E Martë, 05.21.2024, 09:36am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ME MJEGULL VITET MA MBULUAN FYTYRËN TËNDE, ZËRIN TËND
Nga ALEKSANDËR SERGEJEVIÇ PUSHKIN (1799-1837)

E Enjte, 10.17.2013, 09:31am (GMT+1)


 

 

***

 

Ti mos më pyet, pse kaq i menduar
në mes dëfrimesh unë rri gjithnjë,
përse vështroj përqark i dëshpëruar,
përse s'më josh as ëndr' e jetës më:

ti mos më pyet, pse porsi i huaj,
qëndroj, kur dashuria po më grish
edhe të dashur më asnjë s'quaj,-
kush desh një herë, s'digjet më sërish.

Kush qe i lumtur, prap nuk lumtërohet
se vesh një çast për ne gëzimi ndrin,
pastaj me tis të mallit na mbulohet
dhe shpirtin breng' e thellë na e nxin.
--
    

A. P. KERNËS

 

Kujtoj me mall një çast gëzimi
përpara sysh m'u shfaqe ti,
si vezullim i një vegimi
si ëngjëll plot me bukuri.
 

N'andralla jete zhurmëkote,
në dhembje brengash e mërzi
më grishte larg fytyra jote
dhe zëri yt plot ëmbëlsi.
 

Nga shqot' e kohërave që shkuan
kështjell'e ëndrrave m'u shëmb
me mjegull vitet ma mbuluan
fytyrën tënde, zërin tënd.
 

Ç'i ngrysa ditët gjith me brengë
i zymtë dhe në shkretëti
pa perëndi, pa shpres'e këngë
pa lotë, jet'e dashuri.
 

Në shpirt më shkrep agimi,
dhe ja, sërishmi m'u shfaqe ti,
si vezullim  i një vegimi,
si ëngjëll plot me bukuri.
 

Dhe rreh me gaz kjo zemra ime
sepse iu kthyen përsëri
dhe perëndi dhe frymëzime
dhe lot jetë e dashuri.

     --

RRUGË DIMËRORE

 

Në mes mjegullash të nxira
hëna zhduket, hëna bredh.
Mbi të trishtëmet rrafshira
trishtëm dritën ajo derdh.

Udhës shkretë dimërore
rend kjo trojka gjithnjë.
Zile e kalit monotone
mezi ndihet nëpër të.

Seç më kap një mall rinie
karrocieri kur këndon,
herë gas çapkënërie
herë mall ai më zgjon.

S'shoh as zjarr e as kasolle
vetëm borë si pambuk.
Dhe përtej shtyllat rrugore
duken, zhduken tek e tuk.

Ah, ç'mërzitje... nesër, Ninë,
tek e shtrenjta do të vi.
Pranë zjarrit kur të rrimë
të të shoh me mall në sy.

Dhe akrepi i sahatit
do vij' rrotull me qetësi
E mërzitshmja mesnatë
s'do na ndajë përsëri.

Mërzi udhës dimërore
karrocieri zu dremit
Zile e kalit monotone
hënë e mjegullt që ndrit.

   

***

 

Pranverë, o kohëz dashurie,
ç'më mbush plot me pikëllim.
Sa mall sërish ti po më bie
në shpirtin tim, në gjakun tim.

Për mua gazi është i huaj...
çdo ngazëllim e çdo shkëlqim
më sjell mërzi, më bën të vuaj.

 

Oh, nëmëni shqotën, suferinën
dhe të pafundmen natë dimri.

 

***  

 

Pse, moj jetë je dhuratë
që të bie rasti kot?
Pse të dha i fshehti fat
një ndëshkim me tmerr në botë?

Ç'është ai pushtet i nxirë,
që prej hiçit më ka thirë,
që në shpirt më dha mundime
dhe dyshim në mendjen time?

Pa një dritë e një qëllim,
më rreh zemra në shkreti.
Më mbush plot me pikëllim
jeta gjith monotoni.

