E Hënë, 07.22.2019, 09:05pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
RE NË PANTALLONA
Poemë nga VLADIMIR MAJAKOVSKI
Përktheu dhe pajisi me shënime FASLLI HALITI

E Martë, 04.14.2015, 06:53am (GMT+1)


VLADIMIR MAJAKOVSKI

           1893 - 1930

 

Majakovskij (në rusisht: Владимир Владимирович Маяковский; Bagdad, 7 korrik 1893 – Moskë, 14 prill 1930) - poet e dramaturg sovjetik, këngëtar i revolucionit të Tetorit e interpreti më i madh i kursit të ri, ndërmarrë nga kultura ruse post-revolucionare.


__________________________________________________________

« I doja thellësisht poezitë e para  të Majakovskit. Në sfondin e farsave të kohës, serioziteti i tij i rëndë, i rreptë, akromatik, ishte kaq i pazakontë! Ishte një poezi e skalitur magjistralisht, demoniake dhe në të njëjtën kohë tmerrësisht e dënuar, pikëlluese, pothuajse ndihmëlutëse...»
                                                  Boris Pasternak
__________________________________________________________________


Pak shenime:

Edicioni i parë integral i Resë e cil pa dritën  e botimit në fillim të vitit 1918, përmbante një parathënie të autorit ku lexojmë:
Reja në pantallona ( me titullin fillestar Apostulli i trembëdhjetë, censura i hoqi vizën. Dhe unë nuk e preka. U mësova me titullin Re) mendoj se është katekizmi i artit të sotëm.
Poshtë dashuria juaj.
Poshtë arti juaj.
Poshtë regjimi juaj.          
Poshtë feja juaj: ja katër britmat e katër (pjesëve të poemthit)


Disa personazhe të shquar të kulturës ruse ( i dituri  Kornej Çukovskij, piktori Ilija Repin etj.) e njihnin tashmë  poemën Re në pantallona të cilën Majakovski e shkroi  midis majit dhe korrikut të vitit 1915, dhe u kishte recituar atyre  fragmente më shumë  ose më pak të gjatë, së bashku me tekste të tjera të tij: një lloj leximi  për të cilin u sajua termi «Majakokkala».
( Repini, u entuziazmua, duke i lënë mjaft të hutuar të pranishmit, e krahasoi Majakovskin  me Musorskin dhe, i propozoi t’i bënte portretin)
Majakovski bëri dhe një takim me Gorkin,  në afërsi të Mustamäkit, për të pasur një gjykim nga Gorki; dhe shkroi në autobiografinë e tij: « I recitova Gorkit, pjesë të «Resë» , Gorki, i prekur, më lagu  me lot gjithë zhilenë. E kisha tronditur me vargjet e mi. Unë u krenova mjaft.

______________________________________________



RE NË PANTALLONA

       (Тетраптих)
            
              TETRAPTIK
          
          1914-1915




PROLOG

Mendimin tuaj,
ëndërrues  në trurin e zbutur,
si një lake i dhjamur mbi një kanape pis
do ta vë në lojë mbi straçion e përgjakur të zemrës:
thumbues e i pacipë do ta tall pangopësisht.

S’ka në shpirtin tim asnjë fije floku, të bardhë
as edhe butësi pleqërie !
Duke mrekulluar universin me zërin tim të fortë,
unë eci – i bukur,
njëzet e dy vjeç plot.

Ju delikatë !
dashurinë e shtrini mbi violina.
I trashi  e vendosë mbi timbale.
Por s’ mund  ta përdridhni kurrë si unë,
që të jenë vetëm buzë kok’ e këmbë buzë!

Ejani, të mësosoni-                                   
nga  sallonin veshur me batistë,
nëpunëse  e denjë  e ligës engjëllore
ju që shfletoni buzët si kuzhinierja
faqet e librit të kuzhinës qetësisht.
 
Nëse dëshironi,
do të jem i tërbuar me një furi mishi,
dhe, si qielli duke ndryshuar tonet,
nëse doni,
do të jem i butë  përsosmërisht,
jo njeri, por re në pantallona!

S’mendoj se ekziston një Nicë floreale!  2  
Nga unë janë ekzaltuar prapë
burra  të rënë në limonti, si një spital
dhe gra të përdorura si një proverb bajat.

I

Ju mendoni se është jerm i malaries?

Kjo ngjau,
Ngjau në Odesë.

"Do të vij në katër," – tha Maria3.
Ora tetë.
Nëntë.
Dhjetë .

Po ja edhe mbrëmja                          
në llahtarinë e natës
iku larg, dritareve doli,
mbrëmje e vrejtur,
dhjetori.                      

Në shpinën e saj të rrënuar zgërdhihen e hingëllijnë
shandanët.
Në këtë çast s’do të mund të më njihnit:
një stivë nervash
rënkon,
përpëlitet.
Ç’mund të dojë ky shkrep?
Oh, ky shkrep ka tepër dëshira vërtet !

Në realitet s’ka rëndësi
që ti je prej bronzi
dhe zemra një pjastër hekuri e ftohtë.
Natën ka dëshirë ta fsheh zërin e vet
në një trup gruaje të butë,
të ngrohtë.

