Është pjesëza e radhës e ndërhyrjes politike në shkencë, pjesë e mungesës së
seriozitetit dhe diletantizmit me të cilin segmente të caktuara të politikës e
kanë marrë procesin e rishkrimit shkencor të historisë. Nisma e zotërisë që
përmendët ju, është pjesë e frymës zhbalancuese joliberale, jodemokratike që po
mbizotëron në mënyrën e radhën e vlerësimit të figurave të historisë kombëtare,
është pjesë e një linje për të ripozicionuar në histori ata që vranë shqiptarë
të ndershëm, të atyre që vranë udhëheqësit e revolucionit nacional të viteve
1909-1912, të firmëtarëve të pavarësisë të viteve 1912-1921, dhe të lidershipit
përparimtar të viteve 1921-1924, të atyre që vranë intelektualët më në zë të
vendit, klerikët më të ndritur, pjesë e frymës që po sundon në një pjesë të
republikës sonë të paarrirë. Kur e dëgjova pjesën e parë të ligjërimit të
udhëheqësit të mirënjohur të së majtës aktuale politike, mendova se bëhej fjalë
mbi nevojën për të rishkruar Historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri,
rishkrim i cili nuk është bërë mbasi ne operojmë ende me shabllonet e
historiografisë së ndërtuar dhe frymëzuar nga diktatori më gjakatar i vendeve
të Europës Lindore, i quajtur Enver Hoxha. Por pjesa e dytë e fjalisë nuk lë
aspak dyshim: bëhet fjalë për një përpjekje tipike për të rehabilituar
Diktatorin dhe me këtë rast, edhe ata që i shërbyen atij dhe padronëve të tij
titistë dhe stalinistë, në procesin e ndalimit të rrugës europianizuese të
popullit shqiptar në vitet 1940 dhe procesin e shkëputjes së dytë të Kosovës
nga Shqipëria në rrjedhën e pesë muajve të parë të vitit 1945.
Në pikëpamje shkencore, nevoja e rishkrimit të historisë dhe veçanërisht të
thelbit e përmbajtjes së periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri është
më se evidente dhe kjo nuk mund të mohohet. Vetëm një studim i çliruar nga
komplekset e përkatësisë në krahët e Luftës Civile të Shqipërisë së viteve
1941-1944, bazuar mbi kriteret shkencore dhe mbi një metodologji të qartë, do
t'u mundësojë shqiptarëve të kuptojnë dhe vlerësojnë përgjithësisht, realitetin
konfliktual shqiptar të kësaj periudhe, shkatërrimin institucional dhe
përçarjen e thellë civile të krijuar në Shqipëri si rezultat i konvergimit të
disa faktorëve: pasojave fatale politike të pushtimit fashist dhe nazist;
fuqizimit abuziv në terrenin e varfër social shqiptar të forcave të majta të
lidhura me strukturat politiko-ideologjike komuniste titiste dhe staliniste;
pafuqisë dhe paqartësisë të forcave patriotike për t'u orientuar qartë në
realitetin kompleks shqiptar dhe gjeopolitik ndërkombëtar.
Në pikëpamje të vlerësimit politik të periudhës, përmbajtja e Luftës së Dytë
Botërore në Shqipëri, më shumë sesa një karakter nacional-çlirimtar, ka pasur
të thellë dhe të qartë komponentin e Luftës Civile, mes forcave që e shikonin
Shqipërinë të orientuar nga krahu perëndimor i Aleancës Antifashiste dhe
forcave partizane të komanduara nga komunistët jugosllavë, vegël e të cilëve ka
qenë lidershipi i Partisë Komuniste i drejtuar nga Enver Hoxha. Dje, historinë
dhe monumentet i vendosën fitimtarët kuqalashë. Sot, në një Shqipëri të lirë
dhe të çliruar nga tabutë, forcat politike që kanë në dorë paketën kontrolluese
të vendosjes së monumenteve, duhet të përpiqen të rivendosin me një radhë
meritash të vërtetën në vend. Nderimi më i parë në këtë 100-vjetor duhej të
bëhej duke filluar nga pionierët e një Shqipërie të lirë, Konstitucionale,
Liberale, Demokratike dhe të orientuar drejt strategjikisht nga Perëndimi që në
fillesë të shtetit, pa i lënë hapësirë drejtimit nga një rend vlerësues selektiv
dhe me kapërcime të dallueshme. Në vend që të mendohej një nderim i posaçëm
edhe për vizionarët më të mëdhenj të së ardhmes: për Luigj Gurakuqin, Dom
Nikoll Kaçorrin, Ded Gjo' Lulin, Mehmet Konicën, Fan Nolin, Faik Konicën, Riza
Bej Gjakovën, Sotir Kolean, Stavri Vinjaun, Atë Gjergj Fishtën, Imzot Luigj
Bumçin, Avni Rustemin, Gani Kryeziun etj., sepse ata i dhanë shtysën e plotë
indipendentiste dhe ideuan Shqipërinë e Lirë, të Bashkuar, Konstitucionale,
Demokratike, Liberale dhe Europiane, çuditërisht lihet hapësirë të mendohet që
mund të rivlerësohet diktatori dhe mjeruesi i Shqipërisë, Enver Hoxha.
