VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ADRIANA BANI - SHQIPTARËT KANË AFTËSI TË INTEGROHEN NË KULTURËN E VENDEVE KU KANË MIGRUAR POR AMA PA MOHUAR KULTURËN DHE ORIGJINËN E TYREIntervistoi: SOKOL DEMAKU

                                                                                      

E Martë, 05.14.2024, 12:16pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
ADRIANA BANI - SHQIPTARËT KANË AFTËSI TË INTEGROHEN NË KULTURËN E VENDEVE KU KANË MIGRUAR POR AMA PA MOHUAR KULTURËN DHE ORIGJINËN E TYRE
Intervistoi: SOKOL DEMAKU

E Premte, 09.20.2013, 04:11pm (GMT+1)


-Mësueja fierake më punë dhe vendbanim në Tonronto të Kanadasë Ardiana Bani

Kështu që jam e mendimit se kur ne të fillojme të tregojmë kulturën tonë më mirësjelljen tone, më punën tonë, më djersën e ballit, pa kërkuar të asimilohemi nëpër botë, por të integrohemi në të, atëhere Shqiptarët do jenë edhe më të bashkuar dhe më të nderuar.
Kam filluar të ndjek veprimtarinë e radios Dituria si edhe të revistës Dituria falë faqës së internetit www.Dituria.se, kur e pash këtë veprimtari kaq të gjallë dhe fisnike në faqet e internetit, kur mësova se si Shqiptaret në Suedi vazhdojnë të mbajne lidhjet më bashkatdhetarët, se si i inkurajojnë dhe si po përhapin më dinjitet kulturën Shqiptare nëpër botë, ndjeva një kënaqësi tepër të veçantë. Jam e lumutur që nëpërmjet kësaj reviste, në mënyrë elektronike, më jepet mundësia të mësoj rreth jetës dhe veprimtarisë së bashkatdhetarëve të tjerë kudo nëpër botë. Revista Dituria është vërtetë një ndërmarrje më vlera të mëdha dhe e meriton të përgezohet dhe të ndiqet nga të gjithe bashkatdhetarët tanë.
Puna e mësuesit mbetet po aq fisnike kudo që të udhëtosh nëpër botë. Mua më ka pëlqyer gjithnjë të jem mësuese e matematikës dhe e shkencave. Ky është pasjoni i veçantë i imi, dhe nuk ka ndonjë ndryshim për mua nëse jam perballë studentëve shqiptarë apo kanadezë apo internacional si tani që jap mësim në Kolegj. Të them të drejtën nuk shoh ndonjë ndryshim të madh, por mund të them kaq, që gjërat janë tepër, tepër më të organizuara këtu ne Kanada. Mëgjithatë çdo e mirë ka të keqën e vet dhe çdo e keqe ka një të mirë, themi ne.

Kush është Ardiana Bani?
Përpara se t`u përgjigjem pyetjeve tuaj do doja në rradhë të parë t'ju shprehja kënaqësinë e madhe që më jep fakti që Shqiptarët edhe pse të shpërndarë në çdo vend të botës vazhdojnë të ruajnë lidhjet në mes tyre, dhe kjo falë nismave dhe ndërmarjeve të tilla si Revista Dituria në BorÃ¥s, dhe do doja t'ju falenderoja shumë për këtë mundësi që më dhatë.
Më duket pak e vështirë të përgjigjem në Shqip, se kush jam unë? Unë jetoj në Kanada që prej 15 vjetesh dhe të flasësh për veten tënde në North America është gjëja më normale, por kur vjen puna të flasësh më bashkatdhetarët e tu, ne akoma e kemi atë ndrojtjen që na karakterizon, që të kemi kujdes të mos mburremi vend e pa vend, gjë që unë mendoj është karakteristika më e bukur e Shqiptarit dhe ndoshta duhet të vazhdojmë ta ruajmë.
Unë punoj si mësuese e matematikës dhe e psikologjisë Tek Cambrian College në Brampton Campus, të Torontos. Ne të njejtën kohë unë kam edhe biznesin tim si life coach, dhe public speaker. Ndërkohë kam shkruajtur tre libra "The Secret Beyond the Secret: How The Law of Attraction Aligns You with Your Destiny," "The Twelve Laws of Living: The New Truth About God, Soul and Antimatter," dhe së fundi "The Truth in Search of Antimatter."

Keni lindur në Tiranë ku dhe keni kalue një pjesë të jetës, cfarë ka sot në kujtesë nga to kohë Ardiana?

