E Hënë, 09.16.2019, 12:47pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
OPINONE-EDITORIALE
 
Fjalim më rastin e 90-vjetorit të Triumfit të Legalitetit
LEGALISTËT JANË TË BINDUR SE IU TAKON TË DJATHTËVE T'UA KTHEJNË BESIMIN SHQIPTARËVE
Nga SULEJMAN GJANA, kryetar i PLL

E Enjte, 12.25.2014, 03:47pm (GMT+1)




Naltësia Juaj Princi Leka!
Të nderuar zonja e zoterinj!

24 dhjetori 1924 shënon një moment të rëndësishëm që meriton një vend të veçantë në historinë e shtetit shqiptar, ndonëse ngjarja që ndodhi atë ditë është lënë në harresë nga historiografia zyrtare gjatë kohës së diktaturës komuniste, por edhe pas ndryshimeve politike të fillim viteve 90-të.

Triumfi i Legalitetit është padyshim një prej gurthemeleve kryesorë në ndërtimin e shtetit të së drejtës, të demokracisë, të jetës institucionale dhe asaj parlamentare të vendit.

Ajo ngjarje shënon rikthimin  e legjitimitetit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira të 27.12.1923, kur shumica parlamentare kishte arritur të formonte një koalicion rreth kryeministrit në detyrë Ahmet Zogu, e ti japë votëbesimin atij dhe qeverisë së vet.

Për fat të keq fillimet e ndërtimit të shtetit shqiptar nuk ishin pa trazira.  Dhe shpeshherë duhej vepruar - ashtu siç ka ndodhur në të gjitha etapat e rëndësishme të konsolidimit të shtetit dhe demokracisë, me maturi, pjekuri, zgjuarsi dhe gjakftohtësi, për të tejkaluar situatat e rrezikshme për ekzistencën dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Në kushtet e asaj kohe, kur shtetet fqinjë nuk nguronin të kërcënonin sovranitetin dhe integritetin e shtetit të ri shqiptar, kur disa qarqe diplomatike vinin në dyshim aftësinë e elitës politike dhe sociale të vendit për të qeverisur shtetin tonë, kur situata sociale ishte krejtësisht e pafavorshme ngaqë shqiptarët nuk e kishin kuptuar dhe përvetësuar idenë e shtetit unitar dhe ndjenjën kombëtare, gjendeshin politikanë që loznin në këto rrethana dhe bëheshin vegla të verbëra të atyre që synonin destabilizimin e vendit tonë për llogari të tyre, duke organizuar kryengritje, sulmuar institucionet e shtetit, deklaruar shkëputje territoresh, etj. etj.

Siç thotë populli “ jo rrallëherë shqiptarët janë bërë vegla të të tjerëve; shpeshherë me lekë, por më shumë pa lekë”.

Dhe kështu ndodhi në fakt kur opozita parlamentare e udhëhequr nga Fan Noli, organizoi një grusht shteti në qershor të vitit 1924 dhe përmbysi qeverinë e Iliaz Vrionit.

Gjatë periudhës 6-mujore të qeverisjes së Fan Nolit u dhanë prova se udhëheqësit e asaj periudhe ishin larg realitetit shqiptar. Në fakt, aq larg ishin saqë i kishin rrënjët në Moskë dhe Bashkimin Sovjetik, ndërsa degët në Athinë e Beograd, sidhe ishin në kundërshtim të plotë me parimet bazë të demokracisë.

Pa dashur të zgjatem në aspekte historike, vlen të përmendet këtu fjalimi që mbajti Fan Noli më 10 shtator 1924 para Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, për të kuptuar ideologjinë, konceptet dhe metodat e asaj qeverie që tashmë kishte dënuar më vdekje tre kryeministrat pararendës.

Duke akuzuar Lidhjen e Kombeve për inefiçencë, ai deklaroi në atë forum: “ Më mirë të bëjmë luftë, sesa biseda të lodhshme si kjo për paqe”.