Por ja,
gjigant,
përkulem në dritare,
e shqetësoj me ballë qelqin.
Do të ketë  dashuri a s’do të ketë?
Dhe e ç’dimensioni, e madhe
apo e vogël do të jetë?


Një dashuri e madhe në një trup të tillë?
Me siguri një e vogël,
një dashurizë zemërbutë,
që shmanget nëse një makinë i bie borisë
dhe adhuron zilet e kuajve në ngut.              

Prapë dhe prapë,
duke u shtrënguar në shi,
me fytyrën në fytyrën e tij vrarëlije
pres,
e më spërkat gjemimi i dallgës së qytetit vetë.

Mesnata, duke u lëkundur me një thikë,
e arriti
dhe e theri në fyt:
jashtë, bërtiti!

Ra ora dymbëdhjetë
si nga trekëmbëshi koka e një të ekzekutuari
Në qelqet gri pikëza shiu
 u spërdrodhën me një ulërimë,
duke grumbulluar një përqeshje masive,
gati sikur ulëritën kimerat
kmbi katedralen e Notre-Dame të Parisit 4.           

E mallkuara!
E mirë,pra, ende nuk mjafton?
Pas pak nga një britmë do të shqyhet goja.
Ndjej
që pa zhurmë,
si një i sëmurë,
u hodh nga shtrati një nerv.
Dhe ja:

më parë shëtit   
pothuajse,  
pastaj merr vrapin,
i shqetësuar,
i saktë.
Dhe tani ai dhe afër tij dy të tjerë
përpëliten si një grifshë e dëshpëruar.
U shemb suvaja e katit përdhes menjëherë.  


Nerva
të mëdhenj,
të vegjël,
të shumëfishtë
hidhen të zemëruar
dhe një çast më pas
nuk mbahen më në këmbë të fiksuar.

Por natën gjithnjë e më shumë ngec në baltë nëpër dhomë, -
nuk mund të shkëputet nga balta syri i rënduar.

Befas, dyert zunë të kërcisnin krak;
hoteli nisi, të kërciste dhëmbët
nga të ftohtit dimërak.
 

Hyre ti
e mprehtë si një "ja ku jam!"
duke trazuar  dorashkat prej kamoshi me nervozizëm,
the:
"E dini,
unë do martohem."

Mirë, martohuni.
S’prish punë.
Do të bëhem i fortë.
E shikoni, unë jam kaq i qetë!
Si pulsi
i një të vdekuri jo më në jetë.

S’ju kujtohet?
Ju thoshit:   ?
"Xhek London 5
para,
dashuri,
pasion ", -
por unë pashë vetëm një gjë që njihja:
pashë tek ju Xhokondën
që duhej ta vidhja! 6

Por ju vodhën.
I dashuruar, do të rifutem në lojë,
duke ndriçuar me zjarr harkun e qerpikëve.
Mirë pra !
Edhe në një shtëpi e shkatërruar flakësh, ndonjëherë
banojnë të pastrehë të mjerë!


Doni të më ngacmoni?
«Më pak nga disa kopekë të një lypësi 7
janë smeraldet e çmendurive të tua»
E mbani mend?
U varros Pompei
kur  Vezuvi prej pompejasve u pezmatua!  8

Eh!
Zotërinj!
Diletantë
Sakrilegjesh,
krimesh,
masakrash,
keni parë vallë vetë
atë që është më e tmerrshme:
fytyrën time
kur
unë
jam absolutisht i qetë?

Dhe ndjej
që uni
për mua është pak,
Dikush nga unë lirohet me këmbënglje.

Alo!
Kush flet?
Mamaja
Mama!
Biri juaj është mrekullisht i sëmurë!
Mama!
Ka zjarrin e zemrës si duket.
Thuaju motrave Ljuda dhe Olja
se vëllai i tyre s’di më ku të futet.

Çdo fjalë,
gjer edhe çdo shaka
që lëshon nga goja përvëluese
si prostitutë lakuriqe hidhet
nga një shtëpi publike që digjet.

Njerëzit nuhasin:
erë djegësirë!
Grumbullohen ca tipa të çuditshëm.
Kuqëlues !
Me helmeta!
Për ç’qëllim ato çizme!
U thoni zjarrfikësve :
Mbi zemrën e ndezur  hipet me  ledhatime  ?

Do t’ia dal vetë.
Do të rrokullis si fuçi sytë e fryrë me lot.
Lërmëni të mbështetem ijëve të mia.
Do të kërcej, kërcej, kërcej, do të këcej tatëpjetë!
U rrëzuan.
S’ mund të kërceka njeriu nga zemra e vet!

Mbi fytyrën në flakë përtej
nga e çara e buzëve
një puthje e vogël e karbonizuar  rritet, të kërcejë .
 
Mama!
Nuk mund të këndoj si më parë.
Në kishëzën e zemrës altari ka marrë zjarr!

