BDI KËRKON ZGJEDHJE PARLAMENTARE - BOJKOT PRESIDENCIALEVE
E Mërkurë, 02.26.2014, 06:25pm (GMT+1)
MAQEDONI - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa do të vendos për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale.
Ky qëndrim bëhet i ditur nga burime partiake të kësaj partie, e cila vendimin zyrtar do ta konfirmojë në mbledhjen e kryesisë qendrore në Tetovë. Kjo parti theksoi se presin se cili do të jetë vendimi i VMRO-DPMNE për presidentin koncensual dhe se në rast të zgjedhjes së një kandidature të njëanshme, atëherë do t'i bëhet thirrje shqiptarëve që të mos dalin në zgjedhjet presidenciale.
"BDI do të vendosë që t'i bëjë thirrje votuesve shqiptar që të mos votojnë për zgjedhjet presidenciale duke pasur parasysh faktin se VMRO-DPMNE nuk ka pranuar konceptin për president konsensual", deklaroi zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani.
Ai theksoi se në mbledhjen e kryesisë qendrore sonte do të miratohet platforma e re politike, e cila do të përmbajë shumë mekanizma koncensualë, që do të garantojnë votën e shqiptarëve dhe do t'i jepet vlerë më e madhe gjatë sjelljes së vendimeve.
Sipas tij, kjo platformë do t'i ofrohet VMRO-DPMNE-së dhe në rast se ajo do të refuzohet, atëherë BDI do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
www.voal-online.ch
|