E Premte, 05.03.2024, 06:23am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MJAFT MË ME JU - GAZETARË LLOGORESH
Nga FATOS LUBONJA, Panorama

E Mërkurë, 06.05.2013, 05:18pm (GMT+1)




Para disa ditësh futa në Facebook-un ku dalin shkrimet dhe aktivitetet e mia publike, videon e një kënge që më pëlqen shumë, sepse e gjej shprehje dhe mbështetje të një qëndrimi që mbaj prej kohësh, siç e tregon edhe shënimi me të cilin e shoqërova:

"Për herë të parë kënga "˜Mjaft më me ju' është transmetuar në emisionin e Adi Krastës në mëngjesin e 23 majit në "˜Love Radio', pasi ia dhashë unë me dorën time një CD me përmbajtjen e saj. Reagimet e dëgjuesve gjatë emisionit qenë prova më bindëse se, siç thotë kënga, "˜është koha kur nuk durohet dot më'. 

Njerëzit nuk durojnë dot më kastën politike që kemi prej 20 vjetësh në pushtet, hipokrizinë e saj, gënjeshtrat e saj, korrupsionin e saj, krimet e saj, pandëshkueshmërinë e saj. "˜Mjaft më me ju' është një denoncim i fuqishëm që del nga zemërimi më i sinqertë i rinisë shqiptare dhe një thirrje për t'i dhënë fund kësaj gjendjeje "˜poshtërimi', "˜turpërimi', "˜pushtimi' të shqiptarëve dhe degradimit të një vendi dhe të një toke "˜që nuk mban dot më'. Jam i gëzuar që Arteda dhe EnE e kanë veshur tashmë këngën me klip dhe e kanë hedhur në Youtube. I bëra "˜share' menjëherë dhe i ftoj të gjithë ta shpërndajnë sa më shumë dhe sa më larg. Fatos Lubonja (30 maj 2013)".

Për habinë time, disa ditë më pas më erdhi një sinjalizim nga një dashamirës se në faqen online "Respublika", që siç thonë, është nën drejtimin e Mustafa Nanos, nën titullin "Vazhdojnë diversionet mbi koalicion opozitar" ... ishte shkruar nga dr. Eduart Zaloshnja se Fatos Lubonja, i entuziazmuar nga një videoklip i Dr. Florit, paska bërë thirrje publike me një shkrim që shqiptarët të abstenojnë... duke më futur në listën e një grupi diversionistësh ndaj Edi Ramës.

Sigurisht u habita se si një doktor shkencash, që pretendon se ka jetuar e bërë shkollë në Amerikë, të bënte një koment të tillë, sepse çfarë shkruante ishte më tepër se gënjeshtër apo manipulim i pastër. Ishte provë elokuente e asaj që më thoshte disa ditë më parë një mike, se një gjë kanë sqaruar këto 23 vjet, që: 1) të jesh i ri nuk të bën automatikisht më të mirë se të vjetrit; 2) që të shkosh e të shkollohesh jashtë jo automatikisht të bën më të mirë se ata që ke lënë mbrapa; 3) që të jetosh jashtë jo domosdoshmërisht do të thotë që je bërë pjesë e mentalitetit të asaj shoqërie.

Sepse dr. Zaloshnja e di mirë se pozicionin tim kundër kësaj kaste e kam shprehur me kohë dhe s'mund të prisja të frymëzohesha nga kënga e Dr. Florit, që është qartas një këngë e sponsorizuar nga fushata e Berishës; ndërkohë që në qëndrimet e mia jam përpjekur t'i jap qartazi mendimet e mia si mbi Sali Berishën, edhe mbi Edi Ramën, si përfaqësues të sistemit të korrupsionit dhe të interesave të oligarkëve dhe mafiozëve që kanë kapur këtë shtet. Prandaj i bën me vetëdije këto gënjeshtra e manipulime. Pastaj doktori i shkencave, që është katandisur të bëjë manipulatorin në një blog gjoja informacioni, bënte sikur nuk e dinte se bëhej fjalë për tjetër videoklip që ishte botuar tashmë edhe në "Mapo Online", kur, edhe për hir të faqes ku punon, ishte i detyruar të informohej dhe të informonte saktë, pra përveç të tjerash, se kjo këngë ka dalë edhe para këngës së Dr. Florit në mediat shqiptare, por se pikërisht pse këto media janë ato që janë, nuk ka gjetur hapësirën e Doktorit të Doktorit për të cilët flet Doktori.

Ndërkohë që po mendoja se si do të reagoja, pashë se në komente simpatizantët e mi apo të këngës i kishin shkruar faqes:
"Zaloshnja, ke ngatërruar klipin. Nuk ishte ai i Dr. Florit klipi që entuziazmoi Lubonjën, por ky tjetri: http://www.youtube.com/watch?v=6wIoT10S8Z8".
"Zaloshnja, [...] mos abuzo me pozicionin qe ke në këtë blog për të shpërndarë gënjeshtra".

