VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - E ardhmja e Facebook

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 01:38pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
ART KULTURË
 
E ardhmja e Facebook
E Premte, 12.11.2009, 07:54am (GMT+1)

 

 

 

 

- Facebook-u po kalon në një fazë rritjeje të jashtëzakonshme. Me mbi 150.000 përdorues të rinj që regjistrohen çdo ditë, ai po rritet tre herë më shpejt se MySpace. Kujt ia atribuoni këtë sukses të madh?

Për një periudhë të caktuar kohe ne e kufizuam rritjen. Bëmë të mundur që vetëm studentët e universiteteve të mund të anëtarësoheshin. Fillimisht ka qenë i hapur vetëm për studentët e Harvardit, në kohën kur kam qenë edhe unë vet student. Më pas e hapëm për të gjithë universitetet, të gjitha gjimnazet dhe më pas edhe për disa kompani të caktuara. Tashmë kushdo mund të anëtarësohet. Mund të duket se rritja po bëhet me një shpejtësi marramendëse, por në fakt, Facebook-u po rritet dhe po dyfishohet çdo gjashtë muaj prej shumë kohësh.

 

- A është i lidhur popullariteti i Facebook-ut me fokusin e tij mbi autenticitetin? Në faqen tuaj, prezantimi i tjetërsuar i vetes është një dhunim i politikave të kompanisë.

Kjo në fakt, është pika kyçe e jona. Ideja është që njerëzit duhet të kenë lidhje reale në botë. Njerëzit komunikojnë në mënyrën më natyrale dhe efiçente të mundshme me miqtë e tyre dhe njerëzve që i rrethojnë. Ne kuptuam se nëse mund të arrinim të krijonim një model të këtyre komunikimeve, mund të siguronim informacione dhe aplikime të shumta me anë të së cilave njerëzit mund të ndanin informacione, foto, video apo evente. Por, kjo mund të funksionojë vetëm nëse këto lidhje janë reale. Kjo është diferenca thelbësore e Facebook-ut me faqet e tjera. Ne e konceptojmë veten këtu si një komunitet. Nuk po mundohemi të ndërtojmë një kompani, thjesht po mundohemi të vendosim lidhje të reja.

 

- Përse e përshkuani Facebook-un si një "mjet social" në vend që ta quani "rrjet social"?

Kam përshtypjen se njerëzit e keqinterpretojnë konceptin e një rrjeti social. Shumë kompani të ndryshme të karakterizuara si rrjete sociale kanë qëllime të caktuara. Disa i shërbejnë funksioneve të biznesit në rrjet, disa të tjerë janë portale mediatike. Ajo çfarë po mundohemi ne të bëjmë është që të vendosim lidhje sa më efiçente midis njerëzve në të gjithë botën, në mënyrë që të jenë në gjendje të komunikojnë, të marrin dhe të ndajnë informacione. Ne gjithmonë mundohemi të theksojmë fjalën "mjet" komunikimi.

 

- Në shtator ju refuzuat ofertën joshëse të Yahoo-s, e cila donte të blinte Facebook-un për 1 bilion dollarë dhe para saj ofertën e Viacom prej 750 milionë dollarësh. Para dy muajsh gjithashtu, thatë me bindje se facebook do të vazhdonte të qëndronte i pavarur. A vazhdon të jetë ky plani juaj?

Ky ka qenë gjithmonë plani ynë. Si kompani jemi të fokusuar mbi të gjitha në atë çfarë po ndërtojmë dhe jo në mënyrë se si të dalim prej saj. Ne jemi të bindur se po shtojmë një sasi të madhe vlere në jetën e njerëzve, vlerë e cila do të rritet më shumë nëse ne ndërtojmë një produkt edhe më të mirë. Kjo është edhe arsyeja përse gjysma e përdoruesve e përdorin prodhimin tonë çdo ditë. Kjo për ta, është mënyra më efiçente për të komunikuar me miqtë e tyre dhe për të marrë informacione rreth njerëzve, gjë që më parë ka qenë shumë më e vështirë. Nuk po mundohemi aspak që ta shesim këtë kompani dhe as që të presim të marrin oferta sa më të mira. Thjesht ky nuk është qëllimi i kompanisë.

