E Hënë, 04.29.2024, 06:39am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

MARILYN MONROE, PERËNDESHA E PAARRITSHME E BUKURISË DHE NJËKOHËSISHT GRUAJA E TË GJITHËVE

Tetëdhjetë e gjashtë vjetori i lindjes së Marilyn Monroe (1.6.1926-5.8.1962)


E Mërkurë, 06.01.2011, 07:45am (GMT+1)

Kush nuk e ka parë lakuriq të paktën njëherë? E re yll, joshëse dhe shpërthyese mbi atë çarçaf ngjyrë purpuri. Ose grua e shkrifët në bregun e një pishine, një Venerë në filmimet me ngjyra. Ose gruaja më sekrete me vel, në bardh e zi të shërbimit të fundit fotografik. Marilyn Monroe është shikuar nga gjithkush gjatë pesëmbëdhjetë viteve të ngjitjes së saj nëpër shkallët e famës, nga kalendarët për garazhistët e Kalifornisë së pastluftës deri tek autorët e kalendarëve hollivudianë të Amerikës së Eisenhower dhe Kennedy. Periudhë pas së cilës, në gjysmë shekulli të pasvdekjes së saj, trupi i Marilyn është shndërruar (sipas nuhatjeve të sakta të Andy Warhol) një mall konsumi më shumë i dëshëruar se i zhvlerësuar: gruaja e të gjithëve, miliona e miliona Marilyn që përdoren e hidhen në mbajtëset e çelësave apo në shkrepset, në bluzat apo në tasat e çajit.

Një qenie e paarritshme, por që mund ta kesh kur e ku ta duash. Një perëndeshë, por e gatshme për gjithkënd. Kjo ka qenë Marilyn Monroe në shikimin mashkullor të Perëndimit krejt, para se në moshën 36 vjeçe nga një mbidozë qetësuesish që ndoshta i mori posaçërisht, ndoshta jo. Gruaja e vdekur nën emrin e rremë, krejt vetmitare atë të shtunë natën, 4 gusht 1962, e pastaj prapë vetmitare në frigoriferin e morgut të Los Anxhelosit, trup pa emër, "rasti nr. 81128". Por gjithmonë grua lakuriqe, natyrisht: si për faj të fatit. Dhe ende sot, kur gjithsesi plot gjëra kanë ndryshuar prej atëherë, përfshirë teoria e bukurisë femërore dhe praktika e kostumeve tunduese, nuri i Marilyn Monroe duket tek përplas flatrat diku në atmosferë. Edhe në vitin 2011 (vit kur Marilyn do të mbushte tetëdhjetë e pesë vjet) trupi i saj duket trup special.

Vite më parë në Amerikë ringjallej debati për Marilyn Monroe si sex symbol- gjithnjë në rrafshin e "zbulimeve" të partnerëve sekretë apo të vetëvrjasjes-vrasje- nga dalja e një libri inteligjent e origjinal: The Many Lives of Marilyn Monroe, "Shumë jetët e Marilyn Monroe", e Sarah Churchwell, është një histori e historive: flet sesi është treguar jeta e Marilyn. Nga gazetarët, kur diva ishte gjallë; pastaj nga romancierët dhe kinematografët, ish burrat e saj dhe ish të dashurit e saj, nga mjekët ligjore e nga kamarieret, nga mashkullistët dhe nga feministet... Por këndshikimet e tërthorta ia vlen të mbështeten në teza të drejtpërdrejta dhe provokatore. Sipas Churchwell, të gjithë ata që kanë mëtuar ta ringjallin Marilyn, e kanë vrarë për herë të dytë. Sepse duke iu bindur një refleksi të kushtëzuar, o një zakoni të pashmangshëm, të gjithë kanë parë trupin, askush nuk e ka parë shpirtin e saj.

E vështirë, e pamundur të moq përqëndrohesh në atë trup që i imponohej shikimit nëpërmjet tiparave fizike ndjellëse aq sa të përkryera: flokët bjondë të platintë, vetullat e zeza, sytë gjysmë të mbyllur dhe goja gjysmë e hapur, nishani në faqe, lëkura ngjyrë qumësht, gjinjtë e bollshëm, vithet e gjera, këmbët e gjata. Revistat e viteve Pesëdhjetë nuk bënin gjë tjetër veçse e tkurrnin Marilyn brenda trupit të saj: ballina e numrit të parë të Playboy, 1953 ("Për të parën herë në mënyrë absolute, me ngjyra, e famshmja Marilyn Monroe nudo"), por edhe Time dhe Life, kishin kryetitujt "Marilyn Monroe, një trup që ka ndërtuar një karrierë", ose (më keq) "Marilyn Monroe, trupi tashmë është paguar". Të pafundme diskutimet pas vdekjes, kanë vazhduar të njëjtën logjikë.