Nostalgji. Edhe pse jeta jonë nën regjimin e komunizmit nuk ishte aspak e lehtë, unë nuk mund të kujtoj vuajtjet, apo fukarallëkun që shumica e shqiptarëve e ka përjetuar, nuk mund të kujtoj netët pa gjumë me merakun se nuk do më jepej e drejta për të vazhduar studimet e larta sepse gjyshi im nga babai ishte pushkatuar si armik i komunistëve, nuk mund të kujtoj asnjë nga keto çaste te vështira pa u sforcuar në rradhë të parë që të harroj ditët e lumtura me shoqërinë, të qeshurat rinore, bujarinë e njerëzve tanë, fakti që edhe diçka e vogël si pirja e kafesë në shtëpitë e njëri tjetrit kur shkonim për vizita pa shumë ceremoni, na bënte te lumtur.

Shkollën fillore dhe te mesme në qytetin e Fierit, Shkolla Fillore "Naim Frasheri" Shkolla e mesme "Gjimnazi Janaq Kilica" ku keni jetuar që prej moshës gjashtë vjeçare derisa mbaruat universitetin, cka mundë të na thoni për këtë kohë të kaluar në punë?

Fieri është qyteti im i fëmijerisë, dhe ruaj kujtime shumë të bukura. Në Fier njerëzit që më panë të këndoj "Unë jam e kuqja" në skenën e festivalit të fëmijëve, vazhdojnë të më thërrasin me këtë emër. "Unë jam e kuqja ngjyra e flamurit, ngjyra e ylberit, ngjyra e nderit..." Unë isha vetem 8 vjeçe kur kam kënduar në skenën e festivalit dhe isha shumë e ndrojtur në fillim, por përkrahja e shoqërisë dhe të afërmve të mi, më bëri ta kaloja me sukses këtë etapë. Më pas përqendrimi im u drejtua në shkencat ekzakte, si matematikë dhe fizikë. Këtu kuptova se isha plot kurjozitet për shkencën dhe jetën në përgjithësi dhe se 24 orë në ditë nuk janë të mjaftueshme ndonjëherë.
Keni punuar si pedagoge e matematikës dhe e kompjuterit në Universitetin Bujqësor te Kamzës, në Tiranë, një krahasim me ate këtu në Kanada, si e spejgoni këtë?
Puna e mësuesit mbetet po aq fisnike kudo që të udhëtosh nëpër botë. Mua më ka pëlqyer gjithnjë të jem mësuese e matematikës dhe e shkencave. Ky është pasjoni i veçantë i imi, dhe nuk ka ndonjë ndryshim për mua nëse jam perballë studentëve shqiptarë apo kanadezë apo internacional si tani që jap mësim në Kolegj. Të them të drejtën nuk shoh ndonjë ndryshim të madh, por mund të them kaq, që gjërat janë tepër, tepër më të organizuara këtu ne Kanada. Mëgjithatë çdo e mirë ka të keqën e vet dhe çdo e keqe ka një të mirë, themi ne.

Çka ju shtyri të mërgoni dhe të studioni mu këtu në Kanada?

Kur vendosa të mërgoj ne Kanada, në 1997 ishin vite të vështira për Shqipërinë. Siç jeni në dijeni në ketë vit pati një luftë të ashpër midis partive politike që i kaluan kufijtë e miresjelljes. Pas hapjes së depove të armëve të ushtrisë dhe aksidenteve, madje edhe vrasjeve më qellim, jeta në Shqipëri nuk ishte më e sigurtë. Kështu që në fillim të 1998 aplikova për të ardhur në Kanada dhe aplikimi mu aprovua në 1999.

Ka kohë që jetoni në Kanada, çfarë mund të na thoni për jetën këtu, çfarë është ndihma e shtetit për të huajit këtu dhe si ndiheni?
Kam 14 vjet në Kanada, dhe vazhdoj ta pëlqej jetën këtu, por mbi të gjitha jam e vetëdijshme që ka probleme edhe Kanada si në çdo vend tjetër. Që këto probleme ndoshta s'mund të krahasohen me problemet në vende të tjera ku ka luftë dhe varfëri kjo është qartë, por kjo nuk do të thotë që njerëzit këtu nuk mbetën të pa kënaqur dhe nuk kerkojnë zgjidhje sa më të mira për vetën dhe fëmijët e tyre. Ndonjëherë problemi i vendeve të zhvilluara, më sa kam kuptuar deri tani është vetëkënaqësija.
Përsa i përket ndihmës së shtetit për të huajt unë mund të them që ndihma e shtetit është e pranishme, dhe e gatshme për këdo, jo vetëm për të huajt, dhe është e barabartë për të gjithë. Kështu që kush vjen nga një vend i huaj dhe vëndoset ne Kanada për herë të parë nuk ka më shumë prioritet se një kanadez i lindur dhe i rritur në Kanada por që kanë të njejtën nevojë financiare. Por, ndërsa shtetasi Kanadez ka më shumë njohuri dhe experiencë se sa një emigrant, atëhere mundësitë e emigrantit për të gjetur punë janë tepër me të kufizuara. Punë të kategorive të ulta janë të vetmet punë që të ofrohen në fillim, pamvarësisht nga shkalla e edukimit. Unë madje e kam cakitur pak këtë temë në librin tim "Secret Beyond the Secret."

