VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - MËRGIMTAR MËKATAR, MIJËRA VARRE BOSH KE LËNË TICikël me poezi nga FLORI BRUQI

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 02:24am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

MËRGIMTAR MËKATAR, MIJËRA VARRE BOSH KE LËNË TI

Cikël me poezi nga FLORI BRUQI


E Martë, 07.12.2011, 02:42pm (GMT+1)

 

PORTRETI I NËNËS

 

"Nënë për ta shpëtuar jetën Ty,dhashë lëkurën e do ta jepja edhe shpirtin"(Prof.dr.sci.Mirlin Bruqi)

 

Nga qytetet e fshatrat e largëta vijnë

Banorë(të përkohshëm)në Prishtinë

Pleq

Plaka

Të reja

Të rinj

Me shporta të vogla në duar

Vijnë çdo të diel

Vijnë(ndoshta)çdo ditë

Te dera e Spitalit

Në orën 14

Gumëzhijnë korridoret

Nga hapat e tyre

Zhurmojnë pavijonet

Korridoreve...

Zvarritët rrëqanthi vdekja

Në dhoma hyn shqetësimi

Secili me de(r)t

Për të afërmin e vet

Kështu çdo të diel

Kështu çdo ditë

Në orën 14

Burbuqja kurajon Nënën

Mirlindi jep lëkurën e vet

Për ri(ngjalljen)e Saj

Të afërmit shërim i dëshirojnë

Të tjerët shpresojnë...

Ja dhoma...

Ora mbi radio

Trëndafilat e freskët

Mbi tavolinë

Tok(gati) e gjithë familja

Babai qëndron e mejton

Ndoshta...

Kujton profiling e dhëndrrit

Ja rrudhat e nënës sime

(Kujtoj zënkën e prindërve për mua)

Tik-taku i orës

Dikur pushon

Në orën 4 të mëngjesit

Një qetësi...

Unë

Kam parasysh

Profilin e fëmijëve të mi

Shoh në sy

Profilin e Granitit e Diamantit

Mullarët e sanës

Në oborrin e braktisur

Ja(gati) e gjithë familja

Mungon(vetëm fizikisht)Ajo

Mungon Nëna ime

Në dhoma hyn:

Ajri

Drita

Dashuria

Jeta

Shokët

Shoqet

Babai

Të dashurit....

****

Dhe një hije

Më ndjek pas

Shëndijë kohe

Profil i Nënës

Zjarr i Diellit!

 

 

RREZE DRITE

 

Për Ty nga zemra

këtë poezi po e rris

asnjë hije muzgu

nuk i fus brenda

Ti kërkon dritë

se ishe dritë

siç janë dritë

të gjitha nënat

Vije Ti

çdo mbrëmje

duke më pëshpëritur:

-Natën e mire bir

çelësin mos ia vë derës

do të vijë nëna

(Gjumin pa ta prishur)

me hapa të pranverës

Biro

të të shoh mos je shpluar

kur ike

Unë të putha

a thua më ke ndjerë

ndoshta vetëm koha

si rreze drite

në mua t'paska mbetur

Këtë poezi Nënë

nga zemra e shkrova

dhe hije azhuri

s'i futa Brenda

Ti kërkon dritë

se ishe Dritë

siç janë Drita

të gjitha Nënat

 

 

LAJTMOTIV I SINQERTË

 

U këndoj të thjeshtave

të urtave

fjalës së dashur

dritës së qartë

të gjitha ëndrrave

më ljtmotiv të sinqertë

të gjitha këngëve

përherë me krryerresht

Femrave

Ejani në këngë

Nëna dhe motra

të dashura gra

hyni në këngë

në lindëm nga këngët Tuaja

nga zëri Juaj

morëm këmbë

 

 

LIRI FJALE

 

Në ditën e takimit me fole

më zë tjetër

dhe unë çuditërisht prapë erdha

nga zemra të të shoh e të puthi

si Diellin kopshtin me lule

përse qe aq e ashpër

Mos vallë në qytetin tend ilirik të ndjekin

qentë e tërbuar

ndonjë hije nate

apo do të mbetesh

e mbyllur sal për vete

Arti nuk të do të vetmuar

as muzikë s'mund të ndjesh

një buzëqeshje do të kërkoj prore

dhe karafila do të dhuroj

e puthje të ngrohta

Mos hesht as mos ik lulebore

sigurisht ti do të qesh një ditë

dhe lufta mes unit tend e urrejtjes

do të çmend ty të tërën

vetëm jam dhe pres të vish...

