur në Kosovë është që të pushoj pas vdekjes në dheun shqiptar”.

Këta janë shqiptarët e vërtetë të Shqipërisë që ju, zoti ”historian” kërkoni t’i përlyeni, por nuk do të mundeni më. Zërat tuaj tashmë janë ngjirur dhe kërasin si zëra korbash. Atëherë përse nuk quani kolaboracionist edhe Ismail Qemalin? A nuk ishte ai Kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë më 1868. Guvernator i Varnës dhe Danubit të Poshtëm më 1870. Anëtar i komisionit të kushtetutës turke më 1876. Guvernator i Tripolit dhe vali në Siri në vitin 1897. Deputet në parlamentin turk në vitet 1908-1912. Përse nuk quani kolaboracionist Abdyl Frashërin që ka qënë dhjetë vjet deputet i parlamentit turk, ndërsa vëllai tij Samiu një figurë e njohur që turqit e kanë një nga figurat më të shquara të historisë së tyre, madje edhe një stadiumi i kanë venë emrin e tij për kujtim. Përse nuk quani kolaboracionis Vaso Pashë Shkodranin që ka qenë Administrator në Ederne në vitin1879. Atje merr titullin Pasha. Guvernator në Liban në vitin 1883. Qënia në këto detyra nuk i pengoi këta të mendonin dhe të punonin për Shqipërinë. A nuk ishte edhe Turqia pushtuese? Atëhere, përse këta quhen patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionist?   

Edhe një shembull tjetër të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Emrush Myftari, një i ri komunist kosovar, pjesmarrës i luftës së Spanjës përkrah brigadave internacionale, shokë me Xhemal Kadën, Petro Markon, Skënder Luarasin, edhe këta luftëtarë të Spanjës, me fitoren e forcave të Frankos kthehet në qytetin e tij të lindjes, në Pejë. Atje vazhdon luftën kundër okupatorëve jugosllavë. Më 17 prill 1941 Jugosllavia kapitulloi përpara ofensivës gjermane. Emrushi së bashku me një grup shumë të madh pejanësh pret ardhjen e çlirimtarëve gjermanë, siç i quante ai, ndërsa një grup serbësh ishin ngujuar në bashkinë e qytetit për ta pritur “okupatorin” me armë. Me mbërritjen e tanksit të parë gjerman, një vajzë e re i dhuron komandantit të tij një kurorë me lule të freskëta. Emrushi hipën në tanks dhe së bashku me turmën e madhe i drejtohen vendit ku ishin serbët. Fillon përplasja. Nga ana kosovare vriten dymbëdhjetë trima. Së fundi serbët detyrohen të dorëzohen. Për këtë veprim, Emrushi u dënua me vdekje nga komunistët, vendim që mundi të zbatohej në vitin 1945. Mos vallë edhe këtë do ta quani kolaboracionist?

    Do të doja të bëja edhe disa pyetje të tjera: Lidhjen e komunistëve me armikun e përhershëm të vendit tonë, Jugosllavinë, si do ta konsideroni? A nuk ishin brigadat partizane, të udhëhequra nga diktatori Ramiz Alia dhe të tjerë lakej që shkuan në jugosllavi për t’ua dorëzuar atyre Kosovën martire? A nuk ishin komunistët shqiptarë që u bënë bashkëpuntorë të jugosllavëve në masakrën e tmerrshme të Tivarit? A nuk ishte Bashkimi Sovjetik që, me fillimin e Luftës së Dytë Botëroire, filloi të pushtojë vendet balltike dhe Poloninë, njësoj si okupatori gjerman dhe më vonë, në fundin e luftës u shtri në të gjithë lindjen. Atëhere, përse nënshtrimi i krerëve komunistë ndaj Jugosllavisë dhe  Bashkimit   Sovjetik  qenka vepër  patriotike? 

Sipas kritereve të demokracive perëndimore nuk është provuar se Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Ago Agaj apo ndonjë nacionalist tjetër shqiptar të ketë qenë kolaboracionistë. Në vendet ku regjimet e tyre shquheshin për demokraci të mirëfilltë, ata u pritën ngrohtë, u rrethuan me nderimin e njerëzve dhe kryen punë mjaft me përgjegjësi. Po të ishte provuar se ata kishin qenë kolaboracionistë, përkrahës të fashizmit etj, atëherë asnjërit nuk do t’i lejohej qëndrimi për asnjë çast në vendet më demokratike të botës.

Kjo është e vërteta që , për turpin tuaj, ju mundoheni ta errësoni. Por ideologjia e juaj perëndoi një herë e përgjithmonë. Sot  kudo në botë sundon ideologjia e jonë për të cilën sakrifikuam jetët tona. Ndaj heshtni!


                               Reshat   Kripa
                    Kryetar i Shoqatës Antikomuniste
                   të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës


RESHAT KRIPA


Rating (Votes: )   
    Comments (2)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHPEND MOS U ÇMENDNga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.12.2014)
DY MUNGESA SHQIPTARE NË UASHINGTONNga RAMIZ LUSHAJ (02.12.2014)
PËRRALLA PËR NËNË TEREZËN DHE KODRËN E TRIMAVENga GANI MEHMETAJ (02.11.2014)
KONGRESI AMERIKAN GJITHMONË PRANË KOSOVËSMe rastin e 6-vjetorit të PavarësisëNga FRANK SHKRELI (02.11.2014)
PUSHTETARËT PO E MBYSIN KINEMATOGRAFINËNga GANI MEHMETAJ (02.10.2014)
QË JETA JONË TË MOS JETË NË DORËN E MAFIESNga AFRIM KRASNIQI (02.09.2014)
A ËSHTË UKË RUGOVA DJALI PLANGPRISHËS?! DYSHOJ!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (02.07.2014)
GAZETARËT E PËSOJNË KEQ NË UKRAINËNga FRANK SHKRELI (02.07.2014)
MALËSIA NËN MAL TË ZI KA ME SHPËRTHYE SI “MITROVICË”APO DO TË KTHEHET NË ÇAMËRI?! JANUSI DYFYTYRËSH NË PORTËN E ULQINITNga RAMIZ LUSHAJ (02.05.2014)
KËSHTU UNË E DUE SHQIPËRINËNga SAMI REPISHTI (02.04.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2019  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]