I THA DHIMBJA SHPIRTIT Cikël poetik nga NIKOLL NDOK ULNDREAJ
E Shtunë, 07.05.2014, 07:58am (GMT+1)
SËRISH NOTOJ NË DETIN E LOTIT TIM
Qielli i kaltër Bjeshka e kaltër Uji kaltër Ëndrra e kaltër Po zbehen e po zbehen Ngase nuk mund të mërgohen Me njerëzit.
Duket se vuajnë... Bjeshka, qielli, uji e ëndrra Rrinë strukur nën qepalla Të kohës që po ftohet E marrin dritë Nga një fener i braktisur Ditën e ndarjes.
E unë... humbas Si vërshëllima shtigjeve... E serish notoj Në detin e lotit Larg, larg Emigrant Në dhe të huaj.
Ndërsa shpirti shëtit e shëtit Bjeshkë në bjeshkë, Stan në stan Krua në krua Dhe në mure të ditëve Shkruan Emra të larguarish.
Nyjet e kujtimeve zgjidhen Në skajin më të largët të vendlindjes Atje ku pisha e mallit tim gjelbëron E unë ç'kuptim ka të jetoj në shkretëtirë të largët Ku loti përzihet me ngjyrën e errtë të dheut Më duket se edhe vuajtja nga damarët e dheut më vjen E jeta po më kthehet në zhgënjim.
Shpresa është si fara e pishës që mbin në shkëmb Të shtatë ditëve të javës... Shtegu hapur i mbetet dëborës Shtegu hapur mbetët shfryrjes së erërave Shtegu hapur mbetet edhe për brengat e mia Që qielli i përhimët Do ti djegë me zjarr.
Mos mu fshih damarëve të stinës Sikur je i vetmi kalorës që ec heshtur Duke ju afruar bregut të vetmisë I tha dhimbja shpirtit Mos mu fshih se ndihëm i mbytur Në vorbulla moti Të të pa pritmes së beftë.
Se pastaj... do të zë peng e të vari Në kurma të mrizit Qafës Në sy të Kakisë, të majës Bardhë, të Shtarzave Të majës Hekurave e të Kores Merturit Sikur të ishe ketër i bardhë Pa mëshirë në dritë të hënës Në pusterr të natës.
Edhe ju, o zana mos i kërkonin lotët, Lotët që i humbet nëpër shpatina Vite më parë Kurë Nikaj-Merturi rrudhosej nga popullimi E vetmia vërtitej e vërtitej Me hijet e ikjes Në duar.
Unë shtegtari i harrimit Dëgjoj zhurmën e erërave të botës Dëgjoj edhe hingëllimën e kalit të Trojës Gjithnjë e më afër Sa herë hapet e mbyllet dera, Dera E lashtësisë.
Herë pas here ndërtoj kafaze Nga druri i gështenjës Dhe i vendosi në pragun e kopshtit Për zogjët e bjeshkës sime Që portretizojnë fytyrën e diellit Kur e nxjerr syrin mbi bjeshkë Në ag të mëngjesit.
Qielli i kaltër Bjeshka e kaltër Uji i kaltër Ëndrra e kaltër Po mendohen e po mendohen A mund të mërgohen Me njerëzit.
VALBONA
Fërkon qepallat Shkëlzeni Në ballin tënd Saherë lindë mëngjesi Që ti të dukesh më e bukur Kur ikën Duke fshehur vajin Valbona ime kaltëroshe.
Ti nuk ke rënë me fjete Edhe pse sonte Ta kam fshehur fenerin Në zverkun e pyllit të errtë . Nuk të prishka punë Feneri i bardhë Që s'pritte sa të çmallemi. Harbuar të paska Kulloshtra kristal e bores.
Brigjet ti ka gjakosur një shpend i egër Që jeton në shpatullat të bjeshkëve Ku fryjnë erërat dimërore Dhe vetmia zhgërryhet në hije...
Më merr malli Kur ti ikën Më mungojnë duart tua plot fllad Që çelin trëndafila Valbona ime.
