E Djelë, 05.19.2024, 09:02pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
ORHAN JEGENI - KRUSHQIA MES FRASHËRLLINJEV DHE TOPTANËVE
Nga FATOS VELIU

E Shtunë, 10.27.2012, 03:24pm (GMT+1)

 

Orhan Jegeni, kështu quhet njeriu më i afërt i trungut të frashërllinjve të njohur. Mund të duket larg në histori, madje mund të duken tashmë edhe si emra abstraktë për shkak të periudhës së hershme kur ata kanë jetuar dhe kanë kryer aktivitetin e tyre, madje aq pak njihesh me rrethin e tyre gjenetik sa shumë thjesht mund të mendosh se nuk kanë kënd që mund të jetë kaq i afërt në lidhjen e tyre gjaksore. Por jo. Kur ndesh persona konkretë, jo vetëm shokohesh por edhe çuditesh me të panjohurat që mbështjellin jetën e tyre familjare. Dhe ja, ndërsa takohesh me Orhan Jegenin mëson lidhjen e tij të afërt me Abdyl, Sami dhe Naim Frashërin. As më pak dhe as më shumë, por nëna e tij ishte drejtpërsëdrejti mbesa e tyre. Pra, ata ishin xhaxhallarët e nënës së tij, ashtu siç ishte Murat Toptani daja i nënës së tij. E pra. Tashmë ke para Orhan Jegenin dhe befasohesh që rilindasit e mëdhenj paskan qenë kaq afër nesh. E ndërsa nuk na janë prezantuar ndonjëherë njerëzit e tyre, tashmë mësojmë edhe për fakte të tjera që s'janë njohur më parë. Kështu, mësojmë se nëna e Orhan Jegenit, që ishte pikërisht vajza e vëllait të Naimit, Samiut dhe Abdylit, në kohën që kanë ardhur eshtrat e Abdyl Frashërit, pra të xhaxhait të saj, ajo e ndiqte që nga intrnimi ku ishte dënuar më shumë se një muaj më parë se ai të mbërrinte në Tiranë. Por mësojmë edhe detaje të tjera në lidhje me familjen e tyre. Naim Frashërit i ka vdekur një vëlla dhe pas kësaj ai u detyrua të martohet me të shoqen shtatzënë të tij. Madje, vajzën që lindi Naimi e dha në familjen e madhe të Toptanajve dhe pikërisht te Murat Toptani. Por këtë krushqi e ka pasuar një tjetër, se motra e Murat Toptanit u martua me vëllanë e Naimit nga të cilët lindi nëna e Orhan Jegenit. Pra, ata ishin gjyshërit e tij. Për më tepër le të mësojmë nga intervista ekskluzive e vetë Jegenit, i cili rrëfen për lidhjet dhe të panjohurat e Frashëllinjve të lavdishëm si dhe historia e ardhjes së eshtrave të tyre në Tiranë, ndërkohë që mbesa si i vetmi person më i afërt i tyre u dërgua në iternim.

