VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - REDI LLUPA, TALENTI I MADH SHQIPTAR NË SKENAT PIANISTIKE BOTËRORE - MUZIKA ËSHTË E PAFUND DHE UNË DO TË VAZHDOJ TË UDHËTOJ NË BOTËN E SAJ (Intervistë)

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 05:33am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
REDI LLUPA, TALENTI I MADH SHQIPTAR NË SKENAT PIANISTIKE BOTËRORE - MUZIKA ËSHTË E PAFUND DHE UNË DO TË VAZHDOJ TË UDHËTOJ NË BOTËN E SAJ (Intervistë)

E Enjte, 01.16.2014, 11:15am (GMT+1)



Festivali i parë ndërkombëtar pianistik në Shqipëri "Pianodrom", i ideuar dhe drejtuar nga Aleksandër Peçi ngjiti në platformën e tij një talent të vërtetë shqiptar, pianistin Redi Llupa, me recitalin e tij "Tonalitete të reja".

Me një aktivitet të gjerë në SHBA, Japoni, Itali, Brazil, Kosta Rika, Shqipëri etj, Redi Llupa është sot një personalitet i fuqishëm i botës pianistike ndërkombëtare, një nga ambasadorët e kulturës shqiptare, produkt i 3 shkollave, asaj shqiptare, italiane dhe amerikane.

Koncerti i tij në "Pianodrom" përfshinte një program të përzgjedhur me autorë të shek XX dhe XXI si, Debussy, Berio, Takemitsu si dhe kompozitorët shqiptarë Ermir Bejo e Aleksandër Peçi. Koncerti arriti kulmin në veprën "Valle mbi xham" të Aleksander Peçit, i punuar mbi valle të Tiranës nëpërmjet të cilit Redi Llupa e emocionoi jashtëzakonisht publikun, i cili e shoqëroi me duartrokitje.

Sipas drejtorit artistik të festivalit, Aleksandër Peçi loja e Redi Llupës spikati për inteligjencë të rrallë e thellësi mendimi filozofik në zbërthimin e veçorive kompozicionale, formës e stileve të veprave. Ai tregoi aftësinë dhe ambicien e tij për të eksploruar e pikturuar tingullin deri në nuancat më të brishta e të imëta të pianos. Peçi shpreh keqardhjen që ambasadorë të shquar të kulturës shqiptare, si Redi Llupa, të cilët janë "karta jeshile" e Shqipërisë për njohje ndërkombëtare, nuk marrin asnjë kontribut mbështetës nga strukturat shtetërore.

Në një intervistë për Balkanweb, pianisti i talentuar Redi Llupa tregon ndjesitë e tij pas kthimit në një skenë shqiptare dhe për aktivitetin e tij të gjerë pianistik nëpër botë.




Redi, si ishte rikthimi në skenën e Universitetit të Arteve?
Me shumë emocione! Do të thoja që këtu ndjej emocionet më të mëdha se në çdo vend tjetër jashtë Shqipërisë. Kam shumë kujtime dhe sigurisht që është një tjetër përgjegjësi kur luan në skenat e Shqipërisë. Në sallën e Universitetit të Arteve unë kam luajtur në mos gaboj për herë fundit në moshën 15 vjeçare. Tani rikthehesh më i rritur, më i pjekur edhe profesionalisht dhe mësuesit e mi, prindërit e sigurisht edhe shumë kolegë duan të shohin ecurinë time artistike. Si një artist i këtij vendi dëshiroj të dhuroj sa më shumë nga përvoja ime artistike.

Cilët janë njerëzit që të kanë mbështetur në Shqipëri për të arritur deri këtu?
Ka shumë, por veçoj sigurisht prindërit dhe mësuesen time Nadjezhda Porodini. Prindërit më kanë mbështetur dhe bazhdojnë ta bëjnë duke qenë frymëzimi im kryesor për të bërë muzikë. Mësuese Nadjezhda ka qënë gjithmonë dhe vazhdon të jetë për mua mësuesja që ndihmoi të zbuloja botën e artit. Një pedagoge e palodhur, që më ka dhënë mësime të cilat unë nuk i harroj kurrë dhe ende vazhdoj të aplikoj konceptin e saj të të shprehurit të tingullit dhe frazave në muzikë.

Si ishte rrugëtimi juaj nga Shqipëria, në Evropë e drejt SHBA-së?