Si e kalon një ditë Ardiana në mergim?
Çdo ditë këtu ka rutinën, dhe specifiken e vet, por më e përgjithshmja është kjo: Ngrihem ne orën katër të mëngjezit çdo ditë, dhe punoj për dy deri në trë orë me shkrimet e mia, ose u përgjigjem emaileve të ndryshme, përgatitem për mësimdhënjen ose bej korrigjimet e provimeve të studenteve. Fëmijët zgjohen nga gjumi ne orën shtatë dhe i ndihmoj të bëhen gati për shkollë. Unë kam tre fëmijë, Julinda vajza e madhe vazhdon studimet në Universitetin e Torontos për psikologji dhe Shkencat e jetës, Joni eshte 10 vjec në klasë të pestë, kurse Jenna është pothuajse pesë vjeçe dhe është akoma në kopsht. Pasi kthehem nga puna neë orën 3, 4, ose 5 varet sa orë leksioni kam në ditë të ndryshme, zakonisht, marr femijët nga baby sitter, dhe ndërsa përgatis darkën merrem me diskutime të situatave dhe problemeve të ndryshme që mund të kenë hasur gjatë ditës. Mua më pëlqen të lexoj shumë, dhe çdo moment të lirë e shfrytëzoj për të lexuar, kur fëmijët shkojnë për të fjetur.
Disa ditë të caktuara une shkoj në mbledhjet e klubit që marr pjesë. Ky është një grup bamirësije qe njihet ne te gjithe boten me emrin Lions International Club. Edhe fundjava ka specifiken e vet, fëmijët shkojnë në programe, Joni shkon në dy programe karate dhe running, kurse Jenna shkon në leksione të notit dhe soccer (futboll). Gjithashtu këto janë dy ditët që fëmijët shkojnë të vizitojne gjyshërit. Prindërit e mi janë këtu në Kanada. Kjo është e vetmja kohë ku unë mund të takohem me shoqerinë time te vjetër ose të re, dhe me familjarë të tjerë që janë këtu ne Kanada. Biznesin tim, life coaching, takimin më klientat ose Publik speaking, si dhe workshope të ndryshme e organizoj kryesisht mbrëmjeve te javeës por asnjëhere gjateë fundjaves. Fundjava i përket familjes time dhe shoqërisë.

Çfarë janë kushtet për të jetuar e punuar këtu, mund të na bëni një krahasim me ato në vendlindje?
Kushtet për të jetuar më duken më të lehta këtu në Kanada, për arësye se gjërat janë të organizuara dhe të kontrolluara. Edhe kur ka anomalira këtu është krijuar një besim i madh që qeveria do ndërhyjë dhe gjërat do kthehen në normalitet si më parë. Kjo gjë është vërtetuar përherë, kështu që vëtem ky fakt të ben të jetosh e qetë dhe pa ate stresin që të jep një jetë e pasigurtë. Puna është punë. Këtu nuk ka kohë të pish kafe në orarin e punës apo të besh telefonata përsonale në punë. Tetë orë në punë apo më tepër janë të rendimentit maksimal sepse edhe konkurrenca është e madhe. Në çdo moment duhet të jesh në gadishmeri për të kryer detyrë mbi detyrë dhe madje edhe të punosh sa për pesë veta ndonjëherë.

Ju merreni edhe me shkrime, merreni me poezi apo me prozë?

Poezia ka qenë dashuria ime e parë. Kur isha në klasë të shtatë njëra nga poezitë e mia, pak e shkurtër por që u bë motivacioni i shkrimeve të mëtejshme eshte:
E mira dhe e keqja
vrapojnë në një rreth si të marra
Dhe s'mund ta putosh asnjëhere
Se cila do dali e para
Ndaj o njëri, pse qan,
Dhe ti tjetri pse qesh,
Nuk e dini që jeta
e burgosur është ne rreth?

Por siç e thashë kjo ishte një nga pasionet e mia të hershme, dhe kur erdha këtu në Kanada, vite, vite më pas, zbulova që kisha dëshirë të frymëzoja dhe të inkurajoja njerëzit më anë të prozës. Pasi fillova punë si Life coach, një nga klientet e mia të hershme Tereza, më pyeti një ditë "Pse nuk shkruan një libër më këshillat që u jep klientave?" Aty fillova ta konsideroja publikimin e një libri si një gjë të mundëshme, dhe kështu shkrova tre librat që përmenda më lartë.

