E Premte, 01.24.2020, 10:29am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
Nderim në 90 vjetorin e vrasjes
“BAJRAM CURR, O BAJRAM CURR, EMRI YT S’ HARROHET KURRË!...”
Nga: Prof. MURAT GECAJ

E Djelë, 03.29.2015, 07:36am (GMT+1)


1.
Bajram Curri është bir i lavdishëm e i paharruar i Kosovës dhe i mbarë Shqipërisë. Ai e shkriu tërë jetën për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e mbarë trojeve tona amtare. Lindi në një karrocë, në vitin 1862, në fshatin Krushtë e Madhe, gjatë rrugës për në qytetin e Prizrenit. Pushtuesit osmanë po i internonin familjen, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), si hakmarrje ndaj qendresës antiosmane të babait të tij, Shaqir Currit. Erdhi në jetë "i burgosur", por kurrë burgun nuk e pa me sy dhe as nuk e lidhi kush, veç nëna në djep edhe pse armiqtë tërë jetën e ndoqën kamba-këmbës. Se ishte trim e trimëri merrte përherë nga populli ynë i pamposhtur e liridashës, për të cilin ai nuk kurseu asgjë, as jetën.


Rasti e ka sjellë që gjatë jetës jam njohur nga afër me bashkëshorten e tij, kreshniken Dervishe ose “Ajkunën”, siç e quante vetë Bajram Curri. Por i kam njohur nga afër dhe bijat e tij, nënë Feriden, në Tiranë e nënë Hajrinë dhe mbesat, Valdetin e Mimozën, në Shkodër. Kur shkoja për ndonjë arsye timen në këtë qytet të lashtë, gjeja kohë e kthehesha në banesën e tyre mikpritëse. Deri para disa vjetësh, kur u nda nga kjo jetë, aty jetonte e moshuar dhe nënë Hajria. Sigurisht, temë e bisedave tona ishte babai i saj, “Heroi i Popullit” Bajram Curri. Ndër të tjera, aty kam rikujtuar edhe tregimet e bashkëpunëtorit e babait tim, për të dhe të mjaft banorëve, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë).

Në vijim të këtyre lidhjeve, më ka marrë në telefon nga Shkodra edhe mbesa e B.Currit, Mimoza Kraja. Ajo kishte një merak dhe amanet të nënë Hajrisë: “Mos e harroni asnjëherë gjyshin tuaj dhe kujtojeni me nderim çdo përvjetor të rënies së tij”. Me atë dhe bashkëshortin e Mimozës, jam takuar e kemi bërë fotografi bashkë, në Tiranë, gjatë festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur ajo ishte e ftuar dhe në Vlorë. Pra, ky shkrim është edhe vazhdim i një dëshire të vetë Mimozës, për gjyshin e saj të paharruar.

Në vitin 2011, u takova në Tiranë me studiuesen Lumturi Ristani (Përnaska). Ndër të tjera, ajo kishte fotokpjuar një dokumentt interesant. Ishte një bisedë e bërë nga historiani e “Mësuesi i Popullit” Zekeria Rexha, me mësuesit e nxënësit e Gjimnazit “Qemal Stafa” në kryeqytet, me rastin e 42-vjetorit të vdekjes së Bajram Currit, pra në mars 1967. Në këtë material, në 12 faqe të daktilografuara, prof.Z.Rexha hidhte dritë mbi këtë figurë të madhore të Kombit tonë, që nga prejardhja e tij dhe deri sa u vra, në Shpellën e Dragobisë, 90 vjet më parë.

2.
Siç tregonin bashkëkohësit, që në rininë e tij, Bajram Curri u dallua për zgjuarësi dhe gjallëri. Bashkëmoshatarët dhe ata që e njohën nga afër, tregonin se qyshë 10-12 vjeç i pëlqente të stërvitej me kalë dhe të godiste shenjën me gurë e më vonë me armë. I edukuar me ndjenjat atdhetare në gjirin e familjes, urrejtja për pushtuesit dhe çdo lloj armiku, iu kthye në nevojë jetësore.

