VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DUKE PRITUR KRYQËZIMIN TIMCikël poetik nga FERIDE PAPLEKA

                                                                                      

E Premte, 05.10.2024, 10:52pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

DUKE PRITUR KRYQËZIMIN TIM

Cikël poetik nga FERIDE PAPLEKA


E Enjte, 09.22.2011, 09:58am (GMT+1)

MUZG HISTORIK

 

I ndritshëm dhe frikësues qe ai muzg

Në Monparnas,

Turma njerëzish nxitonin,

Si një uragan shkonin dhe vinin

Nga të gjitha drejtimet.

Një çast diçka e çuditshme i përndriti

Rrugët, njerëzit, ajrin,

Mbase qe ideja e fuqishme e lëvizjes,

Që ma përshkoi shpirtin.

Unë shtanga

Dhe pastaj m'u mjegulluan

Kujtimet dhe shikimi -

Diçka e pakthyeshme po shkrinte -

Tërë e kaluara ime vogëlane,

U shqye.

Që atëherë unë i shoh gjërat ndryshe

Ja, pra, përse ndonjëherë

Kam brerje në ndërgjegje:

Po mos të ndodhesha atë çast në Monparnas

Mbase nuk do ta kisha këtë përhitje.

 

MOTIV PER NJE JETESHKRIM

 

Im atë ishte një burrë i urtë e bujar,

kishte një zë të butë,

thuajse si murmurimë dielli.

Jeta e tij ishte një udhëtim mëngjesor,

Plot shpresë dhe dritë.

Fjala e tij dhe gjestet

ruanin madhështinë e një Zoti.

Ai kishte një të fshikur plumbi

në tamthin e djathtë,

ishte një plumb nazist.

Këmbët i kishte përherë të sëmura,

kujtim i përzishëm i Luftës së Dytë.

Ndonjëherë një melankoli e thellë

për kauzën e humbur

e rrënonte.

Në çastet e tmerrshme të agonisë

ai fliste për një tokë hyjnore.

A mos ishte "Toka e Premtuar",

që duam ta mbërrijmë të gjithë?

 

UNE JAM

 

Unë jam çelësi i Borges-it,

Që ka humbur derën;

Jam muza e Platon-it,

Që e frymëzoi të krijonte

Figurën e madhe të Sokratit;

Jam kompozimi i fundmë i Mozart-it,

Që u arratis bashkë me të,

Në honin e vdekjes;

Jam statuja e Shekspirit,

Që shqetësoi për shumë vjet,

Me dhjetëra skulptorë në botë;

Jam deti i munguar i Uliksit të Joyce-it;

Dhimbja e pamatshme e Kafka-s,

Në katedralen e ndjenjave njerëzore;

Jam planeti i çmendur i Max Ernst-it;

Koha e humbur e Proust-it;

Dhe ndoshta një hije që endet

Në veprën e Pascal Quignard-it.

Jam Mosqenia.

 

DRITARJA

 

Nata është e zezë.

Sytë e mi zhbirojnë errësirën,

poezia fluturon jashtë dritares.

Ajo kërkon mes territ,

dritëra të shkuara.

Papritmas në zemrën time

ndizet një yll :

E qeshura jote e rinisë.

Ambruazia e saj më deh

dhe unë transformohem

në një vajzë të re, të druajtur,

që mbledh lule.

Ashtu si në afreskun

Ku vajzat e Terës së lashtë

mbledhin lulëkuqe,

në kohën e Helenës dhe Uliksit.

 

TAKIM

 

Mbrëmja e hirtë, e ngrirë

binte shpejt,

si fryma e vdekjes.

Duart dhe buzët tuaja dridheshin,

Puthjet ishin si agoni,

Fjalët mungonin,

Ishte heshtja që fliste.

Hérakliti ju kërcënonte

që nga « lumi » i tij,

por ju kishit humbur

në një univers,

ku koha dhe hapësira nuk ekzistojnë.

Nata rëndonte mbi shpatullat tuaja

dhe mbi zemra,

duke ju dërrmuar.

Agimi do të ishte mizor,

Mizore do të ishin zhgënjimet

dhe shpresat.

Mizore jeta.

 

PA TITULL

 

Askush nuk i njeh fërgëllimet

E zemrës sime,

Stuhinë e brendshme,

Drithmat e qenies,

Kaosin që shpesh

Më kredh në asgjësi,

Duke pritur kryqëzimin tim,

Në një qoshe të kësaj bote,

Njëlloj si në Golgotë,

Të zëvendësoj Krishtin.

Por bota jonë moderne

E shekullit XXI,

Kërkon përherë një sakrificë,

Që nuk premton ringjallje.

 

PER NJE PUTHJE TE AKULLT

 

Në skenën e pafundme të universit

Ka një lojë shekullore pasqyrash,

Fytyrash dhe yjesh.

