VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 11:32pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
Tomas Shter Elioti, Poeti i Tokës, Ajrit, Ujit dhe Zjarrit
E Martë, 12.30.2008, 10:17pm (GMT+1)

Ese

 

T.S.ELIOTI, POETI I AJRIT, TOKËS, UJIT, ZJARRIT

 

Në këtë ardhje-ikje-ardhje-ikje për T.S.Eliotin një kuptim të veçantë zë fjala, e cila mesa duket arrin të mbijetojë në shkretëtirën e mosnjohjes. E të panjohurës që do të vinte pas poetit vetë, dhe asaj të panjohure që vjen pas nesh.  Fjala mbetet edhe kur ne mungojmë. Fjala e T.S. Eliotit mbetet edhe kur tani vetë poeti mungon, tani kur poeti e ka nisur prehjen e përjetëshme, kur fillimi i tij dhe fundi i tij janë bashkuar dhe bërë një...

 

Shkruan: Elida Buçpapaj

 

BURNT NORTON që kam përkthyer nga vepra e Nobelistit të shquar britanik T.S.Eliot është shkëputur nga poema e tij e famshme Katër Kuartetet, ( që mbajnë përkatësisht titujt: BURNT NORTON, EAST COKER, THE DRY SALVAGES, dhe LITTLE GIDDING ), shkruar dhe botuar midis viteve 1936 1942. BURNT NORTON është kënga e parë e këtyre Kuarteteve, që qëndron edhe në ansambël por edhe e vetme. Në një letër që poeti vetë i dërgonte një studiuesi amerikan, i deklaronte atij se midis katër këngëve të poemës ekziston një relacion si midis katër stinëve të vitit apo katër elementëve kryesorë: ajri, toka, uji dhe zjarri. Sipas poetit, BURNT NORTON i takon të përfaqësojë ajrin dhe pranverën; EAST COKER,  tokën dhe stinën e verës; THE DRY SALVAGES, ajrin dhe vjeshtën, ndërsa LITTLE GIDDING, zjarrin dhe dimrin. Duke iu referuar këtyre katër elementëve themelorë të jetës në planetin tokë, T.S.Eliot përsëdrejti pohon edhe një herë vokacionin e tij të preferuar për të abstraguar drejt universit dhe universales.

Toponimia e poemës të parë e  ka nismën në emrin që mbante një kështjellë në Gloucestershire, të cilën poeti e kishte vizituar vetë. Kështjella në fjalë ngrihej në themelet e një kështjelle tjetër më të vjetër që e kishte rrafshuar zjarri gjatë shekullit XVII. Ndoshta ky kishte qënë shkaku që BURNT NORTON në botimin e hershëm të titullohej thjesht SHTËPIA E DJEGUR. Por ndërsa titulli aktual që mban mund të sugjestionojë rishtaz përkatësinë e elementit të zjarrit, pasi edhe në variantin BURNT NORTON, në anglisht "BURNT" do të thotë "DJEGUR", T.S.Elioti në vazhdimin e ndërthurjeve, kësaj kënge i ka dhënë përkatësinë e elementit të ajrit. Por ajri në këtë poemë ndihet me karakteristikën e vet themelore të padukshmërisë. Nëse e lexon poemën, menjëherë ve re se fjalët që përdor  më dendur poeti në këtë këngë janë: koha dhe lëvizja, në kontekstet e tyre si nocione të thjeshta që pastaj duke përshkuar spiralen shndërrohen  në nocione universale dhe shumëkuptimore.