Madje vazhdoi duke iu dhënë leksione për demokraci: “A e dini se çfarë është një parlament? S’ka dyshim se e dini. Por çështja do të jetë më e qartë kur t’ju tregoj unë se ç’mendoj për këtë. Një parlament është një dhomë ku politikanë të pazemër mblidhen për të përdorur si kavie sojin e tyre, një dhomë plot gaz helmues, gaz mbytës, gaz lotsjellës...”.

Ai shtoi poashtu: “ Por, pasi ju këmbëngulni, jemi gati të mbajmë zgjedhje të reja dhe të thërrasim atë murtajë, atë katastrofë, atë supersticion të neveritshëm, atë parlament, pas thuajse dy apo tre vitesh të qeverisë tonë atërore”.

Në këto kushte është lehtësisht e kuptueshmë që Fuqitë e Mëdha të asaj kohe e kuptuan rrezikun e qeverisë së Fan Nolit dhe nxitën ritkthimin e qeverisë legjitime të para grusht-shtetit, duke financuar përgatitjet ushtarake nëpërmjet “Anglo Persian Oil Company”.

Kështu u rivendos rendi institucional e ligjor dhe u respektua legjitimiteti  i pushtetit të dalë nga zgjedhjet e 27.12.1923, kur më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu hyri në Tiranë dhe shpalli Triumfin e Legalitetit, që përkujtojmë sot në 90-vjetorin e kësaj ngjarjeje.

Ndonëse grushti i shtetit i qershorit 1924 është konsideruar nga historiografia gjatë diktaturës komuniste dhe pas 90-ës në fjalorin politik dhe historik si “revolucion demokratik”, edhe pse nuk kishte lidhje as me nje revolucion dhe as me demokracinë, Triumfi i Legalitetit mbetet një nga momentet vendimtare për shtetin shqiptar në rrugëtimin e vështirë për ndërtimin dhe konsolidimin e vet, sidhe për funksionalitetin dhe efektivitetin e institucioneve, apo edhe mishërimin e vlerave kombëtariste.

Prandaj, legalistët shqiptarë, si trashëgimtarë të vlerave dhe parimeve të Triumfit të Legalitetit, gjejnë burimin ideor dhe referencat e tyre historike te ky moment i veçantë i së kaluarës sonë jo aq të largët.

***

Ashtu si me Triumfin e Legalitetit më 24 dhjetor 1924, legalistët shqiptarë i qendruan besnikë interesit madhor të shtetit e kombit, kur më 7 prill 1939 rezistuan me armë në dorë kundër pushtimit të vendit tonë dhe kërkuan në vazhdim rivendosjen e rendit juridik e institucional legjitim të parapushtimit.

Në të njëjtin titull, legalistët rezistuan gjatë LDB-së dhe nuk njohën asnjëherë as pushtimin, as diktaturën komunistë që u vendos me dhunë e krime pas Luftës.

Po ashtu, legalistët shqiptarë vepruan gjatë gjithë kohës së diktaturës komuniste dhe pas ndryshimeve politike të fillimviteve 90-të, duke synuar vetëm e vetëm (1) ndërtimin e shtetit ligjor me legjitimitet të plotë, (2) lirinë e demokracinë, (3) zhvillimin për të gjithë dhe rritjen e standardeve për çdo qytetar, (4) shtetin unitar, (5) gjithmonë nën parimin e shërbimit ndaj atdheut e kombit.

Prandaj edhe jemi krenarë që jemi trashëgimtarë të frymës dhe idealeve të Triumfit të Legalitetit, dhe se roli ynë sot është një detyrim përtej nevojës së kohës, që t’i ofrojmë Shqipërisë dhe shqiptarëve një model të ri të udhëheqjes, duke u inspiruar nga mësimet e njerëzve dhe vlerat që krijuan dhe ndërtuan shtetin tonë.

Të dashur Legalistë,
Zonja e zotërinj!