 

QYTETI KU TË PRITA

 

U ndala ballë Spitalit të Prishtinës

hipa si Orfeu në altar

dy vargje të t'i them

më zërin e shterur nga shqetësimi

Dhe unë e pashë qytetin tend

më një dallendyshe fola më beso

dhe ikem të dytë e më tepër ike ti

Unë prapë jam aty ku më ke lenë

në Sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë

vallëzoj më hijet

nuk e di cilën ta përkdhel

Ti nuk je

retë mbi qytet me nevrikosin

dhe shiu më lag bashkë me vargjet

Një ditë në një orë dilë e takohemi

kiamet nuk bëhet

nuk bëhet as qyteti det

I mërzitur rri i fyer jam

pres dashurinë tënde

e të fle mbi gjinjtë e tu

Mbi buzët e tua të zë një ëndërr

të kërkoj t'i ha aat sy me vargje

Po vargjet nuk kanë faj

që ti nuk i ndjen asnjë grime

mos ik mos u fsheh e as zërin mos e ndërro!...

 

 

AKUARELI I DIELLIT

 

Iku Tetëmbëdhjetë vjeçare

E bukur S...

Si hëna pesëmbëdhjetë

Në fletore shkroi vjershën

Për Mëngjesin në Prishtinë

I pëlqyen soliterët e lartë

Dhe shtëpitë plot blozë

Tjegullat e çative të ulta

Me myshqe të venitura

Shtegu i fushës kujtonte nënën

Më këmbë t'amputuar

Dhe Agimin e madh pas shiut

Që lëkundin pemët në zgavra

Në Prishtinë..

Ajo me gishtin tregues vizatoi

Në xhamat e ateles

Profilin e babait plak-Metë

Pastaj e fshiu me dorë

Dhe dorën e puthi

Kur u kthye në vendlindje

Vuri pëlhurën pas një karroje me sanë

Në kalldrëm...

Dhe vizatoi dridhshëm

një rrugicë fshati në muzg

Në agimin e azhurtë

Hapi dritaren

Rrotulloi çuditshëm

Lindjen e Diellit

Hijet në vetminë e rrugës

Dallëndyshet

Një pikë vesë

Në mbremjën e majit

Ngriti penelin

Dhe e ngjeu në Akuarelin e Hënës

Pikturoi rrugën

Me baltë të Strellcit

Durakun plak

Kopshtet me dardhë

Fshatarët e vyer

Me drapërinj në duar

Shtëpi me dyer të rënda

Strehë me borë

Hapësira bojë gushëpëllumbi

Nga fshatrat malorë...

 

 

MENDIM I KREDHUR

 

Shpirti i Saj

Një lëndinë Qershori

Selvitë ndanë rrugës

Trupin e saj imitojnë

E dua atë

Era viteve

Buzët do t'ia vyshkë

Reliefin e kuq të mollëzave

Vizat e rudhave do t'ia prishin

Por

Megjithatë e dua

Sot

Kur me të jam i dritëzuar

Në shpirtin e përjetshëm

Jam i rrethuar edhe më njomësi

Edhe me rrudha

Nga pranvera e syve

Margaritarë të Saj

 

 

REKUEM I PËRLIGJUR

 

Prej gjakut e zemrës s'mund të dalë

siç u dogjën të tjerët s'dua të digjem

ç'donin ziliqarët në kopshtin e Edenit

mollën e Eridës në dorë që më lanë

ditë pas dite prej zemërimit të përligjur

nga trishtimi

Zeusi s'e fal Prometeun

pa ia treguar fshehurisht intrigën

dashuritë digjen e përvëlohen

sa fort

brenda çdo ëndrre vuan zemra vetë

udhë u deshën që djajtë të risjellin

poshtërimin e zbritur nga Olimpi i lartë

të lënë shtrëgatën... e të vrasë njerëzinët

edhe lotët kur djegin shpirtin së brendshmi

më ngjan se më hiqet i rëndi mallëngjim

një këngë ilirishte përftohet fshehtësire

e vjen një kohë letargjie me gjëmimë

 

 

SHPRESA TË DJEGURA

 

Me çantë mbi shpinë të mbushur plot mall

rrëzë supi rripat e saj fort të shtrënguar

të rrezikuar frikshëm endeni nëpër vargmale

nëpër dhëmbë fatziun fajtor duke mallkuar

Shikimi i nënëmadhes si shqiponjë pas e ndjek

klithma djemsh mbetur ikona nëpër pragje

një dashuri e braktisur shpirtin tuaj e djeg

lot që mundin burrërinë e shkasin mbi faqe

Gra zemërngrira presin në ankth zhytur

veten mallkojnë që nëna s'i bëri dot djalë

motra kërthinj prej trishtimit të mbytur

dhimbje e pamatur që gjunjëzon dhe djajtë

Mërgim mëkatar, mijëra varre bosh ke lënë ti

nënat kobzeza, që s'kanë një gur ku të qajnë

vejusha të pafat ngado mbjellë si tulipanë të zinj

fëmijë që prindërit në prehër dot s'i mbajnë

Emigrant, fjalë mizore që s'di të falësh kurrë

dete lotësh mbush e mallin kudo ti e mbjell

zemra nënash me gozhdë mbërthyer në mur kujtimi

përcaktor njerëzish që tonelata dhimbjesh sjell...!

në shpresat e djegura vret dhe qan trishtimi...