 

- Atëherë, nëse Facebook-u nuk është në shitje, si keni menduar të kënaqni nevojat e investitorëve, të cilët kanë vënë në dispozicion 38 milionë dollarë në këtë kompani?

Ata janë shumë përkrahës përsa i përket kësaj çështjeje. Ajo çfarë duan ata është të ndërtojnë një kompani shumë të madhe gjithashtu.

 

- Ju po kërkoni një administrator, a mos është kjo një shenjë se po prisni oferta të mira për të shitur?

Në fakt jo. (Pauzë). Ne i japim shanse të gjithë punonjësve tanë. Deri tani kemi 250 të tillë. Nëse do të punësojmë dikë duhet të jetë më i miri edhe për ta. Nëse një ditë do të ngelemi aq keq sa të pranojmë një nga ofertat e marra, atëherë kompania duhet të ketë stafin më të mirë për të mos u fundosur. Është qesharake se sa shumë rëndësi i japin njerëzit faktit që kërkojmë administrator të ri.

 

- Fama dhe entuziazmi që ka rrethuar Facebook-un duket se është intensifikuar shumë në mënyrë dramatike gjatë muajve të fundit. Çfarë fshihet pas imazhit të ri të kompanisë?

Mendoj se vala më e madhe dhe e hershme, të paktën e medias, rrotullohet përreth platformës së re të Facebook-ut. Për herë të parë, ne i lejojmë sipërmarrësve që nuk punojnë për Facebook-un që të krijojnë aplikime të ndryshme si të ishin punonjësit tanë. Kjo është diçka e madhe, pasi do të thotë që sipërmarrësit kanë gjetur një mënyrë të re për të bërë biznes nëse vendosin të përfitojnë nga avantazhi i lejuar. Ekzistojnë kompani të ndryshme, produktet e të cilave janë vetëm të bazuara në platformën e Facebook-ut. Kjo është një shans shumë i mirë për ta dhe mendoj se është diçka shumë interesante për komunitetin e biznesit. Kjo gjithashtu, është mjaft interesante edhe për përdoruesit, pasi do të thotë që shumë shpejt do të kenë akses në shumë shërbime të reja.

 

- Cili është plani juaj madhor për kompaninë? Si e shikoni evolimin e saj në tre apo pesë vitet e ardhshme?

Është e vështirë të thuhet se si do të jenë gjërat tre apo pesë vjet më pas, por kemi ende shumë punë për të bërë thjesht duke ecur nëpër rrugën që kemi hapur. Deri tani, ne kemi rreth 30 milionë përdorues aktiv në facebook. Ky numër duhet të rritet më shumë. Ka ende shumë aplikime të ndryshme të reja që do të krijohën për t'i lejuar njerëzit që të ndajnë informacione në mënyra të ndryshme. Pritshmëria ime është që përdoruesit do të kenë mndësi shumë të mira për të reklamuar produktet e tyre, duke qenë në lidhje direkte me njerëzit në një mënyrë shumë natyrale ashtu si të gjithë përdoruesit komunikojnë me njëri-tjetrin. Të gjitha këto do të vazhdojnë të evolojnë gjithnjë e më shumë.

 

- Përveç marrëveshjes suaj të reklamimit ekskluziv me Microsoftin, që i jep gjigantit të internetit të drejtën për të shitur reklama në faqe, cilat janë disa nga idetë tuaja për të kthyer në para 30 milionë përdoruesit tuaj?