 --

LULJA

 

Një lulëz mes një libri gjeta
Të tharë edhe pa kundërmim
Dhe për një çast i shtangur mbeta
E humba thellë n'ëndërrim

 

Kur lulëzoi? Ç'pranverë thua?
Kush e këputi edhe ku?
Një dorë e njohur a e huaj?
Dhe pse e vuri vallë këtu?

 

A për kujtim të një takimi?
Apo për ndarjen plot trishtim?
A për një endje pikëllimi
Në heshtje fushash pa mbarim?

 

Ai, ajo, jetojnë vallë?
Ku thua janë, ku bredhin ku?
Apo mos ndoshta janë tharë
Si dhe kjo lulëze këtu?

 --

TI DHE JU

 

Të zbraztën "ju" ajo me "ti",
Në kuvendim e ngatërroi,
Dhe ëndërra plot lumturi,
Në shpirt të ndezur seç më zgjoi.

I heshtur para saj qëndroj,
Vështrimn' e dhembshur pa ja ndarë;
E shtrenjtë jeni,- i shqiptoj,-
Të dua! - shpirti flet me zjarr.

 --

KALORËSI I VRARË

 

Në pyjet e largëta mbrëmja po ikën.
Të fundmet shkëlqime të saj u veniten,
Lugina e thellë ka heshtur;
Zhurmon midis mjegullës lumi me valë.

mes reve që enden në qiell ngadalë.
Ndrin hënëz e artë pareshtur.

Koracë e çeliktë dhe heshtë e coptuar
Të shtrira po prehen te kodr'e vetmuar,
Mburoja prej ndryshkut po nxin,
Mamuzet të shkreta në myshk kanë mbetur

Dhe s'tunden nga vendi; dhe hënëz e mekur
Mbi trup të përgjakur po ndrin.

 

Rreth kodrës vërtitet besniku dori,
diçka vezullon thellë syve të tij,
Me kryet e unjur kalon;
Luginën po rreh me patkonj gjithë zjarr,
koracën vështron edhe krejt vetmitar
Po dridhet, së thelli gulçon.

 

Nxiton nëpër terr vetmitari dori,
Me shpresë e me frikë e më drojtje në gji,
Patkonjtë i brengosur rreh shpejt;
Po ngjitet me duf në kodrinë e vështron
E nxiton... e çeliku në terr tingëllon,
Ndënë këmbën e lodhur të vet.

 

Afrohet te trup'i kalorsit të shkretë,
Mundohet ta çojë, po kocka kërcet
Edhe kafka përplaset për tokë...
Së thelli i gjori dori hingëlliti
Përqark n'errësirë vështrimin vërtiti
Dhe heshtaz pastaj uli kokën.

 

Shtegtari që larg nëpër terr po kalon,
mes heshtjes të ngjan se mbi kocka po shkon...
Po ja dita zbardh përsëri,
Koraca dhe heshta e shkretë po ndrin.
Kalorsi rri shtrirë e s'lëviz mbi kodrinë.
Doriu veç endet rreth tij.

 --

I BURGOSURI

 

Lëngoj pas kafazit të burgut të zi.
Një shkabëz robinjë përballë më rri;
E ngrysur vështrimin ndër qiej vërvit,
Tund krahët, dhe gjellën e gjaktë skërmit,

 

E shqyen, e flak, dhe më sheh me trishtim,
Sikur kemi bashkë të njëjtin mendim.
Më grish me vështrime dhe zjen e këlthet,
"të nisemi" - thotë - "ku qjelli thërret"

 

Ne jemi dy zogj, pa liri s'rrojmë dot!
mbi male, vëlla, të vërsulemi tok,
Mbi detet e kaltër, të çiltër si lot,
Ku era... dhe unë baresim ngamot!..."

 --

DEMONI

 

Në ditët kur së pari nisa
Të gjerën jetë ta kuptoja,
Kur shihja vashëzat e lisat,
Bilbilin natën kur dëgjoja,

Kur zulma, malli dhe liria,
Dhe frymëzimi, poezia
Si zjarr e flakë e patreguar,
Në shpirt më zjejnë pa pushuar,

Kur brenga dhe mundim'i heshtur,
Më zuri vend këtu në gji,
Më vinte plot inat pareshtur,
Këtu në zemër, një gjeni;

Gjithnjë më sillte shqetësim
Çdo qeshje e tij e çdo vështrim.
Te fjalë e tijë plot me vrer
Dëgjoja të pafundmin ferr.