VENDLINDJES
Ka shekuj që lumi i Bardhë i puth brigjet tua Të përshëndeti dhe e përshëndete Ti qeshë, qanë, hesht fjalë të rëndë nuk thua Shtegtarit të përjetshëm që mërgon në dete.
Vendlindje, ti qëndron ulur këmbëkryq mbi bjeshkë Digjet pejsazhi yt me sy të përlotur nga udha Serish zogu krahëlarm i këndon stinës në pjeshkë Stinët vinë e ikin e në ballin tënd shtohen rrudha.
Bredhin arave zogj trumcakë të gjejnë kallëza gruri. Dita shkrehët në pyllin e errët të vetmisë, humbet Mote të dehura me verë blerimi në kulla saraje guri Bujare sofra shtruar shtegtar të harruar pret.
SHOKUT TIM
I kushtohej Nikoll Isufit i cili Ka kontribuar ne ndertimin e Qytetit B-Curri
Serish doja të gjeja me projekte ne dore Si dikur i ri, i shkathet dhe energjik Duke i rritur shtatin qytetit tone malor Me rruge, pallate, shkolla, kopshte o mik.
Ah, si ikën këto vite kështu or burrë, Nga kallot e duarve tua ka mbire qyteti I rreshtoje pallatet si ushtare para mbreti Duke i njomur stinët me ujin ne gurre.
Kur i kujtoi ato kohëra shpirti me regëtinë Tani e besoj se ato stine nuk kthehen tjetër I kemi humbur te gjith lumenjtë e vjetër Neper ditë, neper muaj dhe neper stine.
Serish afër muzeu vigjilo B. Curri plak Qytetar të tij në ditë feste dhe ujkendi Për ata që i mungojnë zemra i dhembi Ndoshta të na shikoj serish ka merak.
DUKAGJINI
Dukagjini rrethuar me male si dhembe kali Ne mes si shpirte bamirësie lumi kaltërosh Njëqind mrekulli mahnitëse zoti ua fali Dhurate për Shale, Theth , Gimaj e Shosh.
Atje mbetesh syhapur për ti parë fundin Fshatra fytyrebuta, flladi të ngre përmendore Zemra kthehet ne sharki, zogjët kokën tundin Mikpritje dhe përcillje me respekt mbretërorë.
Ndihesh i etur për bjeshke, për kroje dhe livadhe Te çlirohet shpirti nga ankthi, boshi dhe mëkati Njerëz te zgjuar, rritur si lis mali e zemër te madhe.
Shtëpi guregdhendur merakshem për djemtë ngritur Gjithçka të fale dashuri fisnike flladin duke shkopsitur Sa çel e mbyll sytë mund te fluturosh, faturat i ke gati.
NJE VASHE HAJDUTE BURRASH
Një vashë e freskët Si uji tek gurra Bën ojme ditën Natën hajdutë burra.
Është harlisur Vasha nga shtati Që hajdutë burra E di gjithë fshati.
Një natë binte shi Frynte edhe erë Erdhi pa pritur Më trokiti në derë.
E veshur në të bardha Njashtu si zanë Sytë e saj të zi Dritonin si hanë
Më hajduti mua Të mos u vijë çudi U dorëzova pa kushte Për sytë e saj të zi.
DY PËLLUMBA
Dy pëllumba të bardhë fshihen, nuk flasin I druhen dinakërisë tekanjoze të gjahtarit Por papritur më gjeste e cicërim të ngasin E flakën i vënë pyllit të durimit të beqarit.
Po pse qeshja prej trëndafili erdh e shkrepi Nëpër gjak. E gjakun ndezi në deje si fieraje Dy pëllumba të fjetur në shtratin e një krepi Zjarrin i vënë luginës e tymi dil në maje.
MOS MË LINI PA VARR
U nisa mbas dëshirës rrugën me gjet Ndër shtigje mortjen gjeta mbi rrasë Plaga e dheut a thua vërtetë jam vetë Qëkur ika nga vendlindja me buzët plasë
Kokën më ka prerë e padukëshmia dorë Një dorë e zezë , e zezë si ajo e territ Trupin tim kufomë e mbuluan me borë Shpirtin e burgosen në ferr të Aligerit.