Megjithëse provoi disa fatkeqësi familjare, Bajrami nuk e dha veten. Përkundrazi, gjeti forca për të punuar e luftuar më shumë për Atdheun. Nënë Feride Bajram Curri më tregonte: "Babës i vdiqën dy vëllezër, djem e vajza, por nuk u ligështua. Përkundrazi, u jepte forcë e zemër njerëzve, kur kishin halle. Më shumë kujdesej për të tjerët, se sa për vete. Baba ka patur muhabet të mirë, të shtruar dhe kurrë nuk rrinte pa shokë e dashamirë. Asnjeherë nuk ishte me nerva të ngritura, në jetën familjare e shoqërore dhe nuk dëshironte t'i dëgjonte të tjerët të bënin shamatë. Ishte shakaxhi dhe i pëlqenin kënga e muzika popullore. Zërin e kishte të bukur, melodioz; mendjen të hollë dhe ishte shumë zemërgjerë".

Bajram Curri nuk pati shkollë, por ishte mjaft i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Me kujdesin e tij, u çelën shkolla shqipe në: Gjakovë (më 1915), në Malësinë e Gjakovës dhe në Has e Lumë etj., në vitet '20 të shekullit të kaluar. Me dhjetëra djem kosovarë i dërgoi për të vazhduar mësimet në Shkup, Kolgecaj e Krumë, në Tiranë dhe Elbasan. Duke e vlerësuar lart ndihmesën e tij në këtë fushë, në Kongresin e Arsimtarëve të Tiranës (më 1924), atë e zgjodhën kryetar nderi të tij etj. Siç e fikësuan studentët shqiptarë në një fotografi, tashmë të njohur, Bacë Bajrami pati si moto të jetës së tij: "Një për të gjithë, të gjithë për një".

3.
Qyshë në rini, Bajram Curri doli në ballë të qendresës popullore kundër pushtuesve otomanë. Në Malësinë e Gjakovës ai mblodhi rreth vetes një çetë me luftëtarë të vendosur dhe u ndesh me ushtrinë e Mustafa pashës, duke i penguar që ta nënshtronin atë krahinë liridashëse dhe të mblidhnin rekrutë e taksa të shumta. Kjo veprimtari i shqetësoi pushtuesit, prandaj u përpoqën që ta afronin atë, me mënyra të ndryshme e duke i bërë lajka. Por atdhetari i madh nuk e ndërroi asnjeherë mendjen, pra qendroi i vendosur në luftën e tij të drejtë.

Kryengritjet e mëdha antisomane të viteve 1910-1912 i ngritën peshë zemrat e qindra e mijëra luftëtarëve, në Kosovë e kudo në Shqipëri. Veçanërisht, është e njohur veprimtaria e Bajram Currit gjatë kësaj periudhe, në krye të forcave kryengritëse të krahinave veriore, si Gash, Krasniqe, Bytyç, Nikaj-Mërtur, Shalë etj. Një qendresë e pashoqe u bënë pushtuesve në Qafën e Morinës dhe në prita të tjera, kur sulmoi ushtria e gjaneralit gjakatar Durgut Pasha. Ndërsa në Qafën e Prushit (ku të parët tanë farkëtonin armët kundër pushtuesve edhe sipas Akademikut Eqrem Çabej)) armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Me guxim i udhëhoqi luftimet Bacë Bajrami për mbrojtjen e trojeve shqiptare edhe kundër pushtuesve serbo-malazezë.
 
Veprimtaria e tij luftarake u bë e njohur kudo, ku flitej shqipja, por dhe ndërmjet armiqëve. Janë mjaft domethënesë fjalët e B. Currit, sipas bashkëluftëtarit të tij, atdhetarit Hasan Prishtina: "Asht nji detyrë e shenjtë me luftue kundra çdo anmiku dhe mos me pasë aspak pushkë. Lufta na u ka ba detyrë. Pra, duhet t'u dalim zot të drejtave tona dhe të shpëtojmëë prej robnisë". Synim të jetës së vet kishte dhe edukimin e brezit të ri, me virtytet më të larta të shqiptarizmit. Kështu, bashkëkohësit tregojnë se u drejtohej kështu të rinjve: "Merrni vesh, djemtë e mij: -Kur një djalë shqiptar nuk ka besë e nder, kur nuk e do vatanin e vet dhe nuk vdes për të, ai nuk është shqiptar, ai është më e fundit vrimë e kavallit (fyellit)".

