VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Bukuroshe Bellova e lindur për të falur dashuri nëne

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 12:15pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SPORT
 
Bukuroshe Bellova e lindur për të falur dashuri nëne

E Hënë, 07.20.2009, 08:06am (GMT+1)




 

Një mjeshtre e shquar e koshit, kapitene e "17 Nëntorit", duke fituar 30 kupa kampionati dhe republike. Kapitene e ekipit kombëtar në disa takime, që bënë shumë jehonë për kohën. Më e madhja prej tyre, fitorja ndaj Zvicrës me rezultatin 66:60. Ka qenë viti 1972, çka do të thotë gëzim dhe ngjarje e shënuar, jo vetëm për basketbollin, por për një komb të tërë i privuar nga ballafaqimet sportive ndërkombëtare.

 

Ndaj ikëm për të takuar Roshen, të nxitur nga madhështia e famës dhe karrierës së saj sportive. Por... na u zbeh gjithçka, pasi në bisedë e sipër shkëlqeu më shumë, shpirtmadhësia e saj. Fati i saj, ishte shkruar për të vazhduar jetën bashkëshortore, të vajzës së xhaxhait, me bashkëshort Ismet Bellovën. Një sëmundje e rëndë, e shkëputi gruan e parë të legjendës së komentimit sportiv, në një moshë të re, duke lënë dy fëmijë, Sokolin dhe Edisonin. Humbje tragjike që dëshmoi më pas edhe për një mirëkuptim dhe zgjidhje brilante, të të dy krushqive. Për dy nipërit e saj, nga ky moment, Bukuroshja nuk ishte më teze, por nënë. Madje, tani kur dhe Sokoli e Edisoni janë bërë vetë prindër, nga mbresat dhe ndodhitë në rrjedhën e këtyre viteve ndjejme se, Roshja ka qenë me ta më e dashur se një nënë. Aq sa ndër vite "harronte" që kishte lindur edhe dy çunat e saj, Arminin dhe Enisin. Themi harroi, sepse festonte vetëm ditëlindjet e Sokolit dhe Edisonit... Nën këtë përkujdesje edhe vetë dy djemtë, kur u rritën kuptuan që kishin humbur nënën e tyre të vërtetë. Nuk i shkëputi nga gjiri i saj për asnjë çast. Në shkollën 8-vjeçare "Avni Rustemi" ku jepte edhe vetë mësim rregjistroi edhe ata. Madje, i futi edhe në klasat sportive, duke i motivuar që të shkëlqenin edhe në fushën e sportit po aq sa edhe në mësime. Për fat, më i madhi Sokoli, ishte shumë i mbarë. Edhe sot krenohen me të. Një djalë i zgjuar, me vullnet dhe i pasionuar për të ecur para në jetë. Përkushtimi i tij shtynte vetë prindërit që ta mbështesnin dhe inkurajonin në të gjitha prirjet që ai shfaqte në jetën e përditshme. Të njëjtin zell që tregonte në parketin e basketbollit, shpaloste edhe në kohën e lirë. Që në shkollën tetëvjeçare u dha pas gjuhëve të huaja. Brenda një kohe të shkurtër, ai përkthente dhe fliste shumë mirë anglishten, italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Gjithçka falë aftësive dhe zotësisë që i kishte falur natyra. As që u shkoi ndër mendje prindërve se, djali i tyre do të arrinte të përvetësonte në mënyrë të shkëlqyer edhe serbo-kroatishten, vetëm duke dëgjuar një radio dore. Gjithë ditën me të në vesh, dëgjonte dhe shkruante fletë të tëra me fjalë të reja. Madje, Xheladin Gjurës, kryetar i komisionit të provimit, mik i Ismetit, i ngeli qejfi, që nuk ia kishte çuar atij për ta mësuar, por dikujt tjetër. Me dhjetë e vlerësoi përgatitjen e tij, pa e besuar kurrë që gjithçka e kishte arritur me radion "Iliria". Dhe këtë dhuratë, po Roshja ia bëri... Gëzonte pas çdo fjale të re që mësonte biri i vet, po aq sa dhe për koshet që shënonte me "Dinamon" apo ekipin përfaqësues... Shumë herë më çapkën ka qenë Edisoni. Me sa duket, ledhatimet dhe përkëdhelitë e Roshes, i dhanë sigurinë dhe qetësinë për të dalluar më shumë se sa shokët. Natyrisht, duke manifestuar dhe treguar në çdo hap edukatë dhe kulturë qytetare. Edhe atë ditë që përfundoi në dhomat e izolimit të rajonit të policisë nuk u përgojua për sjellje të pahijshme. Ndërsa kthehej nga shkolla, pa tek po grindeshin tre bashkëmoshatarë të tij, me një burrë. Më pas sherri përfundoi në kacafytje trup me trup. Me ta, filloi të përleshej edhe Edisoni në mbrojtje të qytetarit, që ishte ngacmuar nga adoleshentët. Vjen policia, dhe ndërsa shkaktarët mundën të largoheshin këta përfunduan në furgon. Telefonata e bërë për familjen Bellova, nga rajoni i policisë ngjalli gëzim. Kërkesës për t'u paraqitur në polici, Ismeti iu përgjigj me shumë përzemërsi dhe dëshirë. Muajt e fundit, atij i kishin vjedhur para shtëpisë, biçikletën. Në të shumtën e rasteve ndodhte që grabitësi kapej dhe sendi i vjedhur kthehej në ambjentet e policisë. Me këtë shpresë, pas pak minutash, Ismeti trokiti në derën e shefit që e kishte edhe mik.

