VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - IBRAHIM MAKOLLI - PAVARËSISHT SE NE, SI KOMB, JEMI TË NDARË NË DISA SHTETE, MËRGATA SHQIPTARE KA QENË E DO TË JETË NJË MËRGATË SHQIPTAREBashkëbisedoi: AJET NURO

                                                                                      

E Djelë, 04.28.2024, 09:53pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
IBRAHIM MAKOLLI - PAVARËSISHT SE NE, SI KOMB, JEMI TË NDARË NË DISA SHTETE, MËRGATA SHQIPTARE KA QENË E DO TË JETË NJË MËRGATË SHQIPTARE
Bashkëbisedoi: AJET NURO

E Shtunë, 01.25.2014, 09:53am (GMT+1)


Ministri i Diaspoës i Republikës së Kosovës z. Ibrahim Makolli


Intervistë e ministrit të Diasporës në qeverinë e Kosovës, z. Ibrahim Makolli dhënë gazetës "Tribuna Shqiptare", me qendër në Montreal, Kanada

Bashkëbisedoi Ajet Nuro

TSh: Z. Makolli, së pari, faleminderit për përgjigjen pozitive e të shpejtë që i dhatë kërkesës sonë për një bashkëbisedim. Ndihemi të nderuar, pasi ju përfaqësoni lidhjen mes atdheut dhe ne emigrantëve që jemi të shpërndarë kudo në botë. Z. Makolli, tani do të doja të dinim diçka për Ju dhe lidhjen tuaj me familjen e madhe të diasporës shqiptare.

 

Z. Makolli: Sa herë flasim për mërgatën tonë, kemi ndjenja të përziera. Sot, pothuajse nuk ka familje shqiptare që nuk është e lidhur përditshëm me mërgatën, për faktin se pothuajse nuk ka familje në Kosovë që së paku nuk ka një anëtar të familjes së vet jashtë. Fati ynë ka qenë i tillë që dekada e shekuj me radhë jemi ndjekur e përndjekur nga vatrat tona, kështu që kurbeti, sikur i thonë në gjuhën popullore, na ka ndjekur si hije e zezë gjatë gjithë historisë. Edhe unë, sikurse shumica e shqiptarëve, jam familjarizuar me këtë që në fëmijëri, ngase, prej se e mbaj mend, kam pasur anëtarë të familjes së ngushtë jashtë. Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Milosheviqit i kishte futur në funksion të gjitha mekanizmat shtetërorë e parashtetërorë për spastrim të heshtur etnik të Kosovës, tre nga vëllezërit e mi, më të rinj se unë, u detyruan të largoheshin nga vendi bashkë me qindra e mijëra shqiptarë të tjerë të Kosovës, të cilët ishin nisur në rrugën e kurbetit. Pra, të gjithë shqiptarët, një pjesë të shpirtit e kemi brenda, ndërsa një pjesë jashtë. Fati më ka rastisur që mërgatën ta njoh për shkak të aktiviteteve që nga vitet e 90-ta dhe t'i përcjell zhvillimet e saj.

Më lejoni të them diçka: sa herë flasim për mërgatën, më dalin përpara figura e Nolit dhe ajo e Konicës, dy kolosët shqiptarë, veprimtaria e të cilëve pastaj ishte udhërrëfyes për gjeneratat e tjera që morën rrugën e mërgimit.

Sot nuk ka vend në botë ku të mos ketë shqiptarë ose pjesëtarë me origjinë shqiptare, të larguar që nga periudha e lëvizjeve të mëdha pas periudhës së Skënderbeut. Është ndjenje e përzier, kur takohemi me pjesëtarë të mërgatës dhe të diasporës së vjetër, qoftë ajo në Itali, Kroaci, Ukrainë, Argjentinë, vendet aziatike apo të tjera, të cilët, megjithëse janë shkëputur kaherë nga atdheu, vazhdojnë të ruajnë gjuhën, traditën e zakonet shqiptare. Historia e tyre është historia e kombit tonë, janë histori vuajtjesh të kombit tonë. Për mua është nder e respekt i veçantë që kam rastin të jem në një dikaster, i cili e mbulon këtë pjesë të kombit tonë.

T.Sh: Z. Makolli, ne që jetojmë larg vendlindjes sonë, e dimë edhe rëndësinë që ka atdheu për ne, por e dimë që edhe ne duhet të jemi të rëndësishëm për atdheun. Si lindi ideja e një dikasteri për diasporën?