- Orhan Jegeni për herë të parë rrëfen publikisht për jetën personale të xhaxhallarëve të nënës së tij, që janë pikërisht frashëllinjtë e famshëm të dy kontinenteve.
- Kush janë të pathënat e vëllezërve Frashëri, në lidhje me krushqitë dhe jetën e tyre personale?
- Cili është momenti i dhimbshëm kur Naim Frashëri u detyrua të martohet me të shoqen shtatzënë të vëllait të tij Sherif Frashërit?
- Historia e Murat Toptanit, që u bë dhëndri i vetë Naim Frashërit.
- Lindja e vajzës gjenetike të Naimit, e cila është gjyshja sportistit të njohur Asllan Rusit.
- Martesa e vëllait të Naim Frashërit me të motrën e Murat Toptanit, të cilët u bënë pikërisht gjyshërit e vetë Orhan Jegenit.
INTERVISTA
Zoti Jegeni. Në çfarë linje ju jeni nip i Naim Frashërit dhe kush është jeta personale e tyre?
Nëna ime, Irfane Jegeni (Frashëri), është drejtpërsëdrejti mbesa e vëllezërve Frashëri. Pra, ajo është pikërisht vajza e vëllait të Naimit, Samiut, Abdylit dhe të tjerë.
Si quhet nëna juaj?
Nëna quhej Irfane Jegeni apo Irfane Frashëri e ka pasur të derës së babës.
Pra, edhe një herë, babai i nënës suaj ka qenë vëllai i Naim Frashërit?
Po. Ekzaktësisht ashtu. Vëllai i Naimit ka qenë gjyshi im.
Vajza e kujt ishte ajo?
Nëna ime ishte vajza e Mehmet Frashërit, i cili ishte vëllai i gjashtë i Naimit.
Vëllai i gjashtë?
Po. Vëllai i gjashtë dhe njëkohësisht fëmija i tetë, se ata gjithsej ishin tetë fëmijë, nga këta gjashtë vëllezër dhe dy motra.
Mund të mi përmendni?
Prindërit e vëllezërve Frashëri apo prindërit e Naimit, siç dhe ma shtron pyetjen, ishin Halid Frashëri, që jetoi në vitet 1797-1839 dhe Emine Mirahori, e cila jetoi në vitet 1814-1861. Ata bënë tetë fëmijë, që ju shpjegova në pyetjen që sa kaloi.
Kush ishin?
Abdyl Frashëri është fëmija i madh i lindur më 1839 dhe vdekur në vitin 1892. Pra, ai ka vdekur vetëm 53 vjeç. E dyta vinte motra, Nefize Frashëri, e cila ka lindur dy vjet pas vëllait, në vitin 1941 dhe ka vdekur në vitin 1894, kur ishte vetëm 50 vjeçe. I treti vjen Sherif Frashëri, që ka jetuar në vitet 1843-1874. Pra, siç e shikon, ky ka vdekur vetëm 31 vjeç. Fëmija i katërt është pikërisht Naim Frashëri, i cili ka lindur më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen "Erenqoj" të Stambollit, ku edhe u varros. Pra edhe Naimi ka vdekur vetëm 54 vjeç. E pesta vjen motra e tyre, Shahnishaja e lindur në vitin 1848 dhe ka vdekur kur ishte 23 vjeç, pra në vitin 1871. I gjashti vjen Samiu, i cili gjithashtu vdiq 54 vjeç, (1850-1904), pastaj vjen fëmija i shtatë, që është Tahsim Frashëri, i cili gjithashtu ka vdekur vetëm 23 vjeç. Ai ka lindur në vitin 1853 dhe ka vdekur në vitin 1876. I teti dhe i fundit vjen gjyshi im, Mehmet Frashëri, i cili konsiderohet se ka rrojtur më shumë nga të gjithë fëmijët Frashëri, se vdiq 62 vjeç. Ai lindi në vitin 1836 dhe ka vdekur në vitin 1918.
Pra kanë vdekur shumë afër njeri tjetrit dhe që të gjithë kanë vdekur shumë të rinj?
Më i madhi ka vdekur 62 vjeç, ndërsa të tjerët nga 50 apo 52 vjeçare. Dhe për kuriozitet ata më së shumti kanë vdekur nga tuberkulozi. Abdyli ka vdekur në 1892-shin, 53 vjeç; Nefiseja ka vdekur dy vjet më vonë më 1894, 53 vjeç; Sherifi 1874, 31 vjeç; Naimi më 1900, 54 vjeç, Shahnishaja me 1871, 23 vjeç; Samiu 1904, 54 vjeç; Tahsini më 1876, 23 vjeç dhe gjyshi tim Mehmeti më 1918 kur ishte 62 vjeç.
Dhe nëna juaj thatë se ishte vajza e vëllait të fundit të tyre apo jo?
Saktësisht ashtu. Nëna ime, Irfania, është vajzë e vëllait të fundit të tyre, e Mehmet Frashërit. Pra, ju shpjegova që ajo është vajza e vëllait të gjashtë të Naimit, apo vajzë e fëmijës së tetë.
Kështu që për të risaktësuar edhe një herë për lexuesin, del që vëllai i Naim Frashërit është gjyshi juaj apo jo?
Po, vëllai Naimit, Mehmeti është gjyshi im, ndërsa gjyshja ime është pikërisht motra e Murat Toptanit.
Ma shpjegoni ju lutem?
Sepse ata kishin një krushqi të dyfishtë në Toptanaj.
Si e dyfishtë?
Por Murat Toptani ka marrë për grua vajzën e birësuar të Naim Frashërit, por që saktësisht ishte vajza e vëllait të tij, ndërkohë vëllait të Naimit, pra gjyshit tim Mehmet Frashërit, ai i ka dhënë motrën. Pra që t'jua ripërsëris edhe një herë ndryshe, saktësisht del që Mehmeti mori motrën e Murat Toptanit, ndërkohë që Murat Toptani mori mbesën e Mehmetit, pra vajzën e vëllait.
Dhe kështu që nëna juaj Murat Toptanin e kishte dajë, ndërsa Naim Frashërin e kishte xhaxha. Kështu?
Saktësisht ashtu. Nëna ime ishte mbesa e Murat Toptanit nga e ëma dhe mbesa e frashëllinjve nga babai. Ata i kishte xhaxhallarë, ndërsa Muratin e kishte dajë. Më duket se u sqaruat qartë apo do ndonjë risaktësim të ri.
Këtu për sa i përket gjyshit tim, ka nevojë për një plotësim shtesë.
Çfarë plotësimi?
Meqenëse flitet për frashëllinjtë dhe pikërisht për vëllain e Naimit, Abdylit dhe Samiut, se gjyshi im ishte pikërisht vëllai i tyre, më lind detyrimi t'i saktësoj plotësisht faktet. Konkretisht Mehmet Frashëri, pra gjyshi im, para se të merrte motrën e Murat Toptanit, ka qenë i martuar.
Pra, kur mori gjyshen tuaj kishte qenë edhe një herë i martuar po më thoni?
Kur kishte qenë drejtor dogane në Bejrut të Libanit, Mehmeti kishte qenë martuar me vajzën e Myftiut të Bejrutit.
Kishte fëmijë?
Me të kishte dy fëmijë. Kishte Hajriun dhe Sybiun. Kështu ua thoshin emrat.
Më thatë se Naimi kishte vajzën e birësuar, të cilën ia dha Murat Toptanit për grua. Si qëndron kjo e vërtetë?
Po, Naimi është martuar me nusen e vëllait.
Si u martua me nusen e vëllait se s'ju kuptoj?
Kur vdiq vëllai i dytë Naimit, Sherifi, e la të shoqen shtatzënë. Kjo u martua me Naimin, ku nga shtatzënia me të vëllanë e tij lindi Asijen, e cila u bë e shoqja e Murat Toptanit. Pastaj Naimi me këtë grua, që tashmë ishte e shoqja e tij, lindi një vajzë që quhej Nevrez.
Nevrezi lindi Naimen, e cila ishte e ëma e Asllan Rusit.
E sportistit Asllan Rusi?
Po, po. Nëna e tij ishte drejtpërsëdrejti mbesa e Naim Frashërit, që do të thotë se ajo Naimin e kishte gjysh. Pra, babain e nënës së vet.
Shpjeguat pak më lartë se prindërit e vëllezërve Frashëri apo prindërit e Naimit , ishin Haliti dhe Emineja. Jam kurioz të mësoj për të ëmën e tyre, pra Eminenë. Nga çfarë familje vinte ajo?
Ajo vinte nga dera e madhe e Korçës. Nga Familja e Mirahorëve, që kanë qenë themeluesit e Korçës.
Më folët zoti Orhan, për vëllezërit Frashëri. Le ëi marrim Abdyl Frashërin, për të cilin jemi duke folur, për sjelljen e eshtrave të tij në Shqipëri. Kush ishte familja e Abdyl Frashërit?
Abdyli ka pasur dy fëmijë. Kishte Mit'hat Frashërin dhe Nafize Frashërin.
Këta çfarë rrjedhe patën?
Mit'hati nuk u martua. Nefizeja u martua me Halim Bej Përmetin. Por edhe kjo nuk bëri fëmijë. Pra, Abdyli nuk pati nipër e mbesa.
(Vijon nesër)