Sarah Churchwell e di mënyrën sesi diva e ka trimëruar këtë kult trupor. Për shembull, duke lejuar të fotografohet mijëra herë në pasqyrë, si duke propozuar një vijë të ndërmjetme mes narcisizmit të saj dhe vuajarizmit: mos u ngopni duke më parë, unë nuk ngopem duke parë veten time! Por Churchwell kundërshton se përparësinë numër një i trupit në jetën e Marilyn i përgjigjet sovranitetit tërësor, absolut të mishit. Brneda atij trupi ishte një zemër dhe një tru, ndërsa parabola ekzistenciale e Marilyn është vijëzuar pamungueshëm rreth sferës së saj mishërore. Marilyn ninfomane, sepse frymëzohej nga modeli luçiferrian i nënës. Marilyn e ftohtë, sepse dhunohej kur ishte e vogël nga njerku dhe nga një kushëri adoleshent. Marilyn e shthurur, sepse interesohej vetëm për karrierën. Marilyn histerike, sepse tërbohej nga dëshira për të qenë nënë. Marilyn drogmene, sepse ishte e zhgënjyer në kënaqësitë e saj nga burra tepër më të vjetër se ajo. Marilyn e helmuar, sepse ishte gruaja sekre e një apo dy Kennedy. Me një fjalë, gjithçka është kundër gjithçkaje, megjithëse brenda një trupi të vetëm.

"Stradivari i seksit": përkufizimi më banal i Marilyn Monroe i përket penës së një shkrimtari të njohur, Norman Mailer. I njëjti Mailer nuk nguronte të përshkruante orët përgjatëve të cilave Marilyn kishte qëndruar e mëgjunjur mbi një qilim për t'i kënaqur orkeset e producentëve të Hollivudit. Por vetë Marilyn, tashmë e famshme, pranon: "Sa kohë kam kaluar e mëgjunjur!", e vazhdon të komentojë martesën me Arthur Miller: "Kështu do të shpëtoj nga bajgat." Ja e vetmja pikë ku biografët përputhen: shthurja në kohën e lirë të jetës së saj. Kjo nuk e habit Sarah Churchwell, kur ka parasysh se kemi të bëjmë me një grua tepër vitale (edhe pse e dëshpëruar), tepër e pavarur (edhe pse e dobët) e tepër inteligjente (edhe pse personifikim i bjondes së marrë) për të arritur të jetë e pranuar vërtetë në Amerikën konfromiste të viteve Pesëdhjetë, por edhe në Amerikën e Klintonit dhe Bushit. Ku deri edhe një shkrimtare liberale si Joyce Carol Oates ka bërë që t'ia paguajë Marilyn- në romanin bestseller "Blonde"- taksën e një personaliteti tepër kompleks saqë të mos mësohej dot me bukurinë e saj joshëse. Kush ka frikë nga Marilyn Monroe? Shumë, tejet shumë burra, dhe jo pak gra të djeshme e të sotme përgjigjet Churchwell. Por mbi gjithçka është shpirti i saj ai që ngjall frikë.