Modeli, përvoja, vizioni dhe referencat e legalistëve për drejtimin e shtetit shqiptar ndryshojnë katërcipërisht nga ata të shumë politikanëve postdiktatorialë, të cilët shpeshherë, me ose pa dashje, e gjenin burimin dhe frymëzimin e tyre te diktatura komuniste, te krimi dhe kriminelët, te dhunimi i shtetit ligjor, te ilegaliteti dhe ilegjitimiteti i pushtetit.

Kjo u dëshmua më së miri gjatë ngjarjeve tragjike të vitit ’97.

Së fundmi, të gjithë ishim dëshmitarë se si në rastin e ceremonive të 70-vjetorit të të ashtuquajturit Çlirim, disa pushtetarë shfaqeshin e përkuleshin para figurës së diktatorit Enver Hoxha, saqë u desh ndërhyrja e ambasadorit amerikan Arvizu, për të penguar kërcënimet që disa politikanë po i bënin qytetarëve shqiptarë me veprimet e tyre.

PLL dhe legalistët shqiptarë i kanë konsideruar gjithnjë e pamëdyshje SHBA-të si aleatët tonë strategjikë dhe vlerësojnë se është në dëm të sigurisë sonë kombëtare kur disa politikanë shprehin orientime që dhunojnë vlerat tona dhe te aleatëve tanë ose kur përbuzin ose ofendojnë përfaqësuesit diplomatikë të aleatëve tanë.

Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të vetëdijshëm se përtej fjalorit demagogjik dhe zbukurimeve sipërfaqësore që përdorin disa, ekzistojnë ende në vendin tonë qarqe të caktuara dhe të rrezikshme, që veprojnë kundër interesave të vendit dhe kombit shqiptar, e që rrezikojnë partneritetin stratregjik me SHBA dhe BE.

Dhe për këtë, shembulli më i mirë është ai i aspiratës europiane të vendit tonë, që populli e dëshiron e përqafon, ndërsa politika dhe politikanët e pengojnë ose nuk e lejojnë që 23 vjet.

Jemi të gjithë dëshmitarë të zhvillimeve të fundit ku në një kohë rekord, vendi ynë ka marrë një orientim drejt lindjes, duke shkuar deri në Kinë. Sidomos, me gjykimin se kapitalet e tyre do të sigurojnë jetëgjatësinë e pushtetit të një kaste.

Por a mund të vazhdojmë të heshtim kur qeveritarët tanë i negociojnë me tellall interesat tona kombëtare?!

Jo, nuk mund t’ja vëmë fajin askujt, përveçse vetës tonë, nëse nuk kemi qenë në gjendje deri më sot të krijojmë kushtet e nevojshme për thithjen e kapitalit dhe investimeve nga BE e SHBA, e të tregojmë se veprimet e qeverisë sonë shkojnë në linjë paralele me dekaratat dhe fjalorin e politikanëve tanë.

PLL, në traditën e vet për krijimin e kushteve të zhvillimit të vendit, me parimin e interesit kombëtar afatgjatë, gjykon se është detyrë e së djathtës që të ofrojë zgjidhje reale dhe konkrete të problemeve të shumta të vendit tonë.

Ndonëse ne vlerësojmë se çdo qytetar duhet të kryejë detyrat e veta ndaj shtetit, besojmë se i takon së pari shtetit t’i kryejë detyrat e veta ndaj qytetarëve.

Ndërkaq, reformat e nevojshme në të gjitha sektorët nuk mund të imponohen me dhunë e kërcënime, as për revanshizëm apo efekte elektorale e politike, por vetëm në interesin e qytetarëve dhe të vendit.

Prandaj mendojmë se duhet gjetur gjithnjë gjuha e dialogut ndërmjet palëve dhe se reformat duhen shoqëruar me dispozita dhe afate tranzitore, që do t’i japin  mundësi të gjithëve të provojnë e kuptojnë efiçencën e tyre, e sidomos shtresave më të prekura nga reformat që të gjejnë vetveten në kushtet e reja.

