VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KRISHTËRIMI I MARTIRIZUAR DHE MARTIRIZUESNga BLEDAR KUKA

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 05:55am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DOSSIER
 
KRISHTËRIMI I MARTIRIZUAR DHE MARTIRIZUES
Nga BLEDAR KUKA

E Hënë, 10.06.2014, 09:02am (GMT+1)



Ajo mbetet ende feja më e përhapur në botë, me shumë gjasa sepse mbretëritë dhe perandoritë që e pranuan u shtrinë më larg se kushdo tjetër. Mbijetesa dhe triumfi i krishtërimit tregojnë forcën e shpresës tek njeriu, tregojnë se qenia njerëzore, në fund të fundit dëshiron të jetojë në bazë të disa parimeve.

Mbijetimi i persekutimit tregoi forcën e bindjes brenda njeriut dhe aftësinë e përhapjes tek një numër gjithnjë e më i madh njerëzish. Krishti nuk u bë kurrë mbret. Kjo mund të jetë e veçanta e madhe e Europës dhe qytetërimit perëndimor, që, me shumë gjasë, polli pluralizmin, një ekuilibër që mbron, por nuk kënaq plotësisht. Historia e shndërrimit të Konstandinit të Madh në një të krishterë dhe e vendimit të tij për ta pranuar këtë fe në Perandorinë Romake në vitin 313, janë sërish një burim shprese, pasi tregojnë qartë se ka shpresë edhe në mes tmerrit, se ai që duron dhe shikon larg, mund t'ia dalë.

Nuk ishte sprovë e vogël. Plot 313 vjet persekutim nga fetë më të vjetra, që kishin ndoshta 1 000 vjet ekzistencë. Sa më e madhe vuajtja, aq më e madhe rritja e qendresës. Nga martirizimi u krijuan shenjtorët, gurët kilometrikë që ndihmuan përhapjen e fesë, nga akuzat u përsos mbrojtja.

Siç shkruan historiani i madh, Eduard Gibon, "duke përqafuar evangjelizmin, të krishterët bënë atë që u quajt faj dhe një fyerje jonatyrore dhe e pafalshme. Ata këputën lidhjet e quajtura të shenjta me traditat dhe edukatën, nëpërkëmbën institucionet fetare të vendit të tyre dhe përçmuan çdo gjë që etërit e tyre kishin besuar si të vërtetë dhe e kishin adhuruar si të shenjtë". Ajo ishte një skizmë e madhe me të kaluarën. Si përherë, ligji i kohës u kap i papërgatitur. Zhdukja e të krishterëve u bë me zjarr, me shpatë, me gurë, me kryqëzim. Nuk dihet sesa ishin fatzinjtë që humbën jetën, ndoshta 100 apo 300 mijë. Por nuk e frenuan dot përhapjen e krishtërimit, aq sa në kohën kur Konstandini u dha tolerancën në Perandori, ishin rreth 6 milionë besimtarë.

Ashtu si çdo gjykim të jetës që krijon mendja njerëzore, edhe krishtërimi pati përçarjet e tij. Po ashtu, Krishtërimi nuk i shpëtoi dot ndryshimit nga një autoritet moral dhe fetar, në një autoritet institucional, me përkrahje të pushtetit, që shpejt përdori detyrimin dhe arrogancën e më të pushtetshmëve dhe më të fuqishmëve. Në fare pak vjet, fati u rrotullua në të kundërt. Dhuna ka qenë dhe mbetet një mjet në dorën e njerëzve, një armë që rrëmbehet shumë lehtë. Evangjelizmi i përhapur me përvuajtësi nga Jezusi, nisi të shtrihej në një formë tjetër. Ekzekutimi i parë i një të krishteri në emër të Kishës ndodhi në 385, kur një peshkop u dënua për herezi. Të paktën, ky është informacioni që jepet. Sot e kësaj dite ka shumë kritikë lidhur me rolin e Konstandinit, të quajtur Konstantine Shift, apo Zhvendosja e Konstandinit, pasi sipas tyre, që nga ajo kohë krishtërimi u lidh me qytetarinë, me përkatësinë ndaj një vendi të caktuar, duke mos qenë më feja një vendim tërësisht personal.

Në historinë e tij, Krishtërimi pati vazhdimisht aspekte që reflektuan gjendjen reale të njerëzimit dhe debatet brenda tij. "Varfëria apostolike" e përhapur nga Arnoldi i Breshias në shekullin e 12-të, nxiste jetën e thjeshtë të klerit. Ajo pati dishepuj të shquar si tregtari francez Peter Valdo, që fali pasurinë e tij për të jetuar një jetë drejt përsosmërisë. Vatikani zyrtar i shekullit të 12-të i persekutoi ashpërsisht valdensianët, siç ata u quajtën, dhe gati i shfarosi në shekullin e 17-të.

