E Premte, 05.17.2024, 07:54am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
PROJEKTI I NJË BLLOKU RUSI-SERBI-MAQEDONI
Nga PETRIT HALITI

E Hënë, 12.15.2014, 08:55am (GMT+1)



Alarmi që dha në 17 nëntor kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, për rritjen e ndërhyrjes së Rusisë në Ballkan dhe kërkesa e përfaqësueses së lartë të politikës së jashtme të BE, Federica Mogerini, në 5 dhjetor drejtuar Rusisë që t'i mbajë vendet e Ballkanit larg dinamikës së tensioneve europiano-ruse për Ukrainën, duhet të jenë të bazuara në informacione shumë më të gjëra dhe më të thelluara mbi plane dhe projekte ballkanike të Rusisë, të cilat pas krizës ukrainase po dalin gradualisht në sipërfaqe.

Një nga këto projekte është ai një aleance trepalëshe mes Rusisë, Serbisë dhe Maqedonisë, hija e të cilës po u afrohet hap pas hapi përpjekjeve për ta jetësuar si realitet në gadishullin tonë. Në datën 12 dhjetor 2014, agjencia ruse e informacionit "Riasv" botonte një editorial me titull "Rusi-Serbi-Maqedoni: Aleanca e mundshme trepalëshe", ku shtjellonte "demonstrimet e paramenduara të vektorit rus të Beogradit dhe të Shkupit, që tregon se në Ballkan ka një potencial serioz për zhvillimin e bashkëpunimit trepalësh Rusi-Serbi-Maqedoni".

Nuk duket rastësi hedhja në terren politik dhe diplomatik e këtij projekti pas krizës së sivjetshme ukrainase, e shkaktuar nga ndërhyrja ushtarake e Moskës në Ukrainë dhe e konkretizuar me aneksimin e dhunshëm të Krimesë dhe ndezjen e luftës separatiste në Ukrainën Lindore. Kjo tregon se Ballkani po konturohet si faza tjetër e strategjisë ruse të zgjerimit të influencës në kontinentin europian. Një formë dhe një instrument i kësaj strategjie ruse duket se është edhe projekti i krijimit të një aleance mes Rusisë, Serbisë dhe Maqedonisë. Kjo është planifikuar të ketë boshtin e saj politik, ekonomik dhe gjeostrategjik. Në planin politik kemi distancimin apo veçimin e qartë të Serbisë dhe të Maqedonisë nga politika e jashtme e Bashkimit Europian. Dy shtete kandidate të BE, të cilat kanë pranuar zyrtarisht detyrimin e koordinimit të qëndrimeve me politikën e jashtme të BE, ku kërkojnë të anëtarësohen, morën anën e Rusisë, duke refuzuar të bashkohen me sanksionet e BE kundër Rusisë.

Në marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të nënshkruar nga Serbia me BE në 29 prill 2008, në kapitullin me titull "Dialogu politik", neni 2, pika b, kërkohet tekstualisht "konvergjenca e pozicioneve të palëve mbi çështjet ndërkombëtare, përfshirë çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë". Pika d kërkon "pikëpamje të përbashkëta mbi sigurinë dhe stabilitetin në Europë, përfshirë bashkëpunimin në fushat që mbulon politika e jashtme e përbashkët dhe e sigurisë e Bashkimit Europian". Serbia i shkeli këto detyrime të marrëveshjeve kontraktuale me Brukselin dhe për më tepër ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tallet me kushtet e BE dhe deklaron se përderisa BE ka deklaruar se nuk do të pranojë për pesë vjet anëtarë të rij, Serbia ka kohë që të bëjë afrimin e qëndrimeve me të.

Serbia dhe Maqedonia shkelin detyrimet e shtetit kandidat të BE dhe as njëra, as tjetra nuk kanë dënuar as aneksimin e Krimesë nga Rusia, as dhunimin e integritetit territorial të një shteti europian si Ukraina dhe as kanë dënuar ndezjen nga forcat ruse të konfliktit të armatosur në Ukrainën Lindore. Për më tepër, Serbia dhe Maqedonia, ndërsa deklarojnë pareshtur se nuk do të bashkohen me sanksionet e BE kundër Rusisë, nuk kanë përmendur asnjëherë shkaqet përse BE ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë. Duke qenë se motivet e BE-së janë të drejta dhe në përputhje me vlerat dhe parimet demokratike të marrëdhënieve ndërkombëtare, përmendja e tyre nuk do t'i pëlqente Moskës dhe qeveritë në Beograd dhe në Shkup i qëndrojnë besnik vijës proruse dhe jo asaj proeuropiane. 