Kufoma gjendet kur të ketë shkrirë bora Kush do ta njohë kufomën time pa kokë Ndaj po shkruaj duke mu dridhur dora Mos më lini pa varr për dy pëllëmbë tokë
ZOGJTË E BJESHKËS
Zogjtë e bjeshkës së bardhë ngritën tendë Pranë kopshtit të mbjellur me vetëtima Të fshehin diellin kur fryn moti rendë Këngë të ëmbël i këndojnë me cicërima.
Por tenda e zogjve nga vetmia u shemb Se vetmia pakëz bjeshkët i kish vrarë Era flamuj gjethnajash ngriti në shkëmb Dhe zogjtë jeshilë u kthyen në magjistarë.
STREHA E VJETËR
E di. Në krevet curulitet toja E çelsi fle gjumë dikund në një skutë Kullës nga çatia iu ka hapur goja Dhe ofshanë butë.
Në vetull të derës qan një plasë E në oden të burrave vetmia u përgjak E gjyshit kutia e duhanit me letra Për mysafir rri tek rrasa në oxhak
Ngrohtë në qoshen e urës rri një fjalë e shkret Frika ka hyrë në mua Rresht dhjetë breza nga trolli një nuk shket Mos këputet filli tek un drua.
Në hi të syrit shikimi krahët përdredh Mos të vrasë zogj pendimi Në mote gjak e lot mbledh, Strehë e vjetër, strehë amshimi.
E mbështes kokën time mbi prag Pres një fjalë, një përkëdhelje, një bekim Po unë kurrë s'të kam harruar edhe larg Strehë e vjetër, strehë në amshim.
STANET NË BJESHKË
Gjithë stinën Bjeshka u curulit Në prehrin e ditës.
E stanet Bënë sehire E veruan në vetmi...
O LEKBIBASE VASHË BJESHKËTARE
O Lekbibase vashë bjashkëtare Rrexe dielli në livadhe Rrexe hëne nëpër zhare Kur vesh vello shtojzovalle.
Kur qesh ti qesh dhe Marini Zogu i malit heshtë në kreshtë Nga liqeni ngrihet Drini Hypë në kalë e ngjitet në bjeshkë.
Njomzo ahu, njomzo kajsia Në vetull mali e në pllaja Borën e vjetër e shkrinë Kakia Nga xhelozia e nga sevdaja.
ZOGJ JU NUK E DINI QË S'FLE
Zogj me këngë më zgjoni Në mëngjes Them se zgjim më të ëmbël Nuk ka. E ju nuk e dini miqtë e mi Që s'fle. Se qielli i nxirë, Pikon lot në brengen time Medet. Dhimbja fsheh plagën Më lehtë se fjalën. Diku pranë ujët që rrjedh Hijes të qelisë Ku tunden prangat Tani në agim Në sytë e tim bir Si në vaj. Kush vallë me lustra hijesh Sajoi mbrëmjen e dimrit Që erdhi Duke u kredhur në terr E u kacavjerrë frikshëm Në hekurat e burgut. Qumështor të unët Digjen prajshëm Në flakën e hashashit Për një çikë punë Që nuk ua dhamë Për një copëz bukë Që nuk e kanë E shpirtit u humbasin Në karvanin e cicërima Të zogjve.
Zogj ju nuk e dini Që s'fle Kur ujërat qajnë Për gurrën që humbet në ranishte. S'fle se yjet rreth meje Gjëmojnë nga prangat E syri i qiellit loton Mbi mua pleqëri flokëbardhë Pa mëshirë. E një vikamë si stuhi Pluskoi mall të qulltë Në prag të mëngjesit Prej kaq kohësh Në të katër stinët.