 

 --

 

 

Emigrant, fjalë mizore që s'di të falësh kurrë,

dete lotësh mbush e mallin kudo ti e mbjell,

zemra nënash me gozhdë mbërthyer në mur kujtimi,

përcaktor njerëzish që tonelata dhimbjesh sjell...!

në shpresat e djegura vret dhe qan trishtimi...

I dashur Flori,

 

Vetëm ky pesëvargësh mahnitës do të ishte i mjaftueshëm që autorin e tij, edhe sikur të mos kishte shkruar asgjë tjetër poetike, ta rendisje në listën e poetëve me frymëzin hyjnor në letësinë shqipe.

Ky pesëvargësh i përcjell lexuesit një mesazh aq të fuqishëm për thelbin e jetës së emigrantit, ashtu si edhe katërvargshi i dhimshëm i Ndre Mjedës:

Në kombe t' tjera, n' dhena t' tjera,

Ku shkoj jetën tash sa mot,

Veç për ty m' rreh zemra e mjera

E prej mallit derdhi lot.

Përmes jush, e përshëndes me gjithë zemër zotin Zef Pergega, për analizën e shkëlqyer që i ka bërë poezisë suaj në shkrimin me titull "Një syth shpirti në akuarelin e një kosovari".

Ju uroj me shpirt.

 

 

Prof.dr.Eshref Ymeri

*************

...brenda syrit poetik të Flori Bruqit

NJE SYTH SHPIRTI NE AKUARELIN E NJE KOSOVARI

ZEF PERGEGA

Nanat janë krijesa e krijesave njerëzore. Asnjë hije muzgu me fluturim korbash nuk zë vend në shpirtin e tyre. Stoicizmi human dhe krenar është sfida e natës. Ata linden prej dhimbjës dhe dhimbjës së rritjës i kënduan gjithë jetën. Me këngë e thurin djepin e dashurisë dhe me shallin e ylberit i shërojnë ethet e forta. Asnjë art nuk mund ta shëmbë tempullin e shënjtë të tyre. Nanat janë bota e qiellit dhe e tokës dhe krah u japin foshnjave të bëhen ëngjëjt e jetës.

Sa herë ngjitësha shkallëve të drunjta të kullës së vjetër, nana ime që thurte bukur çorape me luledele apo me degë ulliri, pa më parë me therriste me emër. Me njihte nga hapat e ngjitjës...Ndërkohë që arti i sotëm e ka shpërfillur fytyrën dhe visarët e shpirtit të nanës dhe është mbërthyer si rriqën ne kërthizën e vibrimeve nudo, ngrihet një bir kosovari i lindur në vatren e lisit të tamlit dhe lisit të zjarrit, një flori-florë poetike mbi kurorë të gurrës së parë me emrin njerëzor Flori që me pathosin e tij të vlugut e ngre simbolikën e nanës mbi rrezët e dritës asaj drite që ajo i përket.

Rastësisht e me saktë në mënyrë periodike e lëxoi krijimtarinë e këtij poeti dhe si anija që e hedh spirancen në molon e ankorimit ma mbajti vështrimin një cikel poetik e këtij fisniku të fjalës së lirë. Duke lëxuar poezinë "Rreze drite" njeriu dhe në mënyrë të veçantë emigranti s'ka sesi të mos ngrohet nga këto rreze dhe të na kujtojë që sado që jemi larg shpinë kthyer, nana kurrë s'e harron birin apo bijen e saj. Që ajo të mos rrijë duke pritur mbas dere nga këto mbrapështi, Flori Bruqi si një thurës vargjesh me mbjellje zambaku e tredofilesh në ballkonin dhe kopështit të mevehtësisë së Kosovës, shkëput nga trungu i shpirtit një petale meraku prej vazos së kujdesit të nanës drejt adresës tonë, si pëllumbi që këkon bregun...

"...Natën e mirë bir

Çelësin mos ia vë derës

Se do të vijë nana

Gjumin e paprishur

Me hapat e pranverës

Mos je shpluar

Kur ike...!"

