VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SHTËPIA E HIVZI SULEJMANIT DO TË BËHET PUSHIMORE SHKRIMTARËSH

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 12:11pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
SHTËPIA E HIVZI SULEJMANIT DO TË BËHET PUSHIMORE SHKRIMTARËSH
E Premte, 06.08.2012, 05:04pm (GMT+1)

Prishtinë, 8 qershor - Shtëpia e shkrimtarit të ndjerë Hivzi Sulejmani, të cilën vetë ai me testament ia la në shfrytëzim Komunës së Prishtinës, për ta shfrytëzuar në të mirë të librit, që nga viti 2009 është bosh. Gjendja e saj nuk është aspak e mirë. Por Komuna e Prishtinës ka vendosur që të investojë në këtë shtëpi, për ta shndërruar atë në rezidencë për shkrimtarët e huaj, që do të mund ta vizitonin Kosovën, shkruan sot "Koha Ditore". Në oborrin e saj do të bëhet një amfiteatër që do të shërbejë për organizimin e orëve letrare.

Qëkur në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ka ardhur Adem Demaçi, hapësira aty është vlerësuar e pamjaftueshme për aktivitetet e tyre, ani pse nuk kanë pasur ndonjë objekt tjetër, kur ia kishin kthyer Komunës shtëpinë e Sulejmanit që e kishin në shfrytëzim. Demaçi tash ka bindjen se ky institucion është vonuar në rifunksionalizimin e këtij objekti.

Rrugës për në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, në anën e majtë, gjenden dy shtëpi, që dikur janë konsideruar më të bukurat në qytet. Të ndërtuara dekada më parë, pronari i tyre Hivzi Sulejmani para se të vdiste, në vitin 1975, me testament kishte lënë që shtëpitë të përdoren për një bibliotekë për fëmijë e t'i shërbejnë librit. Aty kishte lënë edhe gjithë fondin librar. Dy tabela të vendosura sipër derës së hyrjes tregojnë se aty ushtrojnë funksionin biblioteka për fëmijë "Hivzi Sulejmani", ndërsa tjetra tregon logon e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Por rruga deri te shtëpia e dytë, e cila është bosh, përshkohet me barishte e shkurre. Aspak më e mirë gjendja nuk është as brenda saj. Një bust i bronztë me figurën e shkrimtarit qëndron mbi një tavolinë, i mbuluar nga pluhuri. Dhomat krijojnë një pamje të frikshme tek vërehet se aty ka kohë që s'ka shkelur këmbë njeriu.

Komuna e Prishtinës gati katër vjet pasi shtëpia ka mbetur shkret, ka vendosur ta ndryshojë këtë gjendje. Me qëllim që të shpëtojë këtë shtëpi, nga buxheti për mirëmbajtjen e institucioneve të kulturës do të ndahen mjete për rinovimin e saj.

Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë se e kanë obligim që të ruajnë shtëpinë që u është lënë trashëgim nga shkrimtari me nam.

"I kemi marrë masat që të rinovojmë gjithë shtëpinë, bashkë me oborrin e saj", ka thënë Dumoshi. Ajo ka treguar se shtëpia do të shndërrohet në rezidencë për shkrimtarët që vizitojnë Kosovën. Një plan shumë të mirë ajo thotë se e kanë edhe për oborrin e saj.

"Do të jetë si një çerdhe e kulturës. Ndërsa në oborr është paraparë që të bëhet një amfiteatër që do të shërbejë për prezantimin e orëve letrare e për mbrëmje poetike", ka thënë Dumoshi. "Kjo do ta pasurojë shumë jetën kulturore në kryeqytet". Drejtoresha ka thënë se Komuna në fondin për mirëmbajtje të objekteve për këtë vit ka në dispozicion 125 mijë euro. Një pjesë e tyre do të shkojë në rinovimin e shtëpisë së Sulejmanit. Por Dumoshi nuk ka dashur të përmendë shifra, ngase, sipas saj, kjo do ta dëmtonte tenderin i cili do të shpallet për renovimin e kësaj shtëpie.

"Me tender do të kërkojmë që të rinovohet komplet shtëpia, dritaret, banjat dhe oborri", ka thënë Dumoshi.

Munish Hyseni, drejtor i bibliotekës ndërkomunale që mban emrin e shkrimtarit Hivzi Sulejmani, ka treguar se një ekip nga Komuna e Prishtinës ka vizituar objektin në mënyrë që të mësojë më shumë për gjendjen.

"Kanë premtuar se do ta rregullojnë", ka thënë Hyseni, i cili e ka cilësuar lajm të mirë këtë gjë.

Ai ka thënë se në objektin e rinovuar do të mund të kthehej edhe fondi i librave të bibliotekës personale të shkrimtarit, të cilat aktualisht janë konservuar në hapësirat e objektit të bibliotekës për fëmijë.

"I kemi vendosur aty që t'i ruajmë, por ato do të kthehen në shtëpinë e re", ka thënë Hyseni.

Nëse punët shkojnë sipas planit të Komunës, ora e parë letrare aty do të mund të mbahej në shtator.