Z. Makolli: Ideja për një institucion që do të merrej me trajtimin e kësaj pjese të popullit tonë nuk është e ditëve apo e viteve të fundit. Që nga koha e krijimit të institucioneve shqiptare në vitet 90-ta, ka pasur angazhim për krijimin e mekanizmave për mbajtjen e lidhjeve me mërgatën.

Diaspora shqiptare me dekada ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe e ka mbajtur gjallë jetën politike, sociale e kulturore në Kosovë. Ajo ka qenë arteria kryesore që e ka mbajtur jetën gjallë në vitet më kritike për vendin dhe fatin e saj, në fundshekullin e kaluar.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, dhe kalimit nga institucionet e përkohshme në ato shtetërore, Qeveria e Republikës së Kosovës filloi të bënte hapa seriozë drejt lidhjeve më të fuqishme me diasporën, në kuptimin institucional.

Duke ditur që numri i qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë është tejet i madh, duke pasur parasysh kontributin e tyre të dhënë ndër vite për atdheun e tyre, si dhe duke parë interesimin e madh të diasporës që të kontribuojë edhe më tutje, posaçërisht në ngritjen ekonomike të vendit, Qeveria e Kosovës vendosi që kësaj pjese të shoqërisë t'i kushtonte rëndësi të veçantë, duke e themeluar Ministrinë e Diasporës, e cila shërben si urë lidhëse mes mërgatës dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, luan rol të posaçëm edhe në promovimin e vlerave kulturo-artistike të diasporës, si dhe ndihmon në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor të mërgimtarëve tanë. Të gjitha politikat e formuara nga Ministria e Diasporës kanë për qëllim të sjellin benefite të dyanshme, si për Republikën e Kosovës, ashtu edhe për vetë diasporën, duke shpresuar që kontributi i dhënë nga diaspora jonë më në fund të mund të shpaguhet sadopak nga institucionet e Republikës së Kosovës.

TSh: Z. Makolli, ndonëse Ministria e Diasporës është pjesë e Qeverisë së Kosovës, a ndiheni ministër i diasporës i të gjithë shqiptarëve, përderisa një dikaster i tillë nuk ekziston në Tiranë?

Z. Makolli: Pavarësisht se ne, si komb, jemi të ndarë në disa shtete, mërgata shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jenë NJË MËRGATË SHQIPTARE. Diaspora shqiptare ka qenë pjesë shumë e rëndësishme e çdo aktiviteti që ka pasur për qëllim lirinë dhe bashkimin e kombit. Mërgata shqiptare ka qenë katalizator i zhvillimeve të mëdha të kombit, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri sot. Pothuajse të gjitha proceset e mëdha të kombit, që nga koha e Skënderbeut, kanë qenë të iniciuara nga mërgata. Në asnjë rast, ne nuk e bëjmë dallimin prej cilës pjesë të atdheut tonë janë mërgimtarët.

TSh: Kam vërejtur që jeni shumë aktiv si ministri (edhe unë kam dëgjuar për Ju nga aktivitetet tuaja...), por do të doja të dëgjoja prej Jush disa nga arritjet e dikasterit që Ju drejtoni.

 

Z. Makolli: Duke u bazuar në Ligjin nr. 04/L 095 të Diasporës dhe Mërgatës, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës, Ministria e Diasporës ka për qëllim të hartojë politika, të cilat mundësojnë ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, si dhe lidhshmërinë e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.

Që prej themelimit të saj, Ministria e Diasporës, në përputhje me ligjin e lartcekur, ka realizuar një numër të konsiderueshëm të aktiviteteve që kanë për qëllim krijimin e urave lidhëse mes diasporës dhe institucioneve shtetërore. Deri tani kemi arritur të iniciojmë dhe të organizojmë krijimin e lidhjeve mes diasporës anembanë botës, siç janë: Rrjeti i Grave në Biznes, Lidhja e Krijuesve, Shkrimtarëve dhe e Poetëve të Diasporës, Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Gjermani, SHBA, Austri etj., si dhe Rrjeti i profesionistëve shëndetësorë të diasporës. Në fushën e kulturës, e arritur e madhe është hapja e Qendrës së Parë Kulturore në Stamboll, e cila ka për qëllim të promovojë njohuri të përgjithshme për Kosovën, të nxitë dhe të zhvillojë njohuri për gjuhët, kulturën dhe trashëgiminë kulturore të Kosovës; të nxitë bashkëpunimin shkencor, teknik, teknologjik, sportiv dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe mërgimtarëve, si dhe të organizojë aktivitete të ndryshme, të cilat kanë për qëllim t'i promovojnë vlerat kulturore të diasporës. Shumë shpejt do të hapet edhe Qendra Kulturore në Zvicër, në Suedi, por edhe në vende të tjera.