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Bajram Curri e priti me gëzim të madh. Por përsëri nuk e rreshti luftën e tij të vendosur kundër armiqëve, ndaj synimeve të serbomëdhenjve dhe të shteteve të tjera shoviniste fqinje. Mbështeti fuqimisht qeverinë e Ismail Qemalit, në Vlorë dhe më pas atë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, e cila e emëroi Ministër Paportofol dhe komandant të Forcave Kombëtare. Duke e përshëndetur këtë gjë, përfaqësues të popullit i shkruanin atij, ato ditë: "E gjendmja e një burri me shpirt të thjeshtë, kombëtar, na jep një shpresë të madhe për Shqipërinë". Ndërsa në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri luajti rol vendimtar. Ai udhëhoqi afër 2.000 forca kryengritëse, të cilët hynë me fitore në Tiranë.

4.
Por edhe pas dështimit të Revolucionit antizogist të vitit 1924, B.Curri e vazhdoi qendresën e vendosur në malet e Veriut të Shqipërisë, në mbrojtje të idealeve demokratike. Atje gjeti strehë të sigurtë dhe përkrahje të gjithanshme, nga malësorët trima e liridashës. Kudo la mbresa të pashlyera dhe te secili gjeti besnikë për kokë. Prandaj nuk është e rastit që, sa e sa familje atdhetare e bujare në Malësinë e Gjakovës, Dukagjin, Has, Lumë, Pukë, Dibër a gjetiu, e kujtojnë atë edhe sot e kësaj dite, mik e bashkëluftëtar të paharruar të shtëpive të tyre. Babai më tregonte edhe këto, për "kreshnikun Curr": "Bajrami ishte burrë i pashëm, trupmadh, si lisi me rrema. Ta fitonte zemrën me thjeshtësi, urtësi e dashuri. Fliste me cilindo, bile edhe me fëmijët e gratë e moshuara. Ta dinte nderën e ishte mikpritës. Këtë gjë e kam provuar tek ai edhe vetë unë...(Bujan-Tropojë, 1968)”.

Armiqtë e gjurmonin që ta kapnin të gjallë “Dragoin e Dragobisër”, por nuk ia arritën dot qëllimit. Mjaft shtëpi malësorësh u bastisën, në atë dimër të egër të fillim-vitit 1925. Por nuk treguan asgjë për vendndodhjen e tij. Sapo përmendim këto fjalë, menjëherë na bien ndërmend vargjet-lapidar të një elegjie të njohur: "Thon' u shtri e thonë u vra,/ po ti s' vdiqe, or Baba,/ as te Shkëmb' i Dragobisë,/ as te zemër' e djalërisë...". I shkroi me dhimbje e pasion Fan Noli, në përkujtim të "Tribunit të vegjëlisë", B.Curri.

Po, si kishte ndodhur ajo epope legjendare? Siç thamë, armiqtë e ndiqnin Bajram Currin. Ai gjeti strehë në Alpet e Shqipërisë, bashkë me luftëtarët e vet besnikë. Shpella e Dragobisë u bë istikam i sigurtë për të, deri sa e rrethuan nga të gjitha anët. Atëherë, siç tregonin më të moshuarit, ai gjeti një shteg kalimi dhe u nis drejt një vatre mikpritëse të atij fshati. Por, papritmas, u ndesh në forcat armike. Ata qëllonin, por nuk donin ta vrisnin. Se kryeministri serb Pashiq,"hajni", në bashkëpunim me tradhtarët vendës, kishin venë shuma të mëdha, 10 mijë franga ari, si shpërblim për atë, që do ta kapte të gjallë Kryetrimin. Lufta u bë e ashpër ndërmjet Bajram Currit, me pak veta dhe kundërshtarëve, që shkonin në front luftimi.