Poeti Flori Bruqi e ka thënë me një ndjenjë të thellë atë që shumëkush e ka harruar madje e ka mbraktisur nga shpirti këtë kumt njerëzor. Këtë thesar që rrjedh në lumin e turbulluar të jetës, Flori e nxjerr nga fundi si varken e mbytur. Shumë i kanë kënduar nanës që ngjajnë me tinguj nostalgjie, por motivi i autorit në fjalë ka atë rreze drite që nuk shterr në shpirtin e nanës pavarësisht se koha po i josh brezat me harresën dhe përzierjen e gjakut. Bash kur hollohet e ndryshohet gjaku aty nana loton me sytë nga qielli për pak shpresë dhe respekt për prinderit.

Lajmotivi i poetit Flori Bruqi ka eren e theut të parmëndës dhe e lëron vargun në ngohtësinë e qiellit pa patur nevojë të marrë miell hua, por gruri i arës së tij piqet me afsh trualli. Shpirti poetik me të cilin ka rrethuar tokën e mushtit të vargjeve bashkë me fantazinë dhe dhuntinë rri në dritaret e një kalaje, si zogu që sjell lajmin e begatisë, lidhur guret me metafora dhe ushqyer me qumështin e zanave të kthyera përseri pas shumë motësh ikjesh ndër valë. Poeti kosovar u këndon atyre që nënçmohet, atyre që shkelen me të padrejtë, atyre që u flet puna dhe dikush ua mohon me guna, I këndon urtisë, mençurisë së popullit të tij, bekimit të ballit dhe nderit të nëpërkëmbur. Ai i thërret nanat, vashat të vijnë në këngë se me këngë janë rritur djepat e trimërisë se pa ata djepa Kosova do të ishte përseri e shtypur ndaj dhe poezia e tij "Lajtmotiv e sinqerte" është një zgjim dhe një kurajo, nje hov dhe një tingull i ri në piskamë se prej tyre ne morëm këmbë...

"...Ejani në këngë

Nana dhe motra

Ne lindëm nga këngët tuaja

Nga zëri juaj

Morëm këmbë...!"

Para vargut të Flori Bruqit të ndizet një qerpik ngadhnjimi. Ai të fton qetësiht pa tamburante në vargun e rrëzeve të perëndimit për ta përjetuar poezinë nga vitrina e pastër e dritës që ndizet në pishtar. Edhe pse politikisht ka ardhur liria ne Kosovë, shpirti i vashës e përjeton atë me trishtim. Të lehurat e natës nëpër zgavrra përgojimesh të paragjykuara me kurtha e gracka dashurie dhe poeti i vemëndshëm e shkoqit këtë ndjesi, mbasi ai nuk i duron njollat e zeza në bluzën e bardhë të transparences së virtytit njerëzor dhe pyet në poezinë "Liri fjale"

"...Mos vallë në qytetin tënd ilirik

të ndjekin qentë e tërbuar

Ndonjë hije nate...?!"

Flori Bruqi, si në jetë dhe në krijimtari nuk thyhet nga pushteti i prangave të pritjës dhe as nuk e kapin ethet e padurimit edhe kur e ndjen vetvlimin në damarë. Me krah dallendyshe ngjit muret e heshtura, ku jeta merr serume të hidhura e ai ulet në karriken e sallonit të pallatit të ëndërrave rinore pasi shiu e ka bërë qull fletoren e vargjeve pa e ndjerë shterrjen kur shkruan poezinë "Qyteti ku të prita"

"...Unë jam aty ku me ke lënë

Vallëzoi me hijet

E nuk di cilën të përkedhel

Pres dashurinë tënde

Mbi buzët e tua të zë një ëndërr...!"

Një poezi e veçantë me një gurrë me metafora dhe me një kopësht me krahasime është ajo me titullin "Akuareli i diellit"