Statueta të djegura fjalësh dhe shifrash
brofin nga kafka
si fëmijë nga një ngrehinë që digjet.
Në formë jo të ndryshme
frika ngriti,
me ankthin që të kapeshin pas qiellit,
duart flakëruese të «Luzitanias» 9

drejt atyre që dridhen
në qetësinë e apartamenteve
me një qind sy një flakërimë turret për nga nga kalata.
Britmë e fundit,
së paku ti
rënko në shekuj që unë po digjem tani!

II          

Himnizomëni !
Nuk jam i barabartë me të mëdhenjtë.
Mbi gjithçka që u krijua
vë nihilin tim. 10
Nuk dua
të lexoj kurrë asgjë, pra.
Libra?
Por  ç’libra!

Dikur mendoja
që librat bëheshin kështu:
vjen një poet
hap gojën lehtësisht,
dhe befas fillon të këndojë i frymëzuar torollaku:
me hirin e Zotit natyrisht!

Po përkundrazi del se poetët
para se të zbrazen në këngën,
ecin, gjithë kallo nga bredhja e gjatë,
dhe butësisht pluskon në llumin e zemrës
tinka  idiote e imagjinatës së ngratë.  

Ndërsa duke gërvishtur rima, bëjnë të valojë
një çorbë me dashurira dhe bilbila,
rruga përdridhet pa gjuhë:
s’ka me kë të diskutojë e të bërtasë.

Ne ngremë prapë me krenari
kulla babiloneze qytetesh,     11
por Zoti
shemb përsëri
qytetet në fusha të lëruara,
duke i përzierë po vetë fjalët ai.

Rruga zvarriste në heshtje mundimin e saj.
Një britmë ngrihej nga fyti.
Fryheshin, të bllokuara nëpër gojën e saj,
taksi topolake dhe karroca rakitike.


I shtypën gjoksin.
Më keq se tuberkulozi.
Qyteti  e bllokoi rrugën me errësirë​​.


Dhe kur  rruga
- megjithatë! -
pështyu turmën mbi shesh,
pasi refuzoi një blasfemi
që i shqyente gojën, u duk
që midis korit të kryeengjëjve
Perëndia e plaçkitur  shkoi të vendosë drejtësi!

Por rruga u ul duke ulëritur:
"Të shkojmë ta shqyejmë!"     

Trukojnë qytetin Krupë dhe Krupër 12
me rrudha qerpikësh kërcënuese,
ndërsa në gojë
dekompozohen fjalë të vdekura.
Vetëm dy mbijetojnë, duke u dhjamur:
«horr»
si dhe një tjetër
që duket të jetë "supë."

Poetët,
të qullur në lot e dënesë,
ia mbathin së katrash,duke  shpupurisin flokët e tyre:
"Si mund të këndosh me dy fjalë të tilla pa finesë
zonjushën
dhe dashurinë
si dhe lulen e re nën vesë? "

Dhe prapa poetëve
turmat e rrugës:
studentë,
prostituta,
fermerë.

Zotërinj!
Stop!
Ju nuk jeni lypsa,
ju nuk guxoni të kërkoni lëmoshë!

Ne të fortët
me hap të fuqishëm
nuk kemi nevojë të dëgjojmë sigurisht,
por më tepër të shkulim ata që si shtojcë falas, pa pagesë
i futen çdo krevati dopio,
paturpësish në mes !

Do të duhej, vallë, të lutemi atyr me përulësi:  
"Nndihmonani?"
T’u lutuni për një himn,
për një oratorio?
Ne vetë jemi krijues të himnit të zjarrtë,
të zhurma së fabrikës dhe e laboratorit.
Ç’më duhet Fausti
që në një pështjellim raketash
rrëshqet me Mefistofelin në dyshemenë e qiellit!
Unë e di
se një gozhdë në çizmen time  
është më e tmerrshme nga imagjinata e Gëtes gjeni!  13

Unë që kam gojë të artë  14
më shumë se kushdo tjetër
dhe me çdo fjalë
rigjeneroj shpirtin
dhe i jap një ditë emri trupit,
ju them:
grimca më e vogël e pluhurit e një të gjalli
vlen më shumë se ajo që kam bërë e që do të bëj.

Dëgjoni!
Predikon,
Duke u tundur e rënkuar,
Zarathustra i sotëm me buzë ulëritëse!   15

Ne  
me fytyrë, si  çarçaf të fjetur,
me buzë të varura si llambadarë,
ne,
të dënuarit e qytetit-lebrozian,  
ku ar dhe baltë kanë ulçeruar lebrën,
ne jemi më të kulluar se bluja e qiellit venecian.
larë dikur nga detet dhe diejt !

Aq më bën
nëse në Homerët dhe në Ovidë
nuk ka njerëz si ne,
vrarëlie dhe të mbuluar me blozë.
unë e di
dielli do të ngrysej po të shihte
fushat e shpirtrave tanë ar, flori!

Muskujt dhe nervat janë më të sigurt se të gjitha lutjet
Do duhej të kërkonim hiret nga koha?
Cilido  
nga ne
mban në të pesë gishtat e tij
rripat motorikë të botëve!