Ministria e Diasporës, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera të vendit dhe ndërkombëtare, por edhe në bashkëpunim me vetë diasporën, ka arritur ta përpilojë Strategjinë për Diasporën dhe Mërgatën 2013-2018 , e para e këtij lloji për vendin tonë, por edhe për vendet në rajon. Kjo strategji reflekton zotimet e Ministrisë së Diasporës dhe përkushtimin e saj për forcimin e bashkëpunimit me pjesën e popullit që fizikisht gjendet jashtë territorit të saj.

Strategjia për Diasporën dhe Mërgatën është dokumenti i parë strategjik i Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet së cilës, me veprime konkrete, synohet të sigurohen avancimi i të drejtave politike e sociale të diasporës, ruajtja e identitetit kulturor e gjuhësor të diasporës, shmangia e asimilimit, si dhe ndihma për integrimin në vendet ku ata jetojnë.

Së fundi, konkretisht në muajin dhjetor të vitit 2013, Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me një numër të madh të institucioneve të ndryshme, e filloi projektin madhor, i cili nga vetë pjesëtarët e diasporës konsiderohet ndër më të rëndësishmit për ta, atë të Regjistrit të Mërgatës dhe Diasporës.

 

TSh: Edhe fëmijët e shqiptarëve të Montrealit kanë marrë dhurata prej ministrisë suaj, si libra, harta etj. Dhe përfitoj nga rasti t'ju falënderoj. Çfarë planesh keni për t'i ndihmuar fëmijët shqiptarë që jetojnë në botën e jashtme, që ata të ruajnë kulturën, traditat dhe, mbi të gjitha, gjuhën tonë?

Z. Makolli: Siç e kam cekur edhe më lart, Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Ministria e Diasporës, një ndër prioritetet kryesore të saj e ka përkrahjen për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës. Për këtë qëllim është mbajtur edhe konferenca kombëtare e mësimit plotësues në diasporë dhe mërgatë, e cila ka pasur për qëllim të hartojë politika që do ta lehtësonin dhe do ta ndihmonin këtë proces.

Gjatë viteve të funksionimit të kësaj ministrie, kemi arritur të hapim sektorë të bibliotekave nëpër të gjitha vendet e Evropës ku organizohet mësimi plotësues, si dhe t'i pajisim ato me materiale të nevojshme, si: libra, revista të ndryshme shkollore etj. Në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandë të Re i kemi dërguar rreth 200.000 libra të ndryshëm. Janë organizuar kampe me fëmijët nga diaspora, të cilat kanë pasur për qëllim që shtresës më të ndjeshme të shoqërisë t'i ofrojë mundësi të njihet për së afërmi me kulturën shqiptare. Në kuadër të tyre janë realizuar edhe një numër i madh ekskursionesh nëpër Kosovë dhe rajon.

Këtë verë është planifikuar të mbahet kongresi i parë mbarëshqiptar i diasporës, nga i cili pritet të dalin ide dhe vendime të ndryshme, të cilat do të na mundësonin të hartonim projekte më specifike për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar.

Objektiv i Ministrisë së Diasporës është që t'i ngrejë edhe më tutje kapacitetet në diasporë për zhvillimin e mësimit plotësues, duke vazhduar t'i pajisë fëmijët me materialin e nevojshëm mësimor, duke mbajtur trajnime të ndryshme me mësimdhënësit, duke përtërirë programet ekzistuese për mësim nga distanca, si dhe duke promovuar apo sensibilizuar diasporën për rëndësinë e këtij procesi.

Duhet cekur që rëndësi të madhe në gjithë këtë proces kanë vetë pjesëtarët e diasporës, pasi ata mund të jenë forcë shtytëse për fëmijët tanë që ta ndjekin këtë proces.

TSh: Z. Makolli, diaspora shqiptare ka ndihmuar në momentet më kritike për kombit tonë, si shpallja e pavarësisë në vitin 1912, por edhe gjatë gjithë viteve të vështira të ndarjes së kombit, kur diaspora ndihmoi me lëvizje dhe demonstrime në Evropë, për të tërhequr vëmendjen te gjenocidi serb në Kosovë. Le të kujtojmë edhe mbajtjen gjallë të qeverisë me anë të 3-përqindëshit. Po sot, si e shikoni diasporën si aleate, si pasuri kombëtare, si pasuri muzeore apo si? Keni plane konkrete për të thithur sado pak nga fuqia e pafund e diasporës? 

