VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MORATI, ENTUSIAST PËR TË ARDHMEN E INTERIT

                                                                                      

E Shtunë, 05.18.2024, 06:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SPORT
 
MORATI, ENTUSIAST PËR TË ARDHMEN E INTERIT
E Martë, 02.08.2011, 09:35am (GMT+1)

Trajneri brazilian dhe presidenti zikaltër, të lumtur pas fitores me Romën: "Tani e ka radhën Juventusi"

Milano (Itali)- Një tjetër mbrëmje me spektakël, me gola dhe me ndonjë rrezik për Interin: por në fund, fitorja 5-3 kundër Romës të dielën në mbrëmje i ka dhënë mundësi zikaltërve që teorikisht të jenë -2 pikë nga Milani. "Kemi qenë shumë të zotët që kemi shënuar golin e pestë, komenton Leonardo dhe për këtë jam shumë i lumtur. Flitet për ekuilibër, për mbrojtje dhe për atë që mungon. Por kemi arritur tetë fitore, jam shumë i lumtur dhe i bëj komplimenta të gjithëve, ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme". Mbi titullin kampion: "Të gjithë skuadrat do të jenë shumë pranë deri në javët e fundit". Braziliani Leonardo, në fakt, është shumë realist dhe nuk dëshiron të shfaqet si i vetmi rival absolut për kryesuesit e Milanit: "Ne jemi anti-Milan? Mendoj që në këtë kampionat do të jetë kështu deri në fund, të gjithë shumë pranë, nuk kam asnjë dyshim, shprehet Leonardo. Çdo ndeshje shikohet sa e komplikuar është, mjafton të shikosh dy ndeshjet e fundit që kemi luajtur. Ne do të ecim përpara me shumë besim". Duke kaluar tek analiza e ndeshjes, braziliani nuk harron fundin e ndeshjes së këtij Interi 'të çmendur': "Kur ndeshja ishte 4-1 e kemi komplikuar shumë fatin e ndeshjes, pranon trajneri zikaltër. Kemi pësuar gol pas një devijimi dhe nga një goditje standarde, gola mbase dhe shumë me fat. Por, ne jemi treguar shumë të zotët që kemi shënuar edhe golin e pestë, sepse më pas jemi çorientuar disi dhe nuk ishte e lehtë të ktheheshim në sulm. Flitet për ekuilibra, mbrojtje, gjithçka shumë e drejtë. Por, unë jam shumë i lumtur. Janë tetë fitore, një në Kupën e Italisë me Napolin, dhe një humbje, me Udinezen. Nuk di se çfarë të them më shumë. Duhet të ecim përpara me këtë lojë që kemi zhvilluar dhe besoj se do të arrijmë rezultate të mëdha". Për paraqitjen e shkëlqyer të Interit, në sulm ka kontribuar shumë rikthimi në qendër të mesfushës të holandezit Uesli Shnajder: "Kjo skuadër ka shumë alternativa, dëmtimet kanë kondicionuar shumë gjëra, por sot Shnajder ka kryer një paraqitje të jashtëzakonshme dhe një gol të shkëlqyer, pranon Leonardo. Por, kanë qenë të shkëlqyer edhe Eto, Pazini, mbrojtja ka pasur një punë të vështirë me Borrielon, që është një ndër sulmuesit më të fortë të kampionatit. Ka qenë një ndeshje e jashtëzakonshme".

Morati: "Me Juventusin një ndeshje e madhe"

Masimo Morati ka shijuar përmbysjen e madhe të Interit të tij: "Është një kampionat i gjallë, që për fat të mirë kemi filluar ta rikthejmë në lojë, është shprehur presidenti zikaltër një ditë pas fitores së madhe me Romën. Gjithsesi, tashmë do të shikojmë sesi do të shkojë sezoni, është akoma shpejt...". Të dielën përballë është Juventusi: "Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ata dhe për ne. Ka qenë gjithmonë derbi i Italisë dhe me atë etiketë mbetet". Kur keni zgjedhur Leonardon e keni pritur një muaj të parë të tillë me këto fitore? "Po", është përgjigjur shkurt presidenti zikaltër, i cili uron që këto ditë në aksin Torino-Milano, në këto ditë, të flitet vetëm për futboll. "Juventus-Inter ose Inter-Juventus, janë gjithmonë ndeshje të rëndësishme dhe me shumë tension. Është e rëndësishme që gjithçka të shkojë mirë nga aspekti i qetësisë ose sportivitetit. Unë e shpresoj. Jam i pari që e uroj një gjë të tillë". Interi përgatitet për një cikël të tmerrshëm me shumë ndeshje. Kalendari parashikon ndeshjet me Juventusin, Fiorentinën, Kaljarin dhe më pas Bajern Mynihu. "Çdo muaj flitet për një moment crucial, ka vazhduar Morati. Mendoj se, gjithmonë ndeshjet janë të rëndësishme, nuk mund të humbasësh pikë në asnjë moment dhe më pas të ringrihesh. Duhet të kërkohet të jepet gjithmonë maksimumi, ky është një moment i rëndësishëm padiskutim, sepse në mes është Champions Liga".