Mestitull/Mrekullia e saj buronte nga ato që nuk i sheh syri i njeriut

Më 5 Gushtin e 1962 Marilyn Monroe ishte ndarë fizikisht nga kjo botë, duke u kthyer në një legjendë që nuk vdes kurrë. Sepse biondja legjendare që në takimin e parë me ekranin, që në skenën e parë, u vendos në qendër të vemendjes të Hollywoodit. Njeriu i parë që e ka shikuar atë në ekran, njeriu që i ka bërë asaj provimin e parë, ku ajo ka dhënë provën e parë, përpara se të bëhej Marilyn, kur ishte vetëm një grua e zakonshme emrin Norma, e ka ndjerë i pari se kishte përpara një artiste të dimensioneve universale. "Kur i kam bërë provën e parë përpara kamerës kinematografike më kanë shkuar nëpër trup djersë të acarta," tregon ai. "Vajza kishte diçka që unë nuk kisha arritur ta kundroja dot. Kjo ishte vajza e parë që të kujtonte ato bimët e harlisura gjithë lëng, që të dehnin që me vështrimin e parë dhe të bënin memec. Në çdo të qindtën e sekondës gjatë xhirimit në provën e parë përpara kamerës, ajo rrezatonte hir dhe hijeshi që kishte mundësi të çarmatoste një ushtri." I famshmi Billy Wilder, që ka qënë edhe regjizor i Monroes, e përkufizonte magjinë e yllit biond si një "reaksion mishëror", "reaksion të kurmit", të shtjellës fizike. Ky lloj reaksioni është tepër i rrallë, vazhdon ai. "Si profesionist unë kujtoj vetëm tri raste të ngjashme, me tri yje të tjera të kinematografisë, që kanë qenë Clara Bow, Jean Harlow dhe Rita Hayworth. Këto vajza edhe në ekran- por edhe në fotografi- duken si të mishta, janë aq të vërteta sa të bëjnë që në fotografi t'i prekësh me dorë. E tillë ishte edhe Marilyn Monroe."

Adhuruesit e saj ishin gati që të paguanin 200 milionë $ për të prekur atë diçka magjke që mishëronte Monroe. Asnjë tjetër sex-simbol i të gjitha kohëve, përveç Brixhit Bardosë nuk mund të matej me popullaritetin e Monroes. Mjerisht, në fund të karieres ajo arriti që të bindë edhe kritikën, sikur e kishte bindur publikun që në fillimet e saj, se Monroe ishte mrekullia e ekranit të madh. Gjatë viteve kur ajo ishte në majat më të larta të lavdisë, ajo pa me keqardhje se si dy martesat e saj përfunduan me ndarje. Ajo ka vuajtur po ashtu tmerrësisht se nuk pati kurrë mundësi që të shtrëngonte në gji një fëmijën e saj.

Marilyn ka lindur në Los Angeles më 1 Qershor 1926, me emrin Norma Jean Mortenson, dhe mbiemrin që tregon emrin që duhej të ishte babai i saj, i cili e braktisi atë foshnje dhe të jëmën. Për këtë arsye Marilyn mbante mbiemrin e së jëmës Norma Jean Baker.

Por megjithëse fëmijërinë e kishte kaluar në kushte ferri, Norma e vogël kishte filluar që në fëmijëri ta shihte veten si një yll të kinematografisë. Më vonë Nunnally Johnson, producent, skenarist dhe shkrimtar do të shihte tek Marilyn, diçka të jashtëzakonshme "një fenomen të natyrës, si Ujvara Niagara..." Shtjella e kurmit dhe figurës së saj i tejkalonte që të gjitha analizat e përmasve të saja trupore. Dimesionet e saj ishin -37-23- 37. Ishte tmerrësisht e kolme, por po ta gjykoje vetëm prej përmasave nuk ishte e jashtëzakonshme. E megjithatë ajo ishte e jashtëzakoshme, sepse mrekullia e saj buronte nga ato që nuk i sheh syri i njeriut. Marilyn Monroe ishte e gjatë 1 metër e 67 cm, me flokë të butë biond, e plotë, ëndërrimtare me sy të kaltër-gri. Ajo e kishte kumtin si të një foshnjeje, dhe fliste me zë të lartë dhe kumti i saj i ngjante më tepër një fëshfërime të shqiptuar ashtu sikur të merret fryma.

Adhuruesit i shkruanin asaj të paktën 5000 letra në javë dhe të paktën gjysma e tyre i bënin lutje për martesë. Komunistët e akuzonin atë si një truk kapitalist për ta bërë popullin Amerikan që të harronte mjerimin. Në Turqi, një djalë i ri duke e parë magjinë bionde në filmin "How to Marry a Millionaire" "Si të martohem me një Milioner", e humbi mendjen dhe i nguli vetes në gjoks një thikë. Ajo u martua tri herë, dy herët e fundit, me dy meshkuj idolë të Amerikës, i pari ishte një atlet, i dyti ishte një intelektual. Joe DiMaggio, ishte kampion i beizbollit, ndërsa dramatirgu Arthur Miller ishte një fitues i Çmimit Pulitzer. Ajo ishte vetëm 16 vjeç kur u martua për të parën herë, dhe dhëndëri 21 vjeçar ishte James Dougherty, një teknik avionësh, me të cilin u nda pas katër vitesh, më 1946. Marilyn Monroe u bë e famshme, që me rolin e parë dhe filmin e parë tek "The Asphalt Jungle,", më 1950. Roli i saj i parë ishte i shkurtër, episodik por i paharrueshëm, sepse që të gjithë spektatorët pyesnin "e kush është kjo bionde"..." Ndërsa sot pas 44 vjetësh vazhdojnë që ta kërkojnë se ku është ajo bionde ?