Ajo, që e bën interesante platformën politike të një bashkëpunimi të veçantë në trekëndëshin Rusi-Serbi-Maqedoni, është fakti që Serbia dhe Maqedonia e konsiderojnë kundërshtimin e sanksioneve të BE si një vijë e përbashkët politike dhe si një nga shtyllat e qëndrimit të njëjtë të bashkëpunimit dhe të aleancës së tyre me Rusinë. Kjo është kaq e vërtetë, sa që dy ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe të Maqedonisë e vendosën edhe në deklaratën e përbashkët, të publikuar pas vizitës së ministrit të Jashtëm serb në Shkup, se të dy vendet nuk kanë ndërmend të marrin pjesë në sanksionet e BE kundër Rusisë.

Futja në deklaratën e përbashkët e një qëndrimi politik kundërshtues ndaj BE dhe favorizues ndaj Rusisë është në interpretimin diplomatik, një lëvizje sinjalizuese e orientimit të të dyja vendeve drejt Rusisë. Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Poposki, madje formuloi kërkesën absurde që BE dhe SHBA duhet të zhvillojnë dialog me vendet që nuk marrin pjesë në regjimin e sanksioneve. Me një fjalë, ministri i jep grupit të këtyre vendeve refuzuese të sanksioneve karakterin e një aleance, e cila duhet të ketë edhe tagër të zhvillojë bisedime me BE dhe SHBA për sanksionet. Në planin ekono-mik projekti i një aleance mes Rusisë, Serbisë dhe Maqedonisë ka synimin e tërheqjes së dy shteteve ballkanike antisanksion në mekanizmat dhe në organizatat ekonomike të krijuara nga Rusia, siç është Unioni Doganor i disa ish-republikave sovjetike. Si hap i parë drejt kësaj pjesëmarrjeje parashikohet krijimi i një zone të përbashkët të tregtisë së lirë mes tri shteteve. Rusia e ka nënshkruar me Serbinë marrëveshjen e tregtisë së lirë. Edhe Maqedonia ka me Serbinë marrëveshjen e tregtisë së lirë dhe ka kërkuar që ta nënshkruajë edhe me Rusinë dhe synimi është për të krijuar një zonë trepalëshe të tregtisë së lirë. Natyrisht, krijimi i një zone trepalëshe të tregtisë së lirë të Rusisë me dy shtete kandidate të BE është në kundërshtim me integrimin ekonomik të tyre në BE.

Në planin gjeostrategjik është interesante që Rusia po kërkon tani të joshë dhe të bashkojë rreth saj Serbinë dhe Maqedoninë nëpërmjet rivitalizimit të projektit të vjetër të krijimit të korridorit lumor të lundrueshëm Danub-Vardar-Deti Egje, si korridor ujor i Ballkanit Jugor. Siç kemi shkruar më parë në faqet e kësaj gazete "projekti futurist i ndërtimit të një korridori ujor të lundrueshëm Beograd-Selanik është një ëndërr e vjetër 100-vjeçare strategjike dhe gjeopolitike e Serbisë". (GSH,3.2.2013). Sipas agjencisë ruse të informacionit "Riasv", projekti do t'i jepte Rusisë mundësinë të dilte në Mesdhe, duke shmangur ngushticat turke të Bosforit dhe të Dardaneleve. Nëpërmjet ndërtimit të këtij korridori ujor të transportit, i cili ka karakter gjeostra-tegjik, Rusia siguron jo vetëm një rrugë dhe nyje të rëndësishme strategjike lëvizje dhe ndërlidhje, por edhe një prani të përhershme dhe ndikim në vendet ku kalon ky korridor, duke i lidhur ato më fort pas interesave ruse në Ballkan dhe në Mesdhe. Dhe projekti ridel pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë dhe ashpërsimit të politikës ruse në Ballkan.

Projekti i një aleance trepalëshe Rusi-Serbi-Maqedoni ka konturet e një miniblloku të drejtuar nga Rusia. Agjencia ruse shkruan se "siç tregojnë faktorët e mësipërm, bashkëpunimi i Serbisë dhe i Maqedonisë me Rusinë mund të transformohet në një bllok trepalësh ekonomik dhe mundet edhe politiko-ekonomik". Moska ka mbështetjen e fortë të lobeve të fuqishme ruse brenda qeverive të Serbisë dhe të Maqedonisë, të cilat pavarësisht se bëjnë deklarata besnikërie ndaj Brukselit, dashurinë e vërtetë e bëjnë me Rusinë. Është mirë t'i kujtojmë lexuesit se në vitin 1999 Parlamenti i Serbisë ka votuar për bashkimin e Serbisë me Rusinë dhe ky akt nuk është abroguar zyrtarisht akoma nga shteti kandidat i BE. Në vitin 2008 Presidenti i tanishëm i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka deklaruar se Serbia është më mirë të jetë provincë e Rusisë se sa anëtare e Bashkimit Europian.

