E Djelë, 04.28.2024, 10:08pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
PERSONAZH
 
Me rastin e 100 vjetori
E Mërkurë, 01.07.2009, 07:02pm (GMT+1)

Intervistë e Rita Levi Montalçinit në prag të 100 vjetorit

 

Rita Levi Montalçini: "Nuk mund t'i vësh dryna trurit"

 

Truri nuk ka rrudha. Nëse vazhdon të punojë pareshtur, përtërihet vazhdimisht, edhe pas tetëdhjetë viteve. Për më tepër, ndryshe nga organet e tjera, mundet madje të përmirësohet. "Me aktivitetin tim e dëshmoj: sot e shoh se kam më tepër mundësi se kur isha njëzet vjeçe për të thelluar mendimin dhe intuitën," tregon Çmimi Nobel Rita Levi Montalcini. Pastaj, si shkencëtare, shpjegon se meritë e gjithë kësaj është plasticitet neuronal: nëse nuk ndërhyjnë sëmundje si Alzheimer, truri ynë i plotëson humbjet e neuroneve me aftësinë që kanë neuronet e mbetura për të gjetur shtigje të reja. Nisur nga rasti i saj, teoria funksionon: në prag të njëqind viteve (i mbush më 22 prill) profesoresha shkon në laborator në EBRI (European Brain Research Institute, me qendër në Romë) çdo mëngjes, para pak kohësh ka publikuar librin La clessidra della vita (Klepsidra e jetës). Jo vetëm kaq: i ndjek pikë për pikë punët në Fondacionin e ideuar prej saj të ndërtojmë një të ardhme për femrat afrikane. "Shpresojmë të arrijmë në dhënien e dhjetë mijë bursave studimi brenda prillit," thotë Giuseppina Tripodi, prej dyzet vjetësh bashkëpunëtore e saj e besuar. "Për profesoreshën pa dyshim kjo do të ishte dhurata më e madhe."
Kur u regjistrua në mjekësi në fakt shpresonte të ndiqte shembullin e Albert Schweitzer, i cili i shëronte "të fundit e botës" në Afrikë. Por më parë iu desh të luftonte kundër vullnetit të babait, inxhinier, pronar fabrike akulli, që nuk ua miratonte vajzave të merreshin me studime: "Më thoshte se nuk më ndalonte dot, por nuk ma miratonte." Pastaj arritën ligjet racore dhe e reja Rita, e cila ndërkohë diplomohej në Torino e punonte pranë Institutit të Anatomisë së Krahasuar, do të pezullohej nga veprimtaria akdemike. "Instalova atëherë një laborator të neuro-embriologjisë në dhomën e gjumit." Ku operonte embrione të pulës me gjilpëra tejet të imta. Renato Dulbecco, kolegu i tij i studimeve, kujton ende shkathtësinë dhe saktësinë prej artisteje me të cilat kërkuesja i lëvizte duart. Në atë dhomë, faktikisht, ajo vendosi bazat për zbulimin e realizuar më vonë në Shtetet e Bashkuara të NGF (Nerwe Growth Factor Faktori i Rritjes Nervoze), që ia dha Çmimin Nobel.

 

PYETJE: Truri nuk ka rrudha, por ndonjë tru është më i bukur se të tjerët...

RITA LEVI MONTALCINI: "Nuk besoj, inteligjenca nuk është programuar e tëra që prej lindjes. Me një fjalë, nuk është gjenetike. Femrat, për shembull vlejnë saktësisht sa edhe meshkujt, madje kanë një fleksibilitet më të madh trunor. Mjerisht në rrjedhën e historisë janë mbajtur larg shkollimit. Por atje ku kanë pasur mundësi shkollimi, rezultatet nuk kanë munguar. Ka dalë para pak kohësh një libër për femrat matematikane në Rusi: janë shumë dhe kanë aftësi të dalin në pah edhe mbi burrat."

 

PYETJE: Juve u është dashur shumë ta bëni këtë?

RITA LEVI MONTALCINI: "Vetëm në fillim e kam pasur vështirë. Që e vogël isha e sigurtë se nuk doja të bëhesha grua dhe nënë. Shihja një familjen time një mbizotërim absolut të babait tim dhe kësaj i druhesha shumë: dy edhe dy nuk bënin katër për atë, ndonëse ishte matematikan. Nëna ime, piktore, u detyrua të linte punën pas martesës. Por në punë kish pasur gjithmonë mirëkuptim me kolegët meshkuj. Natyrisht, sot gjithçka ka ndryshuar, femrat nuk janë të detyruara më të zgjedhin midis familjes dhe punës, ndërsa burrat në shtëpi tashmë janë më bashkëpunues."

 

PYETJE: Bota duket më arsyetuese se dje?

RITA LEVI MONTALCINI: "Jetojmë ende të zotëruar nga impulse të ulëta, si ato të para pesë mijë viteve. Sepse truri ynë ka një përbërës arkaik dhe të turbullt (që e ka qendrën në hipokamp strukturë në sipërfaqen e mesme të hemisferës trunore që rregullon ndjeshmëritë e nuhatjes dhe të shijes, shënimi ynë) përbërës i cili është agresiv, emotiv e afektiv dhe ai pikërisht e ka lejuar australopitekun të shpëtohet, kur ka zbritur nga pema dhe është përballur me botën. Përbërësi tjetër, njohës dhe neokortikal (përtëritës i kores së trurit shënimi ynë) është shumë më i vonë dhe iu përgjigjet fazave të zhvillimit të të folurit. Mjerisht kjo pjesë nuk arrin të kontrollojë atë që është më e lashtë dhe që, në momente ekstreme (luftëra, kriza, varfëri) bëhet zotërues. Janë kushtet mjedisore, përfundimisht, ato që e vënë në punë: në regjimet toalitare, për shembull, aktiviteti arkaik i trurit është në maksimum."