Jeta e Naim Frashërit
Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit dhe vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Rridhte nga një nga dinastitë që dalin nga dera e madhe Frashëri, ajo e Dakollarëve ose e Dulellarëve. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri. Ishte poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare.
Jeta
Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea" (1869).
Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas i doganës në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash "Tejhyjylat" ("Ëndërrimet", 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës "Drita", më pas "Dituria" (1884-1885), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar.
Krijimtaria
Më 1886-ën Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme "Bagëti e Bujqësi", atë greqisht "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve" (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: "Vjersha për mësonjtoret e para", "E këndimit të çunavet këndonjëtoreja", (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një "Histori të përgjithshme". Më 1888 vijoi me "Dituritë" (ribotuar më 1895 me titullin "Gjithësia", - shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave "Lulet e verës", pastaj "Më-simet" (proza patriotike dhe të moralit) dhe "Fjala flutarake" (vjersha) më 1894, së fundi më 1898, poema e madhe epike "Historia e Skënderbeut" dhe poema fetare "Qerbelaja" etj.
Naim Frashëri u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat "Gjuha shqipe", "Korçës" 1887, etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut ("Bagëti e bujqësi") dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve"), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema "Bukuria", një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit). Poema "Historia e Skënderbeut" qe një kurorëzim i veprës së tij, "testamenti i tij politik e poetik", me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkirnin e dogmës fetare (në "Qerbelaja" dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).
Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqip me poezinë filozofike (vjersha "Perëndia" 1890). Shkroi edhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i Naimit ishte në thelb panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizimin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso, etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri (pranimi i teorisë Kant-Laplas dhe i darvinizmit, që i propagandoi me guxim të madh për kohën), me demokratizimin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t'u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik. E gjithë veprimtaria e tij letrare dhe kulturore ishte e lidhur ngushtë me çlirimin dhe përparimin e vendit, me çlirimin shpirtëror dhe ndriçimin e masave të popullit. Ai kishte besim të plotë në aftësinë e mendjes për të njohur realitetin e për të vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të botës. Kërkonte arsimim për të gjithë, emancipimin e gruas, qeverisjen demokratike, të vendit, pra të një ngjyre shqiptare), ngrinte lart vetitë e karakterit të shqiptarëve (besën, trimërinë, bujarinë), traditat kombëtare që nga lashtësia pelazgjike. Bënte thirrje për miqësi me fqinjët në kushtet e respektit reciprok, shpallte dashurinë në gjithë popujt e racat, ngrihej me forcë kundër Megali Idesë e pansllavizmit, duke admiruar vetitë dhe kulturën e popujve të tjerë (poezinë përparimtare lindore, atë greke, latine, rilindjen evropiane, romantizmin evropian, prej të cilave dhe u ndikua).
Naim Frashëri luajti, përkrah Samiut e pas Kristoforidhit, një rol themelor për shqipen e re letrare, të cilën e shkroi me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike, duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e popullit, e shkroi të pastër dhe bëri një punë të dukshme për pasurimin e saj, duke e ngritur atë në lartësinë e një gjuhe arti të zhvilluar dhe kulture.
Ndikimi i Naim Frashëri, me gjallje të shkrimtarit dhe pas vdekjes, jo vetëm te shkrimtarët shqiptarë të kohës, por edhe të periudhës së mëvonshme, ishte i madh. Pas Çlirimit u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij, përmes studimesh të ndryshme. Ribotimet e veprave të tij janë të shumta; përveç tyre janë bërë edhe disa botime kritike shkencore të veprave të Naimit. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione të ndryshme. Për merita kulturore në Shqipëri jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar.