Marrota: "Juventusi është gati për të mundur Interin"

Torino (Itali)- Juventus-Inter do të luhet të dielën në fushën e lojës, por edhe jashtë fushës së lojës po zhvillohet një betejë e fortë. "Interi që do të kemi përballë është një skuadër ambicioze, e fortë dhe me shumë dëshirë për të kryer një ndeshje të madhe. Është një këmbanë që e kemi dëgjuar të bjerë, por Juventusi është e përgatitur për ta përballuar në mënyrën më të mirë", është shprehur drejtori përgjithshëm bardhezi, Bepe Marrota. Mbi titullin kampion që i është hequr në vitin 2006 bardhezinjve dhe është në gjykatë mbi një rikthim të mundshëm ai shprehet: "Kemi shumë besim, por presim përgjigje të qarta. Kemi depozituar një kërkesë shumë mirë të detajuar dhe kërkojmë drejtësi dhe menjëherë". Bardhezinjtë kanë arritur një fitore të madhe në fushën e Kaljarit, zikaltërit kanë mundur Romën, duke arritur në -5 nga Milani kryesues me një ndeshje ende për t'u rikuperuar. Derbi i Italisë, në këtë mënyrë, parashikohet të jetë shumë i nxehtë. "Jemi të sigurtë që ndeshja do të përballohet me një korrektësi të madhe nga lojtarët, nga shoqëria dhe unë uroj që kjo të ndodhë edhe ndërmjet tifozëve. Metamorfoza e tyre ka qenë shumë e çuditshme, duket një skuadër krejtësisht e ndryshme kjo aktuale nga ajo e Rafa Benitez. Për korrektësi nuk dëshiroj të hyj në diskutime mbi këto ndryshime, por mendoj që, Interi tashmë është një rivale shumë e fortë për Milanin në rrugën drejt titullit kampion. Ka një forcë shumë të madhe tek grupi dhe kanë gjetur një seri të rëndësishme rezultatesh pozitive që kanë rritur akoma më shumë kompaktësinë e tyre dhe bindjen, se mund të fitojnë përsëri titullin kampion", nënvizon Marrota, duke folur për kundërshtarët e radhës. Bardhezinjtë gjithsesi janë të bindur se do të ngushtojnë diferencën me kreun e renditjes, duke ndërtuar një stadium në pronësi të klubit, që është rasti i parë për një klub italian: "Do të jetë shtëpia e Juventusit, duke sjellë siguri dhe një ambjent komod. Është një asset fondamental, në të cilin kemi investuar shumë dhe që do të japë frytet e saj në të ardhmen, duke siguruar të ardhura të shumta që tani nuk janë të mundura. Flas për miliona euro. Dhe sigurisht shoqëria do t'i dedikojë një pjesë të madhe të këtyre parave tek investimi për skuadrën dhe lojtarët e rinj". Një armë më shumë në dispozicion nga kampionati i ardhshëm. Në të cilën Juventusi shpreson të ketë përsëri në skuadër Alesandro Del Pieron: "Dera për rinovimin e kontratës është gjithmonë e hapur, shpresojmë të arrijmë sa më shpejt një marrëveshje për të vazhduar përpara me të. Do të na pëlqente shumë që të ishte edhe në fushën e stadiumit të ri, ku sigurisht do të luajmë nga kampionati i ardhshëm".

Një skuadër që po ringrihet

Rezultatet e kohëve të fundit tregojnë për një skuadër që po ringrihet. "Në periudhën e fundit, ka shpjeguar Marrota, kemi pasur një numër të madh dëmtimesh, kemi humbur tre lojtarë në shtatë ditë. Më parë, kishim arritur 18 rezultate pozitive radhazi. Nuk ishim fenomenë atëherë, nuk jemi të dështuar as në këtë moment". Mbërritja e Matrit në skuadër ka forcuar sigurisht akoma më shumë sulmin e bardhezinjve: "Është një prej lojtarëve të ri më të mirë në Itali, sëbashku me Pazinin dhe ndonjë tjetër. Jemi shumë të lumtur që kemi vendosur të besojmë tek ai. Ka realizuar tashmë 13 gola ndërmjet Juventusit dhe Kaljarit". Matri ka ardhur falë largimit të Amaurit: "Amauri ishte në një fazë të karrierës, në të cilën pretendonte shumë nga vetja e tij dhe paraqitjet e tija në fushën e lojës nuk ishin të mjaftueshme. Kemi kërkuar t'i japim një mundësi të re për të rigjetur formën më të mirë dhe një qetësi të munguar. Me Juventusin kishte luajtur tetë ndeshje dhe nuk shënonte nga muaji shkurt i vitit të shkuar. Kjo është logjika që kemi përdorur në rastin e tij për këtë moment dhe duhet të them, që është një lojtar që nuk po jepte maksimumin dhe një zgjidhje duhet të gjenim, jemi të lumtur për të dhe për Parmën".

