Frank Wisner, ish negociator i Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, thotë se marrëveshja e arritur dje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, është një sinjal se Kosova ka hyrë në rrugën për t'u bërë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian.
Zeri i Amerikes: Zoti Wisner, Kosova dhe Serbia ranë dakord të përdorin Rezolutën 1244 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si referencë në përfaqësimin e Kosovës në forumet ndërkombëtare. A është ky një vendim i mirë për Kosovën?
Frank Wisner: Mendoj se është një vendim i mirë për Kosovën. Kosova në fakt arriti dy marrëveshje, njëra, siç thatë ju, ka të bëjë me pjesëmarrjen e Kosovës në diskutimet rajonale në Ballkan dhe në Evropë dhe tjetra, po aq sensitive, ka të bëjë me kufirin e Kosovës me Serbinë, ku ka patur trazira. Me këto marrëveshje dërgohet një sinjal i fuqishëm për liberalizimin e vizave, pra kosovarët do të mund të udhëtojnë në Evropë dhe përtej saj. Ky është gjithashtu një sinjal për Evropën se Kosova ka hyrë në rrugën për t'u bërë një ditë anëtare e Bashkimit Evropian. Nëse i merrni të dy këta hapa së bashku, kemi të bëjmë me një lajm të mirë për Kosovën.
Zëri i Amerikës: A është referenca ndaj Rezolutës 1244 një hap prapa për Kosovën?
Frank Wisner: Nuk besoj se është. Nuk shikoj asgjë në marrëveshjen e arritur në Bruksel që të dëmtojë statusin e Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin dhe krenarinë e saj. Kjo është një deklaratë e thjeshtë e faktit, e balancuar me shumë kujdes në terminologjinë teknike dhe juridike me përfundimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës u arrit në mënyrë krejtësisht ligjore. Fakti real nuk është shënimi në fund të faqes me gërma të vogla, por që Kosova tani do të jetë në tryezë, për të ndihmuar në përcaktimin e së ardhmes së rajonit dhe vendin e vet në rajon.
Zëri i Amerikës: Partitë opozitare në Kosovë e kundërshtojnë me forcë marrëveshjen dhe thonë se referenca ndaj 1244-s nënkupton se Kosova po humbet një pjesë të sovranitetit. Mendoni se Kosova po e lëshon një pjesë të këtij sovraniteti?
Frank Wisner: Nuk e kuptoj dot një argument të tillë. Kur jep sovranitetin, ia jep atë dikujt. Nuk e di se përse e kanë ata fjalën. E kuptoj argumentin tjetër se duhet fituar sa më shumë për të arritur çdo gjë brenda një dite, por të them të drejtën, si ju ashtu edhe unë e kuptojmë se nuk ka ndonjë shkop magjik që do të përcaktojë vendin që do të zerë Kosova në histori në të ardhmen. Kosova ecën drejt Bashkimit Evropian dhe kjo do të arrihet hap pas hapi dhe me hapa të dhimbshëm gjatë një periudhe kohe. Nuk ka shkop magjik. Pra, ky është njëri nga këta hapa dhe ai prodhon bashkëpunim me Evropën që një ditë do të bëjë të mundur hyrjen në Evropë. Unë nuk pres që Serbia ta njohë Kosovën, por pavarësia e Kosovës është një fakt i kryer, dhe nuk ka kthim prapa. Ajo është e njohur botërisht, është e legjitimuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pra, ky nuk është problem. Problemi është se si të ecet përpara dhe rruga e vetme për të ecur përpara është në mënyrë bashkëpunuese me Bashkimin Evropian. Hapat që u arritën në Bruksel dje, janë hapa që e vënë Kosovën në rrugën drejt Evropës.
* Ambasadori Frank Wisner është këshilltar për çështjet ndërkombëtare në firmën juridike Patton Boggs e cila përfaqëson Kosovën në Shtetet e Bashkuara.