Keni libër të botuar dhe çfarë është tema që shtjelloni në te?

Kam botuar dy libra në fushën e metafizikës dhe spirituale, ndërsa libri i tretë është një hipotezë e re shkencore rreth antimatter. Si mësuese e shkencave dhe e matematikës, jam gjithmonë në kërkim të së vërtetës, të zbulimit të arësyeve shkencore dhe e theksoj shkencore, mbrapa çdo akti njerëzor, por edhe mbrapa fenomeneve mistike e të pashpjegueshme. Nga ana tjetër, unë jam gjithashtu e bindur që Zoti ekzizton. Lidhja ime shpirtëtore më Zotin është forcuar gjithnje e më shumë më kalimin e viteve, jo vetëm nga ngjarjet mistike që janë manifestuar në jetën time private, por edhe nga fakti që unë kam mundur të gjej një shpjegim shkencor të fenomeneve të ndryshme që shumë veta i quajnë mistike ose spirituale. Një nga këto zbulime është shpjegimi që i bej njerit prej ligjeve më të mirënjohur në kohët e fundit, Ligji i tërheqjes që njihet në Anglisht më emrin "The Law of Attraction." Ky dhe ligje të tjera që lidhen më aspektin shpirtëror të njeriut kanë qarkullar prej vitesh, por mua nuk më binden shpjegimet dogmatike të këtyre ligjeve, pavarësisht se unë i përjetoja ato. Kështu që e bëra si qëllim në vetvete për të zbuluar arësyet shkencore dhe llogjikën që mund të qëndroj mbrapa këtyre ligjeve, dhe shpresoj t'ja kem harritur më këto dy libra. Pyetjet si: A ka Zot? Në rast se ka Zot, pse ka kaq shumë probleme dhe padrejtësi në jetë? Pse nuk i ndalon ose parandalon Zoti vuajtjet njerëzore? A janë të vërteta fenomenet misterioze si fantazmat, magjitë, mallkimet, parandjenjat, etj. Pse ekziston xhelozia? A ka dashuri? A ekziston shpirti? Por kur trupi vdes a vazhdon shpirti te ekzistojë? A rilindet shpirti njerezor dhe si mund ta vërtetojmë këtë? Të gjitha këto pyetje janë diskutuar në librin "The Twelve Laws of Living" që mund ta gjeni në amazon.com dhe që mund të përkthehet "Dymbëdhjetë Ligjet e Jetesës" Në librin tjetër "The Secret Beyond the Secret" që përkthehet "Sekreti përtej Sekretit" është një shpjegim i një formule që kam zbuluar e cila ka sjellë rezultate mahnitëse si për vetën time ashtu edhe për klientat e mi. Në këtë libër unë shpjegoj nëse njerëzit e kanë destininë e tyre të shkruar nga Zoti, dhe në rast se po çfare na ngelet neve në dorë për të bërë? Mund të duket e çuditshme, por unë kam zbuluar se Zoti na ka lenë shumë shumë fuqi në dorën tonë. Problemi është se ne nuk jemi në dijeni te kësaj fuqie dhe për këtë arësye ne e shpërdorojmë ose nuk e përdorim fare. Sekreti se si të përdoret kjo forcë është shpjeguar në këtë libër.

Çka presin lexuesit në të arrdhmen nga Ardiana, cilat janë planet e juaja?

Ne rradhë të parë do mundohem të përkthej librat në Shqip pak e nga pak. Tani për tani ato janë në Anglisht sepse duke qenë se ajo është gjuha e përditshme që përdor për të komunikuar e ndjej më të lehtë të përdor Anglishten kur shpreh mendime filozofike si këto që ju sqarova më lart. Më vonë kam dëshirë të shkruaj një roman ku më anë të dramës që do zhvillohet nëpër faqet e librit njerëzit mund të kuptojnë se si keto 12 ligjet e natyrës diktojnë fatin tonë, dhe shkaktojnë drama në mes njerëzve.

Çfarë është malli për të afërmit , si e ndjeni vetën këtu në një mes të huaj?

Të them të drejtën unë jam një njeri qe adoptohem shpejt në çdo situatë, dhe nuk mund të them që ndjehem si e huaj në këtë vend. Kjo mund të jetë edhe meritë e Kanadasë si një vend më shumë kultura dhe emigrantë nga vende të ndryshme të botës. Por gjithashtu prindërit e mi erdhëmn në Kanada në të njejtën kohë më mua. Unë nuk kam motra ose vëllëzer por disa nga familjarët e mi që kam pasur lidhje të ngushta që kur isha në Shqipëri i kam këtu ne Toronto tani. Gjithashtu kam plot shokë e shoqe që nga femijerija ose të universitetit që janë këtu dhe takohemi herë pas here për të pirë kafe dhe për të marrë vesh se si shkojnë gjërat në jetën tonë. Mbi të gjitha lidhjet më anë te facebook-ut e kanë bërë më të lehtë komunikimin me njerëzit që i kemi larg dhe që na mungojnë. Por megjithatë malli për vendlindjen gjithmonë ekziston.