Reklamimi funksionon më së miri kur është në sintoni me atë çfarë njerëzit duan të bëjnë. Njerëzit mundohen të komunikojnë në mënyra të ndryshme në facebook, ndajnë informacione me miqtë, mësojnë se çfarë bëjnë miqtë e tyre, në këtë mënyrë krijohet një shans i ri për krijimin e një modeli tërësisht inovator të modelit të reklamimit. Besoj se kjo mënyrë reklamimi do të bëhet edhe më e qartë në muajt apo vitet e ardhshme.

 

- Me gati 40 bilionë hapje të faqes çdo muaj, Facebook-u është saiti i gjashtë më i ngjeshur në Shtetet e Bashkuara dhe saiti kryesor i shkëmbimit të fotografive. Cilët janë planet tuaja për zgjerim ndërkombëtar?

Në ditët e sotme, rritja jonë më e madhe po bëhet pikërisht në rang ndërkombëtar. Kemi mbi 10 deri në 15% të popullatës së Kanadasë të regjistruar në Facebook. Britania e Madhe gjithashtu ka një numër shumë të madh përdoruesish. Nuk e kemi përkthyer ende faqen tonë, por është diçka që do ta kryejmë së shpejti. Ajo çfarë bëjmë ne është e përhapur në mënyrë masive dhe është prekshme për njerëz të moshave të ndryshme në të gjithë botën.

 

- Kohët e fundit keni marrë disa ditë pushime, si i keni kaluar ato?

Kam ndenjur gjatë gjithë kohës me familjen time.

 

- Cila është dita tipike e një djali që ka themeluar Facebook-un në dhomën e konviktit të Harvardit vetëm tre vjet më parë dhe tani është bërë një sipërmarrës me kohë të plotë?

Zgjohem në mëngjes, shkoj në këmbë për në punë pasi jetoj vetëm katër blloqe larg zyrave tona dhe punoj, takohem me njerëz, diskutoj gjatë gjithë ditës dhe më pas shkoj në shtëpi për të fjetur. Nuk kam orë me zile. Nëse dikush do të më zgjojë, më mer në telefon.

 

- Ju jeni drejtori ekzekutiv 23-vjeçar i Silicon Valley. Si arrini ta mposhtni të gjithë presionin që shoqëron drejtimin e një kompanie të teknologjisë së lartë që rritet me hapa gjigante?

Para disa ditësh isha duke parë një intervistë me Steve Jobs, i cili thoshte "në mënyrë që të bëni diçka të tillë atëherë duhet që ta pëlqeni shumë atë që bëni, në të kundërt nuk ka asnjë kuptim". Kërkesat dhe sasia voluminoze e punës që duhet për të bërë një gjë të tillë si Facebook-u do të ishte tejmase e madhe nëse nuk do t'i përkushtoheshe me shpirt asaj që bën dhe nëse nuk mendon se ajo që po bën është diçka shumë e rëndësishme për ty dhe të gjithë të tjerët.

Përgatiti KLARITA BAJRAKTARI

Klarita Bajraktari


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Oktavio Pac: Perëndimi kthehet nga Lindja në mbarimin e historisë (12.06.2009)
Albumi i Suzanë Bojle debuton No 1 në klasifikimet amerikane (12.02.2009)
Treichel prezantoi në Tiranë librin "I humburi" (11.29.2009)
Filmi 'Precious' - një histori nga Harlemi (11.27.2009)
Shpërthen debati për identitetin francezNga Associated Press (11.26.2009)
Të ecësh vertikalisht nëpër oqeanNga Pierre-Pandeli Simsia (11.23.2009)
Oprah Uinfri lë shown më 2011, për të filluar kanalin e saj televiziv (11.20.2009)
Libri "Botët në luftë" dhe autori i tij (11.19.2009)
Zhani Ciko nderohet me titullin Kalorës i Arteve dhe Letrave (11.19.2009)
Del në shitje libri i Sarah Pejlin "Going Rogue" (11.17.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]