A thua Hyri në cicërimat tuaja Vezullimi i ftohtë Afër agimi. I yllit tim duke u falur E përkulur Para tokës dy herë Së bashku me njerëzit Që sonte s'flenë nga pagjumësia Duke matur me sy mes të çarës së dritares Oborrin e qelisë E flaka e brengës U fiket pa zë nëpër terr Diku pranë një gardiani Që rojton bijtë tanë. Rrethuar me tela gjembaçë Që hiqen zvarrë nga dhembja. Ah,të kish drejtësi Që ta pranonin gjith njerëzit Sytë e mijë, sonte S'do të ishin të pa gjumë.
Zogj ju nuk e dini Që s'fle Se qielli është i inatosur E hëna mi fshehë sytë Mbas bjeshkëve, E lumi mi fshehë gurgullimat E se e di që jam etshëm, E kulla ma fshehë sofrën E se e di që jam i unët, E shteti nuk e di që marr frymë Por unë Nga brinja e Atdheut Jam Se këtu kam lindur E i përgjërohem Të më japë në pronësi Dy pëllëmbë tokë Vetëm dy pëllëmbë Ti kam të miat Sa për një varr Kurë të vdes.
Zogj Me këngë Më zgjoni Në mëngjes Them se Zgjim më të ëmbël Nuk ka. Por, Ju nuk e dini Që s'fle ...
GJËMË BURRASH
Britma burrash Spiruar Në gurët e kohës.
Dhe gjethi i njomë Në lis Ngjethet E dridhet Si thupra në ujë. Lotët rrjedhin Si krua bri mali Faqeve të rrudhura.
Mbytur në trishtim Qielli ngrinë. Vetëm Ka mbetur Dhembja. Zogjët e zhurmave Fluturojnë Sipër reve.
Ç'panë sytë Ç'ndieu zemra Në breg të këtij deti Të trishtuar Që dallgon lot Mes vështrimeve Lisi i akullt Mbinë në buzë
Eh, mjeri vllau im, i mjeri unë I mjeri për ty. Eh i mjeriiiiiiiiiiiiiii Ho, ho, ho,ho,ho,hoooooooooo.
KROI NË RRUGË
E kam gjetur gështenjën e vjetër duke qarë Dihamë e ofshamë ndihej gjer larg, Kurora mezi mbahej në trup të vjetër Asnjë çift nuk puthej në hijen e saj Se hija qe spiruar nëpër gur e grisur nëpër ferra Hedhur në përrua si këmishë fukaraje, Kur ika unë, kroi im i mirë... Kishe filluar jetë të re, shuaje etje rrugëtarësh... Dashnishtë puthje vasha në buzë, në faqe e qafë Edhe fieraket e këndshme i puthje Që unë s'munda ti puthi dashtënisntë Veç një rreze drite u mora në sytë e vesës së mëngjesit Dhe zjarrminë e hënës Që u digjte faqet, gjinjtë, ujëvarat e flokëve Luljetës, Athinës, Terezinës e Manushaqes. Po ti puthi për mua në buzë, në faqe, në qafë e gjokes Puthi në gegërisht E në gegërisht thuaj dy fjalë dashurie në vesh Që nuk munda me ua thanë...
Tropojë me dt. 24. 6. 1973.
DY PËLLËMBË TOKË
Në vorbull të motit më ka lënë i pari Kur toka digjej nga luftërat ashiqare Dy pëllëmbë tok e pak zjarr shqiptari Ballë për ballë me një bote hileqare
Ndër kreshta për një krah barë tuflak Dhe për një tufë gojfil alpin erëqet Dhimbshëm kam lënë një grushte gjak Të shërohen plagët e gurit të shkret.
Në oborr t' kullës shkëmbi, dimër te dera Përsipër hëna manare plasaritur qerpiku Shtigjeve të ngushta bredh lumi dhe era Nga kafazi im zogu i moshës më iku.
Jap e jap të shqyej qiellin tim çikë-çikë Rrudhat mbi ballë në radhë si valë deti Dhe një lot, dhe një pikë djerse mbeti Dhe ky shkopi i shkret nga unë ka frikë?!
NIKOLL NDOK ULNDREAJ
|