 

PYETJE: Por atje banuakan edhe emocionet: a mund t'i bëjmë të heshtin?

RITA LEVI MONTALCINI: "Ndodh që i mbajmë nën kontroll. Dhe kjo duhet mësuar edhe në shkollë. Arsimi është ende tepër i lidhur me binomin viktorian ndëshkim-shpërblim. Fëmijët nuk janë këlyshë qenësh, kanë një përbërës njohës mbi të cilin duhet bazuar që në lindjen e tij."

 

PYETJE: Neuroshkenca këto vite ka arritur shumë. Po për Alzheimerin?

RITA LEVI MONTALCINI: "Punohet ditë e natë. NGF-ja e zbuluar nga unë më 1940 është një molekul proteinike që e shndërron një qelizë të çfarëdoshme në një neuron. Provuar në minj, ka dëshmuar se është në gjendje ta bllokojë Alzheimerin dhe kështu ia ka arritur edhe në fare pak raste njerëzore. Unë jam në një kërkim të dëshpëruar të fondeve, në mënyrë që ilaçi të vihej në dispozicion të të gjithëve: mjerisht industria deri sot nuk ka dashur të investojë."

 

PYETJE: Pavarësisht çmimit Nobel...

RITA LEVI MONTALCINI: "Çmimi Nobel më ka sjellë disa përparësi ekonomike dhe duhet të falënderoj presidentin Ciampi që më 2001 më emëroi senatore të përjetëshme. Duke mos pasur as pension as honorare, isha në gjendje të vështirë ekonomike."

 

PYETJE: Lidhur me Parlamentin, çfarë ndikimi kanë pasur politikanët tanë kur i ke parë nga afër?

RITA LEVI MONTALCINI: "Përjashtuar pak veta me vlerë të madhe, si Anna Finocchiaro, nuk është një botë që më pëlqen. Kur ish Prodi shkoja rregullisht në Parlament. Mes të tjerash kemi miq e qëllime të përbashkëta, edhe ai tani është përfshirë në aktivitete në favor të Afrikës..."

 

PYETJE: Jeni në favor të testamentit biologjik dhe të kërkimeve në qelizat e mbjella. Beson se do të ketë një shuarje konflikti mes shkencës dhe fesë?

RITA LEVI MONTALCINI: "Secili mund të ketë fenë që do: i krishterë, musliman...unë jam laike (qesh). Por nuk më ndal të kërkoj. Nuk mund t'i vësh dryna trurit, sepse është e vetmja gjë që na dallon nga kafshët. Sa për testamentin biologjik, besoj se secili ka të drejtë të ikë me dinjitet nga kjo botë."

 

PYETJE: Në kohën tuaj keni qenë një tru në ikje. Çfarë iu këshillon të rinjve të sotëm universitarë?

RITA LEVI MONTALCINI: "Italia ka qenë vetëvrarë: truri më i mirë gjithmonë ka dalë jashtë, ku, duke u gjendur më mirë, nuk është rikthyer. Italia duhet t'i rithërrasë, por vetëm mbi bazën e meritave dhe jo për nga përkatësia në grupet e pushtetit. Por meritokracia në Itali nuk ekziston: nuk është një moment i mirë."

 

PYETJE: Sot më shumë se dje?

RITA LEVI MONTALCINI: "E kaluara nuk ishte kurrsesi më e mirë. Nëse mendojmë për nënshtrimin e plotë të femrave, gjërat kanë ndryshuar."

 

PYETJE: Po femrat arrijnë barazi të plotë trajtimi tani që ministresha Brunetta dëshiron t'i çojë në pension 65 vjeçe? Si mendoni ju?

RITA LEVI MONTALCINI: "Pensioni nuk mund të shtyhet, sepse kemi shumë të rinj dhe sidomos femra, të cilat duan të hyjnë në botën e punës. Thënë kjo, pritshmëritë e jetës sonë janë të tilla që tashmë, së paku dhjetë vjet para pensionimit, secili duhet të mendojë për një aktivitet të dytë, për një pasion të dytë që ta zhvillojë. Përndryshe truri ndalet. Bashkë me të edhe trupi."

 

PYETJE: Midis pasioneve tuaja bëjnë prapë pjesë Bach e Schubert?

RITA LEVI MONTALCINI: "Kur isha e re i dëgjoja në pesë të mëngjesit, fqinjët më thoshin: së paku vare në derë programin e ditës. Tani? Tani më mungon koha..."/

Elida BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
525 Vjetori i Huldryh Zvinglit, reformatorit të madh zviceran, i treti pas Martin Luterit dhe Kalvinit (01.01.2009)
Zherar Depardjë është 60 vjeç (12.27.2008)
Helmut Shmit bëhet 90 vjeç (12.24.2008)
Tenori i ri shqiptar Saimir Pirgu duartrokitet me ovacione në sallën “Metropol” të operës së Lozanës (12.15.2008)
MADONA E ÇMENDI PUBLIKUN E STADIUMIT TË FAMSHËM MARAKANA NË BRAZIL (12.15.2008)
Nostradamus sot do të ishte 415 vjeç (12.14.2008)
Një ditë me emocione dhe me Flora Brovinën (12.13.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
Lajme Aktuale

Poetesha që ka zgjedhur Obama

 
VOAL
[Shko lart]