Italia

Stacioni i parë ishte në Itali. Mora bursë të plotë të studjoja në United World College of the Adriatik. Aty ishte një eksperiencë që do të thoja se e ndikoi jashtëzakonisht individin tim dhe pasuroi dashurinë e artit brenda meje. Bashkë me bursën si student i kolegjit, atje fitova edhe audicionin për të vazhduar shkollën profesionale për muzikë në La Scuola Superiore Internazionale di Musica da Camera del Trio di Trieste, ku u bëra student i Alberto Miodinit dhe Dario de Rosa. Muzikantët duhet të trajnoheshin intensivisht si solistë dhe si në grupe për muzikë dhome dhe kishin mësimet gjatë fundjavave me muzikantet legjendarë të Trio di Trieste dhe Trio di Parma. Shumë pak mund të gjeje kohë të lirë duke qënë nxënës normal me të gjitha lëndët e përgjithshme dhe intensitetit të shkollës së muzikës.

Bostoni

Në Boston kreva 4 vitet e Bachelor of Music tek The Boston Conservatory me bursë të plotë. Aty u pranova në studion e Max Levinson, një pianist virtuoz dhe artist i shkëlqyer. Bostoni ka një histori shumë të pasur artistike dhe jashtzakonisht të rëndësishme për artin në amerikë. Aty pata mundësinë të shijoja koncertet e Boston Symphony dhe të isha i pranishëm në performancat e pianistëve botërorë. Çdo koncert ishte një mësim dhe frymëzim dhe shpirti im si artist vetëm pasurohej.

Indiana

Të vazhdosh në Jacob`s School of Music të Indiana University është një privilegj i veçantë. Këtu flitet për një nga universitetet më të rëndësishën në botë. U bëra një student i profesorit legjendar Menahem Pressler dhe isha studenti i tij i parë shqiptar. Gjithashtu bashke me bursën e plotë u pranova edhe si asistent pedagog në departamentin e pianos. Mund të them se ishte një eksperiencë shumë intensive dhe një trajnim jashtëzakonisht profesional. Profesor Pressler kishte një devotshmëri të pakrahasueshme dhe gjithmonë një mësues i palodhur. Ne studentët thonim gjithmonë se "Pressler është sikur Sokrati të jetë gjallë dhe ne marrim mësime nga ai". Gjithashtu bëra edhe dy herë Akademinë Verore të Indianës ku vazhdova të merrja mësime nga profesor Pressler.

Miami

Mbasi mbarova Masterin në Indiana stacioni i fundit ishte Miami. Tani kam filluar vitin e parë në Frost School of Musik me artistin me famë botërore Santiago Rodriguez, me bursë të plotë dhe asistent pedagog në departamentin e pianos. Miami ka shumë dinamizëm dhe është qytet kozmopolitan. Mëson shumë nga njerëz nga kulura të ndryshme dhe angazhohem me shumë performanca që vetëm shtohen. Në nëntor fitova audicionin për të luajtur me orkestër Oiseaux Exotiques nga Oliver Messiaen, një pjesë jashtmase të vështirë ku teknika fizike si dhe muzikale si pianist duhet të jetë e avancuar.

Pse gjithë këto lëvizje nëpër shkolla të ndryshme?
Arti është një gjithësi më vete. Nuk ka fund dhe duhet të zbulosh sa më shumë. Duke udhëtuar, kam fituar përvojën të shoh artin në vende të ndryshme. Kudo gjen njerëz me përvoja të veçanta që duan ta ndajnë me ty dhe të të mësojë se çfarë kanë mësuar. Besoj se nuk do ndalem këtu, por do të vazhdoj të udhëtoj dhe të luaj në skena të ndryshme.

Keni luajtur në Japoni, Slloveni, Austri, Itali, Kroaci, SHBA dhe në shumë skena të tjera, por Brazili ka një veçanti ku zhvilluat projektin e paqes, në verën e 2011. Çfarë solli tek ju kjo përvojë?
Brazili ishte përvoja më e veçantë. Unë bashkë me kolegët e mi John Batchelder dhe Juan Sebastian Delgado zhvilluam një projekt për të krijuar një program me qëllim mësimin e muzikës fëmijëve në nevojë. Ishte në Natal dhe Mossoro të Brazilit në Rio Grande do Norte. Ne duhet të zhvillonim mësime në lagjet e Favelave dhe ishim vazhdimisht në rrezik. Qëndronim me njerëz që na mbronin nga rreziqet që mund të kishim. Shumicën e rasteve kemi kaluar natën në vende shumë të varfra me kushte jo të mira. Projekti u realizua dhe ne me koncertet që organizuam krijuam një fond për të blerë instrumente muzikorë për fëmijët. Projekti vazhdon dhe fëmijët kanë mundësi të jenë të pranishëm në botën e artit. Brazili më mësoi që atë që fitoja, mund ta ndaja me dikë. Më mësoi si të jesh i dobishëm! Ndoshta jo për të gjithë fëmijët fatkeqësisht por të paktën një, dy, tre ose katër. Mund t`iu ndryshosh jetën, t'ui japësh frymëzim për një jetë më të mirën dhe t'i shtysh të luftojnë për të!