 

- Mos u mërzit, - i thotë punonjësi i policisë,- por Edisoni ndodhet në dhomat tona. Shqetësohet dhe befasohet nga ky lajm i papritur. Pasi i sjellin për ballafaqim të birin, shefi, urdhëron policin që tani, na bini xhaxhanë e Edisonit. Tmerrohet akoma edhe më shumë Ismeti, për këtë arrestim familjar. Kur shikon që të hyjë personi i panjohur, lehtësohet pak, por nuk mundi të qetësohet plotësisht. Nëse kini ndonjë tjetër, silleni ta shikoj se ky nuk është vëllai im... Ndërhyn Edisoni dhe sqaron se edhe këtë faj, e kishte bërë ai. Duke ditur që i ati kishte njohje me shefin e policisë, ai kishte prezantuar për xhaxha. Me sa duket, deshte t'ia bënte nderin deri në fund... Natyrisht, ajo që i ndjente dhe përjetonte më shumë këto prapësi, ishte Roshja. Por asnjëherë nuk u tregua e ashpër dhe hakmarrëse, ndaj këtyre shqetësimeve që i shkaktonin ata. Me urtësi, durim dhe këmbëngulje i këshillonte që ata të ishin shembull për të gjithë. Nuk kishte se si të dilte fjala e rëndë dhe e shëmtuar, nga goja e kësaj nëne shpirtmadhe. Ajo ishte e lindur për të falur dashuri nëne. Ndryshe, nuk do të shprehte dëshirën për të lënë shkollën "Avni Rustemi" dhe të ikte të jepte mësim në shkollën e shurdh-memecëve. Dhe jo pak, por plot 20 vjet mes këtyre njerëzve fatkeq. Gjashtë muajt e parë, vetëm lotonte në çdo orë mësimi. Prekej dhe mbushej me emocione kur shikonte këta fëmijë që nuk shpreheshin apo dëgjonin atë që dëshironin. Pas disa javësh, arriti të mësoj gjuhën e tyre, duke e lehtësuar shumë komunikimin me ta. Filloi të ndjente edhe më shumë, mençurinë dhe shkathtësinë e tyre që përjetonin dhe ëndërronin shumë. Bënte të pamundurën për tua lehtësuar sa më shumë të përditshmen e çdo të verbëri dhe shurdhi. Madje me një kujdes të jashtëzakonshëm. Aq sa të pa fat ishin, po aq shpejt prekeshin kur dëgjonin apo shikonin një veprim që i fyente. Dhe jo vetëm për vete nën këtë kujdes, por bënte të pamundurën që këto xheste ata të mos i ndjenin as kur dilnin në qytet. Shumë kush edhe mund të bezdisej në këto lloj shëtitjesh. Për Roshen këto orë që quheshin orët e orientimit ishin nga më të këndshmet dhe të dëshiruarat. Mbase kjo pamje vizuale ka qenë edhe shprehje e shpirtmadhësisë së saj si nënë. Rreth trupit të saj gërshetoheshin duart e disa prej tyre. Dhe ajo me ëmbëlsi dhe dashuri u bëhej sy e vesh në çdo hap që ata hidhnin. Falë kësaj ngrohtësie edhe ata kishin fituar reflekset e mjaftueshme për të evituar anomalitë e theksuara. Kishin mësuar ku fillonte dhe mbaronte trotuari, duke perceptuar dhe dalluar kthesat e bordurave. Nëpërmjet nuhatjes ndjenin lulishtet apo parqet. Nga vibrimet e zhurmave dallonin largësinë dhe llojet e mjeteve të transportit. Në të gjitha këto shëtitje, stacioni i fundit do të ishte shtëpia e motrës së Bukuroshes, Dashurisë. Përherë i lutej që t'ia sillte në shtëpi kur kishin orë orientimi. Dhe vetë ata e njihnin motrën e zysh Roshes, jo vetëm nga zëri dhe porterti fizik, por më shumë nga bardhësia dhe bujaria e shpirtit. Jo më pak e ndjeshme dhe e virtytshme se motra e vet. Një fjalë e ngrohtë, një përqafim, një qerasje e thjeshtë dhe ata fëmijë harronin hallin që u kishte rënë për pjesë. Më e privilegjuara prej tyre ishte Rozana, një vajzë e shkathët dhe impulsive, të cilën Roshja e çonte te Dashuria edhe në fund javë. Edhe pas daljes në pension, nuk i shkëputi lidhjet me këta njerëz që ishin fatkeq, por shumë mirënjohës. Me emocion, Roshja kujton një nga ditët e Verës që festoi në qytetin e Elbasanit. Gjatë shëtitjes nëpër shëtitore, befas sytë i shkuan te ish-nxënësja e vet, Mimoza Papa. Sapo dëgjoi zërin e mësueses së vet, Moza nuk priti, por ia dha vrapit. Humbën në përqafimet e njëra tjetrës si dikur.