Z. Makolli: Shumë nga ngjarjet e rëndësishme historike për kombin shqiptar ose kanë pasur protagonistë pjesëtarët e mërgatës, ose kanë pasur zanafillën e tyre në shoqëritë e ndryshme, të krijuara nga shqiptarët anembanë botës.

Rëndësia dhe kontributi i mërgatës shqiptare ishte dhe vazhdon të jetë i padiskutueshëm. Çdo tentim për mohimin e këtij realiteti do të thotë edhe tentim i ndryshimit të historisë së kombit shqiptar dhe tentim i ndryshimit të historisë së formimit të dy shteteve shqiptare.

Vetë themelimi i Ministrisë së Diasporës tregon zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që diaspora jonë të jetë aleate e vendit në të gjitha sferat e zhvillimit të saj. Është e vërtetë që diaspora është pasuri kombëtare, por jo vetëm pse është në numër të madh, por sepse kontributi i madh i saj i madh ka zënë pjesë të rëndësishme në historinë e vendit tonë.

Është obligim yni profesional, por edhe moral që kësaj shtrese të çmueshme të popullit tonë t'i ofrojmë mundësi të marrë pjesë edhe në shtetndërtimin e Kosovës. Sot, diaspora jonë ka kapacitete të shumta si ekonomike, gjithashtu edhe politike që të jetë krah i fuqishëm i atdheut në rrugën drejt zhvillimit ekonomik dhe politik, si dhe drejt anëtarësimit në organizatat e ndryshme botërore, andaj edhe ne, si Ministri, e ndiejmë obligim që diasporën ta përfshijmë në të gjitha sferat, me të vetmin qëllim që përfitimi të jetë i dyanshëm.

Të mos harrojmë që sot diaspora jonë luan rol, në mos më të madh, atëherë të njëjtë me çdo ambasadë që e ka hapur Republika e Kosovës.

Mërgata jonë paraqet sot një prej pasurive më të mëdha që ka kombi ynë. Pa dyshim, ky potencial që po krijohet në mërgatë, si dhe potenciali i brendshëm janë garanci për të ardhmen e sigurt të kombit tonë.

TSh: Kohët e fundit, mësuam se dikasteri Juaj ka filluar një aksion të rëndësishëm, siç është ai i regjistrimit të diasporës. Mendoj se duhet të jetë një aksion i vështirë e kompleks. Ku mendoni se do të mbështeteni për t'ia dalë mbanë ?

Z. Makolli: Siç është parashikuar, procesi i regjistrimit të mërgatës dhe diasporës ka filluar në fund të vitit të kaluar. Ky proces do të mundësojë që institucionet e Kosovës, jo vetëm Ministria e Diasporës, të hartojnë politika efikase për mërgatën. Qëllimi i tij është evidencimi i numrit të saktë të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike, koha e migrimit, arsyeja e migrimit, shtetet ku jeton dhe vepron diaspora dhe mërgata, si dhe regjistrimi i shoqatave dhe i formave të tjera të organizimit të tyre. Tash për tash ka një interesim të mirë të mërgatës për të qenë pjesë e këtij procesi, qoftë plotësimi i formularëve në mënyrë fizike, ashtu edhe regjistrimi nëpërmjet portalit elektronik. Çdo kontakt yni me mërgatën na ka lënë të besojmë në suksesin e këtij procesi. Vlen të theksohet se përkrahja që kemi marrë nga vetë pjesëtarët e diasporës për këtë proces, sidomos nga shoqatat e ndryshme që veprojnë ne diasporë, e bëjnë këtë proces më të lehtë dhe më të suksesshëm.

TSh: Le të kthehemi sërish te fakti që Kosova ka një ministri të diasporës dhe Shqipëria jo. Bashkëpunoni me Tiranën për çështje të diasporës dhe të mërgatës?

Z. Makolli: Siç e kam cekur edhe më herët, puna e Ministrisë së Diasporës lidhet ngushtë edhe me institucionet shtetërore të vendeve të tjera, kurse me Tiranën zyrtare mund të them që puna jonë është e përbashkët.

Së bashku me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë kemi arritur të realizojmë një numër të madh të projekteve, të cilat janë lidhur drejtpërdrejt me ruajtjen e identitetit kulturor, arsimor dhe gjuhësor në diasporë.