Kjo më bëri të ngjitem mbi Golgotën e auditorëve
të Petrogradit, Moskës, Odesës, Kievit16
dhe nuk qe as edhe një
i cili  
të mos bërtiste:
"Kryqëzoje,
Kryqëzoje atë ! "

Por mua
ju njerëz,
përfshi dhe ata që më kanë fyer;
jeni më të shtrenjtë e më të afërt nga çdo gjë tjetër që secili njeh.
Keni parë
se si qeni  lëpin dorën që e rreh?!

Unë,
i përqeshur nga brezi i sotëm
si një anekdotë
e paturpshme,
e ashpër,
e gjatë  shumë,
shoh të vijë nëpër malet e kohës
dikush që askush nuk e sheh si unë.
 
Atje ku syri i njerëzve ndalet i pafuqishëm,
në krye të një luzme të uritur
me kurorën me gjemba të revolucioneve
 përparon viti gjashtëmbëdhjetë.

Dhe unë pranë jush, jam pararendësi i tij  17  
unë jam përherë atje ku ka vuajtje:
mbi çdo pikë loti që pikon
kam vendosur në kryq veten time.       
Tashmë s’mundet të fal më asgjë
Unë kam ndezur shpirtrat, atje ku kultivohet dhembshuria.
Kjo është më e vështirë  se sa të marrësh
Mijëra e mijëra Bastilja!    18

Dhe kur,
duke shpallur me një rebelim
ardhjen e tij,
do t’i dilni para Shpëtimtarit,
unë
do t’ju shqyej shpirtin
dhe pasi ta kem shkelur
që të bëhet i madh,
do t’jua jap si një flamur të përgjakur!


III    
 

Ah, për ç’arsye
aty ku   
në harenë e ndritshme
ky sulm  grushtesh të ndyrë ?

Erdhi  
Dhe më mbuloi kokën me dëshpërim
mendimi i çmendinave.

Dhe  
ashtu si në mbytjen e një luftanije 19
midis spazmave mbytëse
marinarët lëshohen drejt baxhës së hapur së katrash,
kështu nëpërmjet syrit të tij të shqyer
 gjer në ulërimë ngjitej i çmendur, Burliuku 20.

Gati duke përgjakur qepallat e gërryera nga lotët,
u zvarriti s’andejmi jashtë,
u çua në këmbë,
lëvizi
dhe me butësi të papritur në një njeri yndyrë
më mori dhe tha:
"Mirë!" 21

Mirë, kur një bluzë e verdhë   22
mbron shpirtin nga shumë vështrime!
Mirë,
Kur, hidhur midis dhëmbëve të trekëmbëshit,
thirrja vjen:
"Pini kakao van Houten!"   23

Dhe këtë moment
bengalik,  24
të thekshëm
nuk do ta këmbeja me asgjë,
as edhe me…                                     

Por nga tymi i një cigareje
Si një gotë e vogël likeri
U zgjat fytyra  e dehur e Severjaninit  25.

Si guxoni ta quani veten poet
dhe, mediokër, të angullini si një çotës?
Sot,
duhet
si një grusht hekuri
të depërtosh në kafkën e botës!

Ju,
të turbulluar nga mendimi i vetëm
që të vallëzoni me elegancë së pari,
vështroni si argëtohem unë
unë,
hileqar bixhozi
dhe kodosh pazari!

Nga ju
që jeni bërë qull nga dashuria,
nga ju
që në shekuj do të derdhnit lot
unë do të shkëputem
duke vendosur diellin
si një monokël në syrin tim të çapëluar.     

I kamufluar në  një mënyrë të pabesueshme ,
do të shkoj që këtu nëpër tokë
që të zgjoj kënaqësi e të përflakem mirë.
Dhe si një këlysh do të marr me vete
Napoleonin në zinxhir.

E gjithë toka, duke u shtrirë si një grua,
do të tundë mishrat e saj, e dëshiruar të jepet;
gjërat do të gjallërohen sa s’ka,
buzët e sendeve
do të belbëzojnë:
«zaza, zaza, zaza»
 
Befas
retë e zeza
dhe teprica e grumbullit të reve
ngritën në qiell një gjëmim të jashtëzakonshëm tmerr
sikur punëtorë të bardhë të ndaheshin,
pasi të kishin deklaruar një grevë të zemëruar në qiell.

Një bubullimë prapa një reje u zvarrit jashtë e xhindosur,
fryu flegrat e stërmëdha me pamje provokuese,
dhe fytyra e qiellit u rrudhos për një çast
me një grimasë prej Bismarku të hekurt27

Dhe dikush,
që ishte varur në litarët e reve kërcënuese,
zgjati krahët drejt një kafeje
me sjellje gruaje fisnike
dhe gati e përzemërt,  
dhe gati si të ishte mbajtëse topi metalike.

Ju mendoni
se është dielli që i jep butësisht
një përkëdheli faqes së kafesë?
Dhe përkundrazi të pushkatojë rebelët vetë
vjen gjeneral Galifet! 28

Nxirrni, përtacë, duart nga pantallonat:
merrni një gur, një thikë, një bombë  a pallë,
dhe nëse dikush është pa duar,
mbase ka ardhur të luftojë me ballë!

Çohuni, të uritur,
qull në djersë,
të përulur,
të ashpërsuar në zdrale plot pleshta!
Çohuni!
Të hënat dhe të martat me gjak
do t’i ngjyejmë për festa!