Por a mund të gjejë qetësi, një nënë e tillë, në zemrën e së cilës, nuk rresht së pulsuari dhembshuria njerëzore?! Ndaj u ndodh aty ku i plotësohej kjo dëshirë, për të shpalosur këtë virtyt të çmuar të karakterit të saj. Që nga krijimi i Olimpikut Special Shqiptar, është anëtare e Këshillit Drejtues. Një shoqatë e ngritur mbi baza vullnetare që merret me lëvizjen sportive, të njerëzve me aftësi të kufizuar. I janë shtuar vitet, por në këtë udhë i është përsosur akoma edhe më shumë fisnikëria. Dhe, përsëri në krah të asaj pjese të shoqërisë që ka nevojë. Përsëri e papërtueshme dhe e mirësjellshme me ata njerëz që janë të privuar nga shumë gjëra. Dhe, falë këtij përkushtimi të këtij njeriu shpirtmadh, shumë prej tyre kanë përjetuar atë që nuk kanë mundur as ta ëndërrojnë. Mjafton të kujtojmë gjithë atë axhendë të pasur që ka kjo shoqatë. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës ka shkuar ekipi përfaqësues i Olimpikut Special Shqiptar. Është përfaqësuar me dinjitet kjo pjesë e shoqërisë në veprimtari ndërkomëtare, që janë organizuar në Poloni, Bosnje-Hercegovinë, Itali, Greqi, Spanjë, Irlandë, Holandë, etj. Disa prej tyre kanë shijuar medaljet e fituesit. Kështu, Aleksandër Çela, ka fituar medaljen e bronxit gjatë konkurimit në 800 m. Emri i këtij talenti u përmend edhe në Holandë si golshënuesi më i mirë i aktivitetit futbollistik me 32 gola. Më fatlumë, Elona Mena dhe Andri Gusmari, që kanë fituar medaljet e arit në pingpong, gjatë një aktiviteti botëror në Dublin, me pjesëmarrjen e shumë vendeve. Trainere e tyre, ishte pikërisht Bukuroshja. Me shpirt edhe këta dy të rinj me aftësi të kufizuar i dhanë medalje ari mësueses së tyre, për gjithçka ajo bën për ta. Jo thjesh në aspektin sportiv, por edhe në jetën e përditshme. Ndryshe nuk do ta besonin dhe vlerësonin aq shumë.

 

- Zysh Roshja, do të them diçka, por mos ia thuaj kujt se nuk e di njeri. Jam lidhur me një vajzë të mirë, por nuk ma do Mami. Të lutem do të më ndihmosh ta bindim, se ajo ka paragjykime, është akoma komuniste...- i pëshpëriti në vesh Andi, në një nga ditët e kësaj jave.

Dhe sikur të kishte dëgjuar një sekret nga i biri edhe Roshja, i dha këshillat si prind, duke i premtuar se do e bindin bashkë edhe nënën e tij.