Ka lule që vdesin,

Katastrofa dhe mrekulli.

Ka lotë.

Ka gjithashtu edhe një planet të çmendur

Që quhet "virtual".

Dhe një ëndërr të mrekullishme

Për qytete hënore dhe marsiane.

Por unë nuk mendoj për to.

Dhe as për ndonje fiksion letrar

Që rëndom na kujton

Natën e origjinës, kohën e pallogaritshme

Prehistorinë,

Thjesht po shkruaj këto vargje

Për një puthje të akullt

Që të perceptoj sensin e disa gjërave

Në gjithësi.

 

DYSHIM

 

E zhveshur nga modestia

pyes veten:

ku është fëmijëria ime?

A ekziston ajo,

apo kujtesa mashtruese

bën me të një sajesë?

Po rinia?

A e kam jetuar,

apo është thjesht vegim

i fundosur në harresë.

A kam dashuruar,

apo ëndërroj se kam dashuruar?

Si një turmë që ngutet,

këto pyetje

presin përgjigje.

Unë nuk di asgjë.

Flas dhe më duket se një tjetër,

ka luajtur teatrin e jetës sime.

 

PER PRINDERIT

 

Dje pashë një djalth si yll.

e mbanin përdore një burrë e një grua.

Ai donte të bënte lojën e zogut në fluturim,

ata enkas ia shtrëngonin duart.

Ai nisi të këndonte me zërin si burimi nën bar,

por ata mospërfillës, s'e dëgjonin

Ai thirri i pezmatuar: "Mëmë, baba !"

dhe njëri prej tyre i tha : "Mbyll gojën !"

Pastaj i vogli qau në dëshpërim.

Atë çast m'u duk se më rigoi shpirti

dhe e përfytyrova të ardhmen pa dritë.

 

DYSHIM I PASHMANGSHEM

 

Gjumi im tani është gjasmim

Dhe zgjimi një ëndërr.

Vitet janë ngurosur në Muzgun e Pritjes,

Të pritjes së çfarë ?

Ne jemi të gjithë Uliksa ?

Që e kemi humbur Itakën.

Iluzion më duken tani

Edhe jeta

Edhe vdekja.

Të qeshurat e fëmijëve,

Japin shpirt si zogj të plagosur

Dhe makthi nga denatyrimi ynë

Po shndërrohet në një maskë tragjike

Mbi fytyrën time.

Ne ecim në skajin e kundërt,

Megjithëse legjenda thotë

Se të gjithë jemi larë në ujin e Shenjtë të Gangut.

 

POHIM I HDHUR

 

Akrepat formojnë pa mëshirë

 

Nuk e di akrepat a ritmi i zemrës ?

Atë ekuacion me shumë të panjohura

që është JETA IME:

me vite të mjegullta,

të strukura diku në subkoshiencën time

që presin zgjimin

(mbase edhe harrimin);

me vite të përgjakura,

që s'ua ndal dot agoninë;

me vite të pështjelluara -

Trëndafil Erërash në ndërrim stinësh.

Shtojini shifrës fatale,

Vitet e brezave që ikën,

Vitet e Krishtit e të Parakrishtit,

Kohën mitike të zotave sumerianë

Dhe atë kohë që nuk flet dot

Me një gojë të mbushur me natë

Shtojini luftërat që janë fytyra e këtij

planeti egoist,

Paqen që është veç maskë

Dhe do të dalë një numër,

që s'e nxë asnjë traktat aritmetik.

FERIDE PAPLEKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ORANZHPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (09.17.2011)
ÇDO FJALË DI DIÇKA TË RRETHIT VICIOZ Fjala e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit Nobel nga HERTA MÃœLLER (09.13.2011)
SY TË FTOHTË KRENARË KUGUARËSH OSE UJQËRISH ME SHIKOJNË TEK ULEM DHE NGJITEMPoezi nga GARY SNYDER (09.12.2011)
KASËM TREBESHINA: DUHET HEQUR DORË NGA RRUGA E LUIGJIT TË KATËRMBËDHJETËPromemorie për Enver Hoxhën, Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë (09.05.2011)
NJË FAMILJEProzë nga GUY DE MAUPASSANT (Gi dë Mopasan, 1850-1893) (08.29.2011)
FUSHA E SHTRIRË E GJOKSIT TËND ZGJATET SI LËKURË DAULLEJEPoezi nga ALICIA SUSKIN OSTRIKER (08.28.2011)
DO VIJË, DO VIJË NJË DITË ORA E SHQIPTARITPoezi nga ARSHI PIPA (1920-1997) (08.25.2011)
ARDHJA E DYTË E JEZU KRISHTITCikël poetik nga GABOR MANDY (Hungari) (08.20.2011)
INJAC ZAMPUTI KUJTIME PËR NDRE MJEDËN (08.17.2011)
GOOD MORNING NIAGARANGA VEHBI SKËNDERI (08.14.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]