VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PO MË E KEQJA ERDHI KUR JU SHPIFËT PËR MUA SE UNË QENKAM PËRBINDËSH ME NJË SY

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 03:14pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
PO MË E KEQJA ERDHI KUR JU SHPIFËT PËR MUA SE UNË QENKAM PËRBINDËSH ME NJË SY
E Martë, 07.05.2011, 04:14pm (GMT+1)

 

MUGËTIRË MËNGJESI

 

Ora katër e pesëdhjetë e shtatë,

lëviz në errësirë, i vetëm, ngadalë,

për shkak të prostatit që më pickon nga pak,

nga dhoma e gjumit shkoj në banjë.

Uturima e një veture që vjen së largu

lajmëron qytetarët :"Erdh koha për zgjim.",

një çift të rinjsh kthehet nga dasma,

dhe një djalosh i dashuruar që shkon në takim.

Katër e pesëdhjetë e nëntë...Fiks pesë.

Trokasin sekondat. Drita hapet si duvak.

Pas pak pompat e ujit nisin të cicërojnë

si zogjtë e mëngjesit në fshatin tim, atje larg.

Tiranë, qershor 2011

 

NJË LIBËR I MIRË

 

Një libër i mirë është si një lis i moçëm

Lind dhe plaket brenda një shekulli,

Degët e tij janë plot gjak në damarë.

Një libër i mirë është pjellor si fusha

Shtegtar si retë dhe i heshtur si shkëmbinjtë,

Një libër i mirë është rezistent ndaj ngricave

I errët si mendimi dhe i padepërtueshëm si guri.

Një libër i mirë i shtohet tokës

Përkrah qyteteve të rinj dhe shkëmbinjve të moçëm.

Në damarët e tij qëndron sekreti

I lidhjeve të njeriut, lisit , shkëmbit dhe librit.

 

NË GJENEVË

 

Po unë, ç'kërkoja në atë qytet?

Nëna ime atë çast mblidhte thërrimet e bukës

mbi tavolinë

Babai gjatë gjithë ditës lexon gazetat,

qytetarë të heshtur kalojnë para meje,

indiferentë

gjithë bota tjetër:

gurë dhe ëndrra,

ëndrra dhe shpresë.

Po unë ç'kërkoja në atë qytet?

I ndjekur prej kamerash dhe bubuzhelë mikrofonash,

I pagjumë dhe i huaj, gjithnjë në ikje.

Brigjeve të Lemanit

si ujë të pistë zbrazja kujtimet.

 

KUR IKËN NEOJA

 

Shpata të thyera, të rrëzuara për tokë,

kukulla të rëna përmbys,

libra të shqyera,

çdo gjë në rrëmujë e sipër

si pas një beteje të lavdishme.

Dhe pas të gjithave nëpër dhoma endet malli

i të dielës së ardhshme.

 

* *

*

Nga e gjithë ajo mbrëmje

mbeti një shushurimë e vjetër shiu

çuditërisht,

që më ndjek nga pas

vazhdimisht.

Nga e gjithë ajo natë e gjatë

mbeti tek unë

zëri yt ankues

melankolik, i trishtë.

Jehonë e largët kujtimi.

 

SHPIRTI IM KA MBETUR TEK NJË RE

 

Shpirti im ka mbetur tek një re

që lëviz në qiell butë-butë,

në dhjetor nxin si një murg i zi

dhe në prill zbardhon si dele rudë.

Gjithë e shohin dhe askush s'e di

se ajo re në qiell është shpirti im.

herë duket si një boçë zjarri

herë si ujvarë gjithë trishtim.

Iki shpirti im dhe u ngjit lart,

s'e duronte dot monotoninë,

korrupsionin, luftën politike,

mbi të gjitha s'duronte zilinë.

Dhe nuk jam i vetëm lart në qiell,

netëve, nën miliona lampadarë,

shoqëri më bëjnë edhe yjet

në një botë që digjet si zjarr.

Dhe kur mos më shihni më mes jush

hidhni sytë tek reja që ndrin

e vetmuar edhe kalimtare,

brenda saj kam lënë shpirtin tim.

Tiranë, 2011

 

 

* * *

DY VËLLEZËRIT E MI

 

Dy vëllezërit e mi

i ruaj në lëkurë,

Babanë e ruaj prej kohësh në eshtra,

nënën e dashur e ruaj në vena.

Njerëzit e mi i ruaj në lëkurë e në eshtra

dhe në venat që zemrën ma ushqejnë pa pushim.

Dhe veten e ndjej si një tren në udhëtim,

i ngarkuar me një lëndë të çuditshme kujtimesh,

në një ikje pa kthim.

