Baba na la të vegjel jetima...Mbas një viti që "hyne këta..." nuk përfituem as
pension mbasi u konsiderue gjithë fisi "reaksionar"...Na shtetizuen dhe një
shtëpi që kishim me qera... Të ardhuna tjera nuk kishim. Dajat filluen Kalvarin
që në 1945...ndërsa, daja Don Kolec vdiq në vitin 1950...Na ndihmonte mos me shkue
në "preventorium" halla Gjyzepinë, e cila punonte infermjere në spitalin civil
të Shkodres...I vetmi burim jetese ishte "shitja e plaçkave" të shtëpisë për me
hangër bukë.
Mbas shitjes së disa mobiljeve dhe tavolinave...Nana filloi me shitë
pajen e vet të përgatitun me duert e saja qyshë vajzë sigurisht me çmime që po
ti tregoj me siguri askush nuk do ti besonte, sepse ishin të qendisuna me
gjylpanë nga duert e Saja t' arta... Nga Nana pata fatin me trashigue artin e
pikturës për të cilin Ajo, asht kenë dallue në shkollën e Motrave Stigmatine të
Shkodres. Një stole që përdorin klerikët e punueme nga duert e Saja kur ishte 9
vjeç pra në vitin 1918, i asht dhurue Papës nga një delegacion që ka shkue në
Romë.
Bana këte hymje për me tregue se cila ishte vlera e punimëve që vinim kokën
sipër kur binim me fjetë... Nana hapte baulen e nusisë dhe caktonte njenin çarçaf
ose sofrabez...që i duhej me shitë. Ato pak pare porsa i sillte "tallallesha"
shkonin drejtë e tek dyqani i bukës së misrit, o me pague borxhin e ditëve ma
përpara e shpesh, me ble bukën e freskët si "tullë"...
Kjo ishte gjendja ekonomike e shumë shtëpijave të "prekuna" politikisht në
Shkoder... Po nuk duhet harrue se kur në 1946 filloi "dera" e burgut, që nuk u mbyll
përsa vjetë, atëherë edhe paret e "tallalleshës" hidheshin në pusin e pangopun
të burgjeve që të merrnin shpirtin...
Oh, sa me gëzim pritej thirrja e zanit të "tallalleshës" kur i trokiste derës
së shtëpisë!!
Edhe na si fëmijë vraponim me i hapë derën me shpejtësi për mos me e lanë me
pritë mbas dere, e ftonim me hy mbrendë po, Ajo shumë rrallë pranonte ftesën
tonë se, si na thonte Nana, Asaj i vinte randë me hy për me pi kafe "mbasi edhe
Ti o Vidë, i ke këto pare për me i çue ushqim tek burgu si unë", kështu i
thonte Ajo Nanës seme kur iu vente me hy mbrendë...
Ajo ishte një grue e shkurtë e veshun me një fustan të zi e të gjatë dhe
gjithmonë e kujtoj me shami të zezë...kishte zanin pak të trashë, grue shumë e
qeshun po me tipare të theksueme malësorje kur fliste...Edhe na mësueme nga Nana
jonë emnin e Saj dhe gjithmonë e kemi thirrë shkurt "Nana Katë..!" pra, Nana
Katrinë...Kjo ishte "tallallesha"...që vinte tek ne...Kur dilte me shkue gjithnjë
përsëriste të njajtën thanje: "Në dorë të Zotit...u baftë vullnesa e Tij..!".
Ma vonë kur filluem me u rritë Nana na shpjegoi se Kjo "tallalleshë", që shiste
rroba të vjetra e të reja ishte Nana e Prof. Kolë Prelës, që i biri kishte
përfundue universitetin jashtë dhe kishte kenë profesor në Gjimnazin e Shtetit
në Shkoder, e mbas 1945 ishte edhe deputet i njohtun i Dukagjinit. Ishte
arrestue kur po dënohej dijetari At Gjon Shllaku OFM. krejt i pafajshëm. Në atë
gjyq Prof. Kolë Prela flitej se i ka dalë zot pafajsisë së At Gjonit dhe për
atë arësye e kishin arrestue edhe prof. Kolën, i cili nuk ka dalë ma nga burgu,
madje as në gjyq. Një ditë Nanës Katë, tek dera e hetuesisë polici i ka thanë:
"Mos siell më ushqime... se djalin t'a kemi pushkatuar se ai ishte "˜armik i
Popullit'..!" dhe, Nana Katë, u ishte përgjegjë: "Po, prandej Populli e pat ba
deputet të vetin pse ishte "˜anmik' i Tij..?" dhe ashtu e pikllueme kishte marrë
strajcën me plaçka e shkue në shtëpi të vet, e mbasi i kishte hapë në jerevinë
ku jetonte kishte pa njollat e gjakut të djalit ndër ndrresa nga
torturat...kishte kja disa ditë mbi ato rroba dhe i kishte futë në një arkë të
vjetër ku Ajo, i ruente si rrelike...Mësuem se Nana Katë jetonte vetëm mbasi edhe
djalin tjetër Markun, ia kishin arrestue dhe e kishte të dënuem shumë vite...