Ajo iku në moshë të njomë, pa pasaportë e pa adresë. Ndoshta pa mësuar mirë emrat e malit, lendinës, lumit e bregorës që jetës i japin blegerime. Nxori në rrugë në atë shteg të ngushtë nga gjoksi i paprekur fletoren me vjersha dhe shkroi për mëngjesin e Prishtinës, të vetmin kujtim mori më vete nga majat e ikjës dhe ai ngushtim shpirti e tokë i kujtoi nanen. Në xhamat e retinës vizatoi portretin e baces plak dhe pastaj e fshiu me dorë dhe dorën e puthi me bekimin e vetvetës. Eshtë gjaku që ndjen gjakun, e kush me bukur se Flori Bruqi e përcjellë këtë penelatë, si visari me i çmuar i shqiptarit e i kosovarit. Dikur ajo vashë u kthye ne vendlindje. Autori nuk u bën thirrje dallendysheve të kthehen, por ai nga një kënd i syrit të tij vëzhgon fluturimin e tyre nga qielli që u laguan dhe e stolis tablonë kur vasha e ngjeu penelin në akuarelin e hënës në mbrëmjen e majit dhe pikturoi rrugen. Kishte çelur pranvera e kthimit. Ky motiv është thënë nga Flori Bruqi në mënyren me mjeshtrore. Në fshat vasha që kishte ikur, por atdheu i ishte mbledhur galuc si një gur në zemër e në shpirt, me të cilin ajo kuvendoi gjithë kohën e largimit duke gjetur në ato themele hijet e vetmisë dhe të heshtjës dhe me tej melodinë e draperit në duat e fahtarëve të tokës së saj. Flori është i dashuruar pas së bukurës, ai e ushqen atë që të mos vyshkët dhe të mos shkilet. Madje ai është një triumf rrënjësh që larton trungun e inditetit njerëzor. S'ka gjë më të bukur kur femra e ruan feminitetin e saj sa edhe pemet kërkojnë ti ngjajnë.

"...Shpirti i saj

Një lëndinë qërshori

Selvitë ndanë rrugës

Trupin e saj imitojnë...!"

Ndesha një krahasim që e vellon se tepërmi stofen e vargun dhe e llamburit mesazhin tek poesia "Mendim e kredhur" Nuk e di nëse ky poet me një fizionomi të konturuar në brumin e farës kombëtare ta këtë provuar mërgimin. Ai me nota trishtimi e vizaton portretin e shekullit që ndau familjen duke u çirrur nëpër tribuna e konferenca për liri e lëvizje të lirë. Sa nana e motra mbetën pa burra, pa fëmijë e autori thotë se nuk paten një gur ku të qajnë!

Vejusha pa fat me prehera të thatë. Djepa që nuk lidhën dhe as nuk zgjidhen. Kënga Nina-nana e ngrirë në mure të akullta dhe siç thotë Flori, në shpresat e djegura vret e qan trishtimi. Tonelata vujtjesh që mbytën mbi dallgët e mërgimt mekatar dhe poeti i dhimbshur thotë:

"...Shikimi i nënëmadhës si shqiponjë/ Pas e ndjek/ Klithma djemsh/ Mbetur ikona nëpër pragje...!"

Në akuarelin e dritës së shpirtit të tij që rri në pëllëmbë të vargjeve, një ditë në Amerikë dallova ylberizimin e figurave letrare dhe artistike të këtij poeti që e shikoj si kurore magjike mbi ballë të tokës kosovare për t'ia zbukuruar fytyren lirisë dhe gjithçka që është shqiptare.

zefpergega434hotmail.com

Detroit 25 Qershor 2011

FLORI BRUQI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SONATAT E NJË SHTEGTARIPoezi nga FREDERICK TURNER, kandidat për çmimin Nobel në letërsi (07.08.2011)
PO MË E KEQJA ERDHI KUR JU SHPIFËT PËR MUA SE UNË QENKAM PËRBINDËSH ME NJË SY (07.05.2011)
CAM ALCANITregim nga ZIJA ÇELA (07.03.2011)
PO TË ISHA RREZE, DO T'I PËRKËDHELJA FËMIJËT JETIMË, ZOGJTË, LULET, YLBERINPoezi nga LIMAN ZOGAJ (06.27.2011)
SHPIRTI I POETITPoemë kushtuar poetit rebel Vehbi SkënderiNga BEDRI MYFTARI (06.25.2011)
NATËN NËPËR KALVARIN E KANALIT TË OTRANTOS NJERËZIT I MBANIN SYTË VETËM DREJT QIELLITPjesë nga romani "IMAZH" i ZEF MULAJT (06.24.2011)
GRUMBULLI I ESHTRAVEPoezi nga VISAR ZHITI (06.12.2011)
TESTAMENTI PËR FËMIJËT: DUAJENI VENDIN DHE GJUHËN DERI NË VUAJTJENga MITRUSH KUTELI (06.07.2011)
TI TRIUMF I PAKAPSHËM ANDËRRASH DHE YJESHTriptik poetik nga NDJOCK NGANA përkthyer nga DANIEL GÀZULLI (06.04.2011)
HISTORIA E KËNGËS SË LEONARD COHEN - KËRCE ME MUA DERI NË FUNDIN E DASHURISË - DANCE ME TO THE END OF LOVENga ELIDA BUÇPAPAJ (06.03.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]