Këtë e mendoj edhe në skenë. Duhet të luash për bukurinë e artit të muzikës dhe të tregosh forcën e magjisë së saj! Muzika mund të ketë një reaksion shumë të fortë për dikë dhe t'i duhet të komunikosh atë rëndësi që ka për ty, puna që ke bërë dhe dedikimi ndaj artit. Luan me të njejtin dedikim për të gjithë qoftë edhe vetëm për një në mënyrë që shpirti yt të komunikojë.

Cili është vlerësimi juaj për muzikën bashkëkohore dhe autorët shqiptarë?
Muzika bashkëkohore është goxha e avancuar. Pjesët kanë procese të ndërlikuara dhe zbulime akustikore nga më të ndryshmet. Rikthimi im në Shqipëri është edhe debutimi im i parë në vendin tim si pianist kontemporan. Programi filloi me Librin e dytë të preludeve të Debussy dhe vazhdoi me mjeshtra të muzikës të shekullit të XX si Toru Takemitsu, Luciano Berio. Shekulli i XXI u paraqit me kompozitorët shqiptarë Aleksandër Peçi dhe Ermir Bejo. Muzika kontemporane në Shqipëri nuk luhet edhe aq shumë. "Pianodrom" e organizuar nga Aleksandër Peçi dha mundësinë që ky aspekt të inkurajohej shumë. Nuk është e thjeshtë të performohet dhe duhet të performohet shumë mirë që të përçohet ideja tek audienca. Eshte një poezi, ku kuptimi i saj ka shumëllojshëri interpretimesh duke pasur parasysh fjalët, tonin e zërit, aksentin e fonemave dhe momentin e dëgjimit të saj. Ashtu është edhe tek muzika kontemporane, tingujt kanë ngjyrimin e tyre në aspektin e tyre akustikor, harmonia ndryshon dhe ti nuk ndalesh së zbuluari sonoritete të reja.

Mendoj se ka rëndësi që kjo muzikë të aplikohet në Shqipëri, sepse historia e muzikës vazhdon të krijohet dhe ne kemi fatin të jemi pjesë e saj. Dhe unë ndihem shumë i privilegjuaj të ndaj diturinë time me publikun shqiptar.

Lidhur me kompozitorët shqiptarë mund të them se Shqipëria ashtu si gjithë bota ka artistët e saj të veçantë dhe unë do t'i intepretoj veprat e tyre. Aleksandër Peçi ka një gjuhë kompozicionale të veçantë dhe është një kompozitor që di të harmonizojë traditën shqiptare me frymën bashkëkohore. Cartesius Cantus 7 rikthen meloditë religjoze të antikitetit Shqipëtar dhe Vallja Mbi Xham ndërthur virtuozizmin pianistik me meloditë popullore Tiranase. Performanca e Opus 1 nga kompozitori i ri Ermir Bejo ishte edhe premiera shqiptare jo vetëm e pjesës, por edhe prezantimi i parë i tij si kompozitor në Shqipëri. Ai karakterizohet nga një inteligjencë dhe gjuhë origjinale që përbën një ide të thellë filozofike në aspektin e formës së pjesës, perceptimit të tingullit dhe akustikës së dinamikave në piano. Ermir Bejo vazhdon doktoraturën tek North Texas University në Dallas dhe konsiderohet atje si një talent i ri dhe i veçantë në botën e kompozicionit të shekullit të 21.

Cili është një tjetër pasion i juaji, kur nuk jeni duke i rënë pianos?
Leximi, veçanërisht lexime për filozofi, kuriozitete shkencore dhe histori për artin. Gjithashtu jam i apasionuar mbas filmave artistikë së regjisorëve Andrei Tarkovski, Ingmar Bergman, Luis Bunuel, Jean Luc Godard dhe shumë të tjerë.

Gjeni lidhje mes muzikës dhe filozofisë?
Muzika ka qenë shumë e pranishme që në antikitet tek mendimet e filozofëve të shquar duke filluar nga Platoni. Shumë filozofë të tjerë kanë shkruajtur si Shopenhauer, Niçe, Adorno etj. Të performosh duhet të kesh një koncept, një ide që duhet paraqitur dhe perceptuar. Mendja jote në performancë gjithmonë zbulon mënyra të ndryshme për të formuar një ide të caktuar, duke i vënë rëndësi çdo tingulli, bashkëtingëllimi të notave, strukturës së frazave. Eshtë si një ide arkitekturore, ku duhet të kesh një plan ndërtimi të qartë dhe të qendrueshëm në mënyrë rezultati të jetë i pëlqyeshëm por edhe i patundur.