Një ditë në pragun e festës së Pashkëve, aty nga viti 1949 Nana më mori me vete
dhe u nisëm nga Ara e Pashës, posa dolëm në Ballabane kaluem në krahun e majtë
nga një rrugicë e vogël që quhet Rruga Daijej, pothuej në fillimin e saj Nana
trokiti dhe më tregoi se aty ishte me banim Nana Katë...Ajo doli menjëherë dhe na
për mos me na pa kush pse kishim shkue u afruem tek jerevia ku jetonte Nana
Katë, tek dera nxorëm një tas të mbështjellun me mësallë, ku Nana eme kishte
përgatitë për drekë dishka ma tepër me ia çue për ditën e Pashkëve edhe Asaj.
Kështu mësova atë vend ku Nana e Prof. Kolë Prelës, kalonte jetën në vetmi dhe
në një vorfni të papërshkrueshme...që askush nuk di me e mendue. Përveç mureve të
hapuna, jerevija nuk kishte as tavan as dysheme, shiheshin hatllat sipër e toka
poshtë pa asnjë drrasë si dysheme ...ku në një skutë mbasdere një batani mbi dy
drrasa tregonte vendin ku Nana Katë flente...
Kishte një komodin tek koka dhe një fugure të Zojës së Shkodres...pranë kishte
një stol.
Aq më bani përshtypje sa edhe sot mendoj me vete: "Si mund të jetojë njeriu në
kushte aq të vështira e sidomos në kohë dimni e ngrice që Shkodres nuk i kanë
mungue kurrë..?"
E, megjithate...Ajo ishte optimiste, se një ditë djali tjetër Marku do të
lirohet, "se këta" nuk kanë me kenë gjithmonë..."një ditë... do ti hajë dreqi edhe
"˜këta..!", thonte Ajo...
Shumë vite kaluen. Nana Katë
vazhdonte me strajcen e vet me dalë me shitë rroba...
Kushdo që kishte nevojë me ble ndonjë plaçkë kërkonte tek tregu fshatarë një
plakë të vjetër "tallalleshën" e njohtun në Shkoder, mbasi secili mendonte edhe
me e ndihmue Até...me dishka të vogël sëpse të gjithë e dinin hallin e Saj...e mbi
të gjitha valën e jetës që e kishte përpi e përplasë ndër brigjet ma të
pamëshirshme tue i rrembye të dy djelmët si dy lule...
U gëzuen edhe gurt e sokakut kur u hap lajmi se Nanës Katë ju lirue Marku nga
burgu!
I madh e i vogël e ndalonte Nanën që fluturonte nga gëzimi me i ba urimet e
djalit...
Edhe kush s' e njihte do tu ndalonte me i shterngue dorën, toktë kokën me
"tallalleshën" për me i urue ardhjen e Markut në shtëpi...e kush nuk e shihte do
ta ndalonte Ajo, tue e ftue për një gotë raki për gëzimin e madh që i kishte
sjellë ardhja e djalit tek shtëpia. U dynd Shkodra tek ajo jerevi që i gëzonin
edhe hatllat... "Hajde, mirse u ka prue Zoti...!" ndihej deri tek rruga e madhe zani
i Burrneshës së Dukagjinit...Shumë shpejtë Zoti e gëzoi edhe me fejesen e Markut...
Por, njeriu që nuk ka fat në jetë sado i mirë kjoftë kurrë nuk mund të
parashikojë se Nana Katë ...nuk mundi ti shpëtojë "mjerimit" edhe pse njihej se
nuk ka krye asnjë vepër të keqe. U hap lajmi si rrëfeja se Katërinë Preles
papritmas i ka vdekë edhe djali tjetër i vetëm Marku...
"Asht kenë vullneti i Zotit kështu...!" thonte Nana e mjerë...Po lot jo, kurrë, nuk
kishte përfaqe...vazhdonte traditën e Malëve...Burrneshat nuk kjajnë! Asht vështirë
me kuptue forcën e një Nane që kishte mbetë në këte botë pa asnjenin djalë...me
një "forcë" të pakuptueshme..!
Një ditë kushrinjtë e morën me vete e shkuen tek shtëpija e vet në Dukagjin
bashkë me Nanën Katë, ku Ajo gjetë atje "djelmët e Malit" tek të Parët e
Trojeve të veta, ku mbylli edhe jetën e Saj nën kujdesin, dashtninë dhe
bujarinë e Tyne...
Jam i sigurt se edhe shkrepat e Malit do të kenë vajtue vdekjen e Nanës Katë...
E bashkë me Ta këto pak rreshta le të jenë mirënjohja eme ndaj Asaj Nanë, që
Shoqet e veta me "shamija të zeza" i ka me mija edhe sot, në të katër anët e
Shqipnisë...
Asaj Nanë...Burrneshë të Alpeve tona.., që na mësoi fjalën "qendresë"..!
-
Shenim: Ju, lutem mos ngatrroni fjalën "qendresë" me fjalët
"harresë","moskujtesë" etj. që përdorën sot në institucionet e "Drejtësisë" moderne...të "demokracisë"
shqiptare..!