Ranieri: "Nuk dorëzohemi për titullin kampion"

Romë (Itali)- Klaudio Ranieri pas humbjes së pësuar kundër Interit nuk kërkon të dramatizojë situatën: "Titulli kampion akoma i mundshëm? Të rikuperojmë nuk është e lehtë, por deri në momentin që shikojmë dritë nuk duhet të dorëzohemi dhe duhet të japim gjithmonë maksimumin siç kanë bërë të dielën të gjithë djemtë". Trajneri i Romës ka dalë nga San Siro me një gjë të qartë në kokë: "Kemi kryer një ndeshje shumë të mirë, episodet na kanë dënuar shumë rëndë. Më shumë ndershmërisht lojtarët e mi nuk mund të bënin. Na ka munguar vazhdimësia për të mbajtur të lartë ritmin". Klaudio Ranieri kërkon ta analizojë me qetësi ndeshjen në San Siro: "Kishim zbritur në fushën e lojës për të fituar dhe pas golit të Shnajder kemi reaguar shumë mirë, duke gjetur barazimin dhe duke shkuar shumë pranë avantazhit. 2-1 i Interit na ka prerë këmbët, jemi përpjekur të rikthehemi nga një situatë e vështirë, por me 10 lojtarë, më shumë nuk mund të bënim". Ranieri ka vërejtur disa mungesa tek skuadra e tij: "Na ka munguar vazhdimësia në shpejtësinë e aksioneve. Kur ne ngrenim ritmin e lojës, Interi ishte në vështirësi, por lojtarët nuk e kanë bërë këtë me vazhdimësi. Interi është një skuadër shumë fizike, ose e mund me shpejtësi ose në të kundërt do të ndëshkohesh, siç na ka ndodhur neve kur kemi qenë me dhjetë lojtarë". Vuçiniç dhe Menez kanë qenë super në fazën sulmuese, me ndonjë rënie përqendrimi në fazën mbrojtëse: "Janë dy kampionë që duhet të fitojnë përqendrimin e Etos dhe Pazinit, që nuk ndalojnë në asnjë moment. Kur humbasim topin i kërkoj atyre të ribashkohet me lojën e skuadrës, por nuk është e mundur të pretendohet gjithçka, kanë cilësi të tjera", ka nënvizuar trajneri verdhekuq. Në fund, një batutë për impenjimin e radhës me Napolin, që duhet të luhet pa gjysmën e mbrojtjes që do të mungojë: "Mekses është shumë në formë, por është skualifikuar për dy ndeshje sepse, instiktivisht, i ka shpëtuar, një frazë drejt arbitrit. Më pas, kemi edhe skualifikimin e Burdisos....".

Borrielo: "Kam parë një Romë të madhe"

"Jam zbavitur në fushën e lojës, përtej humbjes. Një prej ndeshjeve më të bukura në këtë vit. Nuk e di sesi kemi pësuar pesë gola, por ishte ideja që mund t'ia dilnim në këtë ndeshje. Goli i pestë na ka prerë këmbët". Marko Borrielo kërkon të rilexojë në këtë mënyrë humbjes 5-3 që ka pësuar Roma në San Siro kundër Interit. Sulmuesi verdhekuq ka shtuar: "Nuk kemi ndjerë asnjë moment Interin e vërtetë, kam parë një Romë të madhe në fushën e lojës. Ishim duke besuar se mund të fitonim ndeshjen. Ndonjë mundësi ka ekzistuar për t'i barazuar. Mungesat e Totit dhe Mekses? Françeskon shpresojmë ta kemi në dispozicion të shtunën. Filip është i skualifikuar edhe për një ndeshje tjetër. Kemi rigjetur Lorian, që ka shënuar edhe një gol. Nëse shënon edhe të shtunën jemi shumë të lumtur. Kemi pësuar pesë gola, është hera e dytë, por gjithmonë me dhjetë lojtarë. Në Kaljari kemi qenë përsëri me dhjetë lojtarë. Në ndeshjet e fundit kemi pësuar pak gola. Mund të ndodhë një ndeshje e tillë, kanë luajtur shumë hapur. Interi ka cilësi të mëdha në sulm. Ata kanë rigjetur një portier të madh në portë. Jam shumë i lumtur për grumbullimin në skuadrën kombëtare, jam disi i lodhur, por shumë i lumtur".

--

Trajneri i Milanit nuk shqetësohet nga afrimi i Interit: "Është normale të qëndroj i qetë, jemi në krye"

Alegri: "Do të luftojmë deri në fund, por unë ndihem favorit"

Milano (Itali)- Edhe Masimiliano Alegri nuk ka pasur dyshime dhe ka votuar Hoze Murinjon, që ka rezultuar më pas edhe fituesi i bankinës së Artë 2009-2010. "Meriton këtë mirënjohje, sepse ka fituar gjithçka në sezonin e shkuar", ka shpjeguar trajneri kuqezi, që ka qenë i ftuar në Koverciano për ceremoninë e dorëzimit të çmimeve. E pashmangshme ndërkohë, të rikthehej të fliste për ndeshjen në Xhenova, ku kuqezinjtë kanë barazuar dhe kanë ndjerë afrimin e rrezikshëm të kundërshtarëve. "E dinim, që do të duhej të luftonim deri në fund për titullin kampion, është shprehur Alegri. Interi ka shumë cilësi, ashtu si edhe Napoli dhe Roma, por unë shqetësohem për Milanin dhe për rikuperimin e shumë lojtarëve të dëmtuar, mbi të gjitha në prag të ndeshjeve të ardhshme, duke parë që do të rikthehet edhe Champions Liga". Pa fshehur ndërkohë ambiciet e tija: "Në këtë moment jemi në krye të klasifikimit; është normale që të ndihem favorit për fitimin e titullit kampion".