"Muç Nano ka vënë në zbatim në Respublica-n e tij parullën "˜plehrat bashkohuni' dhe provë e kësaj janë edhe mënyra se si japin lajmet njerëzit që shkruajnë në faqen e ti tij. Zaloshnja më sipër është vetëm një shembull". (http://www.respublica.al/artikuj/2013/06/03/shënim)-vazhdojne-diversionet-ndaj-koalicionit-opozitar)
Si rezultat i këtyre ndërhyrjeve, duket Zaloshnja e pa të udhës ta korrigjonte tekstin e tij dhe të shkruante përsëri një gjë pak më "të butë", por me të njëjtën "erë": "... Më pas, Fatos Lubonja, i entuziazmuar nga një videoklip i ngjashëm, bëri thirrje publike që shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhje, por t'i vënë një kryq të madh fletës së votimit (pra, të abstenojnë)".

Gënjeshtra e mëparshme u hoq duke lënë gjurmët e saj vetëm në komentet poshtë tekstit sigurisht jo në ndërgjegjen e Zaloshnjës. Por përsëri teksti çalon shumë. Pra, tani doli se unë qenkam frymëzuar nga një videoklip tjetër, a thua se para këngës paskam qenë i pafrymëzuar. Pastaj se videoklipi na qenka i ngjashëm me atë të Dr. Florit, ndërkohë që kush ka sy e veshë të painfektuar nga militantizmi, e kupton menjëherë se ndryshimi mes tyre është si ai i gjysmës me të tërën. Mirë kjo, po si kështu, edhe qenkam i frymëzuar nga videoklipi që ka brenda jo vetëm Berishën, por edhe fëmijët e tij, edhe Gërdecin, edhe 21 janarin, edhe bëkam diversion kundër Ramës në favor të Berishës? Pastaj, vetëm një doktor shkencash që ka harruar se ç'do të thotë shkencë mund të thotë se t'u bësh thirrje njerëzve që të shkojnë në votim dhe t'i vënë një kryq proteste fletës së votimit, quhet abstenim.

Megjithatë, këtë shkrim nuk e kam për Zaloshnjën, por për atë se çfarë ai përfaqëson dhe për atë se ku po na çon aplikimi deri edhe në gazetari i principit se mund të përdorësh çdo manipulim, e gënjeshtër, e qelbësirllëk për të arritur qëllimin, pa menduar as edhe një çast për pasojat morale dhe kulturore që sjellin këto metoda mbi shoqërinë. Në fakt, të quash diversion e diversionist çdokënd që nuk pajtohet me mendimin apo synimin tënd, është të ruash kulturën e trashëgimisë totalitare të Enver Hoxhës, i cili pikërisht se mendonte se kishte monopolin e së vërtetës, i lejonte vetes përdorimin e çdo mjeti, çdo poshtërsie dhe çdo gënjeshtre, duke i kthyer kështu njerëzit dhe ndërgjegjen e dinjitetin e tyre thjesht në mjet. Ja, këtë kulturë përçon kjo lloj gazetarie që bën natë e ditë diversion ndaj së vërtetës. Shikoni se ç'po ndodh me një si Kreshnik Spahiu dhe lëvizjen e tij, që personalisht nuk e kam mbështetur asnjëherë për parime dhe jo për hesape elektorale. Kur u duhej këtyre njerëzve në favor të interesave të padronit të tyre e lançuan shqiponjën e tij si shpëtimtare, në fakt e përdorën, pa thënë të vërtetat e tij; pastaj e bënë sorrë si padroni dhe e lanë jashtë ekraneve e faqeve të tyre, sikur të mos ekzistonte. Se cila ishte e vërteta dhe cila gënjeshtra e këtij njeriu, nuk doli një herë nga goja e pena e këtyre gazetarëve dhe s'ka se si të dalë, sepse synimi i kësaj gazetarie nuk është e vërteta, por (sh)përdorimi.

Sigurisht, një gazetar ka të drejtë të shprehë me forcë mendimin e tij dhe zgjedhjen e tij, edhe të polemizojë e debatojë me ata që e mendojnë ndryshe, por të shpifë dhe manipulojë e keqpërdorë kolegët e tij, kjo është thjesht degradim moral e intelektual që gazetaria ia përçon krejt shoqërisë. Sikurse e kam shprehur edhe në shkrime të tjera, edhe politika nuk duhet të aplikojë parimin e përdorimit të çdo mjeti për të arritur qëllimin, pasi bumerangu që i vjen pas shoqërisë prej kësaj mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe afatgjata. Kurse kur këtë e përdor edhe gazetaria, edhe bota intelektuale, atëherë mund të flitet për vdekje morale të shoqërisë.