Në thikat toka  le të kujtojë
ai që donte ta bënte të rëndomtë !
Toka,
majmur si një dashnore
mbi të cilën Rothschildi 29 shfryu epshet burrërore!

Pse valëviten flamujt në ethet e shkarkimeve,
si në çdo festë të respektuar,
ju shtylla elektrike, ngrini në majë,
Kufomat e përgjakshme të biznesmenëve të mallkuar.

Blasfemonte,
lutej,
ngrinte,
kacavirrej pas dikujt
për t’i kafshuar ijët.

Mbi kupën e kuqe të qiellit, si Marsejeza,30
dridhej, duke dhënë shpirt  perëndimi.

Tashmë marrëzia.

Asgjë më s’do të ketë

Nata  do të vijë
Të  brejë
Dhe të hajë
A e shihni? Si një Judë
shet qiellin përsëri
për  një  grusht yjesh spërkatur me tradhti.

Erdhi.
Bën gosti në mënyrën e Mamajt,  31
Zë vend mbi qytet.
Nuk do t’ia dalim të thyejmë me sy
këtë natë të zezë si Azëv!  32

Strukem në fund të një taverne,
ujit me verë shpirtin dhe mbulesën e tavolinës
dhe shoh
në një qoshe sy të rrumbullakët.
Nëna e Zotit u gozhdua me sy në  zemrën  time,

Pse t’i bëj dhuratë fundrinës së tavernës
një aureolë të pikturuar sipas një stampe?
Shiko? Ende dhe një herë
preferojnë Barabanë
se sa martirin e Golgotës mbuluar me pështyma.

Unë, mbase, qëllimisht
në grumbullin e njerëzve
nuk e kam fytyrën më të re se ajo e të tjerëve.
Unë,
mbase,
jam më i bukuri
nga gjithë fëmijët e tu.

Jepu atyre,
të mykur në gëzime,
një vdekje të shpejtë të kohës,
sepse fëmijët që duhet të rriten,
po qenë djem, të bëhen baballarë,
po qenë vajza të mbeten me barrë.
Dhe bëjnë që të sapolindurit mbulohen
nga thinjat vëzhguese të mbretërve Magë,
ata do të vijnë të pagëzojnë fëmijët
me emrat e vargjeve të mi.

Unë, që lartësova makinën dhe Anglinë,
mbase thjesht jam vetë
në ungjillin më të rëndomtë
apostulli i trembëdhjetë.  33

Dhe kur zëri im
klith paturpësisht
nga një çast në tjetrin
gjatë gjithë ditës pa pushim,
ndoshta Jezu Krishti nuhat
lulet e kaltra të shpirtit tim  34.      


IV  


Maria! Maria! Maria! 35

Lërmë të hyj, Maria!

Nuk mund të rri në rrugë!

Nuk do?
Ti pret
që me faqet e groposura,
të shijuara
pa shije,
nga të gjithë,
të vij
të përtyp pa dhëmbë fjalët:
«Sot jam
i ndershëm përsosmërisht.»

Maria,
Shiko:
kam filluar të kërrusem.

Në rrugët
njerëzit do të çajnë dhjamin në gushat e tyre
me katër kate
do të nxjerrin syçkat  
të lodhur nga dyzet vjet konsumim,
për të injoruar njeri-tjetrit duke u zgërdhirë  
që midis dhëmbëve të mi  
- përsëri! -
është buka bajate e miklimit të djeshëm.

Hajdut i qullur, rrethuar nga pellgjet,
shiu, duke spërkatur dëneset mbi trotuare,
lëpin kadavrat e rrugëve të keqtrajtuara  nga çaklli,
dhe mbi qerpikët e thinjura
- po! -
mbi qerpikë heje akulli
pikojnë lot nga sytë
- Po! -
Nga sytë e përulur të ullukëve.

Thithi gjithë këmbësorët turiri i shiut,
ndërsa në karroca  ndriste një radhë e dhjamur
atletësh:
Pëlcisnin disa,
dendeshin sa s’pëlcisnin,
dhe përmes plasave kullonte salloja
si një lumë i turbullt drenonte nga karrocat,
së bashku me një bukë të copëtuar,
përtypja e kotëletave bajate.

Maria !
Si të ngul një fjalë të ëmbël në veshin e tyre të dhjamur?
Zogu
ikën duke lypur me një këngë,

këndon,
i uritur dhe fishkëllyes,
por unë jam njeri i thjeshtë,
Maria,
gëlbazur nga nata tuberkulare në dorën e pistë të Presnjas  37     

Maria, e do një njeri të tillë?
Lërmë të futem, Maria!
Me ngërçin e gishtave do të shtrëngoj gojën metalike
të ziles!

Maria!

Po bëhen mizore të egra kullotat e rrugëve.
Mbi qafë si një gërvimë gishtat e turmës.

Hapi!

Më dhembin !

Shiko ? U gozhduan në sytë e mi
karficat e kapelave të grave!

Më la të hyj.