Të gjithë në Paris

"Në pjesën e parë kemi zhvilluar një ndeshje të madhe, në pjesën e dytë ndërkohë kemi rënë ndjeshëm, por kjo është rruga e duhur, të shpresojmë të vazhdojmë në këtë rrugë". Tiago Silva e mendon si Masimiliano Alegri që, pavarësisht avancimit të rivalëve, nuk e ka humbur optimizmin e tij. Duke u nisur nga Malpensa me Robinjon dhe Paton për në Paris, ku të mërkurën në mbrëmje Brazili do të luajë në ndeshjen miqësore kundër Francës, djaloshi nga Rio de Janeiro ka larguar zërat mbi një përmbysje të renditjes dhe shprehet se nuk ka aspak frikë nga Interi.

Nga Tiago tek Thiago

"Është një skuadër e mirë ashtu si edhe ne, por nuk kemi frikë nga asnjë në këtë moment, është shprehur braziliani. Kanë fituar gjithçka në sezonin e shkuar dhe janë duke u kthyer të tregojnë një lojë të madhe edhe këtë sezon me Leonardon në bankinë: e gjitha kjo është pozitive për futbollin italian". I pazëvendësueshëm si mbrojtës qendre dhe shumë i saktë si mesfushor, lojtari brazilian përsërit edhe njëherë qartë idenë e tij: "Roli im i preferuar? Preferoj të luajë, pavarësisht rolit; më mjafton kur jam pjesë e njëmbëdhjetëshes titullare. Kam folur me Alegrin, i kam shprehur idenë time që më pëlqen më shumë të luajë si mbrojtës qendre, por nëse ekziston nevoja edhe në mesfushë jam në dispozicion". Në fund një mendim edhe për Thiago Motën që është grumbulluar në skuadrën kombëtare italiane nga Cesare Prandeli. "Është një humbje për Selecaon, sepse është një lojtar i madh me cilësi që nuk janë parë më parë: por edhe jashtë fushës së lojës është një person shumë pozitiv dhe mund t'i japë shumë Italisë", ka përfunduar komentin e tij Tiago Silva.

Ferguson: "Kundër Uolves humbëm mundësinë më të mirë për shkëputje"

Manchester (Britani e Madhe)- Trajneri i Manchester Junaitid, skocezi Sir Aleks Ferguson, ka pranuar se skuadra e tij ka humbur një mundësi shumë të mirë për t'u shkëputur nga ndjekësit më të afërt dhe kanë hedhur poshtë ëndrrën për një sezon pa humbje. Djajtë e Kuq janë mundur 2-1 në fundjavë në transfertën e Uolverhemptonit, dhe kjo për skuadrën e Ferguson ishte humbja e parë pas 29 ndeshjesh pozitive radhazi. Djajtë mund të kishin shkuar në +7 pikë nga Arsenali, pasi skuadra e Venger kishte barazuar 4-4 në fushën e Njukasëllit, pasi kryesonte me rezultatin 0-4 vetëm pas 30 minutave lojë. Por, Uolves ka befasuar skuadrën e Sir Aleks, duke përmbysur golin e shënuar nga Luis Nani dhe duke i shkaktuar në këtë mënyrë edhe humbjen e parë në Premier Ligë për këtë sezon. Skocezi ka pranuar për mediat angleze se, skuadra e tij ka humbur një mundësi shumë të mirë për t'u shkëputur nga ndjekësit më të afërt. "Ishte një mundësi shumë e mirë në dispozicionin tonë, shprehet Ferguson. Këtë ja kisha thënë edhe lojtarëve të mi përpara ndeshjes, duke i treguar se Uolves nuk ishte në vendin ku meritonte në klasifikim. Por ne e nisëm shumë mirë ndeshjen dhe kishim shumë raste për shënuar edhe pas avantazhit. Në pjesën e dytë, pothuajse nuk kemi qenë në fushën e lojës. Portieri i tyre nuk u shqetësua aspak. Edhe fusha nuk ishte në një gjendje shumë të mirë, por kryesore ishte loja jonë që nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e zakonshëm në pjesën e dytë". Manchester Junaitid është goditur edhe nga dëmtimi në pulpë i Rio Ferdinand përpara fillimit të ndeshjes. "Ishte një goditje e fortë për ne, sepse duhet të pranoj se, eksperienca e Rio në të tilla ndeshje është shumë e rëndësishme për skuadrën, ka nënvizuar Ferguson. Mund të kisha vendosur edhe Kris Smelling në atë pozicion, duke parë që ai ka luajtur disa ndeshje në atë pozicion me skuadrën tonë. Por, vendosa të mbaja Kris si rezervë dhe të aktivizoja Xhoni Evans, sepse ai kishte kryer edhe nxemjen". Ferguson është i shqetësuar edhe nga fakti, se ai tashmë duhet të bëj pa një pjesë të rëndësishme të skuadrës, pasi ata do të luajnë në ndeshjet miqësore të mesjavës dhe i frikësohet dëmtimeve të mundshme. Përtej ndeshjeve të ditës së mërkurë për skuadrat kombëtare, Ferguson do të ketë në skuadër lojtarë si Dimitar Berbatov, Pol Skolls, Rajan Gigs, Van der Star, Patris Evra dhe koreanin Park Ji Sung, që do t'i japë mundësi skocezit të përgatisë në mënyrën më të mirë derbin me Manchester Sitin, që do të zhvillohet këtë javë. "Është një ndeshje e madhe, e cila vjen në një moment të përshtatshëm. Është një ndeshje e rëndësishme dhe mezi e presim ta luajmë. Për fat të keq në mesjavë janë edhe ndeshjet e skuadrave kombëtare. Kjo është çmenduri, por nuk mund të bëjmë dot asgjë dhe duhet të mësohemi me të tilla situata. Për fatin tonë të mirë, kemi lojtarë që nuk luajnë më në skuadrat e tyre kombëtare dhe do të jenë më të freskët për derbin e fundjavës. Uroj që lojtarët e mi të impenjuar në skuadrat e tyre kombëtare të mos pësojnë dëmtime", ka përfunduar Sir Aleks Ferguson komentin e tij.