Koha e tashme dhe koha e shkuar, që sipas poetit përbëjnë kohën e ardhme, janë e tashmja e prekëshme dhe e shkuara e posaikur, janë tik-taket në këtë çast, kur e vemë veshin tek ora e dorës, janë ajo iku tani, dhe që ishte përpara një çasti, ajo që përpara një çasti ishte e tashme dhe përpara dy çastesh ishte e ardhme, por që tani është arratisur, është larguar prej nesh përfundimisht dhe ne nuk mund ta kthejmë dot kurrë më pas. Por ky trinitet kohor ( e djeshmja, e sotmja, e ardhmja) është edhe e gjithë historia e jetës, gjeneza e njeriut historik prej Homo Erektus-it deri dek Homo Sapiens Sapiensi, prej zanafillës, kur bota ka zënë fill për së pari, gjatë gërshetimit të elementëve të ajrit, tokës, ujit dhe zjarrit e deri tek çdo sekondë që ne e lëmë pas dhe tek çdo sekondë që kemi përpara. Ajo që lemë ne pas është e pakthyeshme, e paformë, e pangjyrë, sikur ajri. E shkuara, e djeshmja, zanafilla, fillesa i takojnë fundit, të cilën T.S. Elioti e krahason në inkoshientin e tij me një shtëpi të djegur, deri në rrafsh, ku kujtimet i ngjajnë hieroglifeve, që mund t'i zbulojnë vetëm arkeologët nëpër rrëmime . Fillesa dhe fundi u ngjajnë dy vizatimeve identike që kur i vendos njërin sipër tjetrit përputhen, por kthehen menjëherë në një nocion abstrakt, që nuk e sheh syri dhe nuk e prek dora. Poeti ndërkohë zbulon se e shkuara, e ikura, e tashmja, e ardhmja, këto nocione abstrakte që shprehin në vetvete kohën, -  lëvizin, rrjedhin edhe në të përpjetë edhe në të tatëpjetë, pra në të gjitha senset, duke pasur vetëm një destinacion që është prehja, kur zanafilla dhe fundi përputhen ngjitmas.

Në këtë ardhje-ikje-ardhje-ikje për T.S.Eliotin një kuptim të veçantë zë fjala, e cila mesa duket arrin të mbijetojë në shkretëtirën e mosnjohjes. E të panjohurës që do të vinte pas poetit vetë, dhe asaj të panjohure që vjen pas nesh.  Fjala mbetet edhe kur ne mungojmë. Fjala e T.S. Eliotit mbetet edhe kur tani vetë poeti mungon, tani kur poeti e ka nisur prehjen e përjetëshme, kur fillimi i tij dhe fundi i tij janë bashkuar dhe bërë një...

--------------

 

T.S.ELIOT

 

KATËR KUARTETET

 

BURNT NORTON  ose  SHTËPIA E DJEGUR

 

I

 

Koha e tashme dhe koha e shkuar

Janë të dyja ndoshta të pranishme në kohën e ardhme,

Dhe koha e ardhme përmbahet në kohën e shkuar.

Nëse e gjithë koha është përjetësisht e pranishme

E gjithë koha është e pakthyeshme.

Çfarë mund të ketë qenë është vetëm një abstraksion

Duke mbetur një mundësi e përjetëshme

Vetëm në botën e spekulimit.

Çfarë mund të kenë qënë dhe çfarë të ketë qënë

Shënon njërin fund, i cili është gjithmonë i tashëm.

Jehonë shumëhapëshe në kujtesë

Përgjatë korridorit që nuk e përshkuam

Në kopështin e trëndafilave. Jehona e fjalëve të mia

Megjithatë, në mendjen tuaj.

                                                               Por për çfarë qëllim

Shqetëson dheun e vazos të gjethe-trëndafilave

Unë nuk e di.

                                               Të tjera jehona

E banojnë kopështin. A do t'i ndjekim ne ?

Shpejt, tha zogu, gjejini ato, gjejini ato,

Përreth qoshes. Përmes portës së parë,

Kur kemi zënë fill për së pari, a do t'i ndjekim

Joshjet hileqare të laraskës ? Kur kemi zënë fill për së pari.

Atje ato ishin, të denja, të padukëshme,

Duke lëvizur të papesha, përmbi gjethet e vdekura,

Në nxehtësinë e vjeshtës, përmes drithmave të ajrit,

Dhe zogu thërriste, në përgjigje të

Muzikës të padëgjuar fshehur nëpër shkurrnaja,

Dhe syri i padukshëm i rrezes kryqësohej, sepse trëndafilat

Kishin pamjen e luleve që janë të vështruara.

Atje ato ishin si miqtë tanë, të mikpritur çdo herë.

Kështu lëviznim ne, dhe ata, në një shtjellë ceremoniale,

Përgjatë rrugës të zbrazur, në një kuti të qarkuar,

Duke vështruar poshtë në një pellg të tharë,

I tharë pellgu, i gurosur prej tharjes, me plasaritje të kafta,

Dhe pellgu ishte i mbushur me ujë prej rrezeve të diellit,

Dhe zambakët e ujit çelnin, qetësisht, qetësisht

Dhe sipërfaqja vezullonte prej zemrës të dritës,

Dhe ato ishin prapa nesh, të pasqyruara në pellgun.