Vogëlushe !
Mos u tremb
nëse mbi qafën time prej kau
ulen si një mal i lagësht gra me bark të djersitur:
kjo ndodh ngaqë gjatë jetës unë tërheq
miliona dashuri të mëdha, të virgjëra,
miliona e miliona dashuri të vogla, dashuriçka të ndotura.

Mos u tremb
nëse edhe një herë   
në kohën e keqe të  tradhtisë
do të shtrëngohem pas mijëra  fytyrëzash të këndshme.
«Adhuruese të Majakovskit!»"
por kjo është vërtetë një dinasti
mbretëreshash ngjitur  në zemrën e një të çmeduri.

Maria, më afër!

Me zhveshje të paturpshme
ose me një lemeri drithëruese
jepmë hijeshinë e kolme të buzëve të tua:
unë dhe zemra ime nuk kemi jetuar as edhe një herë deri në maj,


Dhe në jetën time të shkuar
ka vetëm njëqind prille.                    

Maria!
Poeti i këndon sonete Tjanës,38
ndërsa unë,
krejtjtësisht mish,
krejtësisht  njeri,
kërkoj thjeshtësisht trupin tënd,
siç kërkojnë të krishterët:
«bukën tonë të përditshme,
jepna sot. »

Maria, jepma!

Maria!
Unë trembem se mos harroj emrin tënd
si një poet që ka frikë mos harrojë
ndonjë
fjalë të lindur midis  mundimeve të netëve,
e njëjtë për nga madhësia me Perëndinë.
Trupin tënd
unë do të di ta ruaj e do ta dua  
si një ushtar
sfilitur nga lufta,
i padobishëm më
për askënd,
kujdeset për këmbën e tij të vetme.

Maria,
nuk do?

Nuk do?

Ah!

Atëherë përsëri,
i trishtuar dhe i zymtë,
unë do të marr zemrën time
dhe duke e larë me lot,
do ta çoj
siç çon
një qen
në koliben e vet
putrën e shtypur nga një tren.

Me gjakun e zemrës do të gëzoj rrugën,
Lule gjaku do t’i ngjiten pluhurit të xhaketës sime.
mijëra herë do të vallëzojë si Herodiada
dhe dielli rreth tokës
kafkë e Pagëzorit.   39

Dhe kur do të mbarojë së vallëzuari
numri i viteve të mia,
me një milion pika gjaku do të mbulohet gjurma
që të çon në shtëpinë e Atit tim.

Do të dal jashtë
i ndotur ( netëve të kaluara nëpër vada),
do të vihem përbri tij,
do të përkulem
për t’i thënë në njërin vesh:
Dëgjoni, zoti Perëndi!

A s’ju mërzit
të lagni çdo ditë
në komposton e reve sytë e dhjamur?  
Hajt, të vendosim së bashku
të bëjmë një karusel
në pemën e njohjes së të Mirës dhe të Keqes!
I gjithëpranishëm, do të jesh në çdo gardërobë,
dhe në tavolinë dhe do të vëmë verëra të tilla
sa dhe të vetullngrysurit Apostullit Pjetër,
do t’i lindë dëshira të kërcejë një ki-ka-pù.40
Dhe në parajsë përsëri do të presim Evushkat:
mjafton që ti të japësh urdhër  
dhe po sonte
do të të sjell një mizëri të madhe
nga të gjitha rrugët, vajzat më të bukura.
A do?

Nuk do?
Tund kokën me flokë?
Vrenjt qerpikët e thinjur?
Ti mendon
se ai me krahë
që të qëndron prapa
e di ç’është dashuria?

Edhe unë jam një engjëll, unë isha i tillë,
shikoja në sy si një qengj i sheqertë,  
por nuk dua t’u jap më pelave
vazot e bëra me miellin e Sèvres-it.41  

I plotfuqishëm që ke shpikur një palë krahë
dhe ke bërë që cilido
të kishte kokën e vet,
po përse nuk shpike një mënyrë që pa mundim,
të puthemi, të puthemi dhe të riputhemi
pa pushim?!
Mendova që ti ishe një Zot i madh, i plotfuqishëm,
por përkundrazi qenke  idiot,  një Zotth i vogël.
Shih, unë kërrusem,
pas këmbales
nxjerr thikën e këpucarit.

Shpejt zuzarë!
Strukuni në parajsë!
Shpupurisni puplat tuaja në një tronditje drithërime!
Ty, i nginjur me temjan, unë do të të shqyej
që këtu e deri në Alaskë!

Lërmëni !

Mos më ndalni.
Qoftë  edhe po të gënjej vetë
ose të gjendem në të drejtën time,
nuk do të mundja të isha më i qetë.

Shikoni:

kanë prerë prapë kokat e yjeve,
duke përgjakur qiellin si një thertore!
Eh, ju!
Qiell!
Hiqni kapelën!
Po iki unë!

I shurdhër.

Universi fle,
duke mbështetur mbi putër
veshin vigan me këpusha  yjesh.