Ishte 29 marsi i vitit 1925. Fillim pranëvere. Bjeshkët kreshnike gjëmuan nga armët e paulura të "Dragoit të Dragobisë". Por zogjtë e malit përhapën lajmin tragjik, "ma të idhtë se zana", se, më në fund, kishte rënë "lisi me rrema". Ushtimën e tij e përhapën me dhimbje të pazakontë valët e Valbonës ujëkaltër dhe Alpet e mbuluara me borë të përhershme. Ndërsa rapsodi popullor e përjetësoi me vargje të dhimbshme e kranare: "Bajram Curr, o Bajram Curr,/ emri yt s' harrohet kurrë!/Të kujton gjithnjë Shqipëria,/ s'të harron përjetë Kosova...". Shumë epitete e fjalë nderimi dhe vlerësimi i kanë bërë Bacë Bajramit, duke e quajtur: "Fatosi i lirisë së Shqipërisë", "Dragoi i Dragobisë", "Babai i vegjëlisë", "Shqiponja e maleve shqiptare" etj. Emri i tij është përjetësuar në shumë shkolla e rrugë, në Shqipëri e në Kosovë dhe në qytetin alpin “Bajram Curri”.
Trupi vigan i Bajram Currit u mbulua me flamurin e lavdisë shqiptare; ai u kthye në simbol lirie e në Përmendore të bardhë, e cila përherë i fton brezat për atdhetarizëm, guxim e trimëri.

x x x
Në mbyllje të këtij shkrimi, dëshiroj të përmend një fakt interesant. Publicisti e studiuesi Gjon Neçaj, me banim në qytetin “B.Curri”, më 2011, ka shkruar në Internet edhe për ditëlindjen e B.Currit. Ai ka paraqitur aty, për herë të parë dhe të fotokopjuar, pasaportën e Bajram Currit. Ajo ishte lëshuar në Tiranë, më 4 shtator 1924, pra vetëm disa muaj para vrasjes së tij, për qëllim udhëtimi jashtë shtetit. Në këtë dokument, saktësohen përsëri: vendlindja, Gjakovë; emri i babait të tij, Shaqir dhe i nënës, Hava. Ndërsa datëlindje është shënuar viti 1866. Pra, kjo datë ndryshon me 4 vjet dhe nuk është e njëjtë me atë, që e kemi të publikuar në shkrime dhe libra të ndryshëm të deritanishëm. Mbetet për t’u verifikuar ky ndryshim, pra nëse është ndonjë “lapsus” i gjendjes civile, që e ka lëshuar pasaportën e Bajram Currit apo nuk është i saktë viti i lindjes, 1862, që është i njohur deri tani?!

Tiranë, 28 mars 2015

Prof. MURAT GECAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ALBUMI I PIKTORIT - NJË FOTO, NJË TABLO (VAJ), NJË PEIZAZH AKUAREL: NGA HELIDON HALITI (03.28.2015)
32 FOTO ANTOLOGJIKE - NËPËR HISTORINË DHE VISET SHQIPTARE (03.28.2015)
'KAPJA' E LDK-së NGA KRYEMINISTRI I VENDIT!Nga FLORIM ZEQA (03.28.2015)
ARMEND ZEMAJ - GJYKATA SPECIALE T'I HETOJË ATA QË TENTUAN TA LIKUIDOJNË RUGOVËNZemaj kërkon që Gjykata të merret edhe me vrasjet e zyrtarëve të LDK-së (03.28.2015)
PLAGË TË VJETRANga ILIR SECI (03.28.2015)
'KUSH S'E NJEH SELMAN KADRINË, ME GOJË HAPË TRIMI E KA LANË SERBINË' (03.28.2015)
FOTOGALERI - MALET E BERISHËS PRANVERA I GJEN PLOT ME BORË (03.28.2015)
TUBIMI I TIRANËS ISHTE TUBIM PËR TA ZHVENDOSUR VËMENDJEN NGA PROBLEMET E BRENDSHME TË TË DY SHTETEVEVështrim nga SKËNDER MULLIQI (03.27.2015)
JANULLATOSI SHËRBËTOR BESNIK I GREQISË NË SHQIPËRIOpinion nga RASIM BEBO (03.27.2015)
KUR KONICA DHE NOLI NJOHËN MBRETIN ZOG PËR UDHËHEQËS TË NJË QEVERIE SHQIPTARE NË MËRGIMNga IDRIZ LAMAJ (03.27.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Janar 2020  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]