Në 3 dhjetor 2014 Vojislav Sheshel, kryetari i Partisë Radikale Serbe, ku presidenti i tanishëm dhe kryeministri i tanishëm i Serbisë kanë qenë kuadro udhëheqëse, deklaroi për mediat maqedonase se "vizioni ynë strategjik është që Serbia, Maqedonia dhe Bullgaria t'i bashkohen një aleance me Rusinë". Me një fjalë, Moska në planifikimet e saj perspektive, pas ndërhyrjes brutale në Ukrainë parashikon krijimin e blloqeve të vogla strategjike në Ballkan, që do të kenë objektiv kundërvënien ndaj integrimit dhe ndaj orientimit euroatlantik të vendeve të Ballkanit. Moska po u ofron tani disa vendeve të Ballkanit Perëndimor integrimin me Rusinë si alternativë e integrimit me Bashkimin Europian.

Nuk është e rastit që Rusia e ka rritur dozën e ndërhyrjes diplomatike në punët e brendshme të shteteve të Ballkanit, duke kërkuar hapur që ata të distancohen nga integrimet europiane dhe atlantike. Janë dy momente të rëndësishme të kohëve të fundit.

Së pari, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, doli hapur kundër integrimit atlantik të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë-Hercegovinës në NATO, duke e cilësuar zgjerimin e NATO-s me këto vende si provokacion ndaj Rusisë. Bën përshtypje pse Moska u kujtua të dalë tani kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, në një kohë që Maqedonia ka qenë e gatshme të pranohet në NATO qysh në vitin 2008, kur ishte në një grup me Shqipërinë dhe Kroacinë, që morën ftesën në samitin atlantik të Bukureshtit. Bën gjithashtu përshtypje se qeveria e Shkupit heshti dhe nuk reagoi fare ndaj Moskës për këtë ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Së dyti, Rusia ka dalë hapur kundër nismës gjermano-britanike për zgjidhjen e krizës së Bosnjë-Hercegovinës dhe të ndihmës për integrimin europian të atij shteti. Rusia është i vetmi vend që ka kundërshtuar këtë nismë dhe siç njoftoi në 10 dhjetor përfaqësuesi i posaçëm i BE për Bosnjën, Valentin Inzko, Moska ka hedhur tezën se integrimi euroatlantik nuk është e vetmja perspektivë e Bosnjës. Është hera e parë që Moska del me këtë tezë rivendikuese në Ballkan, çka provon se Rusia po shkallëzon përpjekjet për të imponuar në vende të ndryshme të Ballkanit perspektivën e integrimit me Rusinë.

Janë sinjale që paralajmërojnë një intensitet dhe një agresivitet më të madh të politikës dhe të diplomacisë ruse në Ballkan. Eksperti rus për Ballkanin, Kostandin Kaçalin, kërcënonte perëndimin në "Regnum" në 13 dhjetor se nuk duhet harruar se në Ballkan historikisht janë të pranishëm edhe lojtarë të tjerë me influencë nga Lindja dhe erërat e Detit të Zi janë të afta të ftohin kokat e nxehta. Një nga këto erëra ruse, të nisura në drejtim të Ballkanit, është edhe projekti i një blloku Rusi-Serbi-Maqedoni. Erërat e ftohta, që sinoptika diplomatike njofton se po vijnë nga Deti i Zi apo nga stepat ruse, në fakt duhet të kthjellojnë vendimmarrësit në Ballkan, që t'i shohin shtetet dhe politikat e vendeve ballkanike siç janë dhe jo siç dëshirojnë ata që të jenë.
PETRIT HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ULIKSI RREFEN HISTORINE E TE ATIT, BEKIM FEHMIUTI biri i Bekim Fehmiut: Historia e sagës që lindi intelektualë e patriot (12.14.2014)
TAKIMI IM ME POETIN ESENIN -BIRINga ROZI THEOHARI—Boston (12.14.2014)
Le Monde - FUNDI I EPOKËS SË HASHIM THAÇIT TË GJITHËPUSHTETSHËM (12.13.2014)
MJESHTRI I LETRAVE, PENG I FATIT TË KEQ - MOS E LINI VETËM SKËNDER DRININShkrimtari 79-vjeçar ka rreth 2 javë që është në koma në Repartin e Reanimacionit (12.13.2014)
Leksion publik i Dr Gëzim Alpion në Londër'INTELEKTUALI DHE MALLKIMI I VEGJETIMIT - HARRESA E IMPONUAR NË VEPRËN LETRARE TË FATMIR TERZIUT' (12.13.2014)
NË TIRANË KËTO DITË MASIELA LUSHA, ARTISTJA QË LINDI NË SHQIPËRI DHE U RRIT NË HOLLIVUD (12.13.2014)
DRONI I QIELLIT TONËNga AHMET SHQARRI (12.12.2014)
JUSTINA ALIAJ RIKTHEHET NË SKENË, MBRËMJE GALA NË METROPOL (12.12.2014)
GJENDEMI NË KURTHIN E QOFTËLARGUT?Nga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (12.12.2014)
PSE TË MOS I NJOHIM PERSEKUTORËT DHE SPIUNËT TANËNga MARK MARKU (12.12.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]