Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle viziton sot Kosovën, në përfundim të vizitës së tij treditore në Ballkan. Shefi i diplomacisë gjermane do të takohet me krerët e Kosovës, krerët e KFOR-it, do të mbajë një fjalim në parlament dhe do të vizitojë trupat gjermane në këtë vend.
Më parë ai ishte në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë - Hercegovinë. Gjatë qëndrimit në Beograd ai tha se Bashkimi Evropian mbështet bisedimet e drejtpërdrejta në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Westerwelle tha se dialogu për çështjet praktike është i domosdoshëm dhe duhet të zhvillohet në Bruksel e jo në Nju Jork. Mirëpo ai theksoi se pajtimi mund të arrihet vetëm, nëse Beogradi ballafaqohet me realitetin. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është realitet, ndërsa harta gjeografike e Evropës Juglindore është vizatuar dhe e përfunduar.
Westerwelle në Beograd u takua me presidentin Boris Tadiq, kryeministrin Mirko Cvetkoviq, ministrin e Jashtëm Vuk Jeremiq, krerët e pesë partive politike dhe mbajti një fjalim para studentëve të Univesitetit të Beogradit. Ai premtoi mbështetje në rrugën e Serbisë drejt BE-së, por vetëm nëse respektohen kriteret e caktuara: "Këtu bëjnë pjesë edhe marrëdhëniet e mira me fqinjët, të cilat janë shumë të rëndësishme për Gjermaninë", tha Westerwelle. (http://www.dwelle.de)