Përktheu: Faslli Haliti


Mars  2012 – mars 2015





SHENIME


Shënimet e kapitullit:    


I


2.  Në Nicë (Francë), ka ende  dhe sot një treg  të famshëm lulesh.
3. Është fjala për të renë Marija Denisova, me të cilën Majakovski ra në dashuri gjatë një ndalese në Odesë në janar 1914."Maria" është  përmendur dhe një herë tjetër në Pjesën IV.
4. Në fasadën e katedrales dhe "Galeria e kimerave", e përbërë nga statujat e frikshme të monstrave mitologjikë të bashkuara me figura të tjera groteske. Me funksion të kokës së ullukut, janë bërë nga arkitekti Eugene Viollet-le-Duc (1814-1879).  
5. Jack London, pseudonim i John Griffith Chaney London (1876-1916), dhe një nga shkrimtarët amerikanë më të mëdhenj e  më të njohur. Të tijët janë, bie fjala, romanet “Dhëmbi i bardhë”, “Kushtrimi i të parëve”.
6. Kryevepra e Leonardo da Vinçit, Mona Liza u vodh më 21 gusht 1911 nga italiani Vincenzo
Peruggia, i cili e mori atë nga Muzeu Louvre në Paris dhe u kthye dy vjet më vonë.
7. kopekësh, ose Kopek, dhe të njëqindtën pjesë e një rubla. (N.d.C.)
8 shpërthim i Vezuvit varrosi qytetin e Pompeit në 79 para Krishtit (N.d.C.)
9. “Luzitania” ishte  emri i një anijeje pasagjerësh angleze që u mbyt pranë   bregut irlandez nga një nëndetëse gjermane më 7 maj 1915. Ky aksident kontribuoi  në futjen në luftë të  Shteteve të Bashkuara  të Amerikës.

Shënimet e kapitullit:

II

10. Në Rusi, nga gjysma e dytë e shek.XIX u afirmua nihilizmi midis intelektualëve të rinj (nga latinishtja nihil, asgjë), i cili mohoi ekzistencën e ndonjë vlerë dhe të së vërtetës,  si krishtërimi.
11. Referim për Kullën e Babelit: Zanafilla 11:1-9.
12. Nga emri i familjes gjermane që jepte furnizime me topa, armë dhe municione.

13. Poeti gjerman Johann Wolfgang von Goethe ( 1749-1832 )  punoi për më shumë se gjashtëdhjetë vjet poemën epike Faust, teksti i plotë i së cilës u botua pas vdekjes. Fabula mbështetet mbi një lloj legjende rreth alkimistit Johann Faust, i cili u zhduk në mënyrë misterioze më 1540, dhe u bë më vonë subjekt i rrëfimeve popullore dhe e një tragjedie të anglezit  C. Marlowe. Në poemë, Fausti  ka një etje të pashtershme për dije dhe tension të madh në drejtim të pafundësisë. Për të kënaqur ato, ai pranon një pakt me djallin, Mefistofel, të cilit do t’i japë shpirtin për të kënaqur dëshirën e tij për arritje. Në shtratin e vdekjes, megjithatë, Perëndia do të shpëtojë shpirtin e Faustit sepse padurimi i tij me kufijtë e ndërgjegjes dhe përpjekje për të kapërcyer ato janë konsideruar aspirata fisnike dhe pozitive.

14. "Gojëart" është  një shprehje e përdorur nga Kisha për të treguar shenjtorët me gojëtari të madhe, si Shën Gjoni i Antiokisë, i quajtur "Gojarti", një fjalë e cila në lashtësinë greke (khrysóstomos) fjalë për fjalë Gojë e artë.

15. Zoroasteri ose Zarathustra (630-532 p.e.s.), profet persian dhe themelues i një feje dualiste.
(Zorostrismo)  i quajtur këtu në kuptimin  "predikues".
16. Kjo i referohet një udhëtimi që Majakovski dhe poetët e tjerë futuristë bënë në  Rusi nga fundi i 1913 dhe fillimi i 1914. Shfaqjet e tyre gjithmonë janë kritikuar ashpër.
17. Këtu Majakovski krahasohet me Pararendësin, d.m.th. Shën Gjon Pagëzorin.


Shënimet e kapituli:


III  


18. Marrja e  Bastijes ndodhur në Paris më 14 korrik 1789 nga ana e një mijë revolucionarëve të cilët asgjësuan njëqind e katërmbëdhjetë ushtarë që ruanin  një duzinë të burgosurish. Vlera e ngjarjes ishte pra thjesht simbolike se Bastija  përfaqësonte fuqinë mbretërore franceze, pasi kishte qenë në fillim banesë e mbretërve të Francës dhe më vonë burg.

19. Anijet HMS luftanije e koracuar (" mos u tremb nga asgjë ") ishin luftanije të Marinës ushtarake britanike. Nga shek. XVI  në 1906  u nisën gjashtë prej tyre, e fundit e të cilave ishte e para anije luftarake monokalibër dhe e para anije e blinduar që do të operonte vetëm nga turbinat me avull. Qe një anije kaq revolucionare sa emri i saj u bë një term i përgjithshëm për anije moderne për  beteja.
20. Poeti dhe piktori David Burliuku (1886 ? -1967), themelues i lëvizjes futuriste në Rusi, kishte humbur një sy në fëmijëri. Ishte një mik i ngushtë i Majakovskit.
21. Mirë ! është titulli i një poemë të Majakovskit.
22. Futuristët rusë deklaronin  vargjet të tyre në rrugë veshur ekstravagantë. E famshme  ishte xhaketa e verdhë e Majakovskit dhe ndërrimi  i tij si një bletë (e verdhë dhe e zezë) me fytyrën e tij të lyer.
23. Sipas gazetave të kohës, një person i dënuar me vdekje tha këtë frazë para ekzekutimit dhe për publicitetin, kompania holandeze ëmbëltore Van Houten i premtoi një shumë të madhe familjes së dënuarit me vdekje.
24. Ashtu si një fishekzjarr, një shpërthim.