Mestitulli/Intervista e fundit e Monroes

"But please don't make me look like a joke..."(...por ju lutem, mos më bëni të dukem si një lojë ...): janë fjalët e fundit të Merilin Monrosë (Marilyn Monroe), në përmbyllje të një interviste që ka zgjatur 8 orë, të cilën Richard Maryman, gazetar i revistës "Life", e ka regjistruar në një kasetë në mënyrë që pastaj ta shkruante për numrin e revistës që do të publikohej me 3 gusht 1962. Dy ditë më vonë, në një vilë në Brentwood, pak jashtë Los Anxhelosit, Merilin është gjetur e vdekur, zyrtarisht e vetëvrarë. Prej atëherë kanë kaluar 44 vjet, por miti i saj vetëm lartësohet. Lexuesit po i sjellim pjesë nga intervista.

"...Kam hyrë në shtëpinë e saj, në një sallon praktikisht të zbrazur ku ishin vendosur vetëm dy ndenjëse...e kam vendosur në tokë regjistratorin dhe jam ulur vetë këmbëkryq, kur kam parë një palë pantallona të verdhë dhe kam dëgjuar një zë që më pyeste "ka diçka që duhet të bëj për ju. Pikërisht kështu jam ndarë për të fundit herë nga Merilin Monro". Objekti i intervistës ishte 'Suksesi' por në realitet aftësia e gazetarit dhe gjendja shpirtërore e Monrosë bëjnë që, nga pyetja në pyetje, nga ora në orë, rezultati përfundimtar të jetë një portret i plotë i aktores dhe me hijedritat më pikante të personalitetit të saj. Pak pushime gjatë bisedës. Merilin nuk ha asgjë dhe vetëm pi shampanjë. Dhe vetëm dy telefonata i janë bërë asaj gjatë asaj dite. Gjatë intervistës Merilin e ka porositur gorvernanten që të mos ia japë një telefon një person të caktuar në se e kërkon atë. Marilin thotë disa fraza që kanë mbetur të famshme, si: "suksesi është si haviari, por nëse han shumë të vjen të përzjerë". Ose, në kontekstin e depresionit: "kur më ndodhin ato ditë të vështira nganjëherë mendoj: të paktën të isha njëra nga ato gratë fshesare. Tek e fundit, megjithatë, jam e kënaqur që jam kjo që jam". Maryman mbyll intervistën dhe kthehet në Nju Jork për ta shkruar artikullin. Kur në mëngjesin e 5 gushtit, një reporter e thirri nga Los Anxhelosi për t'i thënë se Merilin kishte vdekur, ai kishte mbetur pa frymë. Pavarësisht thekseve nganjëherë të përndezura e dramatike të asaj dite, në fakt, asgjë nuk linte të mendoje se ajo do të bënte vetëvrasje, siç raportuan, ndërkaq, mjekët zyrtarë.

ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RUSI: ARRESTOHET I DYSHUARI KRYESOR PËR VRASJEN E GAZETARES ANA POLITKOVSKAJA (05.31.2011)
TADIQ NUK SHKON NË ROMË, PASI SHKON JAHJAGA (05.31.2011)
LUGINA E PRESHEVËS DO PRANI NË MINISTRINË E DIASPORËS (05.30.2011)
DEKOSOVARIZIMI I PRIZRENASVE (05.30.2011)
MARILYN, IA BEHIN FOTOGRAFI TË TJERA TË PANJOHURA (05.30.2011)
"Independent": RRUGA PËR NË LIBI SHKON PËRMES SREBRENICËS (05.29.2011)
OBAMA FIRMOS LIGJIN NË DISTANCË ME AUTOPEN (05.29.2011)
"Daily Telegraph": MASAKRA E SREBRENICËS, ORA MË E ZEZË E OKB-së (05.27.2011)
E MAJTA E PËRÇARË MUND TË HUMBASË EDHE NË 2013...Nga KASTRIOT ISLAMI (05.27.2011)
AKTAKUZA QË RIDËNOI PJETËR ARBNORIN, MANDELËN E EVROPËS (05.26.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]