Të gabosh është njerëzore, thotë një fjalë, por të vazhdosh të gabosh, është djallëzore. Sot nuk ka njeri të ndershëm që nuk e kupton se të vazhdosh t'i mbash shqiptarët në grackën e teatrit "O Berisha, o Rama", pa i informuar se ç'qëndron në të vërtetë pas tyre, është një krim mediatik, një krim ndaj së vërtetës, një punë gazetarësh që nuk duan të ndryshojë sistemi, interesat e të cilit mbrojnë jo se kanë hallin e Berisha Ramës, por pasi mediokriteti, paaftësia dhe mungesa e karakterit i bën të mos jenë në gjendje të jetojnë jashtë këtij sistemi me zotësinë, profesionalizmin, kulturën dhe ndershmërinë që kërkon ky profesion.
Por njerëzit nuk hanë bar. Ja si i shkruante Zaloshnjës një tjetër komentues në një tjetër shkrim të tij, që e fillonte përsëri me akuza kundër Lubonjës, po në Respublika:

"Ti nuk je analist i realitetit, dhe ty realiteti, hallet e njerëzve, hallet e mia nuk të interesojnë FARE! Ty të intereson vetëm një gjë: të mos lësh të humbasë as edhe një votë për Klientin tënd, të pastrosh rrugën nga çdo lloj ndërhyrjeje që mund të të prishë ty dhe klientit tënd politik hesapet elektorale. Për këtë ti je gati të shpikësh terma dhe realitete.

Ky nuk është një debat mbi idetë, mbi programe, mbi vizione apo mbi të ardhmen gjë që pritet nga një analist apo media. [...] Në fakt, e gjithë Respublica nuk bën asgjë tjetër, por krijon realitete, manipulon imazhe e krijon imazhe që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se përpiqen të sigurojnë llogaritë elektorale të klientit të saj, duke e shndërruar në një karikaturë të emrit që mban". http://www.respublica.al/opinion/2013/06/03/101-vjetori-me-i-rendesishem-se-100-vjetori

A nuk është koha, siç thotë edhe kënga që u bë shkas i këtij shkrimi, për t'i thënë "mjaft më me ju", "mjeshtër të aktrimit" edhe kësaj gazetarie dhe këtyre gazetarëve?

PS. Për t'i bindur lexuesit e Panoramës nëse kam të drejtë apo jo, e ftoj gazetën ta vendosë në faqen e saj klipin, siç vendosi atë të Dr. Florit, për të bërë edhe krahasimin ose ta shohin vetë videoklipin në adresën: http://www.youtube.com/watch?v=6wIoT10S8Z8


FATOS LUBONJA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MOS JA VRANI ZOTIN KOSOVËSPersiatje nga AGIM GASHI (06.05.2013)
PROFESOR SELMAN RIZA DHE PROJEKTET E INSTITUTIT ALBANOLOGJIK TË PRISHTINËS 1953-1955Nga BEGZAD BALLIU (06.05.2013)
PERIPECI TË GJITHNJË E MË SHUMË VITIASVE NË UDHËN ILEGALE PËR NË HUNGARINdërkohë më shumë se 1 000 emigrantë kosovarë janë bllokuar në burgjet dhe qendrat hungareze të mbajtjes (06.05.2013)
ENVER HOXHA MBAN PËRGJEGJËSI PENALE PËR GENOCIDIN E TIVARIT (IV)Nga ROMEO GURAKUQI (06.04.2013)
AKTIVITETET E DELEGACIONIT TË LËVIZJES VETËVENDOSJE! NË BOSTON (06.04.2013)
ALEKSANDËR ARVIZU - POLITIKA KA NEVOJË PËR KOMPROMISEARVIZU, TË RINJVE - NJIHNI SA MË MIRË PARTITË, PARA SE T'I VOTONI ATO (06.04.2013)
FESTIVALI I 15të SHQIPTAR I USTERIT NË MASAÇUSETSMes dy festave 100 vjeçare, 1912-ës Pavarësisë së Shqipërisë dhe 1915-ës së kësaj bashkëse një shekulloreFotoreportazh ng ARDIAN MURRAJ (06.03.2013)
DOKUMENT I 8 PRILLIT 1945 PËR MASAKRËN E TIVARIT (III)Nga ROMEO GURAKUQI (06.03.2013)
YLLI POLOVINA - VETË STALINI URDHËROI ELEMINIMIN E MBRETIT ZOG (06.03.2013)
SARA BLLOSHMI - KURTIZANE APO AGJENTE E MBRETIT ZOG?Mbesa e Ismail Qemalit, femra që sillte vërdallë sallonet e viteve ‘40 (06.03.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]