25. Igor Severjanini, pseudonim i Igor Vasiljeviç Lotarjev (1887-1942) ishte një poet  nga Petersburgu, shumë  popullor  në atë kohë, po i  kritikuar nga futuristët se lavdëronte  në odat e  veta  luksin  dhe pasurinë.

27. Otto Eduard Leopold von Bismarck (1815-1898), themelues dhe kancelari i parë i Perandorisë Gjermane, kishte nofkën "Kancelari i hekurt".

28. Në maj të vitin 1871, gjenerali francez Gaston Alexandre Auguste, markez i Galliffet (1830-1909). Udhëhoqi shtypjen e egër kundër revolucionarëve të Komunës së Parisit, e cila mori fund  me më shumë se 30.000 të vdekur,  50.000 të ekzekutuar dhe të burgosur, 7.000 të internuar në Kaledoninë e Re. Pas kësaj Galliffet kishte reputacionin e njeriut të fortë, dhe armiqësinë e vazhdueshme të së majtës politike.
29. Rothsçajlldët ishin shumë të njohur dhe bankierët të pasur të shek. XIX     që kontrollonin pak a shumë drejtpërdrejt politikat e vendeve që financonin.

30. Marsenjeza ishte një këngë (Chant de guerre pour l' arme du Rhin) u bë “thirrje për të rrokur armët” e Revolucionit Francez, mori emrin e Marsejezës për arsye se këndohet në rrugë nga vullnetarët (fédérés) nga Marseja deri në mbërritjen e tyre në Paris. Tani është himni kombëtar francez.

31. Mamai ishte udhëheqës i mongolëve - Tatarët në fund të shek. XIV. Për Hordhinë e artë lulëzuan shumë legjenda duke përfshirë, atë që  pas një beteje,  kani e kishte zakon  të hante  drekën e gostisë, i ulur mbi shpinën e të mundurve. Kjo anekdotë  lidhet shpesh me Xhenxhis Kanin, i cili në vitin 1223 ishte fitues i betejës së lumit Kalka ( në veri të Detit Azov ) kundër princave ruse.

32. Azevi (1869-1918 ) ishte një spiun i famshëm i policisë dhe një provokator. Që nga ajo kohë  emri i tij është përdorur si një sinonim për tradhtar
33. “Apostulli i trembëdhjetë” ishte titulli origjinal i kësaj poeme, por ai u refuzua nga censura cariste.
34. Është fjala për lulet e njohura  me emrin “lule mos më prek”.  

Shenimet e kapitullit:

IV

35. Kjo Maria (Marija) dhe një poeteshë e Moskës, jo vajza e re  e cituar në fillim të  poemës.

38. Tjana (i shkurtër për Tatjana) ishte titulli i një koleksioni të poezive të Severjaninit, botuar në vitin 1913.

39. Në ungjijtë (14.3-11 Mt dhe Mk 6.17-28), është Salomeja, bija e Herod Filipit dhe Herodiadës, ajo që kërcen dhe fiton si shpërblim kokën e prerë të Gjon Pagëzorit.

40. Valle ekzotike popullore lindore, popullore në atë kohë.
41. Porcellani i Sevresit (Francia).



Përktheu: FASLLI HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Përkujtim:BEDRI DEDJA PEDAGOG DHE BOTUES I SHQUAR E SHUMËPLANËSHNga Prof. MURAT GECAJ (04.14.2015)
NDËRRON JETË NOBELISTI GÜNTER GRASS (04.13.2015)
SHËNIME PËR TAULANTIN - FLETORJA E DYTË E DITARIT (Fragmente)Nga Prof. BEDRI DEDJA (04.13.2015)
TIRANA IME E VOGEL {sa e vogel ne Universin e madh}Nga EGLANTNA MANDIA (04.13.2015)
KUSHTIME SHPIRTËRORECikël poetik nga ASLLAN DIBRANI (04.11.2015)
MENATË VIJNË LEJLEKËTCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (04.10.2015)
EGZOTIZMI DHE "UNI"Esse nga THANI NAQO (04.09.2015)
PEIZAZH KANADEZFragment nga libri 'Fytyra e dashurisë'Nga EGLANTINA MANDIA (04.09.2015)
KONICA REAGONTE NDAJ PUSHTIMIT ITALIAN - NJË BOKSIER NUK E RRËZON PËRTOKË NJË FËMIJË (04.09.2015)
KONKURS NDËRKOMBËTAR - POJANAKU FITON ÇMIMIN SPECIAL 'POEZIA E POPUJVE' (04.08.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2019  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 

 
VOAL
[Shko lart]