Aksidenti, Kubica përfundon operacionin me sukses

Robert Kubica, piloti polak i Formulës 1, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati rreth 7 orë pas incidentit të rëndë që pësoi në Rally-n e Andoras. Sipas mjekëve, piloti i Renault rrezikonte amputimin e të dyja duarve, por më shumë ishte në dyshim dora e djathtë. Pas operacionit, mjekët u shprehën se, "dora është e gjallë", por nuk përjashtohen ndërhyrje të tjera kirurgjikale. Gjithsesi, rekuperimi i Kubica do të zgjasë rreth një vit. Piloti polak i skuderisë Reno në Formula 1, Robert Kubica, ka mbetur i plagosur sot në Itali, pasi makina e tij u përplas me shpejtësi pas një muri në garën e Rally-t Ronde di Andorra. Aksidenti bëri që Kubica të përfundonte në spital, me fraktura të shumta në dorë, në krah dhe në këmbën e majtë. Pas operacionit është përjashtuar hipoteza e prerjes së dorës, megjithatë mbetet ende në dyshim, nëse piloti polak do të arrijë ta ketë më funksionale apo jo dorën e djathtë. Kubica megjithatë nuk është në rrezik për jetën, ndërsa skuderia Lotus Reno nuk ka qartësuar asgjë në lidhje me të ardhmen e tij në Formula 1, e cila pas afro një muaji do të zhvillojë garën e saj të parë. Kubica ishte në bordin e një Skoda Fabio, kur makina u përplas 4.6 kilometra nga vendi i nisjes, në lokalitetin e San Lorencos, në Komunën Testiko. Ajo doli nga rruga për shkak edhe të asfaltit të rrëshqitshëm, ndërsa pasi bëri një rrotullim 80 gradë, përfundoi pas murit të një kishe. Piloti u nxorr jashtë nga zjarrfikësit, ndërkohë që makina e tij është marrë nga teknikët për qartësime të mëtejshme teknike. Robert Kubica është një nga pilotët më të njohur në Formula 1, teksa në vitin 2008, në bordin e BMV-së, ai fitoi edhe garën e tij të parë, në Çmimin e Madh të Kanadasë.

Tjetër çmim për Jose Mourinjon

Ish-trajneri i Interit, Jose Mourinjo, u zgjodh si më i miri në sezonin 2009-2010 në Serinë A, në një votim të kolegëve të tij. Shumica dërmuese e trajnerëve të Serisë A dhe Serisë B, zgjodhën portugezin si më të mirin, ndërsa çmimet u dorëzuan në mesditë në një ceremoni në Koverçiano, ku Jose nuk mundi të ishte pjesëmarrës. Një vit më parë, në sezonin 2008-2009, fitues u shpall Massimiliano Allegri, atëherë në drejtimin e Cagliarit. Pas ceremonisë, trajneri aktual i Milanit tha: "E meriton plotësisht çmimin. Ai fitoi gjithçka që mund të fitohej". Në një komunikatë në faqen e klubit, Interi shprehu kënaqësinë e madhe për këtë lajm. Ndërkohë, Stoli i Artë i Serisë B i shkoi Bisoli-t, i cili udhëhoqi Cesenan drejt kualifikimit në elitën italiane.

Torres: Vë bast që Aguerro nuk shkon tek Reali

Sulmuesi i Chelsit, Fernando Torres, është i gatshëm të vendosë bast se Sergio Aguerro nuk do t'i bashkohet kurrë Realit të Madridit. Në një intervistë për të përditshmen spanjolle "Marca", "El Nino" pretendon se e njeh aq mirë argjentinasin që nga kohët e tij tek Atletiko, sa që e di se ai nuk do të tradhëtonte kurrë tifozët e skuadrës së dytë më të madhe të Madridit. "Nuk i besoj ato që dëgjoj në media. Kur luan tek Atletiko, njerëzit që të rrethojnë të ushqejnë me një ndjenjë shumë të fortë. Personalisht, nuk mund ta imagjinoj atë duke luajtur për Realin", deklaroi Torres. "Është normale që ai të ëndërrojë titujt dhe një skuadër të madhe, por jam i sigurt, që nëse do të largohet nga Madridi, me siguri do të bëjë zgjedhjen që bëra unë, duke u transferuar jashtë vendit".