Pastaj një ré kaloi, dhe pellgu ishte zbrazur.

Shko, tha zogu, sepse gjethet ishin plot me fëmijë,

Të fshehur, të gjallëruar plot me haré.

Shko, shko, shko, tha zogu: shpirti i njeriut

Nuk mund ta durojë gjatë realitetin.

Koha e shkuar dhe koha e ardhme

Çfarë mund të kenë qënë dhe çfarë të ketë qënë

Shënojnë të vetmin fund, i cili është gjithmonë i tashëm.

 

II

 

Hudhra dhe zafirët brënda në baltë

Bllokohet prej llucës boshti i rrotës.

Filli rrënqethës brënda gjakut

Këndon përposhtë plagëve të herëshme

Duke i paqtuar gjatë luftrat e harruara.

Kërcimi përgjatë arterjes

Qarkullimit të limfës

Janë të vizatuara në rrjedhën e yjeve

Ngjiten verës nëpër pemë

Ne lëvizim mbi pemën që lëviz

Në dritën përmbi gjethen e vizatuar

Dhe dëgjojmë përmbi tokën e qullur

Përposhtë langoi dhe derri i egër

Ndjekin gjurmët e tyre si më parë

Por pajtoheshin midis yjeve.

 

...

 

Në pikën e palëvizshëm ku rrutullohet bota. As mish as peshk;

As prej nga e as për diku; në pikën e palëvizshme, atje luhet vallja,

Por as ndalesë as lëvizje. Dhe kjo nuk quhet palëvizshmëri,

Ku e shkuara dhe e ardhmja janë thurur. Asnjë lëvizje as prej nga

                as për diku,

As ngjitje as zbritje. Përveçse për pikën, pikën e palëvizëshme,

Atje nuk do të ketë kërcim, dhe atje është vetëm kërcimi.

Unë vetëm mund të them, se atje kemi qënë ne: por nuk mund të them ku.

Dhe unë nuk mund të them sa gjatë, sepse kjo duhet të vendoset në kohë.

Liria e brendëshme nga dëshira e çastit,

Çlirimi  nga veprimi dhe vuajtja, çlirimi i brendshëm

Dhe nga shtrëngimi i jashtëm, ende rrethuar

Nga hijeshija e të ndjerit, një dritë e bardhë e ngulur dhe lëvizëse

Kryengritje duke qëndruar në vend, grumbullim

Pa përjashtuar, të dyja një botë e re

Dhe e vjetra ishte bërë saktë, kuptueshëm,

Në përmbushje të ekstazës të saj të pjesëshme,

Vendim i tmerrit të saj të pjesshëm.

Akoma prangosja e të shkuarës me të ardhmen

Thurur mbi dobësinë  e ndryshimeve të trupit

E mbron njerëzimin nga qielli dhe mallkimi

Mishi i të cilit nuk mund të durojë.

                                                               Koha e shkuar dhe koha e ardhme

Lejojnë por pak vetëdije

Të jesh i vetëdijshëm do të thotë të mos jesh në kohë

Por në kohë është vetëm çasti në kopështin e trëndafilave,

Çasti mbi tendë ku shiu regëtin,

Çasti  në kishë kur nuk e tërheq tymin oxhaku

Kjo kujtohej; duke u ngatërruar e shkuara me të ardhmen.

Vetëm përmes kohës koha pushtohej.

 

III

 

Këtu është një vend i mosdhëmshurisë

Koha përpara dhe koha më pas

Në një dritë të venitur: as drita e ditës

Duke i dhuruar trajtën me qartësinë e kulluar

Duke e kthyer hijen në një  bukuri kalimtare

Me një qarkullim të ngadaltë që të kujton përherësinë

As errësira me prehjen e shpirtit

Duke e zbrazur epshin me privime

Duke e pastruar dhëmshurinë nga përkohësia.