TSh: Z. Makolli, ne që e vizitojmë vendlindjen, e shikojmë atdheun me syrin e perëndimorit dhe sipas standardeve të këtushme dhe vërejmë me keqardhje se qeveritarët tanë aty-këtu janë të korruptuar. Si e shikoni këtë fenomen dhe a luftoni që në dikasterin tuaj të mos keni një fenomen të tillë?

 

Z. Makolli: Fenomeni i korrupsionit na brengos të gjithëve. Problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e mekanizmave ligjorë për luftimin e tij, por te mungesa e vullnetit për ta bërë atë.

Gjatë gjithë karrierës sime profesionale, si udhëheqës në Ministri, po ashtu edhe në fusha të tjera, kam dhënë maksimumin që këtë dukuri ta luftoj me të gjitha metodat e mundshme.

Jam i bindur që ky fenomen nuk do të ketë vend në Ministri të Diasporës. Do të jem tërësisht i përkushtuar për ta luftuar këtë të keqe kudo që mund të ketë.

TSh: Z. Makolli, edhe një herë përfitoj t'ju përgëzoj për punën që bëni në vendosjen e lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes. Do të doja që edhe Ju t'i përshëndesni lexuesit e "Tribunës Shqiptare", sidomos ata që jetojnë në botën e jashtme.

Z. Makolli: Së pari, më lejoni t'ju falënderoj juve, gjithë stafin e gazetës "Tribuna Shqiptare" për punën e palodhshme që keni bërë dhe vazhdoni ta bëni në informimin e shpejtë dhe të saktë të diasporës shqiptare, kurse lexuesit tuaj, duke i përshëndetur, t'i falënderoj për gjithë kontributin dhe angazhimin e tyre në të gjitha periudhat, kontribut pa të cilin sot ne në atdhe do të ishim krejt ndryshe, madje nuk e di nëse do të ishim fare. Mërgata jonë, më mirë se askush tjetër , e ka jetësuar në praktikë thënien e rilindësve NJË JETË NË SHËRBIM TË KOMBIT, sepse vërtet një jetë të tërë e kanë vënë në shërbim të kombit. Besoj shumë se me angazhimin e përbashkët do të arrijmë ta jetësojmë idealin e rilindësve tanë, ideal për të cilin u sakrifikuan gjenerata të tëra, qoftë brenda, qoftë në mërgatë.

E kemi për borxh para vetes dhe para pasardhësve tanë që të punojmë shumë për të bartur dhe për të ruajtur te gjeneratat e reja dashurinë për atdheun, gjuhën e kulturën e vendit të të parëve të tyre.

Shëndet e suksese në 2014!

Faleminderit!

TSh: Faleminderit dhe suksese Juve dhe dikasterit Tuaj z. Makolli!

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ETLEVA NALLBANI - ARKEOLOGIA SHQIPTARE NË AKADEMINË FRANCEZENga LUAN RAMA, studiues (01.23.2014)
KRYESIA E LDK NË ZVICËR ORGANIZON TUBIMIN PËRKUJTIMOR KUSHTUAR TETËVJETORIT TË NDARJES NGA JETA TË PRESIDENTIT IBRAHIM RUGOVA (01.18.2014)
REDI LLUPA, TALENTI I MADH SHQIPTAR NË SKENAT PIANISTIKE BOTËRORE - MUZIKA ËSHTË E PAFUND DHE UNË DO TË VAZHDOJ TË UDHËTOJ NË BOTËN E SAJ (Intervistë) (01.16.2014)
JAVA E TRIUMFIT TË BUKUROSHEVE SHQIPTARE NË AMERIKË (01.15.2014)
PROMOVIM NË TIRANË I CD SË REALIZUAR NGA KLAIDI SAHATÇI (VIOLINË) DHE DHURATA LAZO-BEJLERI (PIANO)Diten e shtune, me 25 janar 2014, ne ora 11.00, ne sallen "Tefta Tashko Koço" ne Ministria e Kulturës (01.11.2014)
SHQIPTARI I MIRË - FAMULLTARI DON NIKOLIN PERGJININga MIMOZA DAJÇI (01.08.2014)
GREQIA NUK I RINOVON LEJET E QËNDRIMIT PËR EMIGRANTËT (01.08.2014)
DAFINA KASTRATI - TALENTJA QË ZGJON VËMENDJEN E PUBLIKUT GJERMAN (01.05.2014)
PENSION PËR EMIGRANTËT E SHQIPËRISË NË BELGJIKË (01.05.2014)
GJERMANI - NEVOJË URGJENTE PËR KUJDESTARË PËR TË MOSHUARIT (01.03.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]