Kjo vlen veçanërsiht për reformat e fundit në arsim, ku janë lënë në mëshirën e fatit dhe në rrugë të madhe mijera studëntë; për reformën në sistemin e shëndetësisë, ku mijëra pacientë konsiderohen ende si klientelë fitimprurëse, për reformën në drejtësi, që mbetet një prioritet dhe kusht i domosdoshëm për ndërtimin e një shteti modern, etj...

Konceptet dhe vlerat e së djathtës që bazohen pikërisht në ndërtimin e një shteti ku stimulohet siguria, prosperiteti dhe inisiativa e lirë, janë aq të domosdoshme sot për t’i rikthyer qytetarëve shqiptarë shpresën se Shqiperia mund të bëhet, se vendi ynë mund të ofrojë perspektiva për rininë.

Dhe  kjo nuk mund të realizohet duke nxitur varfërinë, por duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin shoqëror e ekonomik, si dhe për thithjen e investimeve nga BE e SHBA.

Legalistët shqiptarë janë të bindur se i takon të djathtëve që t’i kthejnë besimin qytetarëve shqiptarë dhe sidomos rinisë, se zhvillimi i vendit nuk mund të kalojë nëpërmjet cenimit të së drejtës së pronës, dhe se shteti duhet të marrë përgjegjësitë e veta për t’i riparuar dëmet e shkaktuara nga shtetëzimet e dhunshme të djeshme, efektet ende aktuale të Ligjit famëkeq 7501, apo shpronësimet e sotme.

Në të njëjtën logjikë, është një detyrim i së djathtës të realizojë drejtësinë për ata që e paguan me gjak, burgim, internime dhe ekzil luftën e klasave. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se nuk bëhet fjalë vetëm për shpërblime financiare, por për një orientim të ri e perëndimor të vendit dhe shoqërisë, që do ta mbyllte njëhere e përgjithmonë kapitullin e komunizmit dhe të pasojave të veta, dhe ku drejtësia do të jepej për viktimat dhe për kriminelët.

Sigurisht, hapja e dosjeve është një hap në këtë drejtim, siç është detyrimisht ligji i lustracionit për pushtetarët dhe nëpunësit e lartë, por duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund të pranohet më përdorimi që i bëjnë politikanët tanë kësaj çështjeje për presion apo shantazh ndaj kundërshtarit. Për ne kjo është një kauzë në vetvete dhe nuk mund t’ja besojmë atyre që e kanë shpërdoruar për kaq vite, duke siguruar që asgjë të mos ndryshojë.

Në fund të ditës, persekutorët dhe të persekutuarit e djeshëm a nuk janë ende në të njëjtat pozicione ?!
 
Konceptet e legalistëve për shtetformin dhe konsolidim të institucionëve dhe të ndërgjegjes kombëtare janë dhe do të mbeten aktuale përderisa ligji dhe drejtësia nuk do të jenë vendosur në vendin tonë, në shërbim të interesave të qytetarëve.

Nga ana tjetër, ne mendojmë se kombi nuk mund të ndërtohet pa një familje të shëndoshë, që përfshin brenda saj jo vetëm traditat dhe moralin e trashëguar ndër shekuj dhe në përballje me sundimet apo qytetërimet e huaja, por edhe duke konsideruar si një familje të vetme të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, brenda kufijve të Shqipërisë londineze, në trojet shqiptare apo në diasporë.

Në përputhje me drejtësinë ndërkombëtare, me interesat e aletave tanë strategjikë dhe sidomos me interesat e popullit shqiptar, ne mendojmë se duhet të përpiqemi të shndërrojmë në realitet vullnetin për bashkim kombëtar që mishërohet te të gjithë shqiptarët.

Dhe kjo jo për folklorizëm nacionalist të pavend, por në shërbim të zhvillimit të vendit tonë, të stabilitetit afatgjatë për gjithë rajonin, si dhe krijimin e kushteve të reja për prosperitet ekonomik.

Prandaj jemi të bindur në nevojën e krijimit të një Konfederatë shqiptare me Kosovë e Shqipëri nën një qeverisje unitare që jetësohet më së miri nga institucioni mbretëror.