Sa ka arritur Ardiana të krijoj shokë apo shoqe në një mes të ri, në një vend më kuturë tjetër nga ajo që ne kemi?

Më thenë të drejten ka qenë shumë e lehtë të bej shokë e shoqe këtu në Kanada. Kulturat nga më të ndryshme janë të pranueshme, për sa kohë që ruan politesen dhe nuk ofendon kulturat e tjera. Që në fillim kur unë erdha ne Kanada kam pasur fatin e mirë të takohem më njerëz shpirtgjërë, bujar, që më kanë afruar ndihmë të sinqertë dhe më kanë ndihmuar të integrohem në jetën Kanadeze. Unë mund të them më pak dhimbje në këtë pikë se ndihma që më dhanë shoqeria e huaj ishte shumë më e sinqertë dhe pa interes në krahasim më ndihmën që u pretendua se mu dha nga disa familje shqiptare. Është vërtetë e turpshme dhe e dhimbshme kur kupton se një nga karaktristikat më të njohura të Shqiptarit siç është bujaria dhe ndihma e sinqertë, ekziston vetëm në historinë e largët të popullit tonë.

Çfarë është aktiviteti juaj kur kemi te bejmë me profesionin tuaj këtu dhe jetën stundetore në vend të huaj?

Unë jap mësim në Kolegj. Studentët e mi janë studentë që vijnë nga e gjithë bota për të studiuar dhe për të ndërtuar një jetesë këtu në Kanada. Duke qenë se jam edhe vetë një emigrante kam një lidhje më të fortë shpirtërore me studentët e mi, dhe e ndjej si detyrë që tu bej të ditur se çfarë konsiderohet një sjelle më politese këtu në Kanada dhe çfarë nuk është e pranueshme. Ka shumë rregulla të mirësjelljes së përditshme që janë fare të zakonshme si mbajtja e dyerve hapur për të tjerët, mënyra e të falenderuarit, mënyra e të kërkuarit leje për të kaluar kur vendi është i ngushtë etj, gjëra që ne nuk i vemë re kur jetojmë në këtë vend për një kohë të gjatë pasi jemi përshtatur, por që janë tepër të dukshme kur një i sapo ardhur nuk i ndjek këto rregulla, jo sepse nuk është i edukuar apo është i pakulturuar por sepse këto rregulla nuk janë konsideruar si gjëra primare në vendin e tyre.

Sa ka arritur Ardiana të përshtatet në kohën, klimën dhe në natyrën kanadeze?

Ah, unë do mbetem mesdhetare në shpirt. Bora më pelqen vetëm kur e shikoj nga dritarja. Megjithate vjeshta është shumë e bukur këtu Kanada më të gjitha ngjyrat e natyrës. Në vjeshtë dua të eci më orë te tëra nëpër parqet pafund të Torontos.