Ai me shpifje, pa pushim,
Çdo gjë të shtrenjtë e mbulonte;
Të dlirin, t'ëmblin ëndërrim
Dhe frymëzimin e përçmonte;

S'besonte dashuri, liri,
Jetën ai gjithnjë e përqeshte;
Mbi dhé, për asnjë bukuri,
Të thurte lavd ai nuk deshte.

 --

MËNGJEZ DIMRI

 

Sa ditë e bukur! Diell e borë!
Dhe ti, mikeshëz engjëllore,
Ende bën gjumin ledhatar.
Oh, zgjohu, ëmbël çil qepallat,
Aurorës dil e shfaqju ballas,
Shkëndrit mbi të si yll polar!

 

A të kujtohet moti mbrëmë?
Buçiste shqota gjithë gjëmë
dhe errësirë qe ngado,
si njollëz hënëza zverdhonte
Mes reve sterrë e të trishtonte
po sot, pa dil në xham e shiko:

 

Në të pafundmen kaltërsirë,
Qilimin madhështor ka shtrirë
Dëbora, që prej diellit ndrin,
Veç pylli nxin, po thellë prej tij
Blerojnë bredhat e përbri,
Nën akull, lumi vetëtin.

 

Me një shkëlqim prej qelibari
Feks tërë dhoma e te zjarri
Lodrojnë flakët gjithë gaz;
Ti ndihesh ngrohtë aty në shtrat,
Po shih këtu: doriun at
Ta mbreh në slitë këtë ças?

 

E të rrëshqasim nëpër borë,
Kësaj hareje mëngjezore,
Mikeshë e shtrenjtë, me revane
Të rendim fushës mbetur shkretë
Dhe pyjeve, gjer dje plot fletë,
Dhe bregut, që në shpirt e kam!

 --

AKUILONI

 

Perse, o i rrepti Akuilon,
Kallamet fort përkul kur fryn?
Pse retë kaq me duf i shtyn?
Prej horizontit ç'i dëbon?

 

Dikur, shtëllunga resh të nxira
Mbulonin qjellin pa mbarim,
Dikur, plot hir, me lartësira
Lëkundej lisi pa pushim...

Po ti u ngrite dhe gjëmove,
Me duf, me vrull e me lavdi -
Nga qjelli retë i dëbove,
Rrëzove lisin gjeth-flori.

S'ka gjë, tani le të ndriçoje
Fytyrë e djellit plot me gaz,
Me retë flladi të lodrojë
Dhe me kallamet në çdo ças.
Përktheu: JORGO BLLACI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VEÇ PËR BUZËN TËNDE MJALTËCikël poetik nga PËRPARIM HYSI (10.17.2013)
NË VEND TE URIMITPak reflektim…Nga DRITA LUSHI (10.17.2013)
ESPERANTOJA E TË DASHURUARVEPoezi nga VEHBI SKËNDERI (10.16.2013)
HUNDANovelë nga NIKOLLAJ VASILJEVIÇ GOGOL (1809-1852) (10.15.2013)
KËNGA E MONOTONISËProzë nga NONDA BULKA (10.15.2013)
DIELL I ATDHEUT Poemë për shpërnguljenNga RRUSTEM GECI (10.15.2013)
'BLOWBACK' - ROMANI I ISH AGJENTES VALERI PLUME (10.14.2013)
"PËRJETË ME SHEFIKUN”, LIBËR NGA URTI OSMANI, NË KUJTIM TË BASHKËSHORTITNga: Prof. Dr. PAJTIM BEJTJA, Mësues i merituar-Tiranë (10.14.2013)
MANAXHERI I VITIT 1942Skicë nga ZEQIR LUSHAJ (10.14.2013)
MERIMANGA dhe KËPUCËT E SHQYERADy tregime nga ADEM ZAPLLUZHA, nga libri “Fluturimet e korbave në netët pa hënë” (10.14.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lart]