Këtë karakteristikë ka pedagogu që studioj tani, Santiago Rodriguez. Rodriguez nuk është vetëm një pianist, por ka mbaruar edhe filozofi. Eshtë nje filozof i artit. Ai këmbëngul që studenti duhet të zbulojë idenë në muzikën që luan dhe gjithmonë të bën pyetjen "pse"? "Pse e rrit dinamikën, pse nuk bën atë që shkruhet ose pse nuk bën atë që nuk shkruhet në partiturë?". Kur hyra në klasën tij të filloja mësimin e parë më tha se në këtë stad të doktoraturës, pedagogu gjendet tek vetvetja. "Roli i student dhe pedagog ndryshon, ti je mësuesi i tij dhe jo ai. Duhet të kesh pavarësi dhe të kesh idenë që ti mbushësh mendjen pedagogut. Ai do të shohë personalitetin tënt dhe shpirtin tënd që shprehet në muzikë. Kjo do të të bëjë artist".

Juan Sebastian Delgado është një çelist nga Argjentina. Bashkë kemi studjuar që në Itali. Trio di Trieste vëzhgoi personalitetet tona artistike dhe vendosën që të krijonin duon Llupa-Delgado dhe aty filloi karriera jonë si grup. Të dy filluam kolegjin në të njëjtën kohë dhe kemi dhënë koncerte muzikë dhome në shumë vende. Ishim ftuar për 25 vjetorin e kolegjit në sallën madhështore të Parco Della Musica në Romë.

Diçka per sallat dhe shtetet ku ke performuar.
Acros Hall Fukuoka, Kumamoto Theatre dhe Nagasaki. Teatro Municipal de Mossoro dhe Universiteti i Rio Grande do Norte të Brazil. Mozarteum në Insbruck dhe Salzburg. Sallat prestigjoze të Gorizia dhe Ljubljana. Në Itali tek Sallat Rivoltella e Trieste, Parco Della Musica në Romë, Teatro di Trentino. Zankel Hall në Skidmore College në New York, Comstock Concert Hall të University of Louisville, Auer Hall të Indiana University, Seully Hall dhe Steinway and Sons Hall në Boston, Vermont Killington Music Festival Series, Gusman Hall dhe Clare Hall në Miami,

Cila do të jetë performanca juaj së afërmi?
Koncertet e rradhës do jenë në Miami, Puerto Rico, Texas, Kanada dhe Meksikë. Besoj se përsëri do të kthehem në Shqipëri.

Çfarë mendon për të ardhmen?

Tani për tani duhet të mbaroj doktoraturën, e cila kërkon dedikim në shumë aspekte. Duhet të punosh intensivisht në recitale, lexime të shumë librave analitikë, prezantime, dhe shumë shkrime. Gjithashtu duhet të kesh një degë të dytë muzikore, unë vazhdoj edhe dirigjimin për orkestër si degë të dytë. Të gjitha këto do të përmblidhen dhe do të shkruaj dizertacionin personal për diplomimin e doktoraturës.

Muzika është e pafund dhe unë do të vazhdoj të udhëtoj në botën e artit. Por diçka është e rëndësishme për mua, do të jem i pranishëm aty ku mund të ndaj përvojën time dhe të jem i dobishëm aty ku mund të ndihmoj me gjithë maksimumin tim. Shpresoj të rikthehem për një takim tjetër... (bw)

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JAVA E TRIUMFIT TË BUKUROSHEVE SHQIPTARE NË AMERIKË (01.15.2014)
PROMOVIM NË TIRANË I CD SË REALIZUAR NGA KLAIDI SAHATÇI (VIOLINË) DHE DHURATA LAZO-BEJLERI (PIANO)Diten e shtune, me 25 janar 2014, ne ora 11.00, ne sallen "Tefta Tashko Koço" ne Ministria e Kulturës (01.11.2014)
SHQIPTARI I MIRË - FAMULLTARI DON NIKOLIN PERGJININga MIMOZA DAJÇI (01.08.2014)
GREQIA NUK I RINOVON LEJET E QËNDRIMIT PËR EMIGRANTËT (01.08.2014)
DAFINA KASTRATI - TALENTJA QË ZGJON VËMENDJEN E PUBLIKUT GJERMAN (01.05.2014)
PENSION PËR EMIGRANTËT E SHQIPËRISË NË BELGJIKË (01.05.2014)
GJERMANI - NEVOJË URGJENTE PËR KUJDESTARË PËR TË MOSHUARIT (01.03.2014)
U FESTUAN KËRSHËNDELLAT NGA SHQIPTARËT NË GJERMANI!Fotoreportazh nga ASLLAN DIBRANI (12.30.2013)
FËMIJËT E SHQIPTARËVE TË MONTREALIT U TAKUAN ME BABAGJYSHIN E VITIT TË RIFotoreportazh nga AJET NURO (12.26.2013)
ZVICËR - QKSH FARUK BEGOLLI, FTESË PËR PREMIERËN E PJESËS SË PARË TË FILMIT 'LOT MËRGIMI 1' (12.25.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]