Nëse do te kishe mundësi te jepje ndihmesën tënde në realitetin që jetojmë ne shqiptarët sot, ku mendon se konkretisht duhet ndryshuar diçka?
Po e filloj nga pjesa e fundit e pyetjes. Nëse bëhet fjalë për realitetin në Shqipëri, në rradhë të parë duhet të ndryshoi mentaliteti karshi punës dhe argëtimit. Diskutimet nëpër kafene për politikën nuk duhen konsideruar punë. Së dyti, duke qenë një shtet dhe vend kaq i vogël ne nuk na duhen shumë parti politike më platforma të ndryshme. Ne na duhen njerëz të aftë që të drejtojnë një vend të vogël. Në rast se bëhet fjalë për veprimtarinë e Shqiptarëve nëpër botë do të thoshja se gjëja e parë që ne duhet të ndryshojmë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur është dyfytyrësia, fallcifiteti që ka filluar të na karakterizoj. Kam vënë re që Shqiptarët në mërgim lëkunden midis dy ekstremeve: ose do fillojnë të mburren se sa të zotët janë shqiptarët, dhe në çdo diskutim shoqëror më të huajt nuk lenë t`u shpetoj rasti pa përmendur faktin se Nënë Tereza ishte Shqiptare, dhe se John Belushi ishte shqiptar gjithashtu, madje edhe Aleksandri i madh mund të këtë qenë më origjine Ilire, por në shumë raste të tjera disa shqiptarë kthehën në grek, e madje edhe italian. Unë e kuptoj se si një vend i vogël që jemi dhe pa fuqi ekonomike ne nuk mund të jemi krenar për këtë fakt, por kemi plot cilësira të tjera për të cilat duhet të krenohemi. Dhe kjo nuk fillon duke u mburrur më figurat e shquara por fillon në rradhë të parë më faktin që Shqiptarët janë shumë të adoptueshem, Shqiptarët kanë aftësi të integrohen në kulturën e vendeve ku kanë emigruar por ama pa mohuar kulturën dhe origjinën e tyre.
Dua të përmend këtu një rast që kur punoja si mësuese zevendësuese ditore, në një shkollë të mesme në Toronto, vite më parë, njëra nga mësueset më pyeti se cila ishte origjina ime. Kur unë i tregova se isha nga Shqiperia, kjo mësuese e cila ishte më origjine greke, tha në mes te sallës plot e përplot më mësues "Oh ti je nga ai vend nga kanë ardhur hajdutët që vjedhin shtëpitë e grekerve" Kjo qe një situatë tepër e vështirë për mua dhe një shuplakë në fytyrë për një krim që nuk e kisha kryer unë dhe nuk meritoja të ofendohesha. Për fat të keq çfarë kjo mësuese e rendomtë tha aq publikisht, ishte e vërtetë. Unë nuk mund ta mohoja atë fakt, por vazhdova më qetësinë time dhe i thashë "Where there is a forest, there are also wild shrubs" ose siç e themi ne në shqip "Pyll pa derra nuk ka." Të gjithë mësuesit e tjerë u mblodhën rreth meje duke më dhenë numrat e tyre të telefonit që unë t u telefonoja dhe të vazhdoja shoqërinë më ta. Kështu që jam e mendimit se kur ne të fillojme të tregojmë kulturën tonë më mirësjelljen tone, më punën tonë, më djersën e ballit, pa kërkuar të asimilohemi nëpër botë, por të integrohemi në të, atëhere Shqiptarët do jenë edhe më të bashkuar dhe më të nderuar.
Si mund ta jepja ndihmesën time në këtë realitet? Lidhjet e mia të vazhdueshme më Shqiptarët dhe Shqiperinë, pavarësisht nga shoqëritë e reja që unë vazhdimisht krijoj këtu në Kanada. Dhe kjo mendoj se është një nga kontributet e mia, por unë mendoj se ndryshimi do të vij kur Shqiptarët të mësojnë të komunikojnë më sinqeritet dhe pa gjykuar njëri tjetrin. Duke qenë se kam eksperiencë në fusha të ndryshme dhe shkollime të vazhdueshme pasuniversitare këtu në Kanada, këto më japin mundësinë që ta quaj veten një eksperte (si life coach) në fushën e mardhënjeve dhe të komunikimit më njerëzit. Dy nga lëndet më të preferuara që jap mësim ne kolegj tani, janë "Positive Psychology" dhe "Leadership skills" (psikologjija pozitive dhe aftësitë e një lideri/udheheqesi). Dhe ndërsa ua mësoj këto strategji nxënësve këtu në Kanada, pse jo më kënaqësi do ndihmoja edhe bashkatdhetarët e mi. Kushdo që ka pyetje ose kërkon ndihmë përsa i përket aftësive që ju duhen për t'u intergruar në jetën Kanadeze, ose që ka nevojë për ndihmë në përmirësimin e komunikimit në mënyrë që të jetë sa më i sukseshëm në jetë, por edhe të mos shfaqet para të tjerëve si mendjemadh apo vulgar, janë të mirëpritur të më kontaktojnë për life lessons nepermjet skype. Cdo kush mund te më kontaktoj nëpërmjet emailit: abc@knowthetruth.ca

Çfarë janë kontaktet e Ardianes më vendlindjen?
Unë komunikoj vazhdimisht nëpërmjet internetit, më shoqërinë dhe të afërmit që janë në Shqipëri. Në fakt unë vazhdoj të mbaj lidhje të forta më Shqipërinë dhe largësia nuk ndjehet në ditët e sotme kur ka kaq shumë mënyra të ndryshme dhe të shpejta komunikimi. Tani për shembull, sapo kam filluar bashkëpunim biznesi më një shoqen time të fëmijërisë që jeton ne Shqiperi Margarita Kola dhe që ka hapur një agjenci martesash atje, Marriage-Dating.al. Unë jam përfaqësuesja e kësaj agjencie Shqiptare, në Kanada.

Një i mërguar kërkon të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht më natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje të shkurtër. Si është nga natyra Ardiana?