Përsosmëria e arritshme nëpërmjet jetesës së thjeshtë e të përkorë ka qenë një lajtmotiv gjatë gjithë historisë së Krishtërimit, ndonëse më shumë në kundërshtim me të. "Fratiçelët" ishin heretikët e radhës në këtë drejtim, të përndjekur edhe ata. Gjithsesi, përpara sesa të arrihej tek Martin Luteri, u shfaq ai që u quajt "Ylli i Mëngjesit i Reformës", anglezi Xhon Uajklif. Ai përktheu biblën në anglishten popullore, refuzoi pushtetin e papës në punët jofetare dhe bëri kritika kundër klerit, duke u bazuar në Bibël. Më tej reforma nuk u ndal duke vazhduar me martirin (të shkaktuar nga kisha) Jan Hus, i cili u dogj në turrën e druve; beteja kaloi tek armët dhe husitët luftuan heroikisht nën udhëheqjen e Jan Zhizhkës. Kulmi do të vinte me Luterin, i cili shkroi tezat e Protestanizmit dhe pas tij Europa u përfshi nga luftërat fetare që rrezikuan vetë ekzistencën e kombit gjerman. Derisa u nënshkrua Paqja e Vestfalisë në 1648, gati një e treta e popullit gjerman ishte zhdukur.

Në mesjetë, kisha, pati punë me shkencën. Teoria e Nikolai Kopernikut, që është Toka që rrotullohet rreth Diellit dhe jo anasjelltas, u sulmua, ndonëse çuditërisht shumë vite pas vdekjes së shkencëtarit. Kundërshtimi u bazua tek shkrimet e shenjta, sipas të cilave Dielli është në Qiell, ndërsa Toka qendron e palëvizshme në qendër, shumë larg Qiellit.

Edhe më shumë punë Kisha pati me Xhordano Brunon, i cili shkoi shumë më larg sesa Koperniku dhe deklaroi se yjet janë thjesht diej të largët, se rreth tyre sillen planetë dhe se në planetë të tjerë mund të ketë jetë, diçka që sot quhet e pranuar.

Nëse në Romën e vjetër, Krishtërimi pati martirët e tij, në mesjetë, ai shkaktoi ata që u quajtën martirë të mendimit të lirë. Njëri prej tyre, që i shpëtoi dënimit, ishte Rene Dekarti, filozofi dhe shkencëtari i madh i shekujve 16-17, i cili hoqi dorë nga botimi i veprës së tij pikërisht në kohën e dënimit të Galileut. Zbulimet i tij, racionalizmi dhe kartezianizmi, bëri që veprat e tij të vendoseshin në Indeksin e Librave të Ndaluar nga Kisha Katolike. Një tjetër gjigant, punët e të cilit u vunë në Listën e Librave të Ndaluar, ishte Baruh Spinoza. Tepër i guximshëm, tepër i ndershëm dhe tepër i thjeshtë në jetën e tij, ai u quajt "Princi i Filozofëve", ndërsa Hegeli thoshte se dikush nëse nuk ishte spinozist, nuk mund të quhej filozof". Sipas tij, Zoti nuk ka inteligjencë, ndjenjë dhe qëllim, ai nuk vepron me qëllim, por gjithçka ndodh për shkak të natyrës së tij, për shkak të ligjeve. Kjo është antiteza e Zotit biblik, njerëzor dhe prindëror që përkujdeset për njerëzimin.

Me ndërgjegjësimin e njerëzimit, me rënien e autoritetit të perandorit dhe mbretit (Luigji i XV-të thjesht e ndaloi Volterin të hynte në Paris, nuk e ekzekutoi), edhe Krishtërimi u detyrua të përshtatej. Seleksioni natyror i Darvinit pati impakt përfundimtar mbi mendimin njerëzor. Gjeologjia zbuloi se Toka nuk ishte diçka e pandryshueshme. Veçse, në shekullin e 20-të, Kisha Katolike pati zhvillime tepër interesante brenda vetes së saj. Në Amerikën Latine u rrit ajo lëvizje që kërkoi nga Kisha të mos vepronte si ruajtëse e statuskuosë, por të ishte në krah të të varfërve dhe për drejtësi shoqërore. Pikëpamjet e tyre sollën tronditje të mëdha brenda Kishës, ata u sulmuan jo pak si të majtë dhe marksistë, por mbijetuan. Papa i mëparshëm, Benedikti XVI, i luftoi që në fillim në vitet 60-të. Veçse, Papa që erdhi në Tiranë, Françesku, u bë i pari papë që u takua me priftërinjtë jezuitë të majtë, duke pritur një vit më parë një nga përfaqësuesit më të shquar të Lëvizjes, Gustavo Gutierrezin. Lëvizja Teologjike e Lirisë e nderon Kishën Katolike me Opcionin e saj Preferencial për të varfërit, diçka që e pranoi edhe Papa Gjon Pali II, padyshim edhe Papa Françesku.

BLEDAR KUKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ISHULLI ELIS - NJË RELIKE E EMIGRACIONIT AMERIKAN (10.06.2014)
ÇFARË NA BËN PËR TË QESHUR? (10.06.2014)
ARABIA SAUDITE - PELEGRINËT MYSLIMANË ARRITËN NË MINA (10.04.2014)
SUEDI - LINDJE PAS TRANSPLANTIMIT TË MITRËS (10.04.2014)
VEPËR ARTI NË QENDËR TË UASHINGTONIT (10.04.2014)
STUDIM I RI PËR ORIGJINËN E SIDAS (10.04.2014)
GJERMANIA FESTON 24 VJETORIN E RIBASHKIMIT (10.03.2014)
MËNYRA PËR TË BLLOKUAR METASTAZAT E KANCERIT (10.01.2014)
PEZULL NË LARTËSI - NË NDËRTESAT E NJU JORKUT (09.29.2014)
TEATRI BASHKON TË RINJ IZRAELITË E PALESTINEZË (09.29.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]