Trajneri i kombëtares italiane entuziast nga mbërritja e Tiago Motës. Matri i lumtur për grumbullimin

Prandeli: "Të huajt janë një vlerë e shtuar në skuadër"

Firence (Itali)- Gjermani-Itali është në prag dhe trajneri italian Cesare Prandeli, ka shumë dëshirë të provojë 'lojën' e tij të re. Përveç shumë lojtarëve që janë konfirmuar, në fakt, kanë mbërritur në skuadrën kombëtare italiane edhe Matri dhe Thiago Mota. Trajneri i kombëtares së kaltër është i lumtur për të dy këto lojtarë që grumbullohen për herë të parë: "Matri është një finalizues i shkëlqyer dhe e kam ndjekur gjithmonë. Mota nuk është këtu vetëm, sepse mungon Andrea Pirlo: mund t'i shtojë akoma më shumë cilësi mesfushës tonë. Kam grumbulluar lojtarët e huaj, vetëm sepse e meritojnë". Mbi Kasanon: "Kjo është sigurisht edhe mundësia e tij e fundit dhe ai e di shumë mirë". Trajneri Prandeli ndodhet në qendrën stërvitore të Kovercianos për të përgatitur ndeshjen miqësore me Gjermaninë, që do të zhvillohet në Dortmund. Dhe një ditë përpara ndeshjes së shumë pritur me skuadrën e Johakim Lëv, nuk mund të mungonin pyetje për lojtarët e rinj, që kanë mbërritur në skuadrën kombëtare, në të cilën ka hyrë me titull të plotë edhe mesfushori italo-brazilian i Interit, Tiago Mota: "Nuk e kemi grumbulluar për shkak se mungon Pirlo, ka sqaruar menjëherë Cesare Prandeli vendimin e tij, ideja është të krijojmë një mesfushë teknike dhe me shumë cilësi. Mota mund të luajë si mesfushor qëndre, por edhe më brenda, e njeh shumë mirë rolin e tij dhe mund të dalë në sulm për të ndihmuar skuadrën. Ajo që më surprizon nga këto djem ekstrakomunitarë është që kur marrin qytetarinë italiane, gjëja e parë që kërkojnë është të luajnë në skuadrën kombëtare, e shikoj si një gjë të jashtëzakonshme. Nuk i grumbullojmë për t'i shpërblyer, por, sepse e meritojnë. Shkoj përtej polemikës për një skuadër kombëtare shumë etnike". Mota ka marrë në mëngjes edhe ok nga ana e Fifa për t'u grumbulluar me skuadrën kombëtare italiane. Nuk kanë qenë të nevojshme vendime të tjera, ndërkohë, për të parë me fanelën e Italisë sulmuesin Alesandro Matri: "Matri mund të luajë si sulmues i parë, por edhe si sulmues i dytë. Është një lojtar që e kemi ndjekur prej shumë kohësh, një finalizues i shkëlqyer. Në këtë moment, Xhilardino ka një gjendje fizike më të dobët sesa sulmuesit e tjerë që janë grumbulluar". Në fakt nuk është grumbulluar. Vetëm njëri ndërmjet Pazinit dhe Matrit duhet të luajë në krah të Antonio Kasanos: "Me Antonion nuk kemi folur për asgjë të veçantë. E di shumë mirë, që kjo për të është edhe mundësia e tij e fundit. Ka nevojë të tregojë sjellje korrekte dhe me vazhdimësi. E kam grumbulluar, sepse dëshirojmë të rikrijojmë shpirtin e grupit që kemi paracaktuar që në fillim dhe ai është i rëndësishëm të jetë në këtë skuadër". Një rikthim shumë i dëshiruar është edhe ai i Xhianluixhi Bufonit: "Rikthimi i tij? Nuk jam i lumtur, jam super i lumtur. Është një kampion i jashtëzakonshëm, me shumë entuziazëm dëshiron të veshë këtë fanelë". Një batutë i është dedikuar edhe rivalëve të së mërkurës: Gjermanisë së drejtuar nga Johakim Lëv. "Është një ndeshje gjithmonë shumë tërheqëse për shumë motive. Një ndeshje miqësore me Gjermaninë do ta bëja me kënaqësi njëherë në vit".