Të them të drejtën unë kam dëshirë të jem e mirë informuar por ka disa fusha që nuk më interesojne shumë për shembull fusha e politikës apo sporteve si hokey, baseball, footballi amerikan të cilat nuk arrij ti kuptoj. Ju deshët një pyete të shkurtër por fatkeqesisht kjo është një pikë delikate që kërkon një çik më shumë sqarim për sa i përket fushës politike. Në fushën e politikës unë nuk mund ta kuptoj se si njerezit mund të gënjehen dhe të besojnë se një kandidat apo parti do jetë më i mirë se një kandidat apo parti e krahut të kundert? Unë nuk mbaj shpresa të kota se një kandidat do jetë më i mirë dhe më i pakorruptueshem se tjetri. Kam besim vetëm ne koalicion të partive, dhe kur në të arrijme të zgjedhim njerëzit më të mirë të do partie, që mund të kryejnë detyrat specifike të specialistit në fusha të caktuara, vetëm atëhere do më interesonte të njoftohesha se si shkojnë punët.

Ka kohë që jetoni këtu, sa janë kontaktet tuaja më shqiptarët këtu, keni miq dhe a shoqëroheni?

Kam gati 15 vjet (14 vjet e gjysëm për të qenë e saktë) dhe kontaktet më miqtë e mi shqiptarë këtu në Kanada janë të vazhdueshme. Kjo mund të jetë e lehtë për faktin se ka shumë Shqiptarë këtu në Toronto.

Nëse kjo lami që keni zgjedhur për studim nuk do të ishte profesioni juaj, ne cfarë profesioni do e gjente vetën Ardiana?

Unë pothuajse i kam bërë realitet të gjitha profesionet që do të zgjidhja në këtë jetë. Më pëlqen matematika dhe shkenca, më pëlqen të jap mësim, më pëlqen të ulem më njerëzit dhe ti ndihmoj më problemet e tyre, kështu që prandaj jam edhe life coach, më pëlqen psikologjija dhe jo vetëm që e jap mësim por edhe aplikoj në librat dhe në biznesim tim si life coach, më pëlqen të shkruaj, dhe edhe këtë e arrita duke publikuar tre libra deri tani. Një gjë nuk e kam bërë akoma realitet, muzikën. Më pëlqen që një ditë të luaj në pjano dhe kitare. I kam të dyja keto instrumenta në shtëpi, kam nisur kurset e muzikës disa herë por jeta e ngarkuar nuk më ka dhënë mundësinë që t'i vazhdoja. Kështu që do të thoshja se unë i jam mirënjohes Zotit për gjithë aftësitë që më ka falur dhe nuk do doja një jetë më ndryshe se sa kjo që kam.

E lexoni revistën në shqip "Dituria"që botohet në Skandinavi, cka mund te na thoni për te?
Kam filluar të ndjek veprimtarinë e radios Dituria si edhe të revistës Dituria falë faqës së internetit www.Dituria.se, kur e pash këtë veprimtari kaq të gjallë dhe fisnike në faqet e internetit, kur mësova se si Shqiptaret në Suedi vazhdojnë të mbajne lidhjet më bashkatdhetarët, se si i inkurajojnë dhe si po përhapin më dinjitet kulturën Shqiptare nëpër botë, ndjeva një kënaqësi tepër të veçantë. Jam e lumutur që nëpërmjet kësaj reviste, në mënyrë elektronike, më jepet mundësia të mësoj rreth jetës dhe veprimtarisë së bashkatdhetarëve të tjerë kudo nëpër botë. Revista Dituria është vërtetë një ndërmarrje më vlera të mëdha dhe e meriton të përgezohet dhe të ndiqet nga të gjithe bashkatdhetarët tanë.

Planet tuaja për të ardhmen, çka Ardiana mendon dhe ka në fokus?

Më thënë të drejtën unë nuk bej plane afatgjata. Jam e mendimit që njeriu duhet të jetë spontan, shpirt i lire siç e ka krijuar Zoti, sepse planet tona afatgjata kanë një këndveshtrim të ngushtë dhe dritë të shkurtër. Por një dëshirë e kam në shpirt, dhe kjo dëshirë është që t'ua bej të njohur njerëzve ate që m'u be mua e njohur tre vjet më parë dhe që ishte zanafilla e punës së madhe që une i dedikova shkruarjes së librave të mi. Tre vjet më parë, unë përjetova disa situata fantastike që përshkruhen vetëm nëpër libra dhe që unë pata fatin e mirë t'i përjetoj. Cfarë ishin keto situata dhe si e ndryshuan ato jetën time, i kam shpjeguar në librat e mi si edhe në websitin tim.