Shqiptarët kanë ditur dhe do të dinë të nderojnë pa kontestim kujtimin e bijve
të vet, gjakun dhe sakrificat e atyre mijëra idealistëve që dhanë jetën dhe
rininë për një shoqëri më të mirë shqiptare, për të nderuar figura të tilla
simbol të djalërisë dhe mençurisë të së majtës shqiptare, pjesë e universit
politik të këtij vendi, si Qemal Stafa, Vojo Kushi, Mustafa Matohiti, Manush
Alimani, e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, duke respektuar faktin e pamohueshëm
të ekzistencës së një disponimi dhe angazhimi antifashist civil, intelektual,
krejtësisht të ndryshëm në ambicion nga ligësia e uzurpatorit komunist Enver
Hoxha, dhe për të provuar se dënohet çdo krim që individë shqiptarë kanë bërë
ndaj djemve idealistë partizanë e komunistë.
Por nga ana tjetër, sot, nga lartësia e gjykimit historik, vërejmë se, duke
filluar nga data 29 nëntor 1944, në Shqipëri në përgjithësi dhe në Shqipërinë
Veriore në veçanti, u instalua një regjim dhunues makabër, që do t"˜i kushtonte
këtij vendi humbjen e bijve dhe të bijave më të mirë të tij, ndërsa kryeqendrës
së Shqipërisë, Shkodrës, 29 nëntori do t'i sillte shkatërrimin e plotë të
institucioneve dhe trashëgimisë kulturore shkencore, edukative, fetare dhe
qytetare, eliminimin gradual të primatit moral, kulturor, ekonomik dhe
shpirtëror të Shkodrës në skenën shqiptare. Në krye të këtij procesi
urdhërdhënës ka qenë diktatori Enver Hoxha. Vetëm një fakt sot në veprim dua të
kujtoj: në Shqipëri dosjet e ish- Sigurimit mbahen ende të mbyllura, ndërsa të
njëjtat dosje të Sigurimit famëkeq shqiptar janë të hapura dhe të aksesueshme
lirisht për publikun, 2000 milje larg Tiranës, në National Archives në Londër.
Urdhrat për vrasje pa gjyq, arrestime, survejime, përndjekje, grabitje
(sekuestrim) të pronësisë, dëbime dhe internime, emrat e agjentëve të
infiltruar, urdhra për nxjerrje forcërisht nga shtëpitë, të nisura nga
Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, ose nga ministrat e Brendshëm, Koçi Xoxe
e Mehmet Shehu, drejt të gjitha Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, me
emra dhe mbiemra, për periudhën 1944-1948, si dhe dosjet e sjelljes së po
këtyre personazheve gjatë Luftës së Dytë Botërore, i keni të hapura në Londër
dhe çdo vit që kalon, hapet një vit dosje më shumë. Shërbimet e inteligjencës
së vendeve perëndimore kanë interceptuar çdo gjë nga mekanizmat vulnerable të
komunikimit të shërbimeve tona "krenare" e të "pathyeshme". Kushdo që mendon se
duke zhdukur rekordet e brendshme, dhe duke hedhur teza në rrëmujën
rivlerësuese do të arrijë t'i shmanget rishkrimit të historisë dhe humbjes së
përgjegjësisë nesër, gabohet. Çdo sjellje e brendshme politike, çdo bashkëpunim
me forcat titiste, staliniste, fashiste dhe naziste, çdo shmangie që i është bërë
së drejtës, çdo abuzim me pushtetin, çdo grabitje dhe shndërrim i pronësisë, ka
qenë i regjistruar përjetësisht në kancelaritë me përfaqësi në Shqipëri. Dhe
aty dosjet janë të hapura dhe të padëmtuara.
Shqipëria nuk ka arritur të bëjë pastrimin (lustracionin) e politikës dhe
administratës së lartë nga bashkëpunëtorët e Sigurimit, nga veprimtarët
agresivë të PPSH, nga Vullnetarët e Enverit të Ushtrisë dhe Ministrisë së
Brendshme dhe të frymëzuarit prej tyre. Shqipëria është vendi tipik brenda
grupimit të vendeve të Europës Lindore, i cili nuk po arrin të vendosë në
veprim Ligjin mbi hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, duke mbetur
prapa edhe Serbisë së post Millosheviçit. Dhe kjo ka ardhur për shkak të
mungesës së njësueshmërisë politike për distancim me të djeshmen, për shkak të
përzierjes në forcat politike liberale edhe të nostalgjikëve të Ancient Régime.