Matri: "Në një javë ka ndryshuar gjithë jeta ime"

"Të jem këtu në grumbullimin e skuadrës kombëtare italiane më duket e çuditshme, sepse në një javë më ka ndryshuar gjithë jeta. Nga Kaljari jam larguar për në Torino, dhe nga Torino kam mbërritur në Firence në grumbullimin e Italisë, që është edhe ëndrra e një lojtari. Shpresoj të mos zgjohem dhe të vazhdoj të ëndërroj. Falenderimi për këtë grumbullim shkon mbi të gjitha për Kaljarin, sepse në tre vite e gjysëm më kanë dhënë shumë besim dhe vazhdimësi edhe kur nuk kam luajtur shumë mirë, edhe sepse më kanë dhënë ok, pas një kërkese që unë kam bërë tek presidenti, për të shkuar të luajë në një skuadër të madhe siç është Juventusi". Sulmuesi i Juventusit Alesandro Matri, në ditën e tij të parë si i grumbulluar në skuadrën kombëtare italiane nga grumbullimi i Kovercianos, ka treguar emocionet e tija. "Kam shpresuar gjithmonë tek skuadra kombëare, edhe kur luaja tek Kaljari, është shprehur sulmuesi 26-vjeçar roman. Kisha shprehur një dëshirë për Krishtlindje që ishte ajo për të luajtur me Kasanon, tani e kam realizuar dhe jam këtu në skuadrën kombëtare dhe më ka dhënë shumë kënaqësi".

Maxarri: "Napoli do të qëndrojë në krye deri në fund të sezonit"

Napoli (Itali)- Napoli është aty, vetëm tre pikë larg nga kryesuesit e Serisë A. Qyteti ëndërron sëbashku me skuadrën, dëshiron të arrijë atë objektiv që Valter Maxarri vazhdon të mos e përmendi. Nuk e bën asnjë njeri. Mbase, sepse mendojnë se mund të sjellë keq, mbase edhe sepse janë realista. E vërteta, ndërkohë tregon një diçka tjetër, janë skuadra më pranë Milanit, por përpara shumë skuadrave të tjera që janë kuotuar shumë më shumë përpara sezonit sesa axurrët, siç është Interi (që ndërkohë duhet të rikuperojë një ndeshje), Roma, Juventus, Lacio dhe Palermo. "E di që qyteti pret diçka të rëndësishme dhe ne shpresojmë ta arrijmë", është shprehur Maxarri gjatë ndarjes së çmimeve për trajnerët më të mirë të vitit 2010. Viti magjik për këtë skuadër mund të jetë ky. "Nuk ka të bëjë asgjë me magjiken, e vetmja gjë që vlen dhe që në fund rezulton të jetë decizive është përqendrimi, vendoshmëria dhe bashkëpunimi ndërmjet lojtarëve". Valter Maxarri predikon qetësi në këtë moment fondamental për skuadrën e tij, duke lënë mënjanë fjalët që qarkullojnë dhe ëndrrat në mendjet e njerëzve. Përmend në çdo javë terma si "qetësi, kujdes maksimal, këmbët në tokë' I përsërit në mënyrë që të arrijë të mbajë nën kontroll një ambjent që gjithmonë e më shumë është i dominuar nga entuziazmi dhe harron se përballë janë kundërshtarë të rrezikshëm. Atyre që e pyesin nëse ky mund të jetë viti i Napolit, ai i përgjigjet drejtpërdrejtë: "Unë e uroj. Po punojmë në mënyrë që ky të jetë një sezon i rëndësishëm. Nëse vazhdojmë të punojmë me këtë shpirt dhe duke praktikuar futbollin e bukur, do të arrijmë kënaqësi të mëdha në fund të sezonit".

Kurrë më si në Verona

Trajneri Maxarri e di shumë mirë, që Napoli i tij nuk është perfekt. Limitet janë dhe duhet të korrigjohen me shpejtësi, për të mos përsëritur ndeshje të këqija dhe larg atyre paraqitjeve të zakonshme, siç ka ndodhur të mërkurën e shkuar në Verona kundër Kievos: "Kundër Kievos kemi treguar shumë defekte. Problemi nuk ka qenë mungesa e Lavecit, sepse pa atë në të shkuarën kemi fituar katër ndeshje". Maxarri e di shumë mirë, që "nuk ka shumë rëndësi një lojtar i vetëm për suksesin e të gjithë skuadrës. Ky Napoli nuk varet nga asnjë prej kampionëve që janë në përbërje, forca e kësaj skuadre është grupi dhe këtë e dinë të gjithë". Por ndërkohë, Kavani vazhdon të shënojë dhe është vetëm katër gola larg nga Voyak, që nga vitet tridhjetë e deri më sot është lojtari që ka shënuar më shumë gola për Napolin në një kampionat. Edhe këtu, kuptohet, asnjë entuziazëm i tepruar nga ana e trajnerit: "Nuk e di, nëse është më i mirë Edison, Eto ose Ibrahimoviç, le ti lëmë larg këto krahasime që janë kryer. Në fund është skuadra ajo që fiton gjithmonë". Përsëri në konceptin e trajnerit është kolektivi ai që është në vend të parë.

"Roma, transfertë e fortë"

Të shtunën në mbrëmje përballë Napolit të tij do të jetë Roma, një pengesë që Maxarri e cilëson "si të tmerrshme. Kemi parë të dielën në mbrëmje në San Siro rrezikshmërinë e tyre. Është e vërtetë, që tek skuadra verdhekuqe do të mungojnë dy mbrojtësit e qendrës, por grupi i tyre është shumë kompetitiv dhe do t'i japë mundësi të kenë zëvendësues në lartësinë e situatave që kërkohen". Ka nga ata që e kanë pyetur, nëse ky është viti i Maxarrit, ai përgjigjet me sinqeritet dhe buzëqeshje: "Nuk më intereson, shpresojmë që ky të jetë viti i Napolit. Jemi tre pikë larg nga Milani dhe nëse vazhdojmë të kemi këtë shpirt si skuadër dhe të luajmë në një mënyrë kaq të bukur dhe spektakolare, mund të qëndrojmë në majat më të larta të renditjes deri në javën e fundit". Aty lart do të thotë titulli kampion? "Nuk e përmend atë fjalë asnjëherë". Tentativa gjithsesi duhej kryer.