 

Jo në pak raste, Bukuroshja ka ndjerë vlerësimin dhe mirënjohjen e dashamirësve të saj. Shumica e tyre janë fansat e lojës së saj të basketbollit, që i ka dhënë edhe titullin e lartë të Mjeshtres së Merituar. Ndjehet e lumtur dhe e harron gjithë atë sakrificë dhe mund që ka derdhur, për të arritur në të tilla lartësi. Por, më e surprizuar është ndjerë me atë që i ndodhi në ambasadën amerikane. Kishte shkuar për të aplikuar për vizë me dëshirë që t'i dilte për të shkuar te i biri, Armini. Ka qenë fillimi i viteve 2000, një kohë në të cilën nuk ka qenë dhe shumë e lehtë që të miratohej kërkesa. Nën këtë ndjesi pasigurie dhe dyshimi, u përball edhe atë ditë që i ishte caktuar për intervistë. Por u befasua për surprizën që i bëri kryekonsulli i Ambasadës. Sapo në dorë i ra kërkesa e saj, ai u çua në këmbë dhe e përshëndeti me shumë ngrohtësi si ta kishte njohur prej vitesh.

 

-Ju jeni një zonjë e nderuar që na jepni kënaqësi për t'ju shërbyer. Udhë dhe punë të mbarë! Ikni, zgjidhni 10-15 vajza të reja dhe bëjini mjeshtre siç kini qenë edhe ju në basketboll...

Një kompliment që e shijoi më shumë se sa një vizë udhëtimi. Një dëshmi që tregon se Zoti shpërblen gjithmonë njerëzit e mirë. Në këtë rast, një nënë që ka lindur vetëm për të falur dashuri dhe mirësi!

 

EMRI: Bukuroshe

MBIEMRI: Bellova

DATËLINDJA: 15 Janar 1947

VENDLINDJA: Tiranë

PROFESIONI: Mësuese

GJENDJA AKTUALE: Pensioniste

GJENDJA CIVILE: E martuar, me 4 fëmijë

ARSIMIMI E KUALIFIKIMI:

Arsim i lartë (kryer studimet

në ILKF-AEFS "Vojo Kushi",

në periudhën 1970-1975. Pjesëmarrje

në seminare e kurse kualifikimi;

hartim programesh mësimore etj.

TITUJ E DEKORATA:

"Nderi i Sportit Shqiptar", "Mjeshtre e Merituar e Sportit", "Mirënjohja e Tiranës",

Urdhëri "Naim Frashëri" i klasit III etj.

DETYRA SHTETËRORE:

- Mësuese në Shkollën "Kongresi i Përmetit" (sot "Servete Maçi"), në Tiranë;

- Mësuese në Shkollën "Avni Rustemi".

- Mësuese në Shkollën e Fëmijëve që nuk shikojnë e nuk dëgjojnë dhe, pas ndarjes e krijimit të dy shkollave më vete, në Institutin e Fëmijëve që nuk shikojnë, në Tiranë.

DETYRA SHOQËRORE:

- Anëtare e Kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit;

- Anëtare e Këshillit Drejtues të Olimpikut Special Shqiptar;

- Anëtare e Komisionit "Femra dhe Sporti" pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

VEPRIMTARIA SPORTIVE:

- Anëtare e skuadrës së basketbollit

"17 Nëntori" (sot Tirana), për të rritura, një nga ekipet më të mirë të sportit shqiptar;

- 30 herë kampione dhe fituese e Kupës së Republikës;

- Fituese në anketën e "5 basketbollisteve më të mira të vendit për të gjitha kohët";

- Kapitene e "17 Nëntorit" dhe e ekipit kombëtar për më shumë se 10 vjet me radhë;

- Pjesëmarrëse në disa ndeshje ndërkombëtare si me skuadrën e Klubit, ashtu dhe me Përfaqësuesen, brenda e jashtë vendit.

- Në Olimpiadën Botërore të Handikapatëve, zhvilluar në Dublin në qershor të vitit 2003, ishte në rolin e traineres se pingpongut, duke fituar dy medalje ari me sportistët e saj

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Françesko Toti: Do të qëndroj me Romën deri më 2014 (07.06.2009)
Motrat Uilliams përballë edhe në këtë finale të Uimbëlldonit (07.03.2009)
Venus dhe Serena Uilliams në çerekfinalen e Uimbëldonit (06.30.2009)
Boksi femëror do të përfshihet në Olimpiadën e ardhshme (06.28.2009)
Valentino Rosi ka prekur cakun e legjendës (06.28.2009)
Hajduku i interesuar për Besart Berishën (06.26.2009)
Tirana, Vllaznia e Dinamo do të përballen me skuadra nordike (06.24.2009)
28 vëllimet e veprës së Dr Samimit dhe një traktat sportiv i vitit 1935Nga Besnik Dizdari (06.23.2009)
Tour de Suisse: triumfon Kançelara (06.22.2009)
Vila te Dinamo e Zagrebit, Teuta merr 200 mijë euro (06.21.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]