Në një vend demokratik është shumë i rëndësishëm uniteti i forcave kryesore
politike që ndërrohen në pushtet demokratikisht, në mbështetjen e disa
shtyllave kryesore zhvillimore. Dënimi i krimeve të djeshme, në rastin e vendit
tonë me përmasa të atilla krimi diktatorial, duhej të ishte, së paku, njëra nga
shtyllat politike që pozitat dhe opozitat në vite do të duhej të ishin marrë
vesh, për ta bërë Shtetin të besueshëm me Publikun dhe me partnerët tanë
strategjikë perëndimorë. Vendi ynë (pavarësisht përpjekjeve pozitive të bëra në
vitet 1992-1996 dhe 2005-2010), për shkak të mungesës së këtij unitetit, jo
vetëm nuk arrin të hapë, por nuk ka arritur të bëjë asnjë studim serioz për të
bërë matjen zyrtare të së keqes, vlerësimin e sistemit dhe të gjerësisë së
dosjeve që duhen hapur, dhe impaktit të pritshëm social në rast të një hapjeje
të mundshme. Pyetja që ngrihet është: Pse vendi ynë, anëtar i NATO dhe me një
aplikim për anëtarësi në BE, pra një vend që priret të integrohet
demokratikisht dhe të perëndimizohet, nuk hap dot dosjet e ish policisë së
fshehtë, pra ka frikë të pastrojë ndërgjegjen e vet politike dhe sociale?
Përgjigja është se në këtë vend, një pjesë e së djeshmes është ricikluar
"demokratikisht", pa u filtruar ideologjikisht, kulturalisht dhe politikisht.
Dhe kjo pjesë e së djeshmes zotëroi një zonë të hapësirës politike dhe
institucionale të vendit, për shkak se në momentin e llogaritjes të së
vërtetës, më 20 shkurt 1991, u përzje tinëzisht, si pjesë e huaj, në vrullin e
një populli që kërkonte ndryshim të vërtetë. E ndërruar formalisht, kjo pjesë e
së djeshmes vazhdon të mbahet në këmbë dhe të godasë sistemin, vazhdon t'i
imponohet sistemit, vazhdon të çrregullojë sistemin, tashmë pa friken e viteve
të hovit popullor demokratizues, me të njëjtat metoda intolerante të
arkitektëve të diktaturës në Shqipëri. Përfaqësia e së djeshmes arriti në një
moment të caktuar të pengojë juridikisht, në çastin e fundit, procesin
lustrativ ligjor, pa një argument të qartë politik dhe pa një bazueshmëri të
besueshme juridike. Pengimi i lustracionit do të rëndojë gjithmonë si një
sjellje diskredituese mbi aktorin kryesor që e mori përsipër frenimin e procesit
të shpalljes së ligjit, mbasi është një indikacion i ndërlidhjeve me fijet e
padukshme të organeve të errësirës diktatoriale.
Shqipëria nuk është një vend me ndërgjegje të qetë qytetare, pasi nuk arriti të
ndajë disidencën e vërtetë intelektuale e patriotike (që u vra, u burgos, u
internua, e në fund, ajo që mbeti, u detyrua të syrgjynosej larg atdheut për të
mos u lejuar asnjëherë të kthehej), nga viktimat komuniste të diktaturës, nga
veprat penale ordinere; nuk u interesua asnjëherë institucionalisht për kthimin
në atdhe dhe punësimin e fëmijëve të elitës disidente shqiptare, dhe nuk u
kujtua kurrë për krijimin e Regjistrit Nacional të Emigracionit Shqiptar të
periudhës: 29.11.1944- 20.02.1991.
Shteti shqiptar kishte për detyrë dhe e ka ende, të rivendosë në vendin nga ku
forcërisht e shkulën më 29 nëntor 1944, atë çfarë ka mbetur nga trashëgimia e
elitës dhe qytetarisë politike e kulturore të djeshme, ta kompensojë moralisht,
pastaj në pronësi dhe materialisht në mënyrë të plotë për jetët e shkatërruara.
Sot nuk shtrohet rivlerësimi i figurës së Enver Hoxhës, por matja e shkallës së
krimit të tij ndaj popullit shqiptar, matje që do të duhet të vlerësohet së
paku shkencërisht nga pikëpamja historike.