Çka ju benë të lumtur dhe çka ju mundon më së shumti?
Ajo që më ben të lumtur në jetë, ashtu si çdo prind shqiptar, është të shikoj se si fëmijët e mi po mësojne dalengadalë cilësitë e duhura për t`u bërë njerëz të sukseshëm në jetë. Më "njerëz te sukseshem" unë nënkuptoj arritjen e dëshirave dhe qëllimeve që një njeri i ve vetvetës në jetë, dhe që nuk kanë si synim vetëm përfitim përsonal.
Çka më mundon më së shumti? Më mundo fakti që për shkak të politikës njerëzit krijuan shtete dhe shtetet krijuan barriera midis shteteve, duke grumbulluar kështu pasuritë njerëzore dhe tokësore vetëm në duar të disa dinastive. Kjo bëri që paraja të vleresohet më shumë se shpirti njerëzor, dhe ky është një gabim i lashtë sa edhe vetë njerëzit. Dhe unë e quaj si gabimin më të rëndë. Uji, buka, të edukuarit nëpër shkolla, rrobat për t`u veshur, shërbimi shëndetesor, çdo gjë që është e nevojshme për të jetuar si qenje njerëzore nuk duhej të shkembeheshin më para. Një këngetar gjysëm lakuriq në skenë nuk duhej të vleresohej më shumë se një pastruese që rropatet gjithë ditën duke pastruar ambjentet ku ne jetojmë e punojmë. Por mënyra se si janë ndërtuar ligjet dhe shtetet e aq më shumëv reklamat fallco, e nxisin shumë e më shumë grumbullimin e parase vetëm në disa duar. Kjo më mundon, dhe më mundon shumë.

Si e kalon kohen e lirë?
Në kohën e lirë kam shumë dëshirë të lexoj. Por kam edhe shumë dëshirë të argëtohem, ne shkojmë çdo të shtune më fëmijët në Kinema, shkojmë në pishina, ecim nëpër parqe. Mbi të gjitha unë e krijoj vetë kohën e lirë, kur është e nevojshme. Ndonjëherë kur fëmijët ndjehen të stresuar nga aresye të ndryshme, unë i shkëpus për disa minuta nga rutina e përditshme e të studjuarit dhe në vemë muzikë dhe kërcejmë, ose luajmë lojna nga më të ndryshme, shikojmë filma për të qeshur në televizor ose kompjuter. Një nga programet që pëlqejmë më shumë është Wizard of Wavery Place. Qëllimi im është ti mësoj fëmijët e mi që rendimenti në punë është më i madh kur mendja është e çlodhur dhe e çliruar nga stresi. Kështu që koha e lirë dhe argetimi duhet të jenë pjesë e pandarë e jetesës së përditshme, por jo më kryesorja pjesë e ditës.

Po të kishit mundësin të zgjidhni, ku do kishit jetuar?
Ah, sikur të kisha mundësi te zgjidhja, unë do udhëtoja në të gjithë botën. Nuk mund ta kuptoj vetën të lidhur në një vend sikur të mos ishte kufizimi nga ana financiare. Më pëlqen të njihem me kultura të ndryshme, të shikoj vende të reja, vende piktoreske, të bukura nga natyra apo edhe nga dora e njeriut, por mbi gjithçka më pëlqen të kem sa më shumë shokë te rinj dhe të vjeter në jete.

SOKOL DEMAKU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FORTESA HOTI NË ROLIN KRYSOR TË FILMIT TRILLER SUEDEZ 'ORION' (09.20.2013)
SHKB 'Sali Çekaj" përkujtoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë të KosovësZYRTARIZIMI I DEKLARATËS TË PAVARËSISË - OBLIGIM HISTORIKNga IDRIZ ZEQIRAJ (09.18.2013)
NGA DURRËSI DHURATA PËR FËMIJËT SHQIPTAR NË SUEDIFotoreportazh nga SOKOL DEMAKU (09.15.2013)
EKSPOZITË E SKULPTORIT KRESHNIK XHIKU (09.14.2013)
FATOS BAXHAKU - HISTORI TË VEÇANTA TË SHQIPTARO-AUSTRIAKËVE (09.13.2013)
PËR FYERJE RACISTE NDAJ SHQIPTARES SË KOSOVËS - 6 MUAJ BURG (09.12.2013)
KA NDËRRUAR JETË JAKUP BIÇAKAJ - MËRGIMTARI MË I VJETËR I KËSAJ ANETë moçmit kanë thënë vendi-dheu i huaj është i ftohtëNga XHAFER LECI (09.10.2013)
DHIMITRI ÇIKA - NJË MIKELANXHELO SHQIPTAR NË KISHAT AMERIKANE amerikane (09.06.2013)
INICIATIVA STUDENTORE TASH - URË KOMUNIKIMI KULTUROR SHQIPTARO-GJERMAN (09.06.2013)
DETINA DHE ARGITA - BINJAKET NGA PATOSI NË MAJAT E SHKENCËS BOTËRORE (09.04.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]