VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Artur Klark: Do të arrijmë pavdekësinë elektronike

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 12:20pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
PERSONAZH
 
Artur Klark: Do të arrijmë pavdekësinë elektronike
E Martë, 09.08.2009, 04:36pm (GMT+1)

 

Sir Arthur Charles Clarke, (16 dhjetor 1917 19 mars 2008) ishte një autor britanik letërsie fantastikoshkencore, shpikës dhe futurist. U bë i famshëm sidomos për romanin 2001: Odisea në hapësirë (2001: A Space Odyssey) shkruar me regjisorin Stanley Kubrick, një bashkëpunim që prodhoi edhe filmin me të njëjtin emër. Ai ishte edhe drejtues dhe komentaror në serialet televizive britanike Mysterious World

Clarke shërbeu në Royal Air Force si instruktor radari dhe teknik në vitet 1941-1946, propozoi sistemet e komunikimit satelitor më 1945 për të cilin fitoi Medaljen e Artë më 1963 nga Franklin Institute. Ishte kryetar i Shoqatës Ndërplanetare Britanike në vitet 1947-1950 dhe prapë më 1953. Clarke emigroi në Sri Lanka më 1956 sidomos për të ndjekur interesat e tij për zhytje nënujore të cilat i vazhdoi deri në fund të jetës. Ai u dekorua me Urdhërin e Kalorësit Britanike më 1998 dhe iu dha urdhëri më i lartë civil nga Sri Lanka më 2005. Në dhjetor 2007, në 90 vjetorin e tij, Clarke regjistroi një videomesazh për miqtë e tij dhe adhuruesit e tij për t'iu thënë lamtumirë. Clarke vdiq në Sri Lanka më 19 Mars 2008 pas problemesh me frymëmarrjen. Vetëm pak ditë para vdekjes ai ripunoi dorëshkrimin e veprës përfundimtare, The Last Theorem, (Teorema e fundit), për të cilin bashkëpunoi nëpërmjet postës elektronike (e-mail) me bashkëkohësin Frederik Pohl. Libri u botua pas vdekjes.

Clarke u varros në Kolombo me rite tradicionale të Sri Lankës. Vëllai më i ri, Fred Clarke, dhe familje adoptive srilankase e tij ishin mes mijëra të pranishmëve.

 

Atje në Sri Lanka ai luante gjithnjë pingpong, keq. Bënte gjithmonë zhytje nënujore në atë det që, me dallgët e cunamit, shkatërronte pjesën më të madhe të ishullit në Oqeanin Indian; një ngjarje të cilën ai e kishte parashikuar që në vitin 1982. Njëri ndër të parët në botë që ka përdorur kompjuterin për të shkruar dhe postën elektronike për të komunikuar me pjesën tjetër të Tokës, falë satelitëve artificialë lindur nga një ide e tij, për të komunikuar me botët e tjera dhe me njerëzit që do të jetojnë pas dhjetëra, qindra e mijëra vjetësh i përdor romanet e tij. Njerëzit në Kolombo e thërrisnin "Njeriu mbi Hënë", sepse në fakt atje lart ka qenë më shumë se të gjithë të tjerët. Rreth një vit para vdekjes Sir Arthur C Clarke jepte këtë intervistë:

 

INTERVISTA

 

PYETJE: Ju jeni botërisht i njohur për tri arsye: 1) Keni qenë shpikës, në vitin 1945, i së famshmes Orbita e Klarkut që i ka bërë të mundur satelitët për telekomunikacion; 2) Keni projektuar ashensorin hapësinor, me të cilin raktetar e ardhshme mund të zbarkojnë nga orbita tokësore dhe jo më nga Planeti ynë; 3) Jeni autori i "2001: Odisea në hapësirë", i filmit më vizionar, më të bukur, më e kompleks e më metafizik kushtuar evolucionit të njerëzimit, të shkuarës së tij dhe të ardhmes së tij të afërt dhe shumë të largët. Cilat nga tri këto cilësime ju pëlqejnë më shumë?

CLARKE: "Jam i lumtur dhe mirënjohës ndaj njerëzimit që më konsideron shpikës të satelitëve të telekomunikacionit dhe propozues kryesor të ashensorit hapësinor. Por do të parapëlqeja të kujtohem si një shkrimtar i zoti.