***

Në këtë 90-vjetor të Triumfit të Legalitetit, roli dhe rëndësia e koncepteve dhe vizioneve tona është sot më shumë se kurdoherë i nevojshëm për të rivendosur drejtësinë dhe legjitimitetin e mohuar prej kaq kohësh për shqiptarët.

Në këtë kontekst, ne e konsiderojmë misonin e Legalitetit si një vlerë e shtuar në spektrin politik, dhe padyshim, vlerat tona kanë qënë dhe do të jenë lokomotivë për rikthmin e dinjitetit dhe rindërtimin e shtetit e demokracisë për të gjithë shqiptarët.

Ndaj i urojmë të gjithë Legalistët dhe mbarë Shqiptarët në këtë 90-vjetor të Triumfit të Legalitetit dhe ju urojmë shumë përvjetorë të tjerë në vazhdim.

Ju falemnderit,

Sulejman Gjana
Kryetar i PLL
--
Fjalim më rastin e 90-vjetorit të Triumfit të Legalitetit, mbajtur në Akademinë Solemne organizuar nga PLL, Muzeu Historik Kombëtar – Tiranë – 24/12/2014



SULEJMAN GJANA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Fletë nga ditari i njërit prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të KosovësLDK - PARTIA QË E BËRI SHTETIN DHE HISTORINËNga GANI MEHMETAJ (12.25.2014)
Në epiqendërNJË MINISTRE E NATO-s DEKORON NJË ISH MINISTRE TË DIKTATORIT HOXHANga ELIDA BUÇPAPAJ (12.24.2014)
LDK në përvjetorin e 25-tëNGA LËVIZJE PËR SHTETNDËRTIM NË PARTI PA VIZION PËR TË ARDHMENNga JUSUF BUXHOVI (12.24.2014)
DR ELEZ BIBERAJ -  SHQIPËRIA DHE SFIDAT E TRANZICIONITNga FRANK SHKRELI (12.23.2014)
Barometri diplomatikAMERIKA NUK DIKTOI KURRFARË KOALICIONI, AS KURRFARË QEVERIE TË RE NË KOSOVËNga Prof. Dr. MEHDI HYSENI (12.23.2014)
TË IDENTIFIKOHET DËMI NJERËZOR, MË PAS DËMSHPËRBLIMI MORALNga SULEJMAN GJANA (12.19.2014)
VJEDHJA E PRONËS PRIVATE NË ULQIN KONSIDEROHET SI NGJARJE E VITITE Drejta e pronës është e drejtë e njeriutNga FRANK SHKRELI (12.18.2014)
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE (12.17.2014)
ÇFARË DO ZONJA BUÇPAPAJ KËTU – M’U HAKËRRUA ARBEN IMAMI NË MES TË PARLAMENTIT!Nga ELIDA BUÇPAPAJ (12.17.2014)
NDËRROI JETË SHKRIMTARJA ROZI THEOHARINga FRANK SHKRELI (12.14.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Shtator 2019  
D H M M E P S
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30          
 
::| Hot News
PËRMBYTJET NË SHQIPËRI - QEVERIA THOTË SE GJENDJA ËSHTË KRITIKE, KËRKON NDIHMË NGA BRUKSELI
ARVIZU - PRESIM QË DREJTËSIA SHQIPTARE TË DËNOJË TRAFIKANTËT E NJERËZVE
NATO NUK MUND TË NDIHMOJË NË KRIJIMIN E USHTRISË NË KOSOVË
GJERMANIA, FRANCA, BRITANIA E MADHE, HOLLANDA DHE DANIMARKA KUNDËR STATUSIT TË VENDIT KANDIDAT PËR SHQIPËRINË
THAÇI PARALAJMËRON ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT GJATË JAVËS SË ARDHSHME
MISIONI MISHELËNga MICHELLE OBAMA, Newsweek
BABAI E NJEH MË MIRËNga THOMAS L. FRIEDMAN, New York Times
NATO dhe BE borxhlinj ndaj Kosovës ?Nga Elida Buçpapaj

 
VOAL
[Shko lart]