As plotësi as zbrazëti. Vetëm një regëtimë

Mbi fytyrat e tendosura dhe të rrudhura nga koha

Hutuar prej hutimit nga hutimi

Mbushur me fantazi dhe zbrazur nga kuptimi

E buhavitur e plogësht e papërqëndruar

Njerëz dhe copa letrash vorbullohen nga era e ftohtë

Që fryn përpara dhe pas kohës,

Era që hyn dhe del prej mushkërive të sëmura

Koha përpara dhe koha pas.

Gromësimë e shpirtrave jo të shëndetshëm

Në ajrin e vyshkur, mpirja

Drejton erën që fshin kodrat e trishtuara të Londrës,

Hampstead dhe Clarkenwell, Campden dhe Putney,

Highgate, Primrose dhe Ludgate. Jo këtu

Jo këtu errësira, në këtë botë cicërimë.

 

...

 

Zbret më poshtë, vetëm zbret

Në botën e vetmisë të përjetëshme,

Bota jo bota, por ajo që nuk është botë,

Errësira e brëndëshme, privimi

Dhe shterimi i të gjithë pasurisë,

Tharja e botës së ndjenjave,

Shpërngulja e botës të fantazisë,

Çvlerësimi i botës të shpirtit;

Kjo është njëra rrugë, dhe tjetra

Është e njëjtë, jo në lëvizje

Por në mungesën e lëvizjes; ndërsa bota lëviz

Me etje të madhe, mbi rrugët e saj të metalta

Të kohës së shkuar dhe kohës të ardhme.

 

IV

 

Koha dhe kambana kanë varrosur ditën,

Reja e zezë e shtyn diellin tutje.

A do ta kthejë kokën nga ne lulja e diellit, kulpra a do të

Na ulet, përkulet; përdridhet dhe degëza

Të rrokë dhe trupi i saj të përngjitet ?

Të ftohtit,

Gishtat e bërshërës bëhen kaçurrela

Poshtë nesh ? Pas krahut të bajzës të liqenit

Që i është përgjigjur dritës me dritë, dhe është qetësi, drita është e palëvizëshme

Në pikën e palëvizëshme të botës që rrotullohet.

 

 

V

 

Fjalët lëvizin, muzika lëviz

Vetëm në kohë; por ajo e cila vetëm jeton

Vetëm ajo mund të vdesë. Fjalët, pas fjalimeve arrijnë

Në heshtje. Veçse prej formës, motivit,

Mundin fjalët ose muzika të arrijë

Prehjen, si një vazo kineze

Që lëviz përjetësisht në prehjen e saj.

Jo prehja e violinës, ndërsa tingulli vazhdon,

Jo vetëm prej saj, por bashkëqenësia,

Ose themi se fundi i paraprin zanafillës,

Dhe fundi dhe zanafilla ishin gjithmonë atje

Përpara zanafillës dhe pas fundit.

Dhe e gjitha është gjithmonë tani. Fjalët tendosen

Krisin dhe nganjëherë thyhen prej ngarkesës,

Prej tensionit shkasin, rrëshqasin, shkatërrohen,

Shpërbëhen kuturu, nuk do të qëndrojnë në vend,

Nuk do të qëndrojnë në prehje. Duke klithur zërat,

Duke sharë, duke tallur, ose thjesht duke derdëllisur,

Gjithmonë duke sulmuar. Fjala në shkretëtirë

Është më tepër e sulmuar nga zërat e tundimit,

Hija që qan në një valle mortore,

Ankimi me ulërima i kimerës (iluzionit) të pangushëlluar.

...

Hollësia e shëmbëlltyrës është lëvizja,

Si në vizatimin e dhjetë shkallinave.

Dëshira vetë është lëvizje

E padëshirueshme nga vetvetja;

Dashuria është vetë e palëvizshme,

Vetëm shkaku dhe fundi i lëvizjes,

Të pakohë, dhe të padëshiruar

E përjashtojnë praninë e kohës

Të rrokur në trajtën e kufizimit

Midis mos-qenies dhe qenies.

Papritmas brënda përndritjes të rrezediellit

Ndërsa grimcat e pluhurit lëvizin

Atje ngrihet e qeshura e fshehur

E fëmijëve që janë nëpër gjethe

Shpejt tani, këtu, tani, gjithmonë

Qesharak harxhimi i kohës të trishtuar

Duke u tendosur përpara dhe pas.

                                                                                             


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FRAZA POETIKE TË ARTUR REMBOSË (1854-1891 ) (12.21.2008)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]