 

PYETJE: Në njërën prej skenave më të famshme të filmit "2001: Odisea në hapësirë" majmuni, duke parë Hënën gjuan një kockë në ajër. Çfarë përfaqëson për ju ajo kockë: një simbol të pushtetit, një instrument të komunikacionit apo lindjen e një teknologjie të re?

CLARKE: "Mund të këndvështrohet në të tria mënyrat. Kanë kaluar tashmë 40 vjet prej kur Stanley Kubrick e unë realizuam "filmin e mirë proverbial fantastikoshkencor" dhe nuk më kujtohet më gjithçka që ishte në themel të çdo vendimit tonë krijues. Sekuenca e kockës ka mbetur e famshme edhe ngaqë është flashforward më i gjatë në kinema, rreth tre milionë vite, prej majmunit të thirrur "Moonwatcher" (Vëzhgues i Hënës) dhe vitit 2001. Daniel Richter, mimi që interpretonte majmunin, ka shkruar një libër kujtimesh për këtë sekuencë.

 

PYETJE: Le të flasim për evolucionin. Tani nëpërmjet shkencës dhe teknologjisë mund të ndjekim evolucionin e qenieve tokësore, përfshirë evolucionin tonë. Kjo mund të përshkruhet si një rrjedhë natyrore, nisur nga fakti se shkenca është gjithsesi një prodhim i evolucionit të species njerëzore?

CLARKE: "Kolonizimi i hapësirës është hapi i parë logjik në evolucionin tonë si specie. Është hapi i madh i mëtejshëm pas atij që i solli të parët tanë, kur ata ishin peshq dhe u transferuan në tokën e thatë. Përfytyroje një peshk tradizionalist i cili, një miliard vjet më parë, iu thoshte të afërmve të vet të bërë amfibë: "Jeta në tokën e thatë nuk ka të krahasuar me jetën në det. Ne jemi mirë ketu ku jemi." Kështu bënë peshqit dhe mbetën peshq. Pasardhësit tanë që do të jetojnë në Hënë dhe në Mars do ta vizitojnë patjetër Tokën, duke pasur veshur ekzoskeletë për të përballuar gravitetin dërmues të Tokës, dhe maska antigas për të filtruar aromat e panumërta të neveritshme të cilat Planeti ynë ka mësuar t'i krijojë përgjatë historisë së miliona viteve. Por nuk besoj se do të dëshirojnë të jetojnë këtu përherë.

 

PYETJE: Çka të duket më e lezetshme, të zbuloni një qytetërim alien në univers apo fakti që në krejt kozmosin nuk ka forma të tjera të jetës, duke na mbetur vetëm ne njerëzve roli i «rojave të hapësirës» ?

CLARKE: «Pajtohem me atë që thotë astrofizikani Carl Sagan: "Jemi të vetëm në univers apo nuk jemi: në të dyja rastet mendja jonë mbetet konfuze.» Personalisht nuk kam dyshime se universi është plot me jetë. Një nga shpresat e mia sekrete është të gjendet ndonjë shenjë, çfarëdo shenje, e alienëve sa të jem unë gjallë. Do të parapëlqeja një shenjë të jetës inteligjente, por do të firmosja edhe për të gjetur një shenjë të jetës bakteriale. Nga ana tjetër, mund të ndodhë që një qytetërim inteligjent të ketë vendosur për të shmangur çfarëdo kontakti me ne, nisur nga kushtet e dëshpëruara në të cilën e kemi çuar botën tonë. Kush e di, ne tokësorët mund të jemi vënë edhe në një "karantinë galaktike"!"

 

PYETJE: Mendoni vërtetë se njerëzimi në fund të udhëtimit të tij mund të transoformohet në një energji të kulluar, siç ndodh në filmin tuaj "2001: Odisea në hapësirë"?

CLARKE: "Trasformimi në energji të kulluar është një mënyrë për t'iu nënshtruar tiranës së mediave dhe unë ndjehem më i qetë nga ato qenie realisht të përparuara të cilat janë duke u përcaktuar për dhe kundër një transformimi të tyre në energji. Natyrisht, nuk do të arrijnë më t'i shijojnë disa kënaqësi të botës materiale, por kur gjithçka shndërrohet në një gjendje mendore, atëherë kujt i prish më punë?"