 

*

*

*

Në qoftë se është koha

Pronto! Jam gati.

Me vullnetin tim të lirë

Si para një noteri do të nënshkruaj

testamentin tim të lirisë,

në çastin e nisjes

drejt pafundësisë...

Çdo gjë e thënë mbetet për t'u rithënë

Asgjë s'është thënë plotësisht,

Kanë mbetur dhe shumë gjëra pa u thënë.

Asgjë s'është thënë saktësisht,

Kanë mbetur dhe shumë gjëra për t'u saktësuar.

Asgjë s'është thënë plotësisht,

Kanë mbetur dhe shumë gjëra për plotësuar.

Asgjë s'është thënë shkencërisht,

Kanë mbetur dhe shumë gjëra për t'u vërtetuar.

Çdo gjë e thënë

mbetet për t'u ri thënë.

 

UNË JAM CIKLOPI

 

Unë jam Ciklopi

Me një sy të madh në ballë

e që, sipas jush, ha njerëz të gjallë.

Po ti kush ishe?

Një mbret me një emër të çuditshëm "Askush..."

hajn dhe barbar, që dhunon , bastis, shkatërron

dhe vret.

Kjo pyetje më ka torturuar,

ka tremijë vjet.

O ti mbret mizor, më i ligu i të gjithë mbretërve,

Në errësirë m'i shndërrove malet,

në errësirë ma shndërrove detin,

në errësirë m'i shndërrove delet,

qiellin dhe tokën.

Vetëm fyelli im vajtimtar më jep çdo ditë

ngushëllim dhe dritë.

Dhe ka tremijë vjet që qëndroj brenda një

legjende,

si përbindësh me një sy,

dhe ka tremijë vjet që fantazma e një kali shëtit

nëpër botë,

së bashku me fantazmën e shpikësit të tij

M'i shqyet sytë e m' bëtë rrema...

M'i shqyet sytë e m'i bëtë rrema,

e më pas çatë tutje deteve pakufi.

Po më e keqja erdhi kur ju shpifët për mua,

se qenkisha përbindësh me një sy.

Mbetën sytë e mi si dy lakuriqë nate

ndërsa sirenat këndonin atë ditë mynxyre,

yjet zbritën poshtë, të më ngushëllonin mbas

darke

duke më kujtuar si një statujë ilire.

Dhe ne nuk ishim bij perëndish,

as unë as mbreti me emrin Odise,

ti e quaje veten mbret ndonëse ishe bari derrash Itake

po mbret isha unë, dhe Zot i maleve.

Qysh nga ajo ditë kanë rënën tokë shumë kometa

dhe toka ndërkaq është rrotulluar pa pushim.

Të verbërit e botës të gjithë janë harruar,

kam mbetur veç unë dhe Homeri im.

SULEJMAN MATO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
CAM ALCANITregim nga ZIJA ÇELA (07.03.2011)
PO TË ISHA RREZE, DO T'I PËRKËDHELJA FËMIJËT JETIMË, ZOGJTË, LULET, YLBERINPoezi nga LIMAN ZOGAJ (06.27.2011)
SHPIRTI I POETITPoemë kushtuar poetit rebel Vehbi SkënderiNga BEDRI MYFTARI (06.25.2011)
NATËN NËPËR KALVARIN E KANALIT TË OTRANTOS NJERËZIT I MBANIN SYTË VETËM DREJT QIELLITPjesë nga romani "IMAZH" i ZEF MULAJT (06.24.2011)
GRUMBULLI I ESHTRAVEPoezi nga VISAR ZHITI (06.12.2011)
TESTAMENTI PËR FËMIJËT: DUAJENI VENDIN DHE GJUHËN DERI NË VUAJTJENga MITRUSH KUTELI (06.07.2011)
TI TRIUMF I PAKAPSHËM ANDËRRASH DHE YJESHTriptik poetik nga NDJOCK NGANA përkthyer nga DANIEL GÀZULLI (06.04.2011)
HISTORIA E KËNGËS SË LEONARD COHEN - KËRCE ME MUA DERI NË FUNDIN E DASHURISË - DANCE ME TO THE END OF LOVENga ELIDA BUÇPAPAJ (06.03.2011)
LOTËT E NËNAVE TË SREBRENICËSPoezi nga ABULLAH SIDRAN (1944) (06.01.2011)
MASKA NEGRA   Pablo PicassosPoezi nga LEOPOLD SEDAR SENGHOR (1906-2001) përkthyer nga DANIEL GAZULLI (05.28.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]