"Do të donim që të kryhet sa më shpejt. Do të ishte një vend ideal që do mund të shfrytëzohej nga shkrimtarët", ka thënë Dumoshi.

Por Adem Demaçi jep arsyetimin e braktisjes së shtëpisë, të cilën Komuna ua kishte lënë në shfrytëzim. Ai thotë se aty nuk ka pasur kushte elementare për ta shndërruar atë në një qendër ashtu siç e kishin menduar.

"U munduam disa muaj po nuk kishte as ujë, as rrymë, edhe ishte shumë ngushtë. Kështu që ne i propozuam Komunës që ta marrë dhe ta shfrytëzojë për çka ua merr mendja", ka thënë Demaçi. Ashtu si në kohën kur ishin larguar nga shtëpia edhe tani LShK-ja po pret rindërtimin e ish-hotelit "Union", i cili kur është privatizuar nga firma italiane "Benetton" është shkruar në kontratë se brenda hapësirave të veta do të rezervojnë 200 metra katrorë për këtë institucion. Këtë hapësirë ata do ta shfrytëzonin për 13 vjet. Edhe përpjekjet për të ndarë objektin e vjetër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës kishin dështuar.

"Atyre u dukej që nuk ka vend për neve, dhe kaluam ashtu. Tash, takohemi herë në Institutin Albanologjik, herë diku tjetër, por nuk kemi një objekt tonin ku do të mund të organizonim edhe ndonjë orë letrare", ka thënë Demaçi. Ata kanë menduar se është më mirë që të jenë pa objekt sesa të kenë një objekt të vogël. Por Demaçi ka një propozim për shtëpinë e shkrimtarit të ndjerë.

"Realisht do të mund të bëhej ndonjë muze për Sulejmanin. Ndoshta jo i mirë sa do të donim ne, por do të bëhej i pranueshëm, sepse ai u bë burrë dhe ia fali Komunës, e Komuna do të duhej t'ia jepte njëfarë drejtimi kulturor", ka thënë Demaçi, teksa shton se ka frikë se Komuna është vonuar me përmirësimin e gjendjes në atë objekt.

"Sikur që jemi vonuar ne si komb për nja 100 vjet, edhe institucionet tona po vonohen secila sipas afatit të vet", ka thënë Demaçi.

Komuna e Prishtinës ka shpenzuar 2,5 milionë euro për ndërtimin e një objekti modern të bibliotekës së qytetit që mban emrin "Hivzi Sulejmani". Në lagjen "Dardania" të kryeqytetit ndërtesa e shtrirë në 3 kate, me rreth 5 mijë metra katrorë do të inaugurohet së shpejti.

Hivzi Sulejmani lindi në Mojstir, më 1910. Një kohë jetoi në Mitrovicë, ku dhe mbaroi dy klasë të gjimnazit, e më pas u zhvendos në Prishtinë. Ka kryer Medresenë e Shkupit. Më 1935 u regjistrua në Fakultetin Teknik në Beograd, ku mori pjesë në radhët e demonstratave të studentëve. Me gjithë sëmundjen, iu përkushtua Luftës Nacionalçlirimtare në Kosovë. Ka qenë i burgosur nga fashistët, për shkak të aktiviteteve revolucionare në Ferizaj. Vdiq në Prishtinë, më 1975. E në testamentin e tij, pronën e tij materiale ia la Komunës së Prishtinë që ta përdorë në të mirë të librit. Ndër romanet e tij më të njohura janë "Njerëzit" dhe "Fëmijët e lumit tim", ndërsa është autor i një numri të madh të poezive, ndër të cilat veçohet "Plagë shpirti".

(koha)
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PEZULLOHET PESHËNGRITËSI SHQIPTAR QERIMAJ (06.08.2012)
NA KANË MUNDË NANAT SHQIPTARE (06.07.2012)
ZAGANJORI, RAST RISOR E VLEROR (06.07.2012)
HESHTJA E BARDHËCikël poetik nga libri "Heshtja e bardhë" e autorit GJIN GJONPALIPërgatitur për botim nga ZEQIR LUSHAJ (06.05.2012)
-TE LUMTE DORA, QAZIM MANI (Mustafaj) Nga ZEQIR LUSHAJ (06.04.2012)
NË 100 VJETORIN E PAVARËSISË KOMBËTARE - SHKOLLA "ISMAIL QEMALI" VLORË MBUSH 50 VJET (06.03.2012)
BOTA KUDO QENKA NJËSOJ- 13 vjersha nga NJU JORKU -Nga ZEQIR LUSHAJ (06.01.2012)
KOSOVA LINDORE PËRKUJTOI RIDVAN QAZIMIN - KOMANDANT LLESHIN (05.29.2012)
UDHA E BJESHKËS-Udhëtoj shpesh (me mend) me karvanin e vrritarëve për në bjeshkë…, në Shtyllë të Grisë-Nga ZEQIR LUSHAJ (05.28.2012)
DIKUR FUTBOLLIN E KA BËRË PASIONI, TANI E MBAN PARAJAIsh futbollistin e njohur BASHKIM TIRANA e intervistoi ALEKO LIKAJ (05.27.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]