 

PYETJE: Duke u kthyer në kushtet tona tokësore të viteve përtej "2001: Odisea në hapësirë", pas radios, satelitëve dhe telefonëve celularë cilat mund të jenë së shpejti hapat e telekomunikacionit?

CLARKE: "Besoj shumë në njohjen e zërit nga kompjuteri dhe nga mekanizmat e tjera, edhe për vlerën e tyre sociale, sepse ashtu mund të përdoren edhe nga analfabetët. Megjithatë sot ekzistojnë kufizime: do të ishte mirë që ato të kapërcehen vetvetiu, por mendojeni kaosin e një zyre ku të gjithë iu flasin makinave. Ndër të tjera, software duhet t'iu bëjë ballë ndryshimeve të pafundme të thekseve me të cilët flitet e njëjta gjuhë. Nuk mund të mos e përmend një episod të ndodhur para disa vjetësh, tek po përpiqesha ta mësoja një kompjuter ta njihte zërin tim. Shprehja "kam nevojë të shkojë në një festë" [the party në anglisht] u bë "kam nevojë t'i shkojë në ndihmë aparteiditventò [ the apartheid], një shembull flagrant i "pasaktësisë politike"."

 

PYETJE: Mendoni vërtetë, siç keni parashikuar në "3001: Odisea finale", se në të ardhmen do të jemi në gjendje të shkarkojmë drejtpërdrejtë informacione në trurin tonë duke e lidhur me një mekanizëm të jashtëm?

CLARKE: "Po, përkryerja përfundimtare e mekanizmave inputoutput do të bëjë të mundur që të bëjmë që të gjitha shqisat e organizmit të njeriut të çojnë sinjale drejtpërdrejt në tru. Kjo gjë mund t'iu lihet në dorë mekanizmave bioteknologjikë; unë në librin tim "3001: Odisea finale" këtë mekanizëm e kam quajtur the braincap [një nyjë e lidhur mbi kokë që bën ndërlidhjen mes trurit dhe një kompjuteri].  Përhapja e kësaj mënyre mund të vonohet për shkak se ndoshta do të na duhet të qethemi zero. Kështu, prodhimi i parukeve mund të shndërrohet në një biznes të madh pas disa dhjetëra vjetësh."

 

PYETJE: Kur doli "2001: Odisea në hapësirë", kompjuteri HAL [i cili në fund mori në dorë anijen ndëryjore dhe i vrau të gjithë astronautët, përveç protagonistit Bowman, i cili arriti ta çmobilizojë pas një beteje psikoteknoligjike] u bë simbol i makinës që ia kalon njeriut dhe e sundon botën. Kjo frikë, aq e përhapur në atë kohë, tani nuk ekziston më. Pse, sipas jush?

CLARKE: "Duhet të gjithë t'ia falënderojmë pak veta, si Steve Jobs e Bill Gates. Prej kur kompujterët janë bërë më të lehtë për t'u përdorur dhe më të pranueshëm, të gjitha drojat janë zhdukur. Kompujterët pastaj kanë futur në të folurin tonë fjalë dhe shprehje të cilat nuk do të kishin pasur asnjë kuptim vetëm disa dhjetëra vjet më parë. Gjyshërit tuaj do të kishin kuptuar vallë gjë nga një thirrje si: "Laptopi im është krashuar"? E çfarë do të kishin menduar duke dëgjuar terma si "megabyte", "hard drive" e "Googling"? Është pastaj një shembull tjetër i një shprehjeje familjare që e ka ndërruar krejtësisht kuptimin: çfarë do të kishte menduar një grua e viteve të para 1900 nëse do t'i kishim thënë se nipi i tij e kishte kaluar gjithë ditën, në shtëpi e në punë "fondling a mouse", "duke përdorur një mi"?

 

PYETJE: Po a do ta vrasë shtypin infomacioni elektronik?

