Kur e shihje, nuk ta mbushte synë. Si më i shkurtër nga çdo burrë i
zakonshëm dhe, siç vihej re që atje tej, nuk tregonte kujdes për
veshjen e tij. Por qe si qe, as shtati i shkurtër dhe as ajo moskujdesja
në veshje, s'është se i prishnin punë as atij dhe as kujtdo tjetër.
Çudia qe se, kur uleshe me të qoft dhe për pak, hasje në një shakaxhi që
të gajaste. Që nga njohja e parë me të, sado që përshtypja ishte pak e
nxituar, dilje me përfundimin: nga veshja "kripë", nga goja brisk. Ishte
nga ata lloj që gjuha i priste hekur. Pra, kishte nevojë që gojës t'i
vinte fre se sa për shtyrje a kurdisje. Fillonte dhe nuk dinte të
pushonte. Po ashtu si ajo gjella e mirë që e do kripën e piperin me
matë, edhe ky pas çdo ngjarjeje, do këpuste ndonjë shaka.
* * *
Kur
e njoha unë, nuk ish as i ri dhe as i vjetër. Tregonte se kish patur
një fëmijëri të vështirë, se babai e kish lënë aq të vogël, sa atij nuk i
kujtohej as për fytyrë. E rriti nëna dhe kjo qe nga ato lloj grash që,
po të frynte era e vërviste kushedi se ku. U rrit, siç thosh, me ndihmat
e botës. U rrit përmjet vuajtjesh dhe, kur tregonte për llojet e
ndryshme të punëve që në mituri, me të vërtetë që të vinte keq. Pushtimi
fashist e gjeti gati 10-vjeç dhe ai sikur "pushtimit" i kish parë
hairin: vidhja vezë qymezeve të botës,- tregonte ai,- dhe nxirrja jo
vetëm bukën time, po edhe për nënën që qe e dobët si një fije bari.
Shkoja dhe në shkollë (sa për sy e faqe,se shkollës kurrë nuk ia kam
thënë) dhe, në pushimet e verës, më veshën "balil". Këtë "balil", sado
që qe shakaxhi, vonë, fare vonë e tregonte. Kur më fliste për sefte (kur
u njohës së pari), nuk mbaj mend ta ketë përmendur "balil-llëkun", por
tregonte se si një komunist më i vjetër në lagje, e kish futur si
"Debatikas". Si debatikas se ai shpikte dhe a i kish bërë vërtet,
krekosej dhe për ndonjë akt trimërie. Po nuk mbaronte me kaq: kish qenë
partizan me brigadën e 17-të sulmuese. Nuk kishe se si e vije në dyshim
këtë pjesëmarrje të tij, sado që ka qenë si ai "partizani i vogël,
Velo", se në çdo përvjetor çlirimi e shihje tek parakalonte me ata,
ftimtarët. Kur e pyesja se në kish vrarë ndonjë armik, sidomos gjerman,
se gjermanët qenë kur doli ky, shakaxhiu partizan, pa i luajtur qepriku
fare, thoshte:- Shih turinë dhe vari kusinë. Po mua,- shtonte,- sa t'më
shihte gjermani për fytyrë, dhe thëmbrat mbi supe. Vet kur thoshte
kështu, nuk kish asnjë dridhje muskuli, ti që e dëgjoje e çoje buzën
vesh më vesh. Po ai as që e prishte terezinë. Qe si qe, po në luftë mori
pjesë dhe, pas lufte, meqë asaj të shkrete shkollë nuk ai thoshte, u
fut në një kurs shoferësh. Pra, unë e njoha kur punonte shofer. Shofer
po, por dhe komunist. Në organizatë të partisë u punonte qindin si
drejtorit, sekretarit dhe gjithë kastës drejtuese. Në xhep, sado xhepat i
"rridhnin", mbante një bllok ku, patjetër, kish të shënuara fjalët e
komandantit (nënkupto Enver Hoxhën) dhe me ato fjalë në gojë hapte
"zjarr artilerie" mbi drejtuesit. Po dhe ata: sipas kokës, i kishin vënë
dhe festen: këtij "veterani" i kishin dhënë një makinë "Zis" nga ato të
kohës së Carit. Ai, si shakaxhi që qe, thoshte: me "plevitë" unë, me
"plevitë" dhe makina. Drejtuesit i kish gjetur belaja dhe donin vetëm
shkak që ta zinin në "presh" dhe ta përjashtonin nga partia. Po deri sa
të vinte ajo që prisnin, ai mezalla se u ndahej: ua bëri kurrizin copë.