Armando Vajushi i Vllaznisë kërkohet nga Espanjoll

I cilësuar si një nga talentet më të spikatur të futbollit shqiptar, bjondi shtatshkurtër i Vllaznisë, Armando Vajushi, është bërë objekt i shumë komenteve në opinionin futbollistik shqiptar e më gjërë. Falë vlerave të shfaqura në fushën e lojës 19-vjeçari i dalë nga ekipet e Akademisë së Futbollit "Vllaznia" u shpall lojtari më i mirë i vitit 2010 në Shqipëri ndër të rinjtë. Kjo ka bërë që në drejtim të tij të mbërrijnë shumë shpejt ofertat përkatëse nga skuadrat potente të kampionatit shqiptar e më gjërë. Në ditët e merkatos dimërore, pati sinjale jo të pakta nga skuadra bardheblu e Tiranës, ku presidenti i saj, Refik Halili, pati ofruar një ofertë lakmuese për ta marrë tek Tirana, por për momentin, pengesë është bërë klubi mëmë Vllaznia, që e ka nën kontratë edhe për dy vite në vazhdim. Ndonëse publikisht nuk është pranuar një fakt i tillë, burime të sigurta pranë lojtarit në fjalë bëjnë të ditur se gjithçka është mëse e vërtetë në këtë mes, madje mes krerëve të klubeve ka patur edhe bisedime paraprake në këtë drejtim, që në vazhdim për arsye të ndryshme nuk u vazhdua për më tej. Ndërkohë, po nga burime shumë të sigurta pranë mesfushorit sulmues Vajushi, bëjnë të ditur se me kërkesë të klubit Espanjol të Barcelonës, ai shumë shpejt pritet të largohet nga Shqipëria për të bërë një testim së bashku me disa talente të tjerë të kësaj kategorie moshe nga kampionatet e tjera europiane. Nga të njëjtat burime citohet se, për këtë lëvizje është i interesuar drejtpërdrejt ish-trajneri i Vllaznisë, malazezi Mojash Radonjiç. Për hir të së vërtetës, tekniku i ardhur nga Mali i Zi, që në ditët e para të marrjes së detyrës në krye të Vllaznisë pati shprehur hapur preferencat e tij ndaj Vajushit, dhe së bashku me të edhe të një grupi të rinjsh të talentuar të dalë nga Akademia e kuqebluve, gjë që është shprehur dukshëm edhe në aktivizimin e tyre si titullar në të gjitha ndeshjet e periudhës "Radonjiç". Madje, ish-tekniku i bankinës shkodrane, edhe pasi është larguar nga drejtimi i Vllaznisë, ai ka vijuar ta ndjekë nga afër Vajushin, në të gjitha ndeshjet, brenda dhe jashtë Shkodre, por tashmë me cilësinë e një menaxheri që interesohet për klientin e tij. Siç mësohet, Radonjiç ka planifikuar të udhëtojë së bashku me Vajushin shumë shpejt drejt Turqisë, atje ku do të jetë stacioni i parë me përfaqësuesit e klubit Espaniol. Gjithnjë nga informacionet e marra pranë lojtarit në fjalë, së bashku me Vajushin, i cili është i vetmi nga kampionati shqiptar, në këtë zbor testues përpara përfaqësuesve të klubit spanjoll do të jenë edhe pesë futbollistë të tjerë të kësaj moshe nga disa vende të tjera europiane, të cilët nëse do të marrim vlerësimet e duhura do të nisin procedurat për transfertat e tyre në klubin Espaniol.

Përgatiti ANDI VERÇANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PACKERS FITOJNË TITULLIN KAMPIONË TË SUPERBOLLIT (02.07.2011)
AKSIDENTOHET GARUESI I FORMULËS 1 (02.06.2011)
SUPER BOWL, SPOT SHUMË MILIONËSH NGA CHRYSLER (02.06.2011)
ALEGRI LARGON FANTAZMAT: "PATO NUK ËSHTË NJË ÇËSHTJE" (02.06.2011)
ETHET E FUTBOLLIT SUPER BOWL NË SHBA (02.05.2011)
MASIMO MORATI: "DERBI? ËSHTË ENDE SHUMË HERËT PËR TITULLIN" (02.05.2011)
KALDERON: MURINJO DUHET TË MËSOJË NGA GUARDIOLA (02.04.2011)
CHELSI, ANÇELOTI, GATI TRESHEN E FRIKSHME SULMUESE (02.04.2011)
SPORTI DHE POLITIKA SË BASHKU KUNDËR EKSTREMIZMIT TË DJATHTË (02.03.2011)
LUKA TONI DHE SALIAMIXHIÇ: "VAN GAL, I ÇMENDUR" (02.03.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]