 

 



FATOS VELIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BASHKIA E UASHINGTONIT FESTON DITËN E ILIR ZHERKËS (10.27.2012)
Një jetë luftë, një shekull Pavarësi (5)NANË - TEREZA, NANA E GLOBIT!Teksti: ZEQIR LUSHAJ, Këndojnë: Dida-Çela-Kovaçi (10.27.2012)
BAJRAKTARËT DHE ÇAUSHËT ZYRTARË TË BESIMIT ISLAM NË KOSOVË - SKANDAL PËR VENDIN!Nga LUAN (ASLLAN) DIBRANI (10.26.2012)
AKADEMI PERKUJTIMORE PER VELI SELIMIN ME MOTON 'Ditët e mërgimtarit'Fotoreportazh nga AGIM GASHI (10.26.2012)
PROTESTOJ E NUK FESTOJNga AGIM GASHI-Gjermani (10.25.2012)
NGA FESTIMI I KURBAN BAJRAMIT NË TIRANËKurban Bajrami është një festë e shenjtë ku shprehen cilësitë më të larta të besimit mysliman (10.25.2012)
HILLARY CLINTON URON MYSLIMANËT KOSOVARË PËR FESTËN E BAJRAMIT (10.25.2012)
PELEGRINËT MYSLIMANË MARSHUAN DREJT MALIT ARAFAT (10.25.2012)
MEKË - TRE MILIONË BESIMTARË MARRIN PJESË NË PELEGRINAZH, SOT NGJITJA NË MALIN ARAFAT (10.25.2012)
BESIMI FETAR NË KUADËR TË EDUKATËS QYTETARE (10.25.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]