CLARKE: "Nuk besoj. Zhdukja e shtypit u predikua me arritjen e radios e të televizionit, por secili prej mjeteve të komunikimit ka gjetur vendin e tij në jetën tonë dhe ne nuk i kemi braktisur librat tanë. Ky mjet i modës së vjetër në fakt ka ende hapësirë në vebsajtet, lojërat video, në mjetet mobile dhe tundime tjera. Pa dyshim, sfida është të kërkojmë të gjejmë sa do të ndjehemi mirë në mesin e mjeteve të reja, por leximi i librave mbetet i pazevendësueshëm. Industria botuese duhet të gjejë drejtime të reja, por nuk besoj se botimet do të zhduken.

 

PYETJE: Si e shikoni të ardhmen e Tokës? Ju keni qenë i vetmi që e keni konsideruar cunamin si kërcënimin natyror më të rëndë të Planetit tonë. Në librin "2010: Odisea dy" ju parashikonit më 2005 një cunam gjigantesk në Oqeanin Paqësor. Gabuat vetëm pesë ditë dhe disa mijëra kilometra në krahasim me cunamin real. Pse ky lloj katastrofe është marrë gjithnjë pak në konsideratë nga shkencëtarët dhe shkrimtarët?

CLARKE: "Vendet e zonës së Paqësorit gjithnjë kanë bashkëjetuar me cunamët, por vetëm cunami i Oqeanit Indian i vitit 2004 ka katalizuar një vemendje botërore mbi një rrezik të ngjashëm. Pak pas tragjedisë, nëvizoja se cunami mund të shfrenohet jo vetëm nga një tërmet nëndetar, por edhe nga një sulm trupash qiellorë. Prai, kur flitet për kërcënime që vijnë nga hapësira njerëzit duket se ndjehen rehat ngaqë dy të tretat e Tokës janë të mbuluara me ujë. Ndërkaq duhet të shqetësohemi më shumë: një rënie asteoridi në oqean mund të jetë shumë herë më i dëmshëm se një tërmet në tokën e thatë. Duncan Steel, një autoritet i kësaj fushe ka bërë disa përllogaritje të tmerrëshme. Ka folur për një asteroid modest, me diametër 200 metra, që bie në Tokë me shpejtësinë tipike 68400 km në orë. Në sipërfaqen e Tokës ai lëshon energjinë kinetike sa një shpërthim me fuqi 600 megaton, 10 herë më shumë se çdo provë atomike nëntokësore e realizuar ndonjëherë. Edhe nëse vetëm 10 për qind e kësaj energjie shndërrohej në cunam, dallgët do të arrinin të kapnin brigje mijëra kilometra larg, duke shkaktuar një shkatërrim shumë më të përhapur se rënia e asteroidit në tokën e thatë. Në rastin e rënies së asteroidit në tokën e thatë, do të kishim ndërveprim midis relieveve të terrenit, çka do ta kufizonte veprimin e rënies së asterodit. Ndërsa në oqean nuk do të kishte asgjë që do ta pengonte dallgën që vërshon brigjet. Për këtë kam kërkuar që t'i mbajmë sytë drejt qiellit edhe kur kërcënimet e çasti na vijnë nga thellësitë e oqeaneve./Elida BUÇPAPAJ

Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Miti dhe njeriu, keqkuptimi Beethoven (09.05.2009)
Rupert Murdoh perandor global mediash (09.02.2009)
Riçard Gir ose tunduesi përherë i papërballueshëm (08.30.2009)
Gjendet vajza amerikane pas 18 vjet rrëmbimi (08.29.2009)
Meril Strip donte Princin Çarls për burrë (08.25.2009)
SHBA: Sandra Dej O'Kanër, gruaja e parë anëtare e Gjykatës së Lartë (08.25.2009)
Dikur Gabriel Garsia Markezi mori një grusht në fytyrë nga Mario Vargas Llosa (08.24.2009)
Helga Dinë një tjetër Ana Frank (08.22.2009)
Babai Riki Martin i tregon fëmijët e tij (08.20.2009)
Kenet Bejkën humanisti që kontribuoi në luftën e Kosovës (08.20.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
Lajme Aktuale

Poetesha që ka zgjedhur Obama

 
VOAL
[Shko lartë]