Nuk qe kushedi se ç'idealist, se, pak nga pak, po zhgënjehej me atë që i
shihnin sytë.
* * *
Kurrë
nuk e realizonte planin dhe, kur drejtuesit e sulmonin në organizatë
për këtë, ai gjuhëbrisk siç qe, thoshte:- Ore grua është dhe plaka ime
(e kish fjalën për nënën dhe jo për gruan), por a pjellë dot në pleqëri,
se, or shoku drejtor, ajo makina ime një vërsë ka me plakën time. Ata
që dëgjonin këtë lloj fjale në kolektiv apo organizatë, qeshnin e
gajaseshin, kurse ai hiç. Nuk kish mbledhje të organizatës që mos
diskutonte dhe jo kuturu, jo. Tak nxirrte nga xhepi bllokun dhe ia
fillonte:... në filan vepër, në këtë apo atë faqe, sh. Enver ka thënë...
dhe nuk kish njeri që t'i dilte para.
Një ditë mbledhja zgjati mjaft. Diskutoheshin 10
cilësitë e komunistit. Secili nga folësit betohej për këto ideale të
mëdha dhe ky, Shakaxhiu, nga që i njihte mirë disa syresh, mendoi t'u
bënte një rreng. Ishin tre prej tyre që, edhe po t'i vije mbi prush për
t'i pjekur të gjallë, betoheshin për këto 10 cilësitë e famshme.
Shakaxhiu e kish bërë fjalimin e tij dhe, kur i kërkoi lejë sekretarit
që të ikte para kohe për një "çështje familjare", qe sekretari që u
gëzua nga kjo kërkesë. Shakaxhiu frymën në shtëpi. Atje u "shkërbye" dhe
u bë tjetër. Futi koburen poshtë xhaketës (e kishte me lejë si veteran)
dhe në një rrugicë të ngushtë ku nuk kishte këmbë njeriu (qe errur),
zuri pusinë. Priste të vinin kësaj rrugice tre prej atyre "trimave" që
betoheshin për ato 10 cilësitë. Atje ku qe fshehur, i ndjeu hapat që
afroheshin. Shakaxhiu kish vëvë shapkë me strehë, zuri e trashi zërin
nja dy oktavë më lart dhe bërtiti: - Duarët lart dhe, po bëtë dhe një
çap më tutje, u vrava. "Trimat" e 10 cilësive, ngritën duarët lart. Një
dhe nga një, nxirni testat e partisë dhe i hidhni tek këmbët e mia! I
pari që e nxori, tha: -Aman, unë nga e keqja e mbaj. Kam gënjyer:
gjyshin nga nëna e kam patur kulak!!! Unë,- foli tjetri,- kam patur
xhaxhanë me ballin. I treti, nuk foli fare.
- Po ti,- bërtiti i "maskuari",- pse nuk flet. I
treti: as gëk dhe as mëk! Testet tek këmbët e "Shakaxhiut" që, mbasi i
mori në duar, hoqi shapkën dhe u tha:- Me demek, jepni dhe jetën për
partinë,ë?! Kur u rrëfye siç qe, ata nuk e deshën veten. Por
"shakaxhiut" nuk ia falën këtë "rrengë". Ta denonconin, kishin frikë se,
në vënd të vetullave të tij, do nxirrnin sytë e tyre për qëndrimin aq
"trimëror". Shakaxhiu, nga ana e tij, aq e pati "kurdisjen", se, po t'i
denonconte, do merrej si provokator dhe mbetën si të "ndërvarur" nga
njëri-tjetri. As ai i donte dhe as ata nuk e shihnin dot me sy.
* * *
Po
borxh pa larë dhe hak pa marrë, zor se mbetet. Po fillonte "pastrimi" i
oganizatës nga të "mefshtët". Kupola në listën e të "mefshtëve" kish
vënë dhe emrin e "shakaxhiut". Sado që sulmit iu përgjigj po me sulm ,
kushedi sa herë e nxori atë bllokun me fjalët komandantit, por me
"shumicë votash" e përjashtuan nga partia. U gëzua kupola dhe,
veçanërisht, ata tre "trimat e çartur". Pas përjashtimit, shkuan dhe i
morën dhe koburen, se mos ky, Shakaxhiu, bënte kiametin. Të gjitha m'i
bënë,- tregonte,- por shakanë nuk ma morën dot.
Pse?- pyeta unë. Bëre ndonjë rrengë tjetër?
-Aha,- më tha,- kjo qe dhe më e madhe.
Për
vit të ri, kur u ndanë pakot, më ra një kobure. Më ra a ma vuri
ndonjë nga "ata", nuk e mora dot vesh. Koburja qe kauçuk po goxha e
madhe. Një ta marr, që thuaj ti, dhe me vrap tek një këpucar.
-Më bëj, - i thashë,- një këllëf për këtë se dua ta mbaj si të vërtetë.
Ou,-
tha ai,- prit se kam një të vjetër të një oficeri. Ma dha dhe tak në
brez. Kot sa për t'u kapërdisur para atyre "tre trimave". Mirëpo nuk
arrita. Tek shkoja me makinë jashtë qytetit, tak dhe më ndalon
një"kontroll vullnetar". Këta "vulnetarët" qenë hall më vete. Zuri ky
dhe po më dongëdiste kokën dhe, kur ma pati: patentën! Ky më tha,
patentën, unë tak dhe nxjerr nga këllëfi "koburen": - T'i hodha trutë në
hava!,- e kërcënova. Ia mbathi nga sytë këmbët dhe më denoncoi në
polici. Kuptohet që më thirrën urgjent. Kërceu prifti nga belaja. Koka
ma bëri, koka dhe ta paguaj,- thosha.
-Ku e ke gjetur koburen,se ne atë që kishe me leje, ta kemi marrë
-Ma dhanë "dhuratë" nga bashkimet profesionale!!!
- Me kë tallesh?
- Nuk tallem fare.
-Nxire që ta shohim.
Kur e hoqa nga brezi dhe ua zgjata për ta parë, qenë ata që u gajasën. Më lëshuan po një "shënjë në latë" ma bënë.
* * *
Kish
dalë në pension dhe, veç pensionit për punë, merrte dhe atë njëmijë
lekshin e luftës. E merrte por mëndjen e kishte tek shakatë. I shihte
ata "bash shokët" e dikurshëm, tani veteranë që mbaheshin e krenkoseshin
për pjesëmarrje në luftë. Prishur pa prishur mirë shteti i dikurshëm,
tek gjerbte kafenë me një shok të moshës, e shkrepi: - Ti nuk ke
qenë"balil" në kohë të Duçes, kurse unë po (këtë bisedë e bënte enkas se
ballas kish ca nga ata "ishbalilat" që e kishin fshehur të kaluarën e
tyre) dhe, tani që po hapemi drejt perëndimit, qeveria italiane ka
vendosur që të na lidhi pension për atë kohë. Ja unë shkova në degë dhe e
gjeta emrin: gërr 1000 lierta në muaj. E gjatë ajo lista në
degëushtarake, po e sakt: Itali hesapi! Ballas: sy e veshë dhe, sa
dëgjuan këtë "balil shakaxhinë", u ngritën sikur kishin punë dhe frymën
në degë ushatarake.
- Kemi qenë dhe ne, a i vrarë "balila", po krreje atë listën e pensioneve nga Italia!!!!
-
Si, or, si?- u çudit më tepër sesa pyeti kryetari i degës. More për
ç'balila dhe për ç'pension flisni?! "Trimat" mbetën me kokëulur dhe nuk u
dukën për ca kohë tek klubi përballë degës ku gjerbete kafen "balili"
shakaxhi.
Kështu e sosi jetën me shaka sa iku nga kjo botë.
Dhe tek shkruaj për të, them se e meritonte atë nofkë. Botërisht dihet
që shakaxhinjtë janë si fëmijtë: të qashtër dhe nuk i bëjnë dëm askujt. I
tillë qe dhe ai. Dhe ndaj e kujtoj me